Foto e vitit 1905- Shkolla e vashave në Korçë
Shkruan:Eugen SHEHU-Bern/Zvicer/
Familja e njohur e Dhimitër Qiriazit,do të mbushej me plot miq e shokë,në ditët e para të qershorit të vitit 1880.Pat lindur fëmija i dhjetë një vajzë e bukur që dikush nga miqtë e quajti Parashqevi dhe ky emër e shoqëroi ate deri në fund.Ka qenë sigurisht trilli i fatit që Parashqevia të rrethohej jo vetëm prej dashurisë prindërrore por sidomos prej kujdesit të motrave dhe vëllezërve më të mëdhenj në moshë.Në se për familjet e mëdhenj,Dhimitër Qiriazi pagoi mësues për gjuhën shqipe,për më të vegjlit e sidomos për Parashqevinë,kjo nuk ia vlente sepse ende pa mbushur 6-7 vjet,ajo pati mësuar prej vëllezërve të shkruante mjaft bukur germat shqipe.Në fillim Parashqevia ndoqi disa klasë filloreje në Manastir ku falë shkollave të shumta,nisi edhe nga mësimi i turqishtes por edhe greqishtes.Më pas ajo do të shkonte në shkollën e vashave në qytetin e Korçës,të cilën sapo e patën çelur Gjerasimi dhe Sevasti Qiriazi,vëllai dhe motra e madhe e Parashqevit.E vërteta është se në këtë shkolë Parashqevia sikur e ka humour ate gjallërinë karakteristike të familjes.Në fakt kjo shkollë u përmbahej ligjeve dhe rregullave tepër të rrepta,çka bënte të mundur egzistencën e saj.Brenda mureve të ftohtë të shkollës së vashave,Parashqevia kaliti karakterin dhe vullnetin duke iu përshtatur sa më shumë rregullave dhe duke lënë menjanë lojrat aq të dashura në Manastir.Më vonë ajo do ta kujtonte gjithmonë me kënaqësi këtë periudhë (1892-1896) dhe sidomos motrën e saj të madhe Sevastinë e cila ishte dhe mbeti deri në fund një model i disiplinës së hekurt dhe ndershmërisë profesionale.Me përfundimin e shkollës së vashave në Korçë,Parashqevia shkon sërish në Manstir.Por aty vëllezërit dhe motrat,të cilët dëshirojnë vazhdimin e studimeve prej saj,i pregadisin kushtet dhe një vit më pas,Parashqevi shkon në të njejtin kolegj,ku pat studiuar e lënë gjurmë të thella,motra e saj e madhe,Sevastia,duke vazhduar rrugën e motrës së vet,Parashqevi Qiriazi,arrin të përvetsojë krahas lëndëve mësimore edhe një edukatë morale të përkryer.Natyrisht si e fundmja vajzë e Qiriazëve të njohur në Stamboll,ajo do të vizitohej në kolegj edhe prej atdhetarëve shqiptarë miq të ngushtë të Gjerasimit e Sevastisë.Madje,shumë syresh do ta ftonin edhe në shtëpinë e tyre duke kujtuar me mall,viset e bukura të atdheut duke qarë hallet e mëdha të Shqipërisë në fund të shekullit XIX.Vitet e studimeve në kolegjin e Stambollit,njëherazi e paisin Parashqevin me aftësi të mëdha metodike dhe praktike për mësimdhënien.Është kjo arsyeja që në vitin 1904,pasi pat mbaruar me nota të shkëlqyera studimet në Stamboll,Parashqevia kthehet në Korçë,tashmë e aftë për të dhënë mësime në shkollën e vashave,në disa lëndë.Duhet cekur se pikërisht në këto kohë,pra në vitet 1904-1905,kjo shkollë po sulmohej nga të katër anët,prej të gjithë atyre që nuk mund të pranonin idenë e përhapjes së shkollave shqipe.Duke shfrytëzuar rastin që në këtë shkollë,jepeshin ide mbi fenë protestante,mbi te u vërsulën si lukuni ujqish të krishterë e ca mysliman,fanatikë që merrnin urdhërat nga ndonjë xhami apo kishat e tyre.Madje duke parë kokfortësinë e motrave Qiriazi,ata nuk lanë gurë pa lëvizur duke friguar deri edhe prindërit e vashave.Kështu në një urdhër të Mitropolitit të Korçës i cili paradoksalisht fliste në emër të qytetarëve të krishterë,thuhej ; “Kjo shkollë ka qëllimin e keq,të tërheqë vajzat e vogla dhe të pafaj prej orthodoksisë dhe t’i fuse në tjetër Fe,prandaj ne si gjithë qytetarët e këtushëm marrim vendimin që të ç’kishërojmë çdo familje e cila dërgon fëmijët e saj në shkollën protestante…”
( Gazeta “Drita “ Sofje më 15 dhjetor 1905 ).
