Intervistë me Dr Gëzim Alpion: Çfarë po ndodh me peticionin?/
Dr Gëzim Alpion, nismëtari i peticionit për Rrugën e Arbërit, nisur gati një vit më parë, më 18 mars 2013, i cili po vazhdon të firmoset online, i ka dhënë një intervistë të posaçme gazetarit nga Kosova, Valmir Gashi. Intervista, e cila përqendrohet në probleme të ndryshme, që kanë të bëjnë me trajtimin që i kanë bërë dhe po i bëjnë çështjes së Rrugës së Arbërit qeveritarët shqiptarë, si dhe rolin që po luan shoqëria civile në këtë proces, u botua me shkurtime në gazetën ‘Panorama’ më 11 shkurt 2014, dhe e plotë në mars 2014 në gazetën ‘Rruga e Arbërit’./
Nga Valmir Gashi/
– Ju i dërguat një letër të hapur në fillim të muajit Maj 2013 Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, ish-kryeministrit z. Sali Berisha, kryeministrit aktual z. Edi Rama, drejtuesve të tjerë të lartë të shtetit si dhe kryetarëve të partive të përfaqësuara në Parlamentin shqiptar. Pas asaj kohe, a ka patur ndonjë reagim prej tyre?
– Përveç personave që përmendni ju, kur isha në Tiranë më 3 Maj 2013, u dërgova të njëjtën letër në lidhje me Rrugën e Arbërit edhe znj. Jozefina Topalli, z. Bamir Topi, z. Ilir Meta, z. Fatmir Mediu dhe z. Shpëtim Idrizi.
Sipas konfirmimeve që kemi marrë nga shërbimi postar shqiptar, të gjithë personat në fjalë i kanë marrë letrat. Kjo është konfirmuar edhe nga individë të punësuar pranë këtyre politikanëve.
Deri tani asnjë nga letër marrësit nuk na ka kthyer përgjigje.
– Dr Alpion, përse duhet të merret Qeveria e Shqipërisë me peticionin tuaj, kur ka aq shumë halle për të zgjidhur?
– Nëpërmjet peticionit, ne premtuam më 18 mars 2013 se pas zgjedhjeve të qershorit do t’i kërkojmë qeverisë së re të përfundojë Rrugën e Arbërit. Për ne nuk kishte rëndësi nëse në pushtet do të qëndronte e djathta apo do të vinte e majta.
Të dyja krahët e politikës shqiptare janë fajtorë para Dibrës, pasi çdo premtim elektoral për këtë vepër është harruar menjëherë pas zgjedhjeve. Megjithatë, ne e bëmë të qartë që në fillim se qëllimi ynë nuk është të merremi me të kaluarën, por të shikojmë me shpresë nga e ardhmja. Pra, me peticionin, ne nuk po i kërkojmë qeverisë të premtojë diçka të re për Dibrën.
Me peticionin ne po i bëjmë një shërbim jo vetëm Dibrës por edhe shtetit shqiptar. Mënyra se si shteti e ka keqtrajtuar çështjen e Rrugës së Arbërit na kujton edhe një herë fenomenin shqetësues që e karakterizon shtetin shqiptar për më se një shekull: mungesën e vazhdimësisë në drejtimin e vendit. Është për të ardhur keq që ky fragmentizëm dhe amatorizëm shtetëror është bërë edhe më i ndjeshëm në çerek shekullin e fundit.Po kështu, mos mbajtja e premtimeve për Rrugën e Arbërit nxjerr edhe një herë në pah se sa ‘pragmatiste’ për qëllime të ngushta personale dhe partiake dhe, për pasojë, sa pak serioze janë programet elektorale të enteve dhe koalicioneve politike në Shqipëri.
– Si shumë zona të tjera të Shqipërisë, edhe Dibra ka kohë që është lënë në harresë. Përse ju zuri meraku për Dibrën kaq papritur? Apo ndoshta keni ndonjë motivacion personal?
– Në planin personal, Dibra ka qenë gjithmonë pjesë e jetës time dhe vazhdon të jetë e tillë, megjithëse nga Peshkopia u largova kur isha 14 vjeç. Dibra ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim si njeri dhe intelektual dhe, një vendlindje magjepse ‘harrohet’ vetëm kur ndërron jetë.
