“Shenjtëri të vjedhura” të Naun Kules/
(esse)/
Nga Përparim Hysi/
Kisha shumë arsye për ta lexuar librin e fundit”Shenjtëri të vjedhura” të shkrimtarit Naun Kule. Së pari, jemi nga një “nahije” dhe, së dyti, prej kohësh, dhe kemi qenë kolegë. Naun Kule veç punës si mësues i gjuhë-letërsisë, ka debutuar në fushën e letërsisë, këtu e gati 50-vjet të shkuara. Natyrisht, gama e botimeve të tij, gjatë kohës, jo vetëm është rritur, por dhe është zbukuruar. Tek po nis të shkruaj për të, nuk di pse më vinë ndërmend ca vargje që thuhen për kokrrën e grurit( më thërret geni im i bujkut, den babaden): ” Kokrrë e grurit, piciruke/ ku je fshehur dhe s’po duke/… dhe, për mos mërzitur lexuesin, vargjet vazhdojnë “… ca prej ujit/ ca prej dritës/ unë u rrita/ ditë pas ditësh/. Gjithmonë, bëj analogji dhe, tek flas për grurin, kështu ka ndodhur dhe me Naun Kulen.
Ka filluar të botojë që nga viti 1979 dhe, deri tani, ai ka botuar 11 libra ku veç librave artistikë, ka shkruar biografi të letrarizuara, monografi dhe, të tilla me vlera të pakontestueshme historike, si”Shenjtëri të vjedhura”, të cilat kërkojnë të hulumtosh arshivave dhe dokumenteve që nuk është as lehtë për t’i gjetur dhe, ca më shumë, të ngulësh “bririn” mbi to. Në këtë libër, më tepër se kurdoherë, Naun Kule më afron Demostenin e lashtë ( ai , i mbyllur në atë vozën mitike). qëkur e pyetën, pse qe mbyllur kështu, tha: ” Kam harxhuar më shumë vajë se verë”. As më shumë dhe as më pak, kështu ka ndodhur me Naun Kulen.
* * *
Duke shkruar librin “Shenjtëri të vjedhura”, Naun Kule sikur e ka vënë “kryqin” mbi shpinë. Si intelektual me mizur patrioti, ai është bërë misionar i së vërtetës. Dhe mos kujtoni se, me të vërtetë,është aq e lehtë të thuash dhe të luftosh për të vërtetën. A mos u çuditni: nuk është se po hiperbolizoj, kur shkruaj kështu. Kemi 25-vjet demokraci dhe shtetarët ( të djathtë e të majtë) kanë vënë syze të zeza dhe veshët i kanë zënë me dyllë dhe nuk duan t’ia dinë që, për njezet e pesë vjet me radhë, ia kanë hequr “autoqefalinë” Kishës Ortodokse Shqiptare. Në krye të KIshës Shqiptare qëndron e sot e kësaj dite, MISIONARI GREK, JANULLATOS! Pra, Kishës Ortodokse Shqiptare i kanë hequr skalpin. Dhe jemi para një fakti shumë kokëfortë: ndërsa Zogu gati mbi njëqind vjet më parë , niste me avion të posaçëm At Visarion Xhuvanin në Rumani vetëm e vetëm për pavarësinë e Kishës Sqhiptare, shtetarët e sotëm, bëjnë sikur nuk e vënë re, që kreu i”importuar” nga Greqia nuk psallt shqip.Shkoi me mend aty nga vitet ’30-të, të shekullit të kaluar kur Çajupi shkruan tek vjersha “Misiri” :”… dhe, mbi të gjitha, një efendinë/qeveris vendin nën Anglinë/. A thua t’i dinë këto vargje shtetarët tanë në lidhje me “autoqefalinë” e Kishës Shqiptare? Dhe bërtet Naun Kule:” Hirësi, ZOTIT, i flitet dhe shqip”. E fillova me Janullatosin se ndaj të njëjtin mendim me Naun Kulen dhe me shumë shqiptarë të tjerë!
