Nga Albert HABAZAJ/ studiues*/
Lexuesi vlonjat, kurveleshas, tepelenas, mallakastriot, elbasanas, tiranas, dëshnicas, koplikas, dibran,çam, lab- himariot e lumas, shqiptarët e Malit të Zi e të Maqedonisë, edhe shqiptarët e Amerikës, edhe të gjithë ata njerëz që ndjejnë se në trupin e tyre ( kudo ku jetojnë nëpër botë) pulson gjak shqiptari, në nderim të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, kanë fatin të marrin e të gëzojnë një dhuratë me shumë vlerë kombëtare. Është një libër me dritë për profilin e një veterani kombëtar pa njollë. Është shpirti i pastër, zemra bujare dhe mendja e kthjellët e fisnikut të tejdukshëm, zotërisë Enver Memishaj- Lepenica që bën këtë dhurim vëllezërve shqiptarë dhe miqve dashamirës të Vlorës e Shqipërisë. Është libri “Major Ahmet Lepenica Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, në Luftën e Vlorës, 1920” monografi historiko-folklorike që autori na fal dhe ne krenohemi, se kemi një xhevahir në dorë për 100 vjetorin e krijimit të shtetit kombëtar shqiptar.
Në librin për Ahmet Lepenicën jepet rruga e jetës kombëtare e major Ahmet Lepenicës sipas kriterit kronologjik. Ahmet Labi shfaqet si bashkëkohës i reformatorit, “babait të turqve” Mustafa Qemal, Plakut të Urtë të Flamurit dhe Bacës Isë e trimave të tjerë të mendimit dhe të veprimit. Në të gjitha ngarjet e mëdha të kohës jetoi aktivisht: Më 1912-’13 shfaqet patrioti i arsimuar si mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare. Më 1920 shkëlqeu si Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare dhe, me Luftën e Vlorës, gremisën në det Perandorinë e Re Romake, që u vërsul si grabitqare nga Apeninet, por u tërhoq pa lavdi. Më 1921 Majori na shfaqet komandant i krahut të Vjosës. Më 1922 Qarkkomandant i xhandarmërisë, Gjirokastër dhe më 1924-ën, 52 vjeçari është i mbushur me idealet kombëtare, duke u evidentuar në udhëheqje të Revolucionit të Qeshorit me Fan Nolin, Bajram Currin, Elez Isufin e burra të tjerë të vlertë kombëtarisht. Rrojti dhe 17 vjet mbas të parës, të vetmes dhe të fundit humbje në fushën e betejës, deri sa 69 vjeç dha frymën e fundit në duart e Selvi Ali Mëhilles, gruas së tij besnike nga Dukati.
Për këtë material që po paraqes, kam tri pika referimi: 1- Luftën e Vlorës si ngjarje e ndodhur historike, 2- Ahmet Lepenicën si një figurë që peshoi në këtë luftë dhe 3-Enver Memishën si autor i monografisë për Epopenë e çlirimit të trojeve tona me komandantin e saj ushtarak Ahmet Canin, që populli në respekt të veprës së tij e thirri Ahmet Lepenica, kurse miqtë e lartë dhe Paria e vendit e folën Ahmet Labi.
1- Nga “Historia e Shqipërisë” vëllimi II; Tiranë: 1965, Lufta e Vlorës trajtohet në mënyrë të përgjithshme, sintetike dhe vlerësohet për fitoren dhe entuziazmin që ndezi ndër shqiptarët e Lirisë; përmenden edhe emrat e Osman Haxhiut, Qazim Koculit, Ahmet Lepenicës si dhe emri i Selam Musait. Përmenden, nuk mohohen, por tepër thatë, si të qe një nga ato njoftimet e zakonshme të ATSH, që ajo jep rëndom, për rutinë pune. Më tej heshje apo më keq degradim i vlerave të mirëfillta e të vërteta historike. Në Erën e Re Shqiptare (mbas vitit 1990 deri më sot), Lufta e Vlorës, ka gjetur mirëkuptimin e të gjithë palëve: të politikanëve, qytetarëve dhe historianëve dhe është trajtuar realisht, duke e vlerëuar si një ngjarje që vendosi fatet e Shqipërisë. Në këtë libër Lufta e Vlorës jepet e shtrirë në gjerësi dhe në thellësi, ashtu siç ka ndodhur dhe mbetet në kujtesën e Kombit: Rishpallje e Pavarësisë Kombëtare, Pavarësia konkrete e Shqipërisë. Komentet e tepërta janë ujëra që s’duhen.
