Diaspora nuk ta ka nevojën ty Pandeli Majko, se ti i vjen diasporës me qëllime të mbrapshta, për ta përdorur politikisht./
Nga Elida Buçpapaj/
Pandeli Majko, minister i PS për diasporën, është në një tur partiak nëpër botë në takim me diaporën shqiptare të larguar nga Atdheu prej 27 vitesh, sepse në Shqipëri mungon perspektiva.
Janë 3 milionë Shqiptarë të shpërndarë nëpër botë që e kanë nisur jetën nga zero në Perëndim dhe që tashmë janë integruar duke siguruar të ardhme për brezin e ri.
Nga Shqipëria po ashtu ka ikur truri, shkak ekonomia e dobët, pasiguria dhe institucionet e shtetit që nuk reflektojnë sistemin Perëndimor.
Në esencë, qeveria dhe qeveritarët shqiptare nuk pyesin për qytetarët në Shqipëri, që i kanë degraduar në mjerim, pale të pyesin për shqiptarët e diasporës.
Turi partiak i Pandeli Majko ka qëllim organizimim e diasporës në rrang militantësh dhe strukturash klienteliste për ta përdorur për qëllime politike.
I them shqip dhe shkoqur Pandeli Majkos: larg duart nga diaspora!
Sepse diaspora do t’ju presë me manifestime proteste!
Ju ia keni vënë vizën popullit që keni aty dhe deri sot nuk keni treguar as interesin minimal për diasporën, e cila është e vetmja që ndikon pozitivisht në ekonominë shqiptare.
Turi i Majkos në diasporë është abuziv. Sepse, me paret e taksapaguesave, ai është duke i shërbyer partisë në dëm të interesit kombëtar, duke shkelur kushtetutën me qëllim përçarjen e diasporës.
Diaspora nuk ta ka nevojën ty Pandeli Majko, se ti i vjen diasporës me qëllime të mbrapshta, për ta përdorur politikisht.
Po fokusohem në ndaljen tënde më të fundit. Në Zvicër.
Diaspora shqiptare në Zvicër përbëhet nga shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës dhe të Shqipërisë. Një komunitet që shkon rreth gjysmë milionë, nga ku pjesa më e madhe janë të natyralizuar. Kjo bën që si shifër zyrtare të njihet si komunitet me mbi 200 mijë. Shqiptarët nga shteti amë shkojnë rreth 1500 përgjithësisht të natyralizuar edhe këta.
Diaspora e Kosovës në Zvicër është një nga burimet kryesore jetike në vendlindje, ku papunësia shkon në 70 % dhe qeverisja është e krimbur prej nepotizmit, klientelizmit dhe korrupsionit.
Pa diasporën Kosova nuk do të mbijetonte dot. E, megjithatë, burimet financiare që qeveria e Kosovës i ka gjoja me destinacion diasporën, i përdor për të mbështetur në diasporë segmente në shërbimin e saj klientelist dhe në dëm të interesit të përgjithshëm të diasporës.
Shqipëria po ashtu. Ambasada e Shqipërise në Zvicër pothuaj nuk kryen asnjë aktivitet që lidhet me komunitetin nga shteti amë. Këtë e them edhe si pjesë e komunitetit dhe si botuese e portalit voal.ch, i vetmi me origjinë nga Shqipëria që është i mirëinformuar. Voal.ch është portali me lexueshmërinë më të lartë në diasporë. Dy botuesit e saj, Skënder Buçpapaj dhe unë, jemi të akredituar në Institucionet e Konfederatës Helvetike dhe integruar në të gjithë organizmat për gazetarë në Zvicer, por Edi Rama dhe zëdhënësit e tij e kërkojnë shtypin ta kenë vegël të pushtetit të tyre. Promovohet interesi partiak në dëm të atij që ka vlerë për të mirën e përgjithëshme. Jo më kot raporti i fundit i Freedom Hause e rendit Shqipërinë në vendet ku liria e shtypit censurohet.
Majko e vizitoi Zvicrën bashkë me ministrin e diasporës të Kosovës. Të dy e shmangën kontaktin me komunitetin. Vizita e tyre u mjaftua në takimet me disa shoqata me të cilat kanë bashkëveprim interesash.
Takimet ishin të konsumit propagandistik dhe të rrangut partiak. Kjo shkon në dëm të interesave të komunitetit. Qeverite shqiptare kanë ngritur me njerëzit e tyre në diasporë një ngrehinë prej rëre që do të rrëzohet menjëherë sa të fillojë funksiononimi i shteti i së drejtës në Kosovë e Shqipëri.
Kjo kërkon një organizim të diasporës larg logove politike për të patur ndikim në vendet nga vijnë, duke mos u shfrytëzuar vetëm për remitancat.
