• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARASHQEVI QIRIAZI, NJERIU, GRUAJA, MENDIMTARJA DHE VEPRIMTARJA POLITIKE

August 31, 2021 by s p

Prof. As. Dr. Teuta Toska, drejtuese e Departamentit të Gjuhësisë, Fakulteti i Shkencave Humane, Universiteti “Aleksander Xhuvani” Elbasan, në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York dhënë Editorit Sokol Paja, zbulon për lexuesin detaje nga jeta dhe veprimtaria e patriotike e diplomatike e Parashqevi Qiriazit që nga formimi, pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit, Konferencën e Paqes në Paris, terrorin komunist mbi familjen Qiriazi, mendimin politik e veprimtarinë diplomatike, mediatike dhe politike të Parashqevi Qiriazit.

PARASHQEVI QIRIAZI DHE FAMILJA NËN PUSHTIMIN KOMUNIST DHE ITALIAN

Jeta e Parashqevi Qiriazit kishte qenë një lumë i rrëmbyer deri në vitin 1946, kur komunistët e sapoardhur në pushtet ia konfiskuan gjithçka familjes Dako, Sevastisë dhe Parashqevisë. I shtetëzuan shtëpinë dhe shkollën në Kamëz, djemtë e Sevastisë, Aleksandri dhe Gjergji, u burgosën. Regjimi u përgatiti me kujdes një funeral të gjatë, të gjithëve: edhe atyre që vdiqën, si Kristo Dako dhe Gjergji Dako, i biri, por edhe atyre që mbetën gjallë, Sevasti, Aleksandër dhe Parashqevi. Së bashku me shtëpinë, Parashqevisë ia grabitën edhe jetën: profesionin, punën, luftën, shpresën, veprën, dokumentet, kujtimin, kujtesën. Që nga ajo ditë e derisa vdiq, jeta e Parashqevisë u zhyt në heshtje, për shumë vite. E vetmja dëshmi sot për jetën e saj vjen nga e mbesa, Viktoria Dako-Ruli dhe nipi Robert Dako. Intervistat dhe dëshmitë e tyre me pjesëtarë të Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante (në audio dhe video) janë dëshmi e viteve të tmerrshme që jetoi Parashqevia në një shtet dhe vend mosmirënjohës dhe pa kujtesë. Viktoria Dako shkruan: “Shumë kohë më pas, në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë për koniunktura politike të regjimit komunist u tregua një interes për veprimtarinë patriotike të familjes Qiriazi. Kështu, aty në Vlorë, ku 50 vjet më parë u shpall pavarësia e Shqipërisë, katër pjesëtarë të familjes Qiriazi – Gjerasimi, Gjergji, Sevastia dhe Parashqevia – u dekoruan me Urdhrin e Lirisë dhe urdhrin «Për veprimtari patriotike». Ndërtesat qëndruan të zbrazura në shenjë proteste për vendimin që kishte marrë qeveria shqiptare dhe Motrat nuk pranuan t’ia lëshonin me qira shtetit. Përgjatë këtyre viteve Kristo Dako u mor me projekte për shkrimin e ndonjë libri, ndërsa Sevastia shkroi kujtimet e saj në anglisht, që mbetën në dorëshkrim dhe u botuan vetëm në vitin 2016, të përkthyera edhe në shqip. Parashqevia u përfshi në të rrallë me ndonjë botim në shtyp. Dako ndërroi jetë në vitin 1941. Pushtuesit italianë ua morën ndërtesat e shkollës dhe ua kthyen në depo ushtarake. Në vitin 1943 Gestapoja ia zaptoi ndërtesat e shkollës dhe shtëpinë, dhe Motrat me gjithë familjen e tyre i nisën në kampin e përqendrimit në Beograd nga u kthyen gjallë në fillim të vitit 1945. Në Shqipëri nisi edhe varrosja e tyre për së gjalli: konfiskimi i pasurisë materiale dhe jo vetëm, zhveshja nga rrobat dhe veprat, urrejtja dhe shpërfillja përçmuese e fitimtarëve të rinj, burgosja e djemve të Sevastisë, vdekja e Gjergjit, vdekja e saj, shkulja periodike e çdo shprese nga shpirti i Parashqevisë.