Dibra është tema e parë e botimeve të mia. Për Dibrën kam filluar të botoj për herë të parë në gazetën e Peshkopisë ‘Ushtima e Maleve’ në vitin 1980, kur beja stazhin pas përfundimit të shkollës së mesme. Në rreth 20 reportazhe dhe shkrime të ndryshme trajtova një numër çështjesh që mendova se ishin me interes. Mbaj mend se reportazhet, artikujt dhe portretet evidentonin arritjet e individëve të veçantë dhe të disa ndërmarrjeve si dhe nxirrnin në pah disa të meta.
Referenca për Dibrën figurojnë që në fillim edhe në botimet e mia në anglisht, fillimisht në gazetën ‘Middle East Times’ në Kajro në vitin 1993, si dhe në intervista që kam zhvilluar në mediat perëndimore. Influenca e Dibrës në formimin tim është trajtuar edhe nga studiuesi britanik Dr Adrian Stokes në parathënien e librit ‘Foreigner Complex’ (‘Kompleksi ndaj të Huajve’) që u botua në Angli në 2002.
Në Angli, gazeta e parë shqiptare në Londër ‘Albanian Mail’ në vitin 2003 me ftoi që të kontribuoja si ‘columnist’ çdo javë një shkrim sipas tematikës që preferoja. Në rubrikën ‘Ditari nga Birminghami’ unë zgjodha të trajtoj aspekte të veçanta të kulturës dhe traditave të Dibrës.
Shqipërinë e vizitoj çdo vit që kur u largova në vitin 1985 dhe kthimi bëhet ‘i plotë’ kur shkoj edhe në Peshkopi. Në Tiranë takohem rregullisht me një numër intelektualësh dibranë, me të cilët diskutojmë për problemet e Dibrës.
Duke parë se sa e fragmentuar është shoqëria shqiptare dhe sa i rëndësishëm është kohezioni kombëtar për përparimin e një vendi, gjatë dy dekadave të fundit nuk kam dashur të prononcohem publikisht për shqetësimet në lidhje me injorimin e Dibrës dhe diskriminimin tradicional që u bëhet disa zonave në Shqipëri, si në veri ashtu edhe në jug.
Për herë të parë kam folur publikisht për injorimin e Dibrës dhe zvarritjen e pa justifikueshme të punimeve në Rrugën e Arbërit në Korrik 2012 gjatë një interviste televizive në studio me z. Roland Qafoku.
Më 18 mars 2013, kur pashë që politikanët akoma kishin kurajo të kërkonin votat dibrane duke ri-premtuar premtimin e pambajtur, vendosa të mos hesht më.
Motivi im i parë dhe i fundit për peticionin është të kontribuoj sado pak për t’i rikthyer Dibrës dinjitetin e nëpërkëmbur. Shpresoj që shembulli i intelektualëve dibranë në këtë drejtim të frymëzojë edhe kolegë nga zona të tjera të harruara të Shqipërisë që të ngrenë zërin. Në këtë drejtim, peticioni për Rrugën e Arbërit është thirrje për një orientim të ri në politikën shqiptare, pra të mos merremi vetëm me Tiranën dhe disa zona e qytete të ‘preferuara’ apo kryesisht me çështjen e pranimit në Europë, por të kthejmë sytë edhe nga disa zona të Shqipërisë, që janë zhytur në skamje dhe mjerim sikur t’i përkisnin vendeve të botës së tretë, sepse janë braktisur nga shteti.
– Disa media informacioni në Prishtinë kanë raportuar se gjatë muajit shtator 2013 është kontaktuar Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë për të kërkuar takim me z. Edi Rama për t’i paraqitur peticionin. A do të ndodhë ky takim dhe kur mendoni se mund të ndodhë?
– Siç premtuam me 18 mars 2013, një muaj pas krijimit të qeverisë së re, më 26 shtator ne i dërguam kërkesën e parë z. Edi Rama për takim. Kërkesa është paraqitur 5 herë deri më tani dhe për çdo rast kemi konfirmim se ajo është marrë.
