• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERIU

June 21, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Jeta është koha që jetohet, është mrekulli. Çdo ditë e re një sfidë. Dhe njeriu kujtohet se jeta ka vlerë, sepse ajo është e kufizuar. Koha fluturon, por edhe mund të humbasë, kur nuk përjetohet, ose kur administrohet sipas regullave të vendosur nga një tjetër. Që ta kuptosh duhet, me guxim e bindje, për ndjekur udhën tënde.Në shumë raste njeriu ndjen se nuk bën jetën që do, ose jetën e qëllimshme. Njeriu është si pjesë e programit të një sistemi kontrolli, i cili i dikton atij se çfarë duhet të bëjë me kohën e dhuruar nga natyra për të jetuar me talentin e vet, duke i thënë se ku të jetojë, si të jetojë, dhe çfarë mund të arrijë.Dhe njeriut i mbeten dy alternativa – të vazhdojë sipas programit ose të shkëputet nga priza e sistemit dhe fillojë të jetojmë sipas qëllimit a bindjeve të veta, në kushte e në kohën e vet, të shkelë në shteg të ri të pa hapur, ku mund të lërë gjurmë, larg nga udha e zakonëshme.Natyra kërkon të thotë diçka, me gjithë këto ndryshime që po ndodhin gjatë kohës sonë; se njeriu nuk ka nevojë për shumë gjëra për t’u ndjerë i lumtur. Me një iPhone a kompjuter, sot mund të shëtisë botën, por prap ai vazhdon me lakmi të grumbullojë sende, të blejë toka, shtëpi gjigante e rroba, shumicën e të cilave as që e di se i ka diku hedhur në ndonjë sirtar a qoshe.Shumica e njerëzve, në një vend relativisht të lirë, janë aq të zënë me kujdesin për fakte dhe punë të tepërta, sa harron të mbledhë e shijojë frutat që ofron jeta. Gishtat e tij nga mundimi i tepërt janë shumë të ngathët dhe dridhen. Në fakt, njeriu nuk ka kohë të lirë për të qenë as vetja. Ai nuk mund të mbajë marrëdhënie të sinqerta me të tjerët; puna e tij zhvlerësohet; por ka kohë për të qenë robot; s’është në gjendje të kujtojë se është injorant – gjë që kërkon rritja e tij – nuk ka kohë të përdorë njohuritë e veta. Cilësitë më të mira të natyrës njerëzore janë si frytet e një peme që mund të rriten vetëm nga trajtimi me kujdes. Megjithatë, njeriu me pushtet zakonisht e trajton tjetrin pamëshirë, padinjitet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, njeriu

AVNI PONARI, NJERIU I PUNËVE TË MIRA…

October 11, 2018 by dgreca

1 sigal

Nga Dëfrim CANI –publicist/1 avni Ponari
1 Sigal1

1.Duke ju siguruar se vlerësimet për një njeri si Avni Ponari, nuk vijnë nga këmbëngulja publicitare apo njohja që, njëri apo tjetri ka me këtë personazh publik, po nga marrëdhënia që Ponari dhe njerëzit e dimensionit të tij kanë me shoqërinë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, një nga refleksionet e para që i vjen një njeriu të zakonshëm për këtë lloj komunikimi social, vjen nga një fakt i thjeshtë, nga një përvojë e thjeshtë, e njohur nga thellësitë e kohrave për punët e mira që duhet dhe mund të bëjë një njeri në jetën e tij. Njerëzit e “punëve të mira” janë kaq të shumtë në jetën tonë të përditshme sa koncepti duket i hershëm, i zakonshëm dhe që nuk zgjon ndonjë përjetim emocional në dukje të parë. Në të vërtetë nuk është kështu.

Njerëzit e punëve të mira janë fundamentet tona jetike-jetësore që në ditën e parë që ne vijmë në këtë jetë, që në momentin e parë që krijojmë marrëdhënien sociale brenda familjes dhe më gjerësisht se me familjen tonë. Njeriu i parë i punëve të mira është familja, janë nëna dhe babai, të cilët mbartin sakrificën fondamentale të përgatitjes sonë jetësore për të marrë vlerë dhe funksione sociale. Në thelbin e vet, shoqëria njerëzore e ka shtresuar këtë mesazh dhe fundament në raportin dhe detyrën e prindit me fëmijën. Në fund të fundit kjo është një punë e mirë. Pas këtij momenti, çështja e punëve të mira të njerëzve tanë, ato që i njohim dhe ata që nuk i njohim bëhen më të dukshme, më të rëndësishme dhe më reflektare në jetën tonë.