2- Enver Lepenica, ky bir i Labërisë së Brendshme të Lumit të Vlorës, e ka ravijëzuar portretin e tij si studiues serioz qysh 15 vjet më parë e në vijimësi me 11 vepra të botuara të gjinisë publicistike dhe historike, duke qenë mik i së vërtetës, djalë Shqipërie dhe punëtor i vlerësuar për shërbimet që i bën kulturës sonë. Bashkë me nderimin e prof. Alqi Naqellarit dhe studiuesit e shkrimtarit Novruz Xh. Shehu, që më vitin 2010 me botimin e veprës “Enveri i Lepenicës”– një buqetë e freskët për 65 vjetorin e lindjes, Enver Imer Memishaj meriton sinqerisht edhe mirënjohjen dhe respektin tonë. Me figurën e Ahmet Lepenicës autori ka kohë të gjatë që është angazhuar. Qysh para 30 vjetësh ai ka botuar artikuj në gazeta të ndryshme lokale e kombëtare në Shqipëri kushtuar patriotit lepeniciot me arsim të lartë ushtarak, i cili udhëhoqi me zotësi beteja që konkluduan me çlirimin e Vlorës e krahinave të saj më 1920-ën e lavdishme. Edhe ky libër për komandatin ushtarak të Njëzetës është produkt i dashurisë për vendlindjen që ka autori, trashëguar edhe gjenetikisht, respekt konkret ndaj Lepenicës, Mesaplikut, Labërisë dhe gjithë Shqipërisë. Ky libër nxjerr në pah edhe një herë fuqishëm vlerat shkrimore e botuese të autorit dhe është, për mendimin tim, vula e përkushtimit të një studiuesi për çështjen e Atdheut dhe ndaj trimërisë e heroizmit të një ushtaraku, të cilat Ahmet Lepenica i kishte natyrshëm virtyte e cilësi të ushqyera në vatrën familjare të Esma e Islam Canit, qysh më 1872, kur leu. Nëpërmjet këtij punimi dëshiroj të evidentoj se janë botuar shumë libra për Luftën e Vlorës e trimat e saj nga Ago Agaj, Gani Iljazi (Habazaj), prof. Muin Çami, prof. Viron Koka e Sazan Xhelo, prof. Bardhosh Gaçe, apo edhe nga firma të tjera më minore në historiografi, sidomos për personazhe konkretë të kësaj epopeje.
Nga botimet e periudhës postkomuniste e këtej, parë në fokusin e hierarkisë së vlerave të figurave historike të asaj lufte të gjerë popullore, ku mori pjesë i gjithë komuniteti i udhëhequr nga Paria e vendit me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, ky libër është ndër tre librat më të vyer botuar deri më sot. Të parin vlerësoj librin “Emblema e një epopeje”, shkruar po nga Enver Memishaj- Lepenica; 2- monografinë e madhe “Osman Haxhiu” me autor buldozerin e kulturës dhe historisë së Vlorës prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe 3- “Major Ahmet Lepenica…”, ky libër për të cilin sot po diskutojmë me kënaqësi e nderim. Ndërsa për nga rëndësia e lëndës, dëndësia e besueshmëria e informacionit që jep, “Major Ahmeti” i autorit E. Memishaj qëndron shumë i vlerësuar e dinjitoz në krahë të librave më të plotë të historiografisë shqiptare.
Përse e vlerësoj këtë libër, që autori i dhuron 100 vjetorit të Pavarësisë? Së pari, është angazhim shumë dimensional që autori bën për herë të parë në kushtim të një vigani të Luftës së Vlorës dhe jo vetëm të kësaj ngjarjeje kombëtare.
Së dyti, është jetëshkrim i plotë i rrugës kombëtare të major Ahmet Lepenicës, i pari, siç thashë dhe i vetmi, që besoj se nuk mund të ketë një të dytë kaq të plotësuar.
Së treti, vërej një harmonizim të organizuar siç duhet të trashëgimisë historike me trashëgimin kulturor dhe me ato tufa lulesh folklorike, që autori përzgjodhi në këtë monografi me njësitë folklorike nga epika historike kushtuar Ahmet Lepenicës, këtij emri pa njolla në histori. Në këtë këndvështrim dalloj vëmendjen ndaj trashëgimisë historike, që autori njeh më mirë.
Në këtë libër, pas një leximi të kujdeshshëm dhe gjatë studimit të monografisë, vërej transparencën dhe turbullësirën si raport ndaj çështjes së Luftës së Vlorës, udhëheqësve dhe luftëtarëve të saj, që autori e ka trajtuar me koherencë e guxim intelektual, duke u matur edhe me “deshtë përçorë” të historiografisë shqiptare apo me figura të njohura, që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë, por që, sipas autorit, kanë qëndrime të pasakta, të njëanëshme dhe zbehin ndriçimin vigan të Luftës së Vlorës dhe trimave çlirimtarë.