KUSH ISHTE PARASHQEVI QIRIAZI

Ajo ishte fëmija i fundit nga 10 fëmijët e Maria dhe Dhimitër Qiriazit. Lindi në 2 qershor 1880 në Manastir. Ishte 22 vjet më e vogël se Gjerasimi dhe 10 vjet më e vogël se Sevastia, e cila shkruan në jetëshkrimin e saj: “Të nesërmen në mëngjes ne të gjithë u ngritëm herët dhe mendova se cila ishte surpriza që na priste? Një anëtar i ri i ishte shtuar familjes sonë: një bebe, motra jonë e vogël. […] Motra jonë e vogël u pagëzua të dielën që pasoi. Gjithë të afërmit umblodhën në shtëpinë tonë dhe foshnjën e çuan në kishë. Kumbara i vuri bebes emrin Parashqevi, që do të thotë e premte, dhe e mbajti atë në krahët e saj kur u kthyem në shtëpi.[…] Kjo motra ime e vogël duhej shumë nga të gjithë ne. Atë e përkëdhelnim të gjithë dhe i vumë nofkën Hyll (Yll), por ajo nuk u llastua. Ishte e dashur dhe e butë. Ishte një vajzë jashtëzakonisht e shkëlqyer. Unë e doja kaq shumë saqë tregoja kujdes të veçantë ndaj saj, sikur të isha një nënë e vogël për të.” Sevastia e përshkruan kështu (si një nënë) marrëdhënien e veçantë që kishte me të motrën tërë jetën. Parashqevia shihte tek Sevastia udhëheqësen, mbështetjen, bashkëpunëtoren, frymëzuesen dhe, nga ana tjetër, Parashqevia i ishte ndihmë Sevastisë, shpesh ishte në këmbë të saj dhe të punëve të saj. Mbetën të pandara deri në fund. Kjo lidhje me Sevastinë bënte që të ishte e tillë edhe me Kristo Dakon, bashkëshortin e Sevastisë. Bashkëpunimi dhe vepra e tyre ishte një njësi treshe. Jeta e familjes së Sevastisë dhe Kristos u bë edhe jeta e Parashqevisë. Ajo jetoi deri në fund me nipërit dhe mbesat Dako. Shkollimin e parë e kreu në Manastir, në shkollën e misionarëve amerikanë të Manastirit, tashmë miq të familjes Qiriazi. Aty duhet të ketë mësuar anglisht, përveç gjuhëve që i dinte nga mjedisi familjar dhe gjeografik i Manastirit, ku dëgjohej shqip, bullgarisht, greqisht dhe turqisht. Në vitin 1900 ajo do të niste studimet si edhe e motra në Kolegjin Amerikan të Vajzave në Stamboll, në fakultetin e letërsisë. Ajo u diplomua në vitin 1904 dhe po këtë vit iu bashkua Sevastisë në Korçë, për ta ndihmuar në Shkollën e Vashave aty. Një vit më vonë, Sevastia niset në Amerikë për të kryer studime të nivelit master në Universitetin e Çikagos dhe Parashqevia do të drejtojë vetë të gjitha punët në shkollë: administronte dhe jepte mësim.