Në historinë e veprimtarisë njerëzore, çështjet e njerëzve të këtyre punëve të mëdha, e kanë ushqyer përvojën njerëzore me shembuj të shkëlqyer, të cilët kanë krijuar jo vetëm shembuj të humanizmit, të shoqërisë në zhvillim, por kanë ngritur sisteme referenciale të zhvillimit njerëzorë. Që në antikitetin e lashtë, në të gjithë kujtesën njerëzore, e cila na ka ardhur përmes burimeve të shkruara dhe të pashkruara, historitë e njerëzve të punëve të mira iu kanë rezistuar kohërave për shkakun e një lloje marrëdhënie universale që ata vendosin me kohën, me njerëzit dhe zhvillimin, si modeli progresiv i pranueshëm.

2.

Shënimet e thjeshta për Avni Ponarin nuk mund të nisin ndryshe, jo për veçanësinë e tij në këtë kohë që po jetojmë, por për shkakun e një modeli të njohur njerëzorë, i cili në thelbin e vet ka humanizmin njerëzorë nga njëra anë, dhe për arsyen e krijimit të këtij modeli në një kohë relativisht të vështirë në vendin më të veçantë të Ballkanit, siç është Shqipëria, me një të shkuar të afërt problematike, por dhe me një të tashme po kaq problematike.

Por përkundër gjithë kësaj problematike bazike të vendit, Avni Ponari ka arritur të krijojë një model emblematik, një shembull valorizues dhe të qëndrueshëm, përmes të të cilit mëson për këtë personalitet interesant, por dhe për një model, i cili arrin të “imponojë” një përvojë praktike- psikologjike, shpresë-dhënëse dhe të dobishme për shoqërinë shqiptare në lëvizje dhe zhvillim. Shoqëritë njerëzore, madje vendet e zhvilluara, më së shumti kanë bërë progress dhe janë zhvilluar mbi modelet e mira, mbi punët e mira të individëve.

Avni Ponari sot njihet mjaft mirë nga të gjithë shqiptarët, në Shqipëri dhe jashtë saj, në Kosovë apo në trevat e tjera shqiptare. Ai njihet si Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQUA GROUP AUSTRIA, një nga grupet më të njohura dhe më gjithpërfshirës të sigurimeve shqiptare. Ka diplomuar në Fakultetin e Marinës në Vlorë dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, duke dëshmuar një dashuri dhe vullnet të fortë për dije dhe kulturë. Në vitin 1999, kur në Shqipëri u liberalizua tregu i sigurimeve, Avni Ponari i besoi intiutës dhe ndërmarrjes së tij private, dhe në shkurt të vitit 1999 krijon Shoqërinë e Sigurimeve “SIGAL”, një ndërmarrje e vështirë, të cilës në Shqipëri i mungonte përvoja. Zakonisht në këto raste, njerëz me aftësinë për të kaluar aktualitetin e tyre, arrijnë të ndërtojnë “projektin” e tyre, i cili kërkon inteligjencë, kurajë dhe guxim. Ashtu siç dihet, “fati” ndihmon më së shumti “guximtarët”.

