NGA SINAN KAMBERAJ/
NJERIU I SHENJAVE TË MËDHA/
Saherë vinte në New York – /
Në Zemrën e Tokës së Shenjtë/
Ai fliste mendueshëm/
Për Shenja të Mëdha/
Për Shtëpinë -/
Që e ruan Zoti /
Dhe Miqtë …/
Pastaj –
Për Gurët për Diellin
Për Tokën e Qiellin …
Por, tek fliste për Zjarrin –
Që duhej shuar
Se, po ra –
Mund të digjte gjithçka të gjallë –
Më bëhej se i shtohej
Një rrudhë më shumë në ballë …
Njerëzit pëshpërisnin
Dh’e vështronin me habi
Si mund ta shuante
Zjarrin –
Me Frymë
Ky Njeri?!
*
E vështronim me dhimbje
Kur ndahej prej nesh
Në Aeroportin Kennedy …
Tek shpërndërrohej
në një Lejlek krahëthyer
Që fluturonte me nxitim –
Me ankthin se Mullenjëzezat –
mund t’ia shthurnin Folenë
Majë Oxhakut të Kullës –
Në Dukagjin …
*
Dhe vitet shkonin
Borë thinjash reshte
Mbi koka të njerëzve
Që prisnin Mrekullinë…
Po –
Ai s’e humbi kurrë Besimin
Se Dielli i Naimit –
Lind andej nga Perëndon …
Dhe vitet shkonin …
*
Çatia zu’ të pikonte pikëllim
Nga dhimbjet e trarëve
Që kërkëllinin –
Në Acarin e Dimrit
të Vetmisë së Madhe
Qindvjeçare!
*
Dhe –
Kur pakkush besonte
Se Dita e Premtuar
Do të hapej nga Qielli –
Rrathët e Ferrit të Dantes
Po çaheshin me gjëmim
Nga uturima e Zogjve të Zjarrtë
Mbi Qiejt e Ballkanit –
të shituar nga Qoftëlarg’ja Plakë …
Err e terr: Flakë – flakë!
Njerëzpengjet Dardanë
Po iknin pikëllueshëm në një Karvan Biblik
Si dikur moti nē Jug –
Sivëllezërit e tyre Moreanë
Ata shfaqeshin e çshfaqeshin trishtueshëm
Si hije –
Drejt horizontit të përflakur
Ku pritet Qielli më Tokën…
Njerëznumrat –
Në podrume rrënojash
Flisnin me gishtërinj:
Një, dy, tre … dhjetë –
Shtatëdhjetetetë!
Njiqindvjetnet!
*
Dhe
Papritmas –
Bashkë me Mrekullinë
U përmenden dh’e panë
Me sy të lbyrur
Kufirin e Ferrit!
*
Tashmë –
Lulëkuqet kishin shpërthyer
Në pellgje të njoma gjaku
Mbi pirgje kufomash
Në ara e livadhe
Në korie e grykëmale …
*
O Zot!
Ç’Diellmejt po lindte
Bashkë me dënesa bonjakësh
E gulçima Nënash të dhunuara …
*
Dhe –
Kur u çel Qielli i Dardanisë
Të gjallët –
Rikthyen tē folmen e moçme
Me jehona Alpesh;
– A jeni njehë, ore-e!
– O, po ore, po-o-o!
Dhe filluan ta masin kohën
Me Shenja të Reja:
Para Rugovës dhe Mbas Tij!
________________
New York, 2 dhjetor
(Në ditëlindjen e Tij)