Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Premtimi i nxituar dhe refuzimi i vonuar për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri nga ana e kryeministrit Edi Rama i dha opozitës së Tiranës “armë” për të mbrojtur veten nga keqqeverisja 8 vjeçare.
U protestua për ideale ambientaliste, ndërkohë që Gërdeci u harrua krejt. Sikur deputetet e PD të dilnin me parrulla kundër tragjedisë të Gërdecit, ato do të ishin të besueshëm, por ata e përdorën “ngërçin e Edi Ramës” në emër të pushtetit politik.
Gjatë këtyre ditëve, nga rrjedhja e lajmit në mediat franceze, të cilat pyetën ministrin Bushati rreth çështjes në fjalë, të paktën, nuk është përmendur thuajse fare ose ka kaluar në plan të dytë humbja e stërthellë e opozitës në Korçë dhe çështja e Pallatit të Vlorës, ‘Jon’, ku ndërlikohej figura e kryetarit zyrtar të opozitës dhe zbërthehej skema e marrëdhënieve klienteliste 23 vjeçare në Shqipëri.
Opozitës iu kthye frymëzimi për të protestuar dhe për të krijuar situatë të tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë. Madje gati sa nuk u frymëzua edhe për të marrë në duart e saj mekanizmin e protestës para Kuvendit, në rrugët e sheshet e qyteteve, dhe për ta shndërruar atë në protestë popullore.
24 orë në ditë Rama u shndërrua në personazhin negativ të mediave – u thirrën në skenë, në kauzë të përbashkët, eksponentë të vitit 1997 dhe eksponentë të Gërdecit, ose të të dyjave bashkë.
Falë vendosmërisë së protestuesve ambjentalistë, kryesisht të rinj dhe të reja, nxënës të shkollave të mesme, nuk u lejua që protestat të merrnin ngjyrime partiake dhe as ekstremiste të kurrfarë ngjyre. Mosndërhyrja e qeverisë në zhvillimin e protestave ndihmoi që ambjentalistëve të mos iu dilte nga duart protesta dhe motivet e saj.
U trimërua edhe opozita brenda vetë Partisë Socialiste. Në opinion u përforcua ideja se, edhe po ta dërgonte në Kuvend për miratimin çështjen e asgjësimit të armëve kimike të Sirisë, ajo do të hidhej poshte edhe nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve ‘socialistë’.
Kjo rritje e opozitës së brendshme shënon edhe uljen e aftësisë vendimmarrëse të Edi Ramës. Pra, e vë në rrezik në njëfarë mënyre autorizimin e fuqishëm që mori ai me votën e 23 qershorit.
Opozitën e brendshme e përbën pikërisht ‘garda e vjetër’ e përfolur në mediat shqiptare dhe të huaja për pakënaqësitë e saj ndaj kryeministrit Rama.
Zhvillimet e këtyre javëve, nga shtatori e këndej, prej kur kryeministrit i është propozuar nga aleatja, mikja dhe partnerja jonë e madhe, Amerika, asgjësimi i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, tregojnë se në politikë ndëshkohen edhe ngutja në vendimmarrje, edhe pavendosmëria në vendimmarrje.
Në deklaratën e tij për mospranimin e armëve kimike në Shqipëri, duke folur për kundërshtarët e tij, kryeministri tha se janë ata që po tremben nga masat e qeverisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pavendosmëria e kryeministrit do të jetë ajo që do të ndëshkohet më së shumti në këtë zotim të tij.
Me rëndësi tashmë është që Edi Rama të ketë nxjerrë mësimet përkatëse nga e gjithë kjo, çka do të ishte mesazhi i duhur për përkrahësit e tij të vendosur në Partinë Socialiste dhe në shoqërinë shqiptare.
Dhe të mos nxirren në harresë aferrat korruptive të pushtetarëve, të mos nxirret në harresë hendeku i madh që krijojnë ata me mjerimin anembanë Shqipërisë, shumë më tepër se Blloku i dikurshëm në mes të Tiranës.
Të mos harrohet se ndotja më vdekjeprurëse e shtetit janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilët e kanë betonizuar dhe shëmtuar Shqipërinë, sidomos Shqipërinë turistike.