Jo vetëm në themelimin e SIGAL, por në hapësirën gati 20 vjeçare të tij, ka një të vërtetë të rëndësishme, që lidhet me Avni Ponarin, njeriun më të rëndësishëm dhe më përfaqësues të kësaj kompanie. Avni Ponari pa më të voglin dyshim ka pasur dije të qëndrueshme për ta praktikuar këtë përvojë të njohur në shoqërinë perëndimore, por aspak të lehtë në një vend si Shqipëria, e cila vazhdon të ketë një kulturë të pakët mbi praktika të tilla. Në këtë terren bosh, por dhe të vështirë për ta zgjuar dhe bërë aktiv, punoi dhe kontributori Avni Ponari për të ngritur dhe zgjeruar Kompaninë e Sigurimeve SIGAL. Aftësia për të krijuar besim më së pari, puna dhe transparenca për t’u bërë present dhe i dëgjueshëm tek njerëzit dhe disiplina për të demonstruar korrektësi dhe besim tek njerëzit, kanë bërë që SIGAL të tejkalojë vetveten për t’u bërë present në treguan e avancuar perëndimor, e që nga 13 vjet duke u konsuliduar në këtë treg, duke qenë pjesë e njërës nga kompanitë austriake më të njohura të sigurimeve në Europë.

Në këtë hapësirë 20 vjeçare SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA është shtrirë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, duke qenë present gjithashtu në gjithë Europën. Në këtë hapësirë 20 vjeçare, SIGAL është një nga partnierët më të besueshëm në tregun e sigurimeve me numrin më të madh të produktit të hedhur në këtë treg.

3.

Duke u nisur me një bazë të vogël financiare, rreth 400 mijë dollarë, SIGAL në rrugëtimin e vet 20 vjeçarë ka arritur të jetë një nga kompanitë lidere në tregun e sigurimeve, duke krijuar një marrëdhënie të gjerësishme dhe lamishme të veprimtarisë së vet në këtë treg, por dhe në një investues aktivitetesh dhe veprimtarish me akses kombëtar dhe ndërkombëtar. Siç dhe kuptohet, slogani “Mendo që idetë e mëdha ndriçojnë rrugën”, ka qenë një ide dhe angazhim funksional për SIGAL-in dhe Avni Ponarin, duke i dhënë të drejtë atij në një kohë relativisht të shkurtër.

Duke kthyer kokën pas, Avni Ponari dhe aktiviteti i tij ka vazhduar të rritet, pavarësisht në një klimë të vështirë ekonomike të vendit, të mungesës së një kulture të nevojshme për politikën sociale të sigurimeve, por dhe në një mjedis jo të shëndetshëm ligjorë për këtë lloj veprimtarishë. Gati në çdo rast, në prononcimet brenda dhe jashtë vendit, Avni Ponari ka ngritur shqetësimin lidhur me politikat e munguara të shtetit, lidhur me stimulimin dhe krijimin e një klime optimiste për veprimtari private me përfitim dhe ndikim të drejtpërdrejtë social.

Duke kuptuar thelbin e veprimtarisë që SIGAL ka për një kohë të gjatë dhe të qëndrueshme në progres të vazhdueshëm, Avni Ponari dhe stafi i tij i mrekullueshëm arriti të ketë një terren të konsiderueshëm në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni përmes një mekanizmi të sukseshëm, të cilin Ponari e quan çelësi i punës së tij, për të cilën në një intervistë të tij ai shprehet:”Mendoj që transparenca është çelësi i suksesit të një kompanie sigurimi dhe plotësimi i kërkesave të klientëve me produktet që duan ato”, dhe pse në Shqipëri mund të ketë produkte evropiane pa pasur blerës evropian. Në këtë lloj marrëdhënie funksionale për SIGAL dhe të Avni Ponarit, kompania e tij gjatë kësaj periudhe ka dhënë për shërbimet e klientëve të saj mbi 100 milionë euro dëmshpërblim, duke krijuar një besim të fortë tek klientët e tij.

Në “ballafaqimin” madhorë për të plotësuar kërkesat e klientëve dhe për të diktuar një lloj kulture perëndimore dhe në Shqipëri, kultura dhe orientimi i Ponarit, i cili konsideron se “sigurimi nuk është taksë por investim”, SIGAL tashmë përmes investimit general, Platformës Diçitale (në vigjilje të 20 vjetorit të krijimit), krijon një marrdhënie dhe bashkëpunim të rëndësishëm lidhur me shumllojshmërinë e sigurimeve për makinat, për shëndetin, për pensionet private dhe një sërë sigurimesh të tjera, në të cilat mund të gjejnë vetveten gjithë shtresat sociale të vendit. Larmishmëria e sigurimeve në një klimë dhe në një vend si Shqipëria, është e rëndësishme për t’i përfshirë shqiptarët në një skemë sigurimesh. Ky është një lloj investimi dhe një llojë mundësie, që në vetvete shpjegon dhe një tregues të rëndësishëm të humanizmit të Avni Ponarit dhe të stafit të tij.