PARASHQEVI QIRIAZI NË KONGRESIN E MANASTIRIT

Viti 1908 ishte një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, edhe njësoj për jetën e Motrave. Sevastia ftohet për të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, mirëpo për shkak të ndryshimeve politike që kishin ndodhur dhe lirive që ishin fituar, interesi për Shkollën shqipe të Vashave ishte rritur. Në shkollë kishte shumë punë, kështu që Parashqevia u nis në Manastir në vend të së motrës. Me kthimin e saj, në janar 1909, së bashku me Sevastinë themelojnë Shoqërinë Letrare të Zonjave Shqiptarka “Yll’ i Mëngjezit”. Në komisionin drejtues të shoqërisë bënin pjesë zonjat AndroniqiGrameno, EvridhiqiHristaq, FankaEfthimi, EfdhaliPetro dhe ParashqeviQiriazi. Sevastia ishte zgjedhur “kryesonjëse” e shoqatës. Në prill të atij viti Parashqevia organizoi edhe shfaqjen e dramës Vilhelm Tel. Viti 1909 është një vit i mirë për veprimtarinë e Parashqevisë: boton Abetaren “me abecenë që vendosi Kongresi i Manastirit”, e cila shpërndahet gjerësisht, dhe krijon atë që njihet si “Himni i Alfabetit”. Me reaksionin xhonturk vitet 1910-1912 ishin shumë të vështira për Shqipërinë dhe për punën e Motrave në Korçë. Arrestimet, përndjekjet, mbyllja e shkollave dhe klubeve që ishin hapur anembanë ku kishte shqiptarë krijuan një klimë frike. Por Shkolla e Vashave vijoi punën e saj. Në vitin 1912, së bashku me Kristo Dakon, Parashqevia udhëton në Amerikë për të vijuar studimet në Fakultetin e Pedagogjisë në Universitetin e Oberlinit. Në fund të vitit 1915 Dakot dhe Parashqevia udhëtojnë për në Amerikë, me qëllim që të punonin atje për çështjen shqiptare. Kristo kishte pasur, në udhëtimet e kaluara, bashkëpunim shumë të mirë me “Vatrën”, duke kryer edhe disa funksione aty. Ndërkohë Parashqevia merr pjesë në veprimtari politike dhe patriotike në rrethet e shqiptarëve të Amerikës, por edhe në rrethet e të njohurve të tyre të komunitetit protestant presbiterian të Amerikës. Kishat e këtij komuniteti do t’i mirëpresin ata për konferenca promovuese për shkollat, sistemin arsimor në Shqipëri, gjendjen dhe emancipimin kulturor të shqiptarëve, të grave në veçanti dhe, njëherësh me këtë, hapej edhe një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin e çështjes shqiptare dhe të ardhmen e kombit në një periudhe tejet të vështirë.

PARASHQEVI QIRIAZI NË KONFERENCËN E PAQES NË PARIS

Në mars të 1919-ës ajo niset për në Paris, si përfaqësuese e Partisë Politike në delegacionin shqiptar që ishte në Konferencën e Paqes. Përfaqësues të tjerë të këtij organizmi ishin caktuar Ismail Qemali, i cili ndërron jetë në janar të atij viti, Nuredin bej Vlora dhe MihalGrameno. Më vonë i bashkohet grupit edhe NikollëIvanaj. Parashqevia qëndron në Paris deri në tetor. Ajo e dokumenton praninë e saj ditë për ditë, me një ditar, por edhe me letërkëmbimin që ka me Dakot në Amerikë. Në muajt nëntor 1919 – shtator 1920 ajo është në Amerikë, duke vijuar të njëjtën veprimtari politike, diplomatike dhe publicistike, si editore e “Yllit”, por edhe si editore e Albania, që nga marsi i vitit 1920. Kthehet në Shqipëri në fund të vitit 1920 me një ftesë nga Kryqi i Kuq Amerikan për të organizuar shkollat atje. Në janar të vitit 1922 Sevastia kthehet nga Amerika dhe në tetor 1922 bashkë nisin punën për të hapur një shkollë për vajza, kësaj radhe të një cikli më të lartë dhe në kryeqytetin e shtetit shqiptar. Parashqevia u bë drejtoreshë e liceut për vajza “Kyrias”, i cili u hap më 2 tetor 1922 në konakun e SulejmanKusit në Rrugën e Fiqve, në periferi të Tiranës. Edhe Kristo Dako përfshihet në mësimdhënie, duke u mënjanuar ngadalë nga skena e trazuar e politikës në Shqipëri. Në vitin 1925 ata blenë një tokë në Kodër-Kamëz, 6 km larg Tiranës dhe në 11 prill 1925 filluan ndërtimin e shkollës së re, e cila u zgjerua edhe me konvikt, si rrjedhojë e kërkesave që rriteshin. Mësimi në ndërtesën e re nisi vetëm në vitin shkollor 1927-1928. Në prillin e vitit 1933, me reformën arsimore të kryer nga Mbreti Zog dhe ministri i tij i Arsimit, Marash Ivanaj, shkolla u mbyll.

