
Satirë nga Rafael Floqi/
Në një vend të largët, ku çdo gjë matej me propagandë dhe çdo sukses shpallej historik, ndodhi një fatkeqësi kombëtare. Jo, nuk u shemb ndonjë urë. Nuk u fundos ndonjë anije. Nuk ra as sateliti i radhës. Ra… një yll. Jo nga qielli. Nga Google. Dhe ja ku nisi paniku. Në Pallatin e Madh të Vetëlavdërimit u mblodh menjëherë Këshilli i Sigurisë së Pesë Yjeve. Ministrat hynin me fytyra të zbehta, oligarkët mbanin telefonat në dorë duke rifreskuar faqet e bizneseve çdo pesë sekonda, ndërsa ekspertët e propagandës kërkonin me ngulm autorin e atentatit.
– Kush e hodhi yllin? – pyeti Kryezoti.
– Nuk e hodhi askush, Shkëlqesi… ia ulën.
Në sallë ra heshtja.
– Si… ia ulën?
– Me një klikim…
Në atë çast, një ministër pothuajse humbi ndjenjat.
Deri dje këta njerëz jetonin të lumtur. Çdo restorant ishte “më i miri në Ballkan”. Çdo hotel “më luksozi në Europë”. Çdo resort “mrekullia e tetë e botës”. Mjaftonte një prerje shiriti dhe televizionet shpallnin se kishte ardhur epoka e re.
Por askush nuk kishte menduar se armiku nuk do të vinte me tanke. Do të vinte me… një yll. Një yll i vetëm.
Ai yll i vogël kishte fuqi më të madhe se dhjetë konferenca shtypi. Policia u vu menjëherë në lëvizje.
Krimi ekonomik? Pret. Vjedhjet? Më vonë. Trafiku? Nesër. Por një koment në Google? Alarm kombëtar!
Në komisariate u krijua sektori më modern në historinë e shtetit. Drejtoria Kundër Yjeve. Hetuesit nuk numëronin më fishekë. Numëronin emoji.
Ekspertët nuk analizonin më gjurmë gishtash. Analizonin komente.
Laboratorët nuk kërkonin ADN. Kërkonin IP.
Një oficer raportonte krenar: – Kemi kapur një qytetar që shkroi “shërbim i dobët”.
Salla shpërtheu në duartrokitje.
– Hero! – tha shefi.
Një tjetër njoftoi: – Kemi identifikuar një grua që vendosi vetëm një yll.
– Arrestojeni menjëherë! Mund të jetë pjesë e organizatës ndërkombëtare “Fronti për Uljen e Vlerësimeve”.
Ndërkohë, oligarkët nuk flinin. Jo se u mungonte paraja. U mungonin yjet. Ata e kuptuan se miliona euro tenderë nuk blinin dot pesë yje në internet.
Sa tragjike!
Një pallat kushtonte 120 milionë euro. Një review kushtonte zero.
Dhe pikërisht ai falas po shkaktonte dhimbjen më të madhe. Në televizionet kombëtare filluan debatet.
Analisti i parë tha: – Një yll është sulm ndaj ekonomisë.
Analisti i dytë: – Një koment negativ cenon stabilitetin rajonal.
I treti shkoi edhe më larg. – Kjo është pjesë e luftës hibride.
Askush nuk pyeti pse një review kishte më shumë fuqi se dhjetë reklama qeveritare.
Pas disa ditësh u shfaq ideja më revolucionare. Të ndërtohej Ministria e Yjeve.
Ministri do të kishte detyrën të kontrollonte qiellin digjital. Çdo qytetar para se të shkruante një koment, do të merrte leje. Në formular do të pyetej: “Sa yje dëshironi të vendosni?”
Nëse përgjigjja ishte pesë…
“Miratohet.”
Nëse ishte katër…
“Kërkohet sqarim.”
Nëse ishte tre…
“Dyshohet për ndikim të huaj.”
Nëse ishte dy…
“Kontroll financiar.”
Nëse ishte një…
“Ju lutem prisni policinë.”
Propaganda nuk mbeti pas. Filluan të shfaqeshin reklama: “Pesë yje për Shqipërinë.”
“Pesë yje për zhvillimin.” “Pesë yje për lumturinë.”
Një fëmijë pyeti gjyshin: – Po nëse nuk më pëlqen? Gjyshi e mori mënjanë. – Mos e thuaj me zë të lartë. Thuaje vetëm në ëndërr.
Ndërkohë qytetarët zbuluan një sekret të madh. Në demokraci vota hidhet një herë në katër vjet. Në Google mund të shkruash sot.
Kjo i trembi shumë pushtetarët.
Ata e kuptuan se interneti nuk kishte komision numërimi. Nuk kishte kuti. Nuk kishte patronazhist. Nuk kishte administrator. Nuk kishte as komisioner partie.
Vetëm tastierë. Dhe ndërgjegje.
Një oligark organizoi mbledhje urgjente.
– Çfarë po ndodh?
Një këshilltar iu përgjigj:
– Populli nuk po blen më reklamën.
– Atëherë blejmë popull tjetër!
– Nuk gjendet në treg.
– Po yje?
– Edhe ato nuk shiten.
Në sallë pllakosi heshtja.
Ishte hera e parë që paratë nuk bindnin algoritmin. Në fund, Kryezoti doli para kamerave.
Ai deklaroi solemnisht: – Nuk kemi frikë nga askush.
Vetëm nga shpifja.
Gazetarët nuk pyetën.
Sepse e kishin kuptuar.
Në këtë republikë nuk e trembte opozita. As protesta. As ekonomia. As korrupsioni. As varfëria. Të gjitha këto mund të menaxhoheshin me konferenca shtypi.
Por një yll i vetëm…
Ai nuk negocionte.
Nuk blinte reklama.
Nuk merrte tender.
Nuk pranonte dekorata.
Nuk hynte në koalicion.
Nuk shikonte televizion.
Dhe, mbi të gjitha, nuk pyeste se kush ishte oligark e kush ministër.
Ai binte aty ku e çonte gishti i qytetarit. Prandaj pushteti nuk shpalli luftë kundër korrupsionit.
Shpalli luftë kundër… yllit.
Sepse e kuptoi se një ditë mund të ndodhte mrekullia më e madhe politike.
Qytetarët të mos kërkonin më pesë yje për qeverinë.
Por vetëm… një.
Dhe në atë çast, perandoria e ndërtuar mbi propagandë do të kuptonte se qielli nuk kontrollohet me urdhra policie.
Sepse yjet e vërtetë nuk ndriçojnë me dekret.
Ata ndizen ose shuhen nga besimi i njerëzve.
Dhe kur populli fillon të fikë yjet, as teleskopi i propagandës nuk arrin t’i bëjë të duken më të shndritshëm.