Fuqizimin e SIGAL-it e tregon investimi që ai ka bërë gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar dhe një marrëdhënie qytetarie dhe të besueshme që SIGAL ka krijuar me abonentët dhe të interesuarit për të. SIGAL dhe Ponari duket se kanë reflektuar një klimë besimi dhe bashkëpunimi të rëndësishëm në mjedisin shqiptar, të cilët praninë e tyre e kanë sendërtuar në bashkëpunime të të gjithë niveleve.

SIGAL dhe Avni Ponari kanë përdorur mjaft mirë mundësitë që iu ka krijuar klima e mundësisë për të investuar dhe për t’iu ardhur në ndihmë dhe mbështetje, nismave, projekteve dhe nevojave lokale dhe ata me ndikim kombëtarë.

Avni Ponari është president dhe i “Toyota Albania”, ku në sallonin e saj të ri (të kësaj marke japoneze) pjesë e Sigal Businnes Center, me vendndodhje në Autostradën Tiranë-Durrës – km 5, ku gjenden versionet e fundit të Toyotës, që nga Aygo, ato të teknologjisë Hybride deri tek unikja Hilux.

Kështu, Avni Ponari nga viti 2008 e drejton Federatën Shqiptare të Basketbollit, si presidenti i saj, duke i afruar krahas gjithë veprimtarisë së saj dhe mbështetje financiare.

Po ashtu, Ponari dhe SIGAL i ka afruar mbështetje klubit sportiv të basketbollit Sigal Prishtina dhe skuadrës së basketbollit për femra “Flamurtari”.

Është iniciatori i hapjes së Klubit të Artit e Kulturës në Durrës, një klub që promovon artistët e rinj.

Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Ponari dhe SIGAL është kontributori i rëndësishëm i prurjes në Shqipëri të armëve të Heroit tonë Kombëtar Skënderbeu, në një moment të rëndësishëm të marrëdhënies të Shqipërisë me Perëndimin dhe me historinë e saj, një histori që shpjegon qasjen perëndimore të shqiptarëve që nga lashtësia.

Avni Ponari ka një kulturë të qëndrueshme në formimin e tij. Vendlindja e tij, treva historike, kulturore, ekonomike, turistike përgjatë luginores lumore ku bashkohet Valbona me Drinin, ku tokë ndodhet rrënjas fisi i Ponarëve– më i vjetri fis në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), dhe Dushajt (fis tjetër i ardhur aty), Raja (Breg Lumi), Tplani, Geghyseni me Arvejë, janë një perlë e natyrës së Veriut Shqiptar, me një traditë kulturore dhe një lloj romantike natyrore, që reflekton në natyrën poetike të kësaj treve, e cila ka lënë brenda tij, Avni Ponarit, një ndjeshmëri poetike në marrëdhëniet dhe refleksin për të dhënë ndihmë dhe kulturë bashkëpunimi.

Kështu, kanë nderimin për Avni Ponarin dhe SIGAL rikonstruksioni i shkollave në Vertop, Lukovë, Lybeshkë dhe projekte të tjera. Do të veçoja shkollen e mesme të Fierzës, të qytetit të dritës ku u ngrit Hidrocentrali i madh i Fierzës me digën e tij nga më të lartat, me dy liqene artificial – të Fierzës e të Komanit; shkollës ku mësuan qindra nxënës nga Ponari e viset rreth tij dhe nga e gjithë Tropoja e Puka, nga e gjithë Shqipëria, ndër ta dhe vet Avni Ponari ishte në bangot e saj. Ai rikthehet aty si një investitor mjaft kontributor, pasi në cilësinë e Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri dhe të fuqisë së tij si biznesmen i sukseseve, e kreu rikonstruksionin e brendshëm të kësaj shkolle, pastaj e ndërtoi nga e para çatinë e shkollës, e– hapi i tretë, pajisja më 20 kompjutera e materiale të nevojshme për klasat e mësimit. Kjo shkollë në rreth një gjysëm shekulli, prej 1 shtatorit 1972 të kohës së hapjes si shkollë e mesme profesionale tredegëshe (ndërtim, elektrike e mekanike) për nevojat e veprës së dritës të Fierzës e prej 1 shtatorit 1982 të kthimit në shkollë e mesme e përgjithshme, nuk kishte parë e ndjerë një investim të tillë proçesor,  tërësorë, kaq efektiv, bashkëkohor. Tani, mbi 400 nxënës të fshatrave të Fierzës, të Rajës (Breg Lumi), Ponarit të Lekës, Dushajt, Tplanit, Degës, Lekbibajt (Nikaj-Mërturit), etj. do të zhvillojnë mësimin në kushte normale në Shkollën e Mesme të Bashkuar Fierzë, falë dhe interesimit e investimit të Avni Ponarit, birit të trevës ku ngrihet kjo shkollë, i kësaj treve luginore dybigore ku bashkohet Valbona me Drinin.