Ky libër, më i riu e më i ploti i autorit na shëron edhe kombëtarisht, sepse kirurgu historiko-folklorik, miku ynë i mirë Enver Memishaj vlerëson kriteret shkencore të botimit, sidomos dy elementët e domosdoshëm për një botim biografik: 1-dokumentin historik dhe 2- dëshminë historike, duke i dhënë përparësi, normalisht, dokumentit historik.
Dihet historia, por Enver Memishaj ka meritën se ka plotësuar faqe të munguara jo vetëm në historinë lokale por edhe në përmasa më të gjera, se ka zbardhur portrete të harruara (nuk dihet çdo të ndodhte me Ahmet Lepenicën, po të rronte pas Luftës së Dytë Botërore, se ai vdiq sapo u fut 41- shi dhe në Shqipëri). Memishaj u ka hequr pluhurin e harresës, bëzhdilet ngarkuar padrejtësisht figurave të pluhurosura nga regjimi totalitar. Fatkeqësisht, tjetër gjë janë historishkruesit dhe tjetër gjë të mbajturit mend nga historibërësit, historijetuesit dhe kujtesa sociale e komunitetit ku kanë jetuar e vepruar për kombin personazhet historikë të këtij vendi. U realizoftë rezonanca e këtyre dy shtyllave, që lënë gjurmë përgjatë rrjedhave të kohës për t’u përcjellë brezave vërtetësinë jetësore!
Njihet historia, por Enver Memishaj, me metodologjinë e kulturën që është plotësuar gjatë jetës, përdor një gjuhë të pastër e të kuptueshme; kur duhet, përdor edhe të folurën dialektore, që fiksohet lehtë e qartë në memorie me tipologjinë e identitetit, që evidenton me tekstin e shkruar. Kam kuptuar qëndrimin e shëndetshëm kritik të autorit për vështrimin dhe shkrimin koherent të kësaj lufte të drejtë, e cila synonte shporrjen e kolonizatorëve nga trojet shqiptare të pushtuara; po ashtu edhe vlerësimin e tij që i bën luftës së luftëtarëve të trojeve autoktone. Lufta e Vlorës ka patur formacione të rregullta, të organizuara me çeta, me gjerësi e shkallëzim luftimi dhe me vertikalitet korrekt drejtimi. Nga ky truall studimor doli punimi i E. Memishajt për të portretizuar njërin nga personazhet kryesorë të Njëzetës, njërin nga komandantët ushtarakë të asaj epopeje, patriotin e ditur Ahmet Lepenica.
Siç e shpreha, në këtë libër shfaqet guximi atdhetar e intelektual i autorit, që ndez dhe ndjenjën e debatit, pa fyer diversitetin e kulturave të individëve e komuniteteve të ndryshme. Enver Memishaj jep kontribut konkret kombëtar për vlerësim real të figurave madhore të pavlerësuar gjer sot. Ai nuk i shërben glorifikimit të pamerituar, për hir të denigrimit monist. Autori i paraqet siç janë personazhet e luftës, apo, në rastin konkret, heroin e tij, me koloritin e qëndrimit në kohë e në hapësirë, parë nga konteksi i duhur për një studiues, që punon saktë edhe me institucionin verbal të aparatit bibliografik.
Ndihem mirë që jam mik i autorit, por sidomos që paraardhësit e mi Murat Miftar Tërbaçi e Gani Iljaz Abazi ishin edhe miq të Ahmet Lepenicës, Osmën Haxhiut, Qazim Koculit, Duro Shaskës, Qazim Kokoshit, Hamit Selmanit, Alem Mehmetit, Ali Beqirit, Hysni Shehut, Azbi Canos, Sali Bedinit, Myqerem Hamzarajt, Beqir Sulos, Meçan Selamit, Rexhep Sulejmanit, Halim Xhelos e tërë atyre luftëtarëve të kombit. Edhe unë do të përpiqem ta justifikoj, në kushtet që jetojmë, këtë fakt të nderuar e dinjitoz.
Të dritëroftë pena e shpirtit të pastër dhe e mendjes së kthjellët, o zotëri Enver Memishë Lepenicë Bujari! Faleminderit!
Vlorë; e shtunë, 10.11. 2012
*) Kumtesa është mbajtur në diskutimin e librit “Major Ahmet Lepenica…” të autorit Enver Memishaj- Lepenica