FOTAQ ANDREA-Strasburg/
Na iku… më iku… një Mik… një Shok…/
Ishte i veçantë, erudit si Ai, me shpirt sublim, artistik e filozofik, me bukuri fjale poetike, si një Ciceron që e bëri vargun shqip të cicërijë.
Ishte super i veçantë, kur e njeh për vite të tëra nga afër, sidomos vitet e fundit, i pamposhtur nga sëmundja, tek trupi i rreshkej, mpakej, mplakej, po mendja i rinohej, freskohej, madhështohej, me energji krijuese të pashterrshme.
Ishte tejet i veçantë, i pakapshëm, i paarritshëm, sa krijoi në poezinë moderne shqipe “tipologjinë moikomiane”, me natyrë të dyfishtë e të trefishtë metaforike, me subjekte polifonike e orkestrime harmonike të Bukurisë e Madhështisë së Fjalës Artistike.
Ishte Mendjendritur. Ishte Poet. Me lulëzim të fuqishëm botëkuptimor. Përherë i prirë drejt progresit dhe modernitetit shqiptar. Ishte me mendje të hollë plot sqimë artistike për lexues kalibri, duke thyer kornizat e provincializmit në kohë krize të përbotshme të poezisë.
Ishte i pashtershmi shqiptar në omnishkencë, me përkushtim e angazhim intelektual e patriotik të klasit të lartë, kundër politikës politiciene të intrigave, politikës blozë, haxhiqamiliste, klanore e bajraktare. Ishte i drejtpërdrejtë në intervista të gjalla plot kritikë konstruktive, ishte Njeri i lartë i shoqërisë, i gjithënjerëzishëm, i kudo e kujdogjindshëm, me dashuri e ngrohtësi humane, që çmonte vlerën e përbuzte antivlerën.
Ishte usta i fjalës, usta i penës, që mendimin e kishte haik e ajkë, sintetik deri në përpikmëri. Luftonte me forcë shpirtërore sëmundjen organike bela-keqe në vetvete, dhe me po atë forcë shpirtërore paralizonte rreptë mendjemykurinë, meskinitetin, shpirtëzinë, lakminë, regresin. Ishte me paepuri shembullore, vullnet të kalitur prej zotash dhe frymëzim hyjnor.
Vetëm një herë e kundërshtova (Ndjesë pastë!) kur përvuajtjen e tij fizike e kishte sintetizuar në vargjet: “Në kohë leucemike, / Me kometa të përflakura të hemoglobinës, / Në muze të kotë të Vdekjes…”. E kundërshtova gjithë dashuri, thjesht për t’i thënë me shpirt se “Vetë Jeta, vetë Jeta e tij është një muze aq i përplotë e kuptimplotë”. Dhe vijoja: “Pena tek ty, si tek rrallë kush, mposht çdo të keqe dhe është ilaçi kurativ më i mirë që të harbon në frymëzime gjeniale, në haralisje idesh dhe dehje e ngazëllim të fuqishëm jetik e jetesor, tek është kthyer lumi i kristaltë i prozës dhe i poezisë tënde në ujë jetësor (la sève), po edhe me shumë, në gjak Krishti, kur vetë zemra tënde shfaqet tanimë si kupa e artë me gjak të shenjtë” (nga letra ime drejtuar Moikomit e datës 31 janar 2017). Dhe vura re kohët e fundit, në një koment kuptimplotë personi anonim – që “pagëzonte” plot dashuri një foto të Moikomit me librin e tij në dorë – tek shprehej tekstualisht: “Shën Libri në duart e Shën Moikomit”. Nuk ka më mirë e bukur!
Kishte, vitet e fundit, diçka të veçantë tek Ai: u vinte poezive të tij vite të hershme shkrimi, si ta prapa-shtynte bukurisht kohën me vite të arta të shkuara, si të donte të ecte së prapthi 15-20 vjet të shkuara, për t’iu drejtuar moshës së rinisë së përjetshme, moshës së artë, një rinie të dytë. Mbartnin shkrimet e tij kësisoj fuqishmëri shkëlqimi, si çdo diell që kur shpërthen përfundimisht në mbarim të jetësisë së tij 10 miliard vjeçare, shkëlqen edhe më shumë se kurrë me krejt forcën dhe energjinë e vet të brendshme.
Ai ishte dhe mbetet Mjeshtër i Bukurisë së Mendimit dhe Fjalës Shqipe, tek i përshtatet plot hijeshi shprehja e Viktor Hygoit “Le livre, c’est l’homme” – (Libri është vetë Njeriu).
Po e shoqëroj këtë shkrim timin për humbjen e rëndë e të pazëvendësueshme të Njeriut Moikom – shkrim i nxjerrë nga kuintesenca e korrespondencës sime 15 vjeçare me Moikom Zeqon, dhe me duart që ende më dridhen që nga mëngjesi e zemra me shtrëngon e ligështon – me prezantimin që i bëra veprës dhe poezisë së tij në “Takimin Botëror të Poezisë” në Strasburg, nëntor 2018:
“Moikom shqiptari, i vetmi në botë që mban një emër të tillë kaq origjinal, ka një korpus voluminoz poezie, të cilën e praktikon me zell, eth e përkushtim që nga adoleshenca e tij. Është sot Boris Viani shqiptar, duke qenë ai vetë njëkohësisht historian, arkeolog, poet, piktor, shkrimtar, gazetar, filolog, publicist, erudit. Mjeshtër i lirisë së fjalës, e kërkon forcën shprehëse të verbës poetike në një përmasësi të shumëfishtë, duke shkuar gjer në kufijtë e përtej – përmasësisë (supra-dimensionalitetit). Të shkruash ndryshe, është tipari themelor i poezisë së tij që i hedh rrënjët në poezinë futuriste, surrealiste, simboliste, si dhe në një univers tepër origjinal, ku bota njerëzore, artistike, letrare, madje filozofike pasqyrohet nëpërmjet forcës magjike të verbës së tij poetike. E ndjen veten sa në parajsë të bukurisë artistike, ku vallëzojnë nimfa të botës shpirtërore me krahë fluturash e pilivesash, aq edhe në ferrin e lumenjve infernalë, ku fjalët grinden, duke mbjellë erëra e stuhi. Poet me tejdukshmëri të larmishme, i etur për metafora e alegori, Moikomi dallohet nga universalizmi i tij poetik brenda një marrëdhënieje të ngushtë kohë-hapësirë, njeri-natyrë, dhe realitet metafizik-realitet sensual. Është arkitekti i fjalës poetike shqipe par exellence.
Edhe më thjesht, vargu është tek ai një emocion i përhershëm, duke testuar pareshtur të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, është burimi i tij i pashtershëm jetësor e krijues. Moikomi di të pikturojë me fjalë, duke zotëruar mjeshtërisht ritmin dhe muzikalitetin e vargut shqip, duke xhongluar me tropet dhe duke u bashkëngjitur ide e figura letrare nga më të çuditshmet e më të ndryshmet.
Është i përkthyer në shumë gjuhë.”
Moikom, të më falësh, që shpesh zemra më ka lëshuar e të kam qarë për së gjalli, sa herë dëgjoja në telefon zërin tënd të mekur në spital, tek më përshëndesje: “Mirëupafshim Andrea”. Më fal 1000 herë, Moikom, në përlotem. Lamtumirë Mik i shtrenjtë!