Po ashtu mbështetja financiare e SIGAL-it e Avni Ponarit ka qenë dhe për Festivalin Ndërkombëtar të Gjirokastrës, Festivalin Ndërkombëtar të të Vokalit Operistik “Marie Kraja”,  publikimin e rëndësishëm të veprës monografiko-historiko-psikologjiko-social të At’ Zef Pllumit të titulluar “Rrno për me tregue” dhe “Nata vjeneze e stilistit Eno Peçi”…

Të kthyera në vlera monetare, bashkëpunimi dhe mbështetja e projekteve që SIGAL ka afruar vetëm në Kosovë, kryesisht për krijimin e industrisë në këtë shtet mbi 1.4 milionë euro, pa harruar mbështetjen financiare mbi 1 milionë dollarë për pesë herët kampion të Shqipërisë në Ligën e Basketbollit të ekipit të “Valbonës” të Tropojës, por dhe të ekipit SIGAL Prishtina, me një investim rreth 1.3 milionë euro, si dhe shumë mbështetje të tjera të cilat i kanë ardhur në ndihmë dhe në mbështetje komunitetit dhe njerëzve në nevojë.

 

4. 

SIGAL dhe Avni Ponari janë histori suksesi dhe vlere, e mbështetur kryesisht në punët e mira. Avni Ponari është njeriu i punëve të mira e për këtë shkak ai ka një ndikim shoqërorë në veprimtaritë dhe forumet sociale brenda dhe jashtë vendit.

 I qartë në dinamikën e projekteve të vogla dhe të mëdha, kontribues i projekteve sociale për zonat rurale, veçmas për fëmijët, iniciativat ambjentaliste dhe projektet kulturore, Avni Ponari është nderuar me tituj të shumtë si “Qytetar Nderi” i qytetit të Durrësit; “Qytetar Nderi” i Elbasanit; sivjet dhe “Qytetar Nderi” i Tropojës – vendlindjes së tij; “Personalitet i Vitit” nga gazeta “Telegraf”; “Biznesmen i Vitit” nga gazeta “Koha Jonë”; “Njeriu i Vitit Internacional Who’s”; “ Profili Ndërkombëtar i Drejtuesve më të Mirë”, “Lideri i Vitit” dhe nderime të tjera.

Veprimtaria e tij shoqërore, kulturologjike dhe humanitare reflekton dhe në të qenët themeluesi i Shoqatës së Sigurimeve Shqiptare të Marinës (Shoqatë me të drejta të plota të Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve të Marinës, me seli në New York), anëtarë për shumë vite në bordin e FIAA (Shoqata Shqiptare e Investimeve të Huaja) dhe AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve). Nga shumë kohë Avni Ponari është anëtar i Dhomës Amerikane  të Tregëtisë në Shqipëri dhe anëtar i Komisionit të Financës së FIBA  Europë.

Siç dhe kuptohet, veprimtaria për Avni Ponarin, SIGAL UNIQUA Group Austria dhe bashkëpunimet e tjera janë të gjera dhe një tregues absolutisht të një personaliteti të biznesit dhe të veprimtarisë kulturore-sportive-arsimore, të cilat kanë lënë gjurmë dhe shenjat e dukshme, duke qenë në thelb punë të mira. Punët e mira jetojnë gjatë dhe iu shërbejnë të gjithë njerëzve. Për këtë të gjithëve në duhet t’i themi Avni Ponarit –Faleminderit!