Ndërkaq Parashqevi Qiriazi,duke njohur të drejtat e këndimit të Ungjillit në gjuhën shqipe,u përpoq që me anë të ideve fetare,të mund të mbushte sadopak zbrazëtinë e krijuar e për më tej,kur në këtë shkollë vinin të merrnin libra dhe abetare shqip luftëtarët e Cerçiz Topullit,Bajo Topullit,Mihail Gramenos dhe Qamil Panaritit,gjuha shqipe u rivendos sërish,pasi shkolla e vashave ishte në besë të këtyre trimave.Më mirë se kushdo,këtë e dinin administrata ushtarake osmane dhe Metropoliti i qytetit.Nuk duhet harruar në këto momente edhe trimëria e motrave Qiriazi ku veçmas Parashqevia shkonte deri në fshatrat më të thella të Korçës e Kolonjës,duke dashur të mbledhe rreth shkollës e gjuhës shqipe sa më shumë vajza.
Viti 1908 do të sillte ngjarje të reja për shqiptarët e të katër vilejeteve.Por sidomos në vilajetin e Manastirit,shpallja e kushtetutës prej turqve të rinj,u shoqërua me një varg masash prej atdhetarëve shqptarë me ç’rast parashihnin përparimin e lëvizjes kombëtare,përmes përhapjes së klubeve,shkollave dhe arësimit shqip.Parashqevi Qiriazi,kësaj kohe ndjek me vëmendje situatën dhe ndërmerr hapa konkret për themelimin e klubit të Korçës,sipas ideve dhe modelit të klubit të Manastirit.Pa u shkëputur nga veprimtaria e saj arësimore,në kontakte me patriotë dhe intelektualë të qytetit të Korçës,ajo ndikon drejtëpërsëdrejti në zgjimin e vetëdijes nacionale dhe përparimin e shkollave shqipe.Mendoi se aktivizimi i saj në këto rrethe,ka bërë që Parashqevi Qiriazi,së bashku me atdhetarin Mihail Grameno,Grigor Cilka,Sami Pojani dhe Thoma Avrami,të caktohen si përfaqsues të Korçës në Kongresin e Manastirit,në nëntor të vitit 1908.Ndërkaq vëllezërit Qiriazi,Gjergj dhe Kristo,dy-tri javë më parë,në bashkëpunim edhe me atdhetarë të tjerë në Manastir,patën krijuar “Shoqërinë botuese latrare”(Arkivi Qendror i shtetit-tiranë,koleksioni i fondeve personale,dosja 169,fleta 26 ),ku sigurisht patën vënë në diejni edhe Parashqevin e cila pat shkruar disa tekste në shqip,por pa e parë dritën e botimit.Ndonëse një vajzë e re,disi e druajtur, Parashqevi Qiriazi si delegate e këtij kuvendi historik,rënditej me burrat më të vyer të kombit tonë. Ishte e para herë që shqiptarët,në një kuvend të tillë,kaq madhorë,pranonin të uleshin dhe për më tej të dëgjonin fjalët e një gruaje.Dhe ajo që vlen të mos harrohet është fakti që kjo grua nuk thirrej e dëgjohej aty për merita të vëllezërve apo motrave (të tjera merita ishin ato) por ish zgjedhur me votën e shqiptarëve,pikërisht për ate shpirt sakrifice,për ate shpresë të pashuar që shpërndante në çdo fjalë e veprim.