Nuk duam të nxjerrim konkluzione të gabuara, por heshtja e pajustifikueshme zyrtare, që dikush edhe mund ta konsiderojë jo vetëm si mungesë kortezie nga ana e institucionit të Kryeministrisë, por edhe tregues se si punon, në këtë rast, se si nuk funksionin, administrata shtetërore. Kur kërkesa jonë për takim, e cila nuk ka të bëjë fare me interesa personale, me sa duket injorohet kaq hapur, imagjino se ç’ndodh me qytetarë hallexhinj që u shkruajnë zyrtarëve për të qarë hallet.
E megjithatë, që intelektualët dibrane, që po lobojnë për Rrugën e Arbrit, do të takojnë Kryeministrin e Shqipërisë, kjo nuk duhet vënë aspak në dyshim.
– Cila është rruga që duhet të ndjekë Dr Gëzim Alpion, si një anëtar i shoqërisë civile dhe jo vetëm, për të kërkuar takim me Kryeministrin e Shqipërisë?
– Unë asnjëherë nuk kam kërkuar të takohem me Kryeministrin e Shqipërisë. Kur më është sugjeruar një takim i tillë, nuk kam hezituar të jem i gatshëm, por nuk kam rënë dakord kur më janë vënë kushte se çfarë është e pranueshme të diskutohet apo të mos preket. Në rastin aktual, nuk është e rëndësishme nëse unë e takoj kryeministrin; intelektualët dibranë janë në gjendje ta ngrenë zërin për Dibrën edhe pa mua. Rëndësi ka që drejtuesi i qeverisë të dëgjojë zërin e dibranëve.
Peticioni për Rrugën e Arbërit nuk ka dhe nuk mund të ketë efektin e zemërimit mbarëkombëtar që pamë në rastin e çështjes së shkatërrimit të armëve kimike, pasi po bëhet fjalë për një rrugë prej 70 kilometrash. E megjithatë, peticioni për rrugën ka ngjallur interes, pasi kjo vepër është me vlera të pallogaritshme nga ana ekonomike dhe strategjike në planin rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Si gjithmonë, si intelektual, unë jam i gatshëm të bashkëpunoj më çdo qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, por nuk do të jem asnjëherë i angazhuar politikisht. Kjo nuk do të thotë se përçmoj sistemin politik, por si intelektual e ndjej se i shërbej më mirë vendit duke qëndruar jashtë influencave politike.
Intelektualët me integritet janë gjithmonë në ‘opozitë’, dhe opozita e intelektualëve, edhe pse nuk u vjen shumë për shtat pushtetmbajtësve, është opozita më e efektshme dhe më besnike së çdo opozitë politike sepse ajo ka prioritet gjithmonë, jo interesat e një klani të caktuar politik opo të klasës politike, por interesat e atdheut dhe kombit.
– Përse duhet një akademik shqiptaro-britanik të bëhet zëdhënës i Dibrës, kur kjo zonë ka 6 deputetë që janë zgjedhur për këtë punë? Nuk është politike kjo iniciative apo si?
– Ajo që thoni ju është me vend vetëm kur shteti dhe, ne rastin konkret, Parlamenti si dhe deputetët të përmbushin detyrimet ndaj elektoratit. Përderisa në Shqipëri nuk ka normalitet në këtë drejtim, është detyra e intelektualëve të mos heshtin.
Përsa i përket deputetëve të Dibrës, deri tani, pavarësisht përkatësive të tyre politike, ata thjesht kanë vegjetuar. Nëse deputetët e zgjedhur në këtë legjislaturë do të përfaqësojnë Dibrën denjësisht, ata kanë edhe tre vjet e gjysmë për të dëshmuar që janë ndryshe nga paraardhësit e tyre.
– Tanimë peticioni ka regjistruar mbi 4700 nënshkrime online pa llogaritur nënshkrimet në formularët e përgatitur enkas në përputhje me legjislacionin shqiptar. Ky numër i deritanishëm, ju bën të ndiheni të kënaqur nga përkrahja që ka gjetur peticioni?
– Kur filloi peticioni ne menduam se do të ishte një arritje shumë e mirë po qe se do të siguronim 1000 nënshkrime. Tani, duke përfshirë edhe nënshkrimet e formularëve në letër, peticioni ka më shumë se 5000 përkrahës.