Zvicra është modeli shembullor i trajtimit të diasporës të saj që e konsideron Zvicra e Pestë, krahas Zvicrës gjermanofone, frankofone, italofone dhe romançe.
Ky ballafaqim e diskrediton turin e Majkos këtu.
Të dy ministrat e diasporës u takuan edhe me përfaqësues të LAPSH-it, Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër. Ky takim shënoi edhe kulmin e pafytyrësisë së kësaj vizite, sepse shkollën shqipe në Zvicër mund ta ndjekin vetëm 3% e fëmijëve, që do të thotë se 97% e fëmijëve shqiptarë nuk e dinë shqipen, edhe ata 3% e njohin sa ua lejon frekuentimi i shkollës për tri orë një herë në javë. Fëmijët e flasin në familje në formë dialektale dhe me një fjalor shumë të kufizuar. Kam patur rastin të jem në kontakt me ta, dhe është e dhimbshme kur sheh se breza të tërë humbin gjuhën shqipe. Shtetet shqiptare mbajnë përgjegjësi, por përgjegjësi kryesore natyrisht mban edhe komuniteti, i cili vijon të ketë organizim partiak.
Pandeli Majko u takua me militantë të politikës, një grusht i vogel njerëzish pa asnjë ndikim në diasporë, por që kanë përfituar grante financiare apo gratifikime pa i merituar, në kuadrin klientelist. Po ti mbledhesh të gjithë ata me të cilët është takuar Majko dhe ministri i Kosovës, takime që janë reflektuar me fotografi në webfaqen e Ambasadës të Shqipërisë, nuk e bëjnë as njëqind vetë. Nga këta 100 vetë nga Shqipëria ishte vetëm Ambasadori me ndonjë tjetër syresh, të tjerët janë nga Kosova.
Në faqen online në Facebook të Ambasadës shqiptare në Bernë bëra një koment, të cilin ma censuruan dhe po ashtu më hoqën të drejtën e komenteve. Shkelën Kushtetutën për një nga liritë kryesore të njeriut, sikur ështē liria e fjalës. Në komentin tim kisha shkruar: Pandeli Majko nuk u takua me komunitetin shqiptar nga Shqipëria. Ai u takua vetëm me Ilir Gjonin. Thashë mendimin tim që përkonte me të vërtetën. Dhe i bëj thirrje atyre që menaxhojnë këtë faqe të më kthejnë edhe komentin edhe të të drejtën për të bërë komente. Shqipëria nuk është pronë e tyre, as shteti shqiptar nuk është pronë tyre!
Ministri shqiptar dhe zyrtarët e lartë publikë, përfshi diplomatët, harrojnë kryesoren: se rrogat e larta nuk ua jep PS, por taksapaguesit shqiptarë dhe ata janë të detyruar t’i shërbejnë e binden Kushtetutës. Kushtetuta e konsideron shkelje dhe shpërdorim abuzivizmin partiak.
Pandeli Majkon e pyes se sa i ka kushtuar turi partiak? Nga SHBA, Kanada dhe nëpër Europë, Hotelet, dietat, udhëtimet. Dhe i kërkoj që t’i kthejë ato para në arkën e shtetit, sepse korrupsioni nuk ka brirë. Turi i Pandeli Majkos është totalisht abuzim dhe shpërdorin detyre. Politika deri tani vetëm i ka prishur punë diasporës!
Publikut a i kujtohet Taksa Majko e Rrugës të Kombit? Ku shkuan gijthë ato para me të cilat nuk ndërtua as rruga dhe asnjë urë!?
Përkundrazi Pandeli Majko vjen në diasporë me paret e taksapaguesëve, që ta thellojë zullumin dhe përçarjen e diasporës me stilin e njohur të kohës së Mërgatës së Qyqeve.
Po diaspora i njeh shumë mire se cilët janë politikanët e Shqipërisë, sepse ju sheh çdo ditë nga televizionet shqiptare kur foltoren e Parlamentit e përdorin për të pështyrë njëri-tjetrin, ndërsa kryeministri përdor zhargonin e rrugës kundër popullit që deputetët e PS e quajnë poezi.
Larg duart nga diaspora, Pandeli Majko!
Dorëzoje portofolin ministror dhe paret e këtij institucioni profiter hidhi në arkën e shtetit për të rritur pensionet e shqiptarëve.
Ke 27 vjet që jeton me paret e taksapaguesve. Nuk ke bërë asnjë orë punë në jetën tënde, ndërkohë që shqiptarët qofshin të PS apo PD pas 42 vitesh punë marrin vetëm 100 Euro pension ne muaj.
Larg duart nga diaspora! Unë do të të kërkoja të largoheshe edhe nga politika Pandeli Majko.
Bëji bilancin vetes. Ke 27 vite përfitim nga xhepi i varfër i këtij populli të cilin e keni katandisur në degradim të skajshëm!