Sado të përpiqem të shkruaj bukur, është e pamundur ta bëj një gjë të tillë. Punët e mira të Avni Ponarit janë më të bukura se çdo shkrim tjetër!

 

                                                                                                                                       Dëfrim CANI / Publicist.

   Tiranë, tetor 2018                                                        

Filed Under: ESSE Tagged With: Avni Ponari, Defrim Cani, I PUNËVE TË MIRA, njeriu

NJERIU

January 29, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

NGA ASTRIT LULUSHI/
Njeriu përbën misterin më të madh në këtë botë; thellësisht, ai nuk e di nga vjen, as ku po shkon dhe as çfarë do të ndodhë me ‘të kur ikën. Megjithatë ai lufton për të fituar një ditë më shumë. E çuditëshme. A është kjo jetë vërtet e tillë, apo imazh i një jete tjetër?

Me pyetje të tilla njeriu ndeshet, derisa në fund lodhet, hesht a shuhet, duke lënë pas vetëm kujtime. Se çfarë merr me vete, nuk dihet. Gjithë ajo botë e tij e pasur mbetet. Dhe jeta rifillon, për disa me pak zhvillim dhe shume gjëra të përsëritura; brez i ri vjen, me ide të reja e disa shumë të vjetra, të cilat vazhdojnë të përsëriten, duke u tërhequr nga fije që e mbajnë në lidhje me botën tjetër.

Të gjithë janë fëmijë të një qenie të madhërishme të pa kuptueshme misterioze (kjo duhet pranuar), dhe njerëzit caktohen si kujdestarë (prindër) për mbarëvajtjen e tyre. Kështu nëpërmjet familjes, jeta dhe shoqëria ruan ekuilibrin e vet. Në se kjo bazë organizimi prishet, njerëzimi- pak nga pak shuhet nga kjo botë dhe kafshë të tjera marrin kontrollin e saj. Skenari i ngjan Planetit te Majmunëve. Mendime të tilla nuk inkurajohen….Por nga thellësia e pusit të mendimeve dhe kohës, njeriu shikon vetëm një rreth të sheshtë e të kufizuar, është dalja prej tij që e bënë botën të plotë, të çliruar e të hapur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, njeriu

NJERIU I SHENJAVE TË MËDHA

December 2, 2017 by dgreca

NGA SINAN KAMBERAJ/

1 Sinani

NJERIU I SHENJAVE TË MËDHA/

Saherë vinte në New York – /

Në Zemrën e Tokës së Shenjtë/

Ai fliste mendueshëm/

Për Shenja të Mëdha/

Për Shtëpinë -/

Që e ruan Zoti /

Dhe Miqtë …/

Pastaj –

Për Gurët për Diellin

Për Tokën e Qiellin …

Por, tek fliste për Zjarrin –

Që duhej shuar

Se, po ra –

Mund të digjte gjithçka të gjallë –

Më bëhej se i shtohej

Një rrudhë më shumë në ballë …

Njerëzit pëshpërisnin

Dh’e vështronin me habi

Si mund ta shuante

Zjarrin –

Me Frymë

Ky Njeri?!

*

E vështronim me dhimbje

Kur ndahej prej nesh

Në Aeroportin Kennedy …

Tek shpërndërrohej

në një Lejlek krahëthyer

Që fluturonte me nxitim –

Me ankthin se Mullenjëzezat –

mund t’ia shthurnin Folenë

Majë Oxhakut të Kullës –

Në Dukagjin …

*

Dhe vitet shkonin

Borë thinjash reshte

Mbi koka të njerëzve

Që prisnin Mrekullinë…

Po –

Ai s’e humbi kurrë Besimin

Se Dielli i Naimit –

Lind andej nga Perëndon …

Dhe vitet shkonin …

*

Çatia zu’ të pikonte pikëllim

Nga dhimbjet e trarëve

Që kërkëllinin –

Në Acarin e Dimrit

të Vetmisë së Madhe

Qindvjeçare!