Duke parë mobilizimin e rinisë dibrane në Peshkopi dhe në disa fshatra në Dibër, jemi të sigurt se numri i nënshkruesve do të rritet në muajt që vijnë.
– Shqipëria është një vend i politizuar. Ju dhe kolegët tuaj dibranë, që janë prononcuar për peticionin në media, keni theksuar që në fillim se ky peticion është dhe do të mbetet deri në fund jo politik. A janë bërë përpjekje për ta politizuar këtë nismë dhe cili ka qenë reagimi juaj? Apo nuk keni reaguar fare?
– Peticioni ynë ‘i dogji’ që në fillim, si të majtës ashtu edhe të djathtës së politikës shqiptare pasi, siç përmenda më lart, Rruga e Arbërit ka ‘mëkatare’ socialistë dhe demokratë. Para zgjedhjeve, demokratët menduan se peticioni ishte kundër tyre, me gjithë insistimin tonë se ky peticion nuk është për të sulmuar të djeshmit, kushdo qofshin ata, por fillimi i një dialogu konstruktiv me qeverinë. Ndërsa socialistët menduan se peticioni po çonte ujë në mullirin e tyre, kështu që simpatizantët e tyre, veçanërisht në Dibër, u treguan më të gatshëm për të nënshkruar. Pas zgjedhjeve, ndodhi e kundërta. Simpatizantët e së majtës u bënë më të ‘tërhequr’ ndërsa të ‘djathtët’ filluan të gjallërohen.
Për ne nuk kishte rëndësi se kush fitonte zgjedhjet, pasi as unë dhe as kolegët e mi nuk synojmë karrierë politike në Shqipëri. Asnjëri nga ne nuk aderon në ndonjë parti politike. Qëllimi ynë i parë dhe i fundit nëpërmjet këtij peticioni është t’i shërbejmë Dibrës. Për këtë jemi të vendosur, pavarësisht se sa shumë kohë do të na duhet të lobojmë për ndërtimin e Rrugës së Arbërit.
– Dr Alpion, në fjalën përshëndetëse “Kur intelektualët tuten, maskarenjtë mbretërojnë” që mbajtët në Maj 2013 në Konferencën Ndërkombëtare për Nacionalizmin të organizuar në Tiranë nga Instituti Kanadez i Teknologjisë, ju theksuat se Shqipërisë i duhen më shumë se kurrë intelektualë të pavarur. Nisma juaj është përkrahur nga një numër i madh intelektualësh dhe politikanësh me prirje të majta dhe të djathta si dhe të pa angazhuar në politikë. A ju inkurajon ju ky fakt?
– Që në fillim, peticioni u përkrah nga një numër deputetësh dhe ish-deputetësh të së majtës dhe të djathtës, disa jo me origjinë dibrane. Kjo tregon se disa parlamentarë që para zgjedhjeve u bindën se peticioni ynë nuk kishte nota politike. Kjo na inkurajoi ashtu siç na gëzoi fakti që edhe një numër intelektualësh dhe artistësh të njohur nga Shqipëria dhe Kosova si znj. Nexhmije Pagarusha, z. Kujtim Çashku, z. Ndriçim Xhepa, z. Behar Mera, Profesor Artan Fuga etj, na përkrahën pa rezerva pavarësisht qëndrimeve të tyre politike.
Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm edhe në vendet demokratike ku funksionon shteti ligjor. Ndërsa në Shqipëri, ku shteti është i dobët sepse legjitimiteti dhe efikasiteti i tij janë erozuar nga metoda korruptive në drejtim dhe menaxhim, shoqëria civile merr një rol të veçantë.
Problemi është se në Shqipëri, pavarësisht disa shkëndijave premtuese që pamë me protestat kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në nëntor 2013, shoqëria civile është akoma në një faze embrionale, e pa organizuar dhe për pasojë nuk është e ndërgjegjshme për rolin e saj të rëndësishëm që mund të luajë, aq më tepër që në Shqipëri marrëdhëniet midis qeverisë dhe opozitës vazhdojnë të jenë në një gjëndje të mjerueshme.