* * *
Pa modesti të rreme, e heq veten si pak poet. Mbaj mend që në një nga poezitë e mia kam thënë: ” Një vend nuk e prishin njerëzit e ligj/ Se njerëzit e ligj në çdo vend, numërohen me gishta/ Një vend, më shumë se çdo tjetër/ e prish heshtja e njerëzve të mirë. Tek i sjell, në vija të trasha, këto vargje, them se Naun Kule jo vetëm nuk hesht, po e bën zërin kambanë që të shkallmojë “veshët me dyllë” të atyre që kanë më shumë”merita”, sa me shurdhin që bëjnë dhe aq me miopinë proverbiale. Karizma e Naun Kules sa vjen e bëhet më e bukur, kur me fakte e dokumente historike, i heq “zhgunin mitik”, një të ashtuquajturi “shenjt” siç është “Shën Kozmai”. Ky,”Shën Kozmai”, misionar grek i dërguar në vendin tonë në kohën e Ali Pashë Tepelenës, ish aq”shenjt”,sa mallkonte gjuhën shqipe dhe, si i dërguar me mision të posaçëm, e quante të “shenjtë” veç gjuhën greke.
As dua që të merrem me historizma, por dua të theksoj,se,sado që Kozma Etolit iu pre koka, për të u ngrit një manastir në Kolkondas të zonës së Libofshës në Fier dhe u”shenjtërua” duke i veshur një zhgun mitik. Aq u pompua ky”shenjt”,sa “fama” e tij gojarisht u amplifikua deri në legjendë dhe, çudia më banale, qëndron se ai “Shen Kozmai” u personalizua si shenjt deri në popullsinë myslimane, me një përshtatje ndajshtimore, si “Çoban babai!!!!”. Natyrisht, me një padituri ekstreme të asaj kohe, ishte lehtë të “martirizohej” dhe të “shenjtërohej” çdo misionar, por, realiteti që vret, është se dhe, pas dyqind vjetësh,”litari” mbi varr të këtij “pseudoshenjti” qëndron ende. Për të treguar,se i ashtuquajtur “shenjte” e ka varrin “në tokën e tij”, sipas Karlo Papuliasit, ka një domethënie me prapavijë të qartë. Naun Kule nuk është as kundër fesë kristiane,as cilësdo feje tjetër. Rritur në një familje që kishën e kishte si shtëpi të dytë ( i ati kaqenë psallt), ai me guximin proverbial për t’ia zhveshur zhgunin mitik, këtij misionari grek me emrin Kozma Etoli, më kujton një murg rus, Sergei Trufanovin që i zhveshi zhgunin mitik, sharaltanit Rasputin. Sergei Trufanov, pse iu kundërvu, sharlatinn Rasputin, u quajt “murgu i marrë”. Dhëntë zoti,- them dhe shkruaj,- mos quajnë të “marrë” dhe Naun Kulen që si intelektual dhe patriot, ngre zërin dhe thotë një të vërtetë që bën mu.
* * *
Në qëndrova dhe shkrova për Naun Kulen dhe librin e tij “Shenjtëri të vjedhura”, nuk kam si mos shtoj për lexuesin dhe këto: “… shko, gërmo nëpër arshiva dhe, po shkrove mirë për “Shën Kozmanë”, ne do të mbajmë mbi kokë”. Ky është propozimi i sponsorëve grekë. Por Naun Kule në vend të zgjidhte që të qëndronte”mbi kokë”, preferoj të jetë i varfër, por i ndershëm dhe mbi tokë. Nga ky qëndrim, nuk ke se si mos mbresohesh, me të vërtetë, në këtë kohë të mbushur me “patriotë dallkaukë” që bashkë me shtetarët janë kthyer në pragmatistë të kulluar.
S’kam si mos them për Naun Kulen, ato fjalë që ka thënë Presidenti i parë i Amerikës, GEORGE UASHInGTONI
:” Unë më mirë vdes,se sa të shtrëmbëroj të vërtetën”. Dhe Naun Kule veç ka thënë të vërtetën. Vallë, mos ka bërë pak?
Tiranë, 14 tetor 2015