*

Dhe –

Kur pakkush besonte

Se Dita e Premtuar

Do të hapej nga Qielli –

Rrathët e Ferrit të Dantes

Po çaheshin me gjëmim

Nga uturima e Zogjve të Zjarrtë

Mbi Qiejt e Ballkanit –

të shituar nga Qoftëlarg’ja Plakë …

Err e terr: Flakë – flakë!

Njerëzpengjet Dardanë

Po iknin pikëllueshëm në një Karvan Biblik

Si dikur moti  nē Jug –

Sivëllezërit e tyre Moreanë

Ata shfaqeshin e çshfaqeshin trishtueshëm

Si hije –

Drejt horizontit të përflakur

Ku pritet Qielli më Tokën…

Njerëznumrat –

Në podrume rrënojash

Flisnin me gishtërinj:

Një, dy, tre … dhjetë –

Shtatëdhjetetetë!

 

Njiqindvjetnet!

*

Dhe

Papritmas –

Bashkë me Mrekullinë

U përmenden dh’e panë

Me sy të lbyrur

Kufirin e Ferrit!

*

Tashmë –

Lulëkuqet kishin shpërthyer

Në pellgje të njoma gjaku

Mbi pirgje kufomash

Në ara e livadhe

Në korie e grykëmale …

*

O Zot!

Ç’Diellmejt po lindte

Bashkë me dënesa bonjakësh

E gulçima Nënash të dhunuara …

*

Dhe –

Kur u çel Qielli i Dardanisë

Të gjallët –

Rikthyen tē folmen e moçme

Me jehona Alpesh;

– A jeni njehë, ore-e!

– O, po ore, po-o-o!

Dhe filluan ta masin kohën

Me Shenja të Reja:

Para Rugovës dhe Mbas Tij!

________________

New York, 2 dhjetor

(Në ditëlindjen e Tij)

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: I SHENJAVE TË MËDHA, njeriu, Sinan Kamberaj

Njeriu që ka rrokur qiejt

January 31, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/
Ndërsa i hidhja një sy kullave të larta të familjes Trump, në West Palm Beach. Shteti i Floridës…, një qytet i admiruar nga një pjesë e mirë e amerikanëve. Për jetën e qetë, ambjentin gati deri në përkryerje. Edhe pse taksat janë disi më të larta se qytetet përreth. Por amerikanët kanë shprehjen e tyre, kur thonë, ti merr për çfarë paguan. Im bir më ndërpreu vrullshëm meditimin.
-Ti nuk ke për të votuar për këtë? -më pyeti ai dyshimtas. -Ky kërkon t’i dëbojë emigrantët. Sidomos ata që vinë nga Meksika. mbeti duke bërtitur lart e poshtë. Tani u është kthyer edhe myslimanëve.
Kullat e larta i ishin futur qiellit si me dhunë. Kam rastisur disa herë të jem pjesëmarrës në Workshope. Dhe pjesë të punës kemi patur edhe soditjen nga ballkoni i fundit. Eshtë një lloj bukurie e frikshme. Por më tepër e ankthshme për faktin se të shkëput nga toka. Aq më tepër që mbrojtëset prej xhamash të trashë peçikllasi, nuk të lejojnë të ndjesh brizën. Megjithatë të shikosh poshtë, ka një lloj paniku. Dhe nuk e di se përse ndodh. Unë nuk i jam trembur lartësive. Kam fluturuar deri në trembëdhjetë orë. Mbi dhjetëmijë metra, prapë lartësia e qiellgërvishësve është ndryshe. Edhe pse aty këtu, ka oborre ekzotike deri me fusha golfi, prapë mendimi se ajo blertësi do këputet disa çape më poshtë, të mban në ankth. Nga ana tjetër më kujtohet gjithmonë një detaj i largët. Kur në një pasdite të bukur Divjake, miku im shkrimtari nga Shkupi, Resul Shabani. Më thoshte midis të tjerave se e kishte e gjetur halli me nënën. Nuk i shkonte të banonte me ‘të në pallat, apartament të ri, pasi qe mësuar tërë jetën e saj të mbante këmbët lidhur me tokën. Në një shtëpi të ulët dhe me oborr.
Në fakt furia Trump është bërë këto muaj edhe ankth, por edhe përbuzje. Njerëz të shumtë, edhe nga ata me prirje republikane duket sikur nuk e pëlqejnë gjuhën e tij të ashpër. Disa thonë hapur, jam republikan, por nuk kam ndërmend të votojë një inatçor. Nuk kam ndërmend të votojë një njëri të biznesit. Kombi duhet trajtuar me ndjenja mbarë kombëtare. Jo me ato të biznesit. Nuk kam përse votojë një njëri që njihet në rrethinat e New Yorkut për batutën se ”im at më hodhi në rrugë me një barrë borxhesh mbi supe” etj.
Megjithatë manjati i një biznesi shumëplanësh ka dhe idhtarët e vet. Ata që sipas tyre, duan një Amerikë të pastër. Që përbuzin emigrantët, ruralizmin dhe për më tepër, ardhësit nga vendet e islamit. Pasi për ata, shkurt dhe prerë, kush vjen prej andej është terrorist. Në fund të fundit, fondamentalë ka gjithandej. Kësisoj nuk ka pse Amerika të bëj përjashtim. Sondazhet e zgjedhjeve nga krahu i republikanëve i japin hera-herës avantazhe një dyzetëpesëvjeçari me emrin Ted Cruz, senator i Teksasit. Madje me dy nënshtetësi, atë amerikane dhe kanadeze. Megjithatë ajo çfarë të bën përshtypje, është që në këtë rrebesh fushate prapë normat e komunikimit nuk tejkalohen. Më i fortë se kandidati ndihet votuesi. Që nuk e ka për gjë të shtyjë tutje librezën e anëtarit, thjesht dhe vetëm për të mbrojtur kombin. Për t’i dhënë udhë bindjes së pastër. Se cili dëshiron, mendon ai, që mund dhe duhet të drejtojë vendin. Ndaj deri diku edhe unë nuk kam frikë t’i them tim biri se, koha për ta bindur se ky apo ai ka të drejtë, ka ikur. Sado ta respektojë prirjen partiake, nuk kam përse të votojë një njeri që i ka futur datën emigrantëve. Për më tepër kur aradha e kandidatëve është plot me emra. Vetëm në vende me tendenca diktatorësh në miniaturë, ka dhe ekziston një dhe vetëm një kandidat. Një i fortë me një tufë marioneta rreth e rreth. Ka dhe ekziston një marrëzi dashuri jo me librezën e partisë, por me njëshin. Duke i prerë rrugën vijës së ujit që bën kombin. Dhe duke e mbajtur atë vend përjetësisht me kandidatë të fortë dhe votues të dobët.
Nga ana tjetër, edhe ky njeri që ka rrokur qiejt, ka të drejtën të zgjedhi dhe të zgjidhet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, njeriu, që ka rrokur qiejt

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pika e Ujit
  • DR. ELISABET PERAJ IU BASHKUA VATRËS
  • VATRA NDEROI LEGJENDËN E BOKSIT SHQIPTAR XHEVDET PECI
  • MARK MRNAÇAJ: DALIP GRECA, LAMTUMIRË NJERI MODEL
  • TRASHËGIMI NGA DIASPORA KRAJANE
  • Xhaketa e Xhaferit
  • NEW YORK HERALD TRIBUNE (1939) / RRËFIMI I MBRETËRESHËS GERALDINË NË VERSAJË : EDUKIMI I DJALIT, SIMBOLIKA E KURORËS MBRETËRORE, SKËNDERBEU, DHOMA E PREFERUAR NË KËSHTJELLË…
  • Historia e Urës së Matit, një ndër më të bukurat në Ballkan
  • Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino
  • Congratulations Albania. Congratulations Roma
  • Urdhëri i Lirisë për patriotin e palodhur Jim Xhema
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” përjetësohet në New York
  • Kundër simboleve të diktaturës komuniste
  • Reagim për ndërprerjen nga Serbia të gërmimeve për mbetjet mortore të personave të zhdukur
  • Haris Vongli dhe Stela Bermema i bashkohen Vatrës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT