Shtylla e dëshmorëve – Osman Mustafa Lita me pjesëtarët e Familjes/
Të ndiemin Osman Litën nga Kalisi i Lumës, qysh në datën 02.11.1912, e shofim në skenën e atdhetarís shqiptare. Në veprën “MBROJTJA E SHKODRES” –faqe 223, 224 -, të përpilueme prej gjeneralave turq dhe të botueme në 1933 me aprovimin e Kryesís së Shtatmadhorís, shofim kto fraza:-«Natën e datës 2-3 Nanduer, trupat, kaluen në katundet Shtarovicë, Reç, Shtrazimir dhe Brodeçan, tue qendrue nji pjesë përjashta. Në kët mbramje, dy vetë nga Kalisi, erdhën dhe treguen se popullsija asht përgatitun me marshue drejt Prizrenit. Prandej, kërkon qi, bashkë me te, të veproje edhe ushtrija. Pak ma vonë, erdhi dhe Orman Lita, i biri i Mustafa Litës, qi ishte prej krenëve të Lumës. Ky, n’emën të krenëve të Lumës dhe të Dibrës së poshtme, solli letra, me të cillat luteshin qi ushtrija, të ndalet e të qendroje me ta. Njana prej këtyne letrave, tekstualisht asht kështu:
«Zotnís së Tij Komandantit t’Ushtrís në Restelicë
Kemi marrun vesht se keni ardhun në Shtarovicë. Lajmohemi se ushtrija, s’ka ushqim. Jemi tue mbledhun ushqime në sasi të mjaftueshme për ushtrin, qi keni. Ju lutemi kini mirësín me e këthyem ushtrín e Juej këndej.
Nderime. Ushtrija anmike, ka kalue në Rekë.
- Parësín e Dibrës së Poshtme:
Sheh Shaduman
- Parësín e Lumës:
Ali Daci
Osman Lita
Sheh Ramadani
Xhelaleddin
Elmas Kotarja
Shenim:
1.Xhelaleddin-i, âsht Xheladin Bresa nga Buzmadhja.
- Sheh Shaduman -i, në vend thirrej “Sheh Zumani”.
- Komandant’i ushtrís, Mahmud Hajret Pasha, mbassi forcat nuk ishin në gjendje kësaj thirrjeje i përgjegjet negativisht, tue shfaqun keqardhjen e vet dhe tue u falënderue.
- Marshimi drejt Prizrenit, shenon luftën e Lumës kundra ushtrís serbe, tue i pasë shterrun krejt nji divizion. Mbi kët luftë, revista “SHEJZAT” në (Luma dhe luftat e Saja), ka shpalitje.
***
Si dihet, Jugosllavija e krijuemembas luftës së parë botënore, në fillim, nuk i pat respektue kufijt e Shqipnís, qi ishin caktue në vjetin 1913. Ajo, lakmonte me mbajtun vendet t’ona deri në Drinin e Zi. Pat gjetun, në Lumë e në Dibër, disa mercenarë, të cillëve iu pat lidhun rroga keshe për të mbajtun qetesín e vendit. Dhe si përfundim pretendonte se e don populli. Në kët mënyrë, synonte me mbajtun në dorë gadi krejt Lumën dhe Dibrën e Poshtme.
Kjo situatë, vazhdoi deri në vjetin1920.
Në vjetin 1920, qeverija e Tiranës, disi u mbëkambë. E mbolli farën per nji kryengritje në Lumë e në Dibër për kundra Jugosllavís. Dibra e Poshtme e prime prej Suf Xhelilit dhe Nahija e Lumës e prime prej Osman Litës, i vunë pushkën ushtrís jugosllave dhe i asgjasuen disa njisina, tue ardhun deri në Lerat e Sorrës të katundit Lusën.
Mbi këtê, ushtrija jugosllave ia behi bjeshkëve me armë të randa. Thei popullsín kryengritëse dhe vendosi topat në Gjurrën e Kalisit. Dhe prej këndej, filloj me gjuejtun katundet dhe forcat shqiptare përtej Drinit të Zi.
Kjo ushtri e anmikut, qi ishte acarue për s’tepërmi, dogji Osman Litën dhe Nahijen; dogji shum katunde në Dibrën e Poshtme dhe grabiti e plaçkiti çdo gjâ, qi gjet në këto vende. I bani katundet rrafsh me tokë.
Ata, qi shpëtuen prej kësaj morekujeje, kaluen Drinin dhe morën udhën nepër Selitë për të shkue në Tiranë. Në Selitë, këtyne luftëtarëve dhe familjeve të tyne, iu doli përpara nji pjesë e popullit të vendit dhe iu vûni pushkën nepër gryka e karma të vështira, tue iu shkaktue shum të vramë në njerz dhe tu e iu plaçkitun kafshë, bagti e ç’do gjâ, qi patënme vehte.
Nji pasqyrë tragjike!… Në kët tragjedi përshkohet dhe Osman Lita me nji familje e pasuní të madhe.
Mbas kësaj kryengritjeje, Shqipnija, ankohet pranë Konferencës s’Ambasadorëve dhe pranë Lidhjes së Kombeve. E, si përfundimi kësaj ankese, Jugosllavija, shtërngohet me lëshue vendet e Lumës dhe të Dibrës, qi i kishte okupue barbarisht.
Luma dhe Dibra, në kët rasë, lirín e tyne e fituen me gjak.
Pra, ky ishte Osman Lita dhe kjo ishte familja e Litës në Lumë.
Qè pra, po ky Osman Litë, deklarohet tradhëtár prej partís komuniste gjoja shqiptare, e prime prej Dushanave e Miladinave; dhe, vritet me 01.08.1946 në vendine quejtun “Vorret e Shullânit” në Lumë.
Nga familja e Litës, përveç Osman Litës, pjesërisht në ndeshje e sipër dhe pjesërisht tue u pushkatue, kanë mbetun dëshmorë:
Sherif Osman Lita, (i biri)
Vehap Osman Lita ( i biri)
Rahim Osman Lita (i biri)
Zyber Mustafa Lita (i vëllai)
Zejnel Ali Lita (nip vëllai)
Rushit Ali Lita (nip vëllai)
Jahja Ali Lita (nip vëllai)
Hasan Zejnel Lita (stërnip vëllai)
Shevqet Zejnel Lita (stërnip vëllai)
Uk Myslim Lita (Kushri)
Kadri Myslim Lita (Kushri)
Mexhit Myslim Lita (Kushri)
Emri Isuf Lita (Kushri)
Asht e udhës me shenue se, me nji pjesë të këtyne dëshmorëve, kanë ndodhun dhe Ali Veli Sufa e Xhemali Mërtini prej katundit Kalis.
***
Në kët mënyrë komunizmi i ashtuquejtun shqiptar, i ka nderue (!) personalitetet dhe familjet patriotike, të cillat, përherë, ishin shkri për pavaresín e Shqipnís.
Përulemi përpara dëshmorëve të Kombit!
Marrë nga Lajmtari i të Mërguemit, viti 7, nr. 12, korrik 1976