Pa u ndalur në ato vendime me rëndësi madhore që u muarën në kuvendin historik të Manastirit,mendoj të mos harrohet fakti i madh se ndër të parët që luftoi dhe sakrifikoi për të vënë në vend ato ide,ishte pikërisht Parashqevia,ajo vërtet mbajti një ligjeratë prekëse në Kongres por vetëm disa muaj më pas,duke punuar ditë e natë,në kushte tejet të vështira mundi të përgadiste abetaren e parë shqipe,me ate alfabet që u mirata prej burrave të Shqipërisë,në vilajetin e Manastirit.
Atëherë kur edhe vetë shqiptarët ishin përçarë në rrafsh të germane të alfabetit,atëherë kur kishat edhe xhamijat lëshuan mallkimet e rënda e të frikshme mbi këto germa,ishte pikërisht Parashqevi,bijë e Manastirit shqiptar të hershëm, e cila me mundin,djersën dhe parat e kursyera prej saj,përgaditi dhe botoi të parën abetare me alfabetin latin.Shtypi shqiptar i ngazëllyer rreth kësaj ngjarjeje,nuk do të vononte të shkruante ; “Ky libër i vogël me 32 faqe dhe 18 fytyra,është radhitur bukur e pas metodës së re,me abecenë që vendosi Kongresi i Manastirit”.(Gazeta “Bashkimi i Kombit” 5 nëndor 1909 ).
Në gjurmë të atdhetarëve të shumtë shqiptarë,Parashqevi Qiriazi e shpërndau falas abetaren e saj,në katër vilajetet shqiptare.Emri i mësueses së shkollës së vashave në Korçë,tanimë u përhap me shpejtësinë e rrezeve të dritës që nga Parga e janina e deri në Dukagjin e Drenicë,që nga Vlora e Mirdita e deri në Shkodër e Pollog.Me këtë akt,Parashqevi Qiriazi,po i shpërblente familjes së vet,mundin dhe investimin e tyre për shkollimin e vajzës.Ndërsa në aspektin tjetër,më të rëndësishëm,ajo kishte hyre tanimë në rreshtat e parë të burrave të mëdhenj të kombit,të atyre që patën hedhur mbi supe përgjegjsinë e lëvizjes kombëtare shqiptare.Nën shembullin e dhjetra shoqërive atdhetare të krijuara në vitet 1908-1909,Parashqevi Qiriazi ngre në Korçë,në janarin e vitit 1909,shoqërinë e parë të grave me emrin “Ylli i Mëngjesit”.Përmes kësaj shoqërie,bija e Manastirit,kërkonte që gratë shqiptare të integroheshin sa të mundeshin në jetën shoqërore,të flaknin paragjykimet mesjetare duke marrë vetë në duar fatin e tyre.Që në ditën e parë të krijimit të kësaj shoqërie,shkuan rreth 100 gra e më tej numëri u dyfishua.Ajo çka arriti Parashqevia që në fillim,ishte se aty shkuan gra prej besimeve fetare të ndryshme,gjë e cila nuk ishte aq lehtë të kapërcehej në ato kohë.”Ylli i Mëngjesit” u bë e dashur për mjaft gra të cilat për të parën herë mësuan aty të shkruanin gjuhën shqipe,të këndonin këngë patriotike apo të dëgjonin mbi traditat e vyera të popullit të tyre.Disa kohë më pas,organizimi i kësaj shoqërie mundi të cekë edhe temat kulturore,aq shumë të dëshiruara për gratë shtëpiake të Korçës.Mandej me vete nismën dhe regjinë e Parashqevisë në dhjetor të vitit 1909,disa vajza të shoqërisë “Ylli i Mëngjezit” vunë në skenë një dramë domethënëse të Shilerit.Rreth këtij aktiviteti,shtypi i kohës do të shkruante : “Drama ishte pergaditur mirë dhe u lojt shumë bukur e me mjeshtëri të madhe nga aktorët e reja.Gjithë dëgjonjësit mbetën shumë të kënaqur.Shoqëria nuk ndau bileta.Me dëshirë u mblodhën 5 lira turke”.( Gazeta “Korça “ 13 janar 1910 ).
Në fillim të vitit 1912 (pas trazirash të shumta jo vetëm në Korçë por në krejt vilajetet shqiptar) Parashqevi Qiriazi,duke ndjekur edhe këshillat e Sevastisë,shkon në SHBA ku ndjek një kurs pasuniversitar në rrafsh të pedagogjisë.Studimi ishte vazhdim i atyre që pat mbaruar në Stamboll,por tanimë ai ndërthurej edhe me përvojat e fituara në këtë rrugë të gjatë e plot sakrifica.Duke i lidhur kërkesat e shkollës,me ngjarjet që pasuan në Shqipëri në nëndorin e vitit 1912,Parashqevi Qiriazi,pas disa muaj të lodhshëm studimesh,mundi të hartojë një program konkret për sistemin arësimor në Shqipëri.Që në fletat e para të këtij studimi (i cili u botua në vitin 1919 në librin e Dakos me titull “Albania the Master Key to the Near East”) Parashqevi paraqet gjendjen e deritanishme të shkollave shqipe.Ajo ndalet posaçërisht në shkollat greke të çelura rëndom në Shqipërinë e jugur duke zbërthyer qartë edhe qëllimin e tyre.Për Parashqevin,këto shkolla ishin veçse çerdhe që mbështetnin pretendimet e tyre territoriale mbi Shqipërinë e Jugut.Për shkollat greke zgjidheshin nxënësit më të mirë të cilët pastaj dërgoheshin në Athinë dhe i dërgonin të nesërmen në Shqipëri për të bërë propagandë helene.Në të njejtën pozitë ishin edhe shkollat sllave të cilat i paisnin shqiptarët me frymën sllavoortodokse.Sa për shkollat italiane,Parashqevi ndonëse theksonte faktin se ato janë të pakta në numër “nuk duhen nënvlersuar në lidhje me propagandën që zhvillojnë”.Duke parë nevojat jetike të shqiptarëve,Qiriazi në këtë studim thekson se “vëndi ynë me tre milion banorë gjithsejt ka nevojë për shkollat në gjuhën e tij dhe jo për shkollat e huaja që duan të na shkombëtarizojnë”.Ajo gjithashtu parashihte në arësim,ngritjen e një organizate e cila të merrej posaçërisht me unitetin kombëtar,duke synuar që krejt nxënësit të ishin të pavarur prej intrigave që po pergadisnin krerët e religjioneve fetare në Shqipëri.Tejet i përparuar për kohën,këtë studim,ndonëse e botoi në vitin 1919,Parashqevi Qiriazi ia paraqiti në mars të vitit 1913,qeverisë së Ismail Qemalit.Por fati i asaj qeverie dihet ,e bashkë me te u rrukullis edhe fati i studimit të Parashqevit.
Ngjarje të trishtuara rodhën në Shqipëri në vitet 1913-1914.Kërcënimet greke në Korçë u shoqëruan me përpjekjet e bandave të andartëve të cilët vranë mjaft prej atdhetarëve të shquar të shkollës shqipe.Shkolla e vashave në Korçë u mbyll dhe motrat Qiriazi u detyruan të largohen.Por edhe në Manastir ato nuk mund të shiheshin me sy të mirë prej autoriteteve vendore të pushtuesve serb,ndaj shkojnë në Sofje e Bukuresht me ftesë të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” e cila drejtohej asaj kohe prej Themistokli Gërmenjit.Me anë të kësaj lidhjeje,iu kërkua ndihmë në disa raste autoriteteve diplomatike evropiane për fatet e Shqipërisë,por gjithsesi ndonjë rrezulltat kushedi çfar nuk qe arritur.Pas dy vitesh të udhëtimeve të lodhshme,Parashqevi shkon në SHBA,në shtator të vitit 1915.Ajo fillon aty të bashkëpunojë me shtypin shqiptar e për më tej të organizojë edhe një shoqatë të quajtur “Miqtë e Shqipërisë së Lirë”.Por sidoqoftë,ëndrra e saj ishte çelja e një gazete apo reviste e cila do të mund të mbante të ndezur shqiptarizmën,në shpirtërat e bashkëkombasve të vet,atje në Amerikën e largët.U deshën shumë peripeci e përpjekje dhe në fillim të vitit 1917,doli numri i parë i revistës “Ylli i Mëngjesit” qëllimi i së cilës ishte fort qartë i përcaktuar ;”revistë dy javore shqiptare,kushtuar ndriçimit dhe naltësimit të kombit shqiptar”.Natyrisht në faqet e asaj reviste,zunë vend ngjarjet madhore të shqiptarëve,hallet dhe shqetsimet e tyre,luftërat dhe përpjekjet pafund.Sidoqoftë : “dashuria e saj e zjarrtë për atdheun,dëshira për ta parë Shqipërinë përkrah vendeve të tjera,mbështetja e fuqishme me idetë e Rilindjes Kombëtare,njohja e veçorive,specifikës,rrethanave politiko-sociale të kohës, e bënin Parashqevi Qiriazin,që theksin më shumë ta vinte tek problemet e arësimit”.( Dh.Dishnica, “Motrat Qiriazi”,faqe 103 ).