Zhvillimi i Shqipërisë me hapin e vendeve ish-socialiste po pengohet nga një klasë politike kleptoktarike, që në 20 vitet e fundit po e qeveris vendin sipas modelit të rotacionit të tipit Putin-Medvedev. Pra, në Shqipëri edhe kur ka ndryshim nga e majta në të djathtë apo anasjelltas, pavarësisht premtimeve të fillimit, jo shumë gjëra ndryshojnë, pasi politikanët shqiptarë, pavarësisht disa akteve simbolike, në thelb nuk kanë dëshirë dhe guxim të prekin interesat financiare të ‘oponentëve’ të tyre politikë. Pra, në vorbullën e korrupsionit që ka kapur për fyti shtetin, drejtuesit e politikës janë ‘në të’ së bashku.
Në këto kushte, elita intelektuale në diasporë mund dhe duhet të luajë një rol primar. Kjo elitë është e përkushtuar për t’i shërbyer Shqipërisë në mënyrë reale dhe jo vetëm kur qeveritë ndërmarrin nisma sensacionale për të kthyer në Shqipëri trurin e larguar. Fushata të tilla kanë dështuar më parë dhe ka të ngjarë të dështojnë edhe në të ardhmen, sepse bëhen kryesisht për qëllime politike.
Kjo është arsyeja kryesore, mendoj unë, përse, tani për tani, elita intelektuale në diasporë është e ‘distancuar’ dhe kjo gjendje do të vazhdojë për aq kohe sa qeveria e Tiranës të përpiqet t’i politizojë apo t’i joshë intelektualët e suksseshëm në disaporë me metoda dhe fushata amatoreske.
Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë një shtet normal ligjor sipas modeleve të demokracive Europiane pa një angazhim total serioz të intelektualëve në Perëndim. Kur kjo të ndodhe, imazhi i Shqipërisë në botë do të përmirësohet ndjeshëm dhe përfshirja e saj me dinjitet në familjen europiane do të vijë natyrshëm.
– Peticioni tërhoqi që në fillim vëmendjen e mediave në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, diasporë dhe së fundi edhe të mediave ndërkombëtare. Në shkrimin e botuar në Indi më 28 Tetor 2013 gazetari C. M. Paul thekson se “rruga do të shërbejë për të lidhur më mirë vendlindjen e Nënë Terezës Shkupin me Tiranën dhe se do t’i japë akses për herë të parë Bullgarisë në Adriatik dhe Mesdhe”. Përse ky interesim kaq i madh i mediave për një rrugë prej 70 km?
– Me sa duket rëndësia e Dibrës për Shqipërinë, kombin shqiptar dhe Maqedoninë njihet në Ballkan dhe gjetkë me mirë se ç’e njeh klasa politike ne Tiranë! Disa politikanë shqiptarë nuk do të gëzonin të ‘drejtën’ të majmen pa sakrificat e dibranëve, në luftë dhe paqe, për të mirën e kombit.
Interesimi i mediave në Ballkan dhe në botë sapo ka filluar. Së shpejti për Rrugën do të shkruhet në një revistë Britanike; një shkrim tjetër do të hartohet edhe nga një ish punonjëse e BBC-së dhe korrespondente e ‘Times of India’ në Londër; po kështu, gazeta Slovake ‘Pravda’ së shpejti do të botojë një editorial.
Bota po i ndjek me interes shenjat e gjallërimit të shoqërisë civile në Shqipëri dhe gazetarët e huaj, ashtu si gazetarët tanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe diasporë, kur na kontaktojnë theksojnë se janë impresionuar nga këmbëngulja jonë për te vazhduar presionin me mjete demokratike. Sigurisht, edhe pozicioni ynë jo politik i ka bindur njerëzit e mediave se në këtë nismë asnjë person që është përfshirë në lobimin për Rrugën e Arbërit nuk synon ta përdorë këtë nismë për ndonjë qëllim personal politik apo biznesi.
– Kohë më parë ju jeni shprehur se Rruga e Arbërit ‘do të rilindë dibranët’. E keni fjalën për dibranët në Shqipëri apo edhe në Maqedoni?
– Dibra, apo më saktë Dibrat, po e vuajnë sakatimin e kombit më shumë se çdo krahinë tjetër e truallit shqiptar edhe 100 vjet pas kasaphanës së 1913-tës. Si rezultat i këtij akti makabër, Dibra, që gjeografikisht është në qendër të hapësirës shqiptare, i ngjan një viktime që vandalët i vodhën veshkën pa u merakosur të paktën t’i qepnin plagën.
