Përgatiti: Jeni Myftari/
Gazetat Britanike The Times dhe The Daily Telegraph të datës 31 Janar 2013 kanë publikuar listën e personave të nderuar, nga Madhëria e Saj Elizabeta e II-të, Mbretëreshë e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, me tituj të ndryshëm për merita të veçanta në shërbim të shoqërisë. Në këtë listë është edhe emri i Dr. Noel Robert Malcolm, studiues dhe historian britanik, i njohur jo vetëm në Britani por edhe në mediat dhe qarqet akademike shqiptare.
Dr. Noel Malcolm është lauruar me titullin Knights Bachelor (Kt), një rank ky që daton në shekullin e 13-të gjatë mbretërimit të Henrit të III-të dhe që është pjesë e sistemit të nderimeve në Britani, dhe që nga dita e sotme mban titullin “Sir. Noel Robert Malcolm”. Ky është një titull që i ipet vetëm meshkujve, të cilët bëhen kalorës nga monarku por jo si anëtarë të “Urdhërit të Kavalerisë”.
The Times bën të ditur se i ipet titulli Knights Bachelor për shërbime politike dhe publike, Dr. Noel Robet Malcolm, Hulumtues i Lartë në Kolegjin All Souls, në Universitetin e Oksfordit, për shërbime në Studime Akademike, Gazetari dhe Histori Evropiane.
Dr. Malcolm u bë i njohur për publikun shqiptar, më 1998 kur botoi librin historik “Kosovo-a Short History”-“Kosova-Një Histori e Shkurtër”, një libër ky me vlera të padiskutueshme për historinë shqiptare dhe që u mirëprit gjerësisht nga publiku mbarëkombëtar por, që u përball me kritika të shumta, të paargumentuara shkencërisht, nga qarqet ruse dhe serbe.
Dr. Malcolm ka kryer studimet për Histori në Peterhouse, Kembrixh, gjatë viteve 1974-78. Ai ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave (PhD) në filozofi në Trinity College në Kembrixh dhe ka qenë Bashkëpunëtor dhe Ligjërues në Gonville and Caius College, në Kembrixh nga1981 deri më 1988.
Si gazetar, ai ka patur rubrikën e tij politike, në revistën The Spectator, gjatë viteve 1987-1991 dhe më pas ka qenë redaktor i jashtëm më 1991-92. Po kështu ka patur rubrikën e tij politike në gazetën The Daily Telegraph gjatë viteve 1992-95.
Dr. Malcolm është nderuar me çmimin Thomas Edwin Utley, për Gazetari Politike më 1991.
Ai është Bashkëpunëtor i Lartë Shkencor që nga 2002, në All-Souls College, Oksford, ku dhe jeton e punon ende.
Ndërmjet aktiviteteve të tjera të shumta Dr. Malcolm është dhe anëtar i Shoqatës Mbretërore (Britanike) të Letërsisë (FRSL) që nga 1997, anëtar nderi i së cilës ka qenë edhe rilindasi shqiptar Pashko Vasa në fund të shek të 19-të.
Po kështu Dr. Malcolm është bërë anëtar i Akademisë Britanike me 2001, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që nga viti 2010 është Anëtar Nderi i Peterhouse, Kembrixh dhe më 2011 Anëtar Nderi i Trinity College, Kembrixh.
Përveç nderimeve dhe çmimeve të tjera të shumta, Dr. Noel Malcolm është lauruar me medalje nga Akademia Britanike në shenjë mirënjohje për punën e tij titanike në përgatitjen dhe përktimin, nga Latinishtja në Anglisht, të librit “Thomas Hobbes Leviathan” botuar nga Oxford University Press, 2012. Libri është botuar në tre vëllime dhe ka 1832 faqe.
Dr. Malcolm në vazhdimësi ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të pashëmbullt për historinë dhe në ndihmë të shqiptarëve. Ai është Kryetar i Shoqatës Anglo-Shqiptare në Londër, të themeluar nga Aubrej Herbert (ish-anëtar i Parlamentit Britanik), më 1912 dhe është anëtar i Bordit Akademik të Qendrës për Studime Shqiptare, Londër.
Ai është dekoruar nga i ndjeri Presidenti Ibrahim Rugova me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit dhe nga is-Presidenti Alfred Moisiu me Medaljen e Artë për Merita.
petraq says
uroj dr.malkom per dekorimin dhe iuroj mbretereshes se anglise jete te gjate per te miren e popujve te botes.eshte nje mbretereshe popullore e respektuar se ajo me veprat e saje tregon qe mendon per te gjithe popullin
sami repishti, USA says
Dear Dr. Noel Malcolm
Congratulations! The royal recognitioon of your personal merits and your contribution to journalism and history, among others, are valued around the world by those who cherish the pursuit of truth and serious scholarship. Albanians, wherever they live, will always honor and respect you for having defended them by dispelling the clouds of misinformation about them and their rights. Personally, I salute you as “the knight in shining armor” and as a model to imitate.
bitorri says
E njoh personalisht Dr.Malkolm dhe mundet te them se e kam shume mik.U GEzOVA SHUME per vlersimin qe i ka bere Mbreteresha e Britanise se Madhe.Sa ka bere Malcolm per kombin dhe historine tone ,nuk e ka bere asnje shqiptare me i mire i te mirve.