Ata që kanë patur mundësinë të njihen me disa prej numërave të revistës “Ylli i Mëngjesit” janë bindur jo vetëm për larminë e shkrimeve që mbajnë firmën e Parashqevisë por sidomos me thellësinë e mendimeve të shprehura prej saj,me kthjelltësinë dhe patriotizmin e tyre.Sipas saj,çdo shqiptar duhej të familjarizohej me çështjen shqiptare e për këtë,doemos duhej të njihej me veprat e frashërllinjëve dhe autorëve të tjerë shqiptarë.Duke përdorur një gjuhë të pastër e plot kolorit,Parashqevi përmes shkrimeve të saj në “Ylli i Mëngjesit” arrin jo vetëm të bashkëbisedojë me lexuesin e saj,por edhe ta frymëzojë ate,t’i mbaje gjallë ato ndjenja shqiptarizmi të cilat përpëliten përballë metropolitëve të fuqishëm amerikane.Në shkrimet e Parashqevi Qiriazit,gjente kurdoherë vend shpresa,se populli shqipta,si popull i vjetër që ka luftuar shumë gjatë historisë së tij,do të luftonte për t’ia arritur qëllimit,të renditej në krah të botës së qytetëruar.Jo rallë ajo i është drejtuar flamurit kuqezi,këtij simboli të bashkimit të shqiptarëve,duke dashur të ngrerë sa më lartë famën e tij: O flamur i Skenderbeut,valo rreth nesh,valo rreth trashigimtarëve të tu dhe mburna të therrasim dhe të punojmë për bashkim dhe për liri,për tërë jetë… Nën hijen tënde na pëlqen të rrojmë, o flamur i Skënderbeut dhe për nderin tënd jemi gati të vdesim”.( “Ylli i Mëngjezit”-Boston, viti 1917 , vol 2, numëri 7, faqe 206 ).
Një vend me rëndësi në faqet e “Yllit të Mëngjezit” do të zinin edhe ngjarjet e hidhura në jug të Shqipërisë,ku të ashtuquajturit vorioepirotë organizuan disa dyndje që u ngjanin atyre të barbarëve në lindje të njerëzisë.Nën titullin “Kujtime të paharruara” Parashqevia vendosi në sfond të këtyre ngjarjeve,përpjekjet e mëdha të mbijetesës,të shkollës së vashave në Korçë,në vitet 1911-1914,kur shpesh herë nxënëse dhe mësuese e kaluan natën në një dhomë të mbledhura në gjoks të njëra tjetrës,duke pritur nga çasti në çast të shpërthehej dera prej andartëve grek.Por Parashqevi nuk do të mbetej vetëm në përshkrimin e këtyre ngjarjeve në revistën e saj,ngase këtë revistë,tek e mbramja do ta lexonin vetëm shqiptarët,të cilët në vija të përgjithshme e nga burime të tjera i kishin të njohura masakrat greke.Ajo ndërrmori me nismën e saj dhe me ato pak të ardhura,disa udhëtime,në shtete të ndryshme të Amerikës,duke organizuar konferenca lidhur me çështjen shqiptare.Mendimet e saj të thella,gjuha e ëmbël dhe anglishtja e shkëlqyer që përdorte,bënë që këto salla të arrinin edhe deri në 1000 veta,intelektual të SHBA-ve,të cilët njiheshin për të parën herë me Shqipërinë,aktualitetin dhe fatet e saj historike.Gjithsesi,jam i mendimit se jo vetëm në fushën e letrave,por edhe në ate diplomatike,vizioni atdhetar i Parashqevi Qiriazit ka spikatur dukshëm.Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore,kur në Konferencën e Paqës në Paris,do të diskutoheshin fatet e kombeve,shqiptarët e Amerikës dërguan si përfaqsues të tyre,Parashqevin së bashku me 3-4 të tjerë delegatë.Shqiptarët brenda dhe jashtë shtetit amë,në vitin 1919,ishin mbërthyer pos të tjerave,prej mërive dhe inateve karakteristike,ndërsa të tjerë i shihnin interesat e kombit në suazën e interesave të tyre private.Ka qenë kjo arsyeja që ata u përfaqsuan në Konferencën e Paqës prej 3-4 delegacioneve dhe Turhan pasha,përfaqsuesi i Qeverisë shqiptare,nuk dëgjonte as të takohej me të tjerët.Këtu shkëlqeu edhe një herë shpirti i madh dhe diplomacia e thellë e Parshqevisë, e cila mundi të binde Turhan Pashën që delegatët shqiptarë të zhvillonin një takim të përbashkët.Me këtë rast u unifikua deri-diku,qëndrimi i delegacionit të qeverisë shqiptare.Edhe gjatë ditëve të zhvillimit të punimeve,në konferencën e Paqës,Parashqevia ishte promotori i bashkimit në ide të pjesmarrësve shqiptarë aty.Sa në njerin grup në tjetrin,ajo kërkonte t’ bindete bashkëkombasit e vet se duhet të bashkojnë zërin e protestës dhe të arsyes,pse vetëm,ai zë do të mund të dëgjohej.Gjatë këtyre ditëve,një të afërmi të saj i shkruante : “Kështu të ndarë po të rrimë,do të marrim në qafë më keq,të mjerën Shqipëri.Se të paktën,të jemi të gjithë tok dhe kundërshtimet t’i kemi mbrenda dhe jo jashtë,që të bëhemi rezil përpara të huajve”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë, Fondi Parashqevi Qiriazi , dosja 2 fleta 6 ).
Ndërekaq për bijën e Manastirit,ishte e qartë se jo gjithshka varje prej kërkesave unike të shqiptarëve.Duhej të zhvilloheshin takime e biseda sidomos jasht punimeve të Konferencës.Duke shfrytëzuar faktin se njihte 7-8 gjuhë,si edhe shkollën e madhe të njohjes (falë rretahnave të jetës) Parashqevia mundi të takohej në Paris me personalitete të shquar të diplomacisë Evropiane,madje edhe me përfaqsues të vendeve pjesmarrës në Konferencën e Paqës.Duke ditur mirë gjendjen në Shqipëri,duke njohur edhe pretendimet e fqinjëve dhe armiqësitë e vjetra evropiane me shqiptarët,Parashqevia mundi të formojë një mendim të qartë për vehte si edhe përfaqsuesit e tjerë shqiptarë,lidhur jo vetëm se ç’duhej të parashihnin në bisedime,por edhe mënyrat se si do të kërkohej ndihma prej Evropës dhe Amerikës.E vërteta është se disa prej përfaqsuesve të popullit shqiptar në Paris,duke paraparë rrezik të madh prej Greqisë,Serbisë dhe Bullgarisë ishin gati t’u bënin konçesione italianëve të cilët nuk rreshtnin së foluri për “ndihmën” e madhe dhe mbështetjen që do t’u jepnin në luftë kundër fqinjëve të tjerë të Shqipërisë.Ndërsa Parashqevi jo vetëm që nuk mund të fuste veten e saj në këtë grup por bëri ç’ishte e mundur të argumentonte përpara tyre,praktikat shovene dhe zaptuese të italianëve. Besoj se nuk ka qenë e rastësishme që ambasadori italian në Paris,Kastoldi,të ketë kërkuar të bisedojë me shqiptaren”antiitaliane”,Parashqevin.Them besoj,ngase është fakti i njohur që mbas një bisede disa orëshe,Kastoldi nuk ka mundur të sigurojë përkrahjen e bijës së Manastirit.Pas kësaj,gjoja si krejt rastësisht,ai ka treguar se ka ndihmuar në të holla disa shqiptarë,me ç’rast ishte i gatshëm të ndihmonte edhe ate.E fyer pas këtij propozimi, Parashqevi i është përgjigjur: “Faleminderit për ndihmën ekonomike që kërkoni të më jepni,por s’kam nevojë për të.Më mban partia e cila më ka dërguar delegate të saj,këtu në Paris,për të mbrojtur të drejtat e kombit tim”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë,Fondi Parashqevi Qiriazi, dosja 2 fleta 4 ).
Natyrisht në qëndrimet dhe idetë e saj,Parashqevi do të kishte afër edhe atdhetarë të tjerë.Në shënimet e veta për Parisin,ku ajo ndenji plot 7 muaj,Parashqevi i përmend me radhë të gjithë ata,me tiparet e vyera të tyre dhe dobësitë.Por në penën e saj,do të skicohen bukur,sidomos portretet e At Gjergj Fishtës,Imzot Bumçit,Mehdi Frashërit dhe Luigj Gurakuqit.Qëndrimi dhe mpleksja e mendimeve me ta,pjekuria,guximi,apo e kundërta megallomania dhe disfatizmi,u shpalosën hapur tek shqiptarët,në Konferencën e Paqës në Paris.Është tejet vështirë të gjykosh këta burra,për qëndrimet e tyre ngase duhet me parë të njohësh diplomacinë agresive të fqinjëve tanë,si edhe problemet madhore të mbrendshme shqiptare.Në këtë vorbull diplomatike,ku po luhej me fatet e Shqipërisë si me fatet e ndonjë vendi të humbur të Afrikës,Parashqevi Qiriazi,më së paku arriti të formonte një unitet organik të qëndrimit shqiptar,unitet i cili do të kishte fituar së tepërmi Pamvarsisht se çka u arrit në Paris,roli i Parashqevisë aty,duhet parë kurdoherë në aspektin se në çfar shkalle të lartë diplomatike ngriti ajo çështjen shqiptare,në çfar niveli çoi mendimi i saj, zgjedhjen e drejtë të kësaj çështjeje.Ka qenë pikërisht një përfaqsues shqiptar në këtë Konferencë,i cili ka shkruar për rolin e bijës së Manastirit se ; “Le të mburremi jo vetëm me burrat por edhe gjith zonjat shqiptare se zonjusha Parashqevi Qiriazi,Zhan D’arka e Shqipërisë,na nderoi të gjithë.Asnji komb i madh ose i vogël,nuk ka sot në Paris,një delegate Zonjë,po Shqipëria e ka këtë zonjushe, e cila me diturinë dhe mençurinë e saj,dita me ditë po fiton simpatinë e të huajve për fitim të Shqipërisë”.( Revista “Ylli i Mëngjezit “ – Boston, 1919,korrik. Fq.284 ).
Në fillim të vitit 1921,në bashkëpunim me motrën e saj Sevastinë,si edhe atdhetarin tjetër të shquar Kristo Dakon,Parashqevia ndërmerr nismën për çeljen e një shkolle vajzash në Tiarnë,sipas modelit të asaj në Korçë.Qëllimi i kësaj shkolle,ashtu sikundër thuhej në lutjen dërguar Ministrisë së Arësimit Shqiptar,ishte që vajzat shqiptare të edukoheshin sa me traditat e shkëlqyera të popullit tonë aq edhe me edukatën moderne për t’iu përgjigjur niveleve emancipuese të shoqërisë së asaj kohe.Me ngritjen e kësaj shkolle në Kryeqytetin e Shqipërisë,në fakt motrat Qiriazi,potenconin përpjekjet për një arësim mbi themelet kombëtare,me ç’rast do t’i shërbehej drejtëpërsëdrejti kombit dhe do të realizonte aspiratat e mijëra shqiptareve të ndershme.Në fakt,kërkesa e motrave Qiriazi u muar parasysh dhe brenda vitit 1921 u përcaktuan edhe fondet e qevreisë shqiptare që do të përdoreshin për mbarëvajtjen e shkollës.Shkolla në fjalë, e cila mori emrin Instituti “Kyrias” u çel në tetorin e viti 1922.Entuziasmi i vajzave dhe mësuesve,dalëngadalë u shëndrrua në një punë vetmohuese për të realizuar programin mësimor i cili padyshim ishte ndër më të përparuarit në Shqipërinë e atyre viteve.Numëri i vajzave erdhi duke u rritur për çdo vit dhe edukimi i tyre me traditat atdhetare la gjurmë të thella,ngase u transmetuan dashurinë për gjuhën,historinë dhe shqiptarizmën nga gjenerata në gjeneratë.Në krejt këtë nismë,spikati padyshim talenti pedagogjik dhe aftësitë e thella mësimdhënëse të Parashqevisë.Pos të tjerave bija e Manastirit do të tregonte se ishte edhe një zonjë e dhembshur.Ajo dinte të sillej me të gjithë nxënësit duke iu parashtruar sipas temperamentit të sjelljes.Po aq sa edukonte në klasë,po aq Parashqevi jepte shembull edhe jashtë mureve të klasës.Ajo dinte të bënte tekste mësimore,por pat shkruar edhe tekste këngësh,ajo pat qenë delegate në Konferencën e Paqës në Paris,por dinte edhe të qëndiste bukur,të këndonte bukur të punonte pa u lodhur në kopshtin pranë mjediseve të Institutit.Nga viti në vit nxënësit u shtuan,u ble tokë tjetër ku u mbuallën drurë frutore,u çelën edhe disa klasa më të ulta pranë këtij Instituti i cili siguronte vazhdimsinë e përvetsimit të dijeve.Më 1931,shtypi shqiptar i kohës shkruante: “Kjo shkollë ka punuar gjithë jetën e saj për edukimin e vajzës shqiptare,të cilën e ka bërë në gjuhën amtare,në kohën kur ishte i ndaluem zyrtarisht përdorimi i kësaj gjuhe si vegël mësimi.Këtë vepër kombëtare në gjuhën tonë,kjo shkollë asht tue e mbarue edhe sot,në mënyrë e drejtim më të gjërë e t’organizuem”.( “Foleja Kombëtare” – Tiranë 1931 , faqe 39 ).
Por fatkeqsisht nuk ishte e thënë që jeta e këtij Instituti të vazhdonte gjatë.Trazirat e brendshme dhe të jashtme politike,në vitet 30-40 të shekullit të kaluar,dominenca italiane dhe varfëria e shtetit shqiptar bënë që shkolla të mbyllej ose të shëndrohej në disa klasa ku mungonte krejtësisht fryma atdhetare.Përballë kësaj gjendjeje,parashqevi Qiriazi nuk u ligështua.Jeta e saj pat kaluar midis aq andrrallave e furtunave ndaj bija e Manastirit nuk pushoi përpjekjet për asnjë çast.Ajo shkollë tek e mbramja ishte pasqyrë e vet jetës së saj.
As fashizmi as komunizmi nuk mund të lejonin të çelej sërish Instituti “Kyrias”.I pari nuk lejonte sepse kish pikatur frymën e shenjtë të shqiptarizmës,ndërsa të dytët nuk mund të çelnin një shkollë atdhetare meqë ata vetë kishin tradhëtuar atdheun shqiptar,dhe busulla e tyre sishte nga perëndimi por nga lindja.Prashqevi ka kaluar plot dy decenie në heshtje,duke vuajtur për bukën e gojës.Diktatura e Tiranës Hoxhiste u kujtua për te,vetëm në festimin e 60 vjetorit të Kongresit të Manastirit,ku Parashqevia ishte e vetmja delegate e mbetur gjallë.Më pas asaj i kanë ndarë një pension modest duke ia dorëzuar sërish haresës.Por antiharresa,populli, e mbushi me adhurim e lule,ndërsa e përcillte për në banesën e fundit më 17 dhjetor të vitit 1970.
Bern-Zvicer
Kadri Tarelli says
Shkrim i bukur dhe me shumë hollësi arkivore, që e bëjnë të besueshëm dhe të vërtetë. Të dyja motrat Qirjazi janë ikona të arsimit shqip. Ato meritojnë më shumë, sesepse jeta e tyre është model i përkryer i shpirtit idealist që digjet për gjuhë shqipe e mëmëdhe.
Me mirënjohje e mirëkuptim!
Kadri Tarelli
Durrës