Në kohën tonë kufijtë po bëhen gjithmonë e më simbolikë, dhe shpresoj që kjo të aplikohet edhe në Ballkan. Megjithatë, Dibrat nuk do të përfitojnë nga klima e tanishme e bashkëpunimit Europian që do të përfshijë gjithmonë e më shumë edhe Ballkanin tonë të trazuar, për aq kohë sa infrastruktura të mbetet ajo që është në të dy anët e kufirit.
Për Dibrën e Madhe bashkatdhetarët tanë atje, jam i sigurt se janë në gjendje të bëjnë një argumentim shumë më të informuar se unë se si janë trajtuar nga shteti maqedonas dhe se çfarë përpjekjesh po bëjnë politikanët shqiptarë atje për të ndihmuar konkretisht atë zone. Kohët e fundit kam ndjekur me shqetësim lajmin në lidhje me devijimin e Radikës, që përbën jo vetëm një hap tjetër mbrapa për Dibrën por edhe një akt vandalizmi ekologjik. Në një vend që nuk ka rrugë dhe ujë nuk mund të flitet për zhvillim.
Për Dibrën në Shqipëri, siç i thonë një fjale, fshati që duket nuk do kallauz. Dibra po jep shpirt. Ndërsa rruga aktuale Peshkopi-Tiranë, po t’i hidhni një sy hartës, është një ofendim për intelektin dhe çmenduri të cilët dibranët nuk duhet ta durojnë as edhe një legjislaturë më shumë.
Të mendosh se zona që nxorri heronj të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare në luftë për mbrojtjen e kombit si Skënderbeu, Elez Isufi, Dom Nikollë Kaçorri, Haxhi Vehbi Dibra, etj., për të ardhur tek heronjtë e Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të injorohet deri në përbuzje, është një dështim flagrant i shtetit ndaj përgjegjësisë që ka për 200,000 dibranë, të cilët kanë kohë që presin më kot që Tirana zyrtare të kujtohet për ta.
Dibra është një muzeum i gjallë dhe një perlë e pa shoqe e natyrës si nga bukuritë e mahnitshme dhe relievin epik, ashtu edhe për pasuritë e shumta minerale, burimet ujore, pemtarinë dhe pyjet. Është mirë që sheikët e politikës shqiptare që po dhjamosen gjatë dy dekadave të fundit me kromin e Bulqizës t’i vënë gishtin kokës sa më shpejt dhe të bëjnë diçka konkrete për t’i shërbyer Dibrës dhe zonave të tjera të harruara, të cilat për më se një shekull janë viktimë e shfytëzimit nga ‘kolonializmi nacional’.
– Dr Alpion, cili do të jetë fundi i këtij peticioni dhe çfarë sjell kjo eksperience në sferën tuaj personale e profesionale, apo ndoshta një mesazh shprese do ishte i nevojshëm për dibranët dhe jo vetëm?
– Siç e kemi bërë të qartë që më 18 mars 2013, kjo nismë do të përfundojë vetëm kur të përfundojë metri i fundit i rrugës Tiranë-Peshkopi brenda standardeve ndërkombëtare.
Ne jemi të gatshëm të lobojmë me vite dhe, po qe se na duhet, edhe t’i ngremë fjalët me pashallarët e rinj në Tiranë, pasi kjo është një ‘betejë’ që ne nuk jemi të përgatitur ta humbin, sepse pa këtë rrugë, Dibra është e vdekur.
_____________________________
Për të nënshkruar peticionin, ju lutemi, shkruani Emrin, Mbiemrin, Adresën e emailit dhe Qyetitn tuaj, dhe pastaj klikon “Sign”. Pas kësaj, ju do të merrni një mesazh falënderimi dhe konfirmimi që emri juaj u rregjistrua.
Adresa e Adresa e peticionit online për Rrugën e Arbërit:
http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit
gezim says
Tungjatjeta. nuk po mundem te futem tek ai linku qe eshte poshte shkrimit. Si mund ta gjej linkun qe te nenshruaj peticionin?
Faleminderit.