-Presidentja Atifete Jahjaga priti një delegacion nga Oda Ekonomike Amerikane/
Prishtinë, 18 dhjetor 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion nga Oda Ekonomike Amerikane, i cili udhëhiqej nga presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane në Kosovë, Hakif Gashi.
Presidentja Jahjaga i përgëzoi udhëheqësit dhe anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane për angazhimin e tyre konkret në përmirësimin e kushteve të punës të bizneseve private në Kosovë, me theks tek bizneset amerikane.
Presidentja Jahjaga theksoi me këtë rast se prioritet i institucioneve të Kosovës është zhvillimi ekonomik përmes përmirësimit të kushteve të të bërit biznes si për bizneset vendore ashtu edhe për investitorët e huaj.
Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane në Kosovë, Hakif Gashi, e falënderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen që i ka dhënë komuniteti të biznesit dhe i ndau mirënjohje për kontributin e saj të çmuar në tërheqjen e investimeve të huaja si dhe për mbështetjen që i ka ofruar Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë./b.j/