PARASHQEVI QIRIAZI, NJERIU, GRUAJA, MENDIMTARJA DHE VEPRIMTARJA POLITIKE

Më 1919 Parashqevia gjendet në Paris dhe, duke filluar nga 1 janari i këtij viti e deri në 22 tetor, ajo do të mbajë shënime të përditshme për jetën e vet. Ky tekst, që botohet për herë të parë, është sintezë e aspekteve të ndryshme të personit: njeriu, gruaja, mendimtarja dhe veprimtarja politike. Do të shihet si bosht, vend udhëtakimesh, me të cilin do të lidhen tekstet e tjera të Parashqevisë të botuara në këtë libër, që përbëhet nga dy pjesë: një tekst (ditari) dhe një makrotekst (shkrime të ndryshme të saj të një tematike), që na paraqesin në thelb përkatësisht: veprimin politik dhe mendimin politik të Parashqevi Qiriazit. Pjesa e parë, që lidhet me veprimtarinë diplomatike të Parashqevisë në Paris ka si tekst kryesor Ditarin. Ky dokument paraprihet prej një hyrjeje studimore, ku preken çështje që lidhen me angazhimin politik të Parashqevisë, kontekstin historik dhe politik, metodologjinë e parashtrimit të tekstit, probleme të filologjisë gjatë rishkrimit, natyrën e tij si dokument historik por jo vetëm, kohën dhe vendet e ngjarjeve dhe marrëdhënien që krijon lexuesi me këtë tekst 100 vjet më pas.

“MENDIMI POLITIK” I PARASHQEVI QIRIAZIT

Këtu janë përfshirë të gjitha shkrimet me titull “Fleta e editorit” të botuara tek Yll’iMëngjezit përgjatë katër viteve kur periodiku u publikua: 1917–1920. Siç edhe do të shihet, 1919-ta e ParashqeviQiriazit është një produkt i pikëpamjeve, qëndrimeve, tezave, ideve të shprehura në punën më të madhe intelektuale të jetës së saj. Shkrimet janë vendosur kronologjikisht, paraprihen nga të dhënat numerike të revistës (numri, viti dhe data). Edhe kjo pjesë e dytë ka një hyrje studimore, ku preket kontributi i Parashqevisë në publicistikë, bëhet një panoramë e gjerë e periodikut, me rubrikat kryesore, bashkëpunëtorët, tematikat qendrore, pastaj tipologjia e tekstit që shkruan Parashqevia te “Fleta e editorit”, një studim tekstor, dhe në fund çështje të rishkrimit të tekstit. Viti 1919 i ParashqeviQiriazit është si një frëngji që hapet për të parë nga afër si e jetoi ajo çdo periudhë të jetës: me forcë të paepur, edhe pse vetëm, me vendosmëri dhe shpresë për një të ardhme më të mirë në një atdhe më të mirë. Jetoi kështu edhe kur në jetën e saj ia behu ajo periudhë kur forcë e vendosmëri donte të thoshte të heshtje, të mbijetoje me durim, në dhimbje, derisa të vinte ndryshimi i rrjedhës së historisë së një populli që ende nuk di si lexohet historia e vet. Dhe kështu të përmbushej një parim i jetës së saj, që: “çdo jetë e mirë kurorëzohet në kohën e vet”.

VEPRIMTARIA DIPLOMATIKE NË PARIS

I kam kaluar muajt e këtij viti të pazakontë duke ndjekur Parashqevinë, ditë për ditë, në një vit të jetës së saj: 1919. Leximin tim të parë e nisa e ngarkuar me gjithë dijen e mundshme brenda meje, që vinte nga një shkollim i përgjithshëm në studime të historisë, nga lexime divulgative të rrënjosura edhe me mitemat e historiografisë shqiptare. Ditari më zhgënjeu. Kërkoja në jetën e Parashqevisë historinë e madhe, që shënohet në çdo libër historie të çdo vendi. Në fund të fundit, muajt e vitit 1919 në Paris ndryshuan historinë e gjithë botës, si thotë MargaretMacmillan. Nuk e gjeta atë që kërkoja. Kështu mendova të ndryshoj qasjen. Vendosa t’i rikthehesha tekstit e zhveshur nga gjithë çfarë mendoja se dija dhe ta rilexoja me shqisën e mprehur në vite të një hulumtuesi. M’u desh të hiqja dorë nga çdo qëndrim, pikëpamje, mit, ideologji, ëndrra për riformulim ngjarjeje a dëshmish historike me fjalë të njohura dhe perifraza të përsëritura. I braktisa dhe iu dhashë gjurmimit të çdo të dhëne: person, vend, ngjarje, lagje, gjësend, faturë, tip shkrimi, fjalë, gabim shkrimi, fjali, elipsë, artikull etj. Iu ktheva faktit. Gjithçka që më ndihmonte të kontekstualizoj njeriun, ta vendos atë në një vend, kohë, ndërtesë, ngjarje të vërtetë.

YLL’I MËNGJEZIT – ZËRI TJETËR NË POLITIKË

Kultura dhe mbi të gjitha arsimi, i vështruar si mjeti i shndërrimit të njeriut dhe kombit, janë bërthama e mendimit politik të Parashqevi Qiriazit. Togun “vlera politike e arsimit” ajo e përdor vetëm një herë në gjithë shkrimet e Yllit të Mëngjezit, dhe pikërisht në shkrimin e parë të periodikut, si preambulë e gjithë çfarë do të botohet më pas. Kultura dhe arsimi janë çështje themelore për politikën e një kombi, aq më tepër në formësim. Tek Ylli gjejmë të parashtruar ambicien për arsimin dhe shkollat në Shqipëri, përvijimin e identitetit kombëtar dhe pasionet për kulturën, librin, leximin, artet, studimin e historisë, kërkimin e literaturës.  

Filed Under: Featured Tagged With: Kongresi i Manastirit, Parashqevi Qiriazi, Teuta Toska

PARASHQEVI QIRIAZI,PIONERE E ARËSIMIT KOMBËTAR

May 8, 2016 by dgreca

Foto e vitit 1905- Shkolla e vashave në Korçë

Shkruan:Eugen SHEHU-Bern/Zvicer/

Familja e njohur e Dhimitër Qiriazit,do të mbushej me plot miq e shokë,në ditët e para të qershorit të vitit 1880.Pat lindur fëmija i dhjetë një vajzë e bukur që dikush nga miqtë e quajti Parashqevi dhe ky emër e shoqëroi ate deri në fund.Ka qenë sigurisht trilli i fatit që Parashqevia të rrethohej jo vetëm prej dashurisë prindërrore por sidomos prej kujdesit të motrave dhe vëllezërve më të mëdhenj në moshë.Në se për familjet e mëdhenj,Dhimitër Qiriazi pagoi mësues për gjuhën shqipe,për më të vegjlit e sidomos për Parashqevinë,kjo nuk ia vlente sepse ende pa mbushur 6-7 vjet,ajo pati mësuar prej vëllezërve të shkruante mjaft bukur germat shqipe.Në fillim Parashqevia ndoqi disa klasë filloreje në Manastir ku falë shkollave të shumta,nisi edhe nga mësimi i turqishtes por edhe greqishtes.Më pas ajo do të shkonte në shkollën e vashave në qytetin e Korçës,të cilën sapo e patën çelur Gjerasimi dhe Sevasti Qiriazi,vëllai dhe motra e madhe e Parashqevit.E vërteta është se në këtë shkolë Parashqevia sikur e ka humour ate gjallërinë karakteristike të familjes.Në fakt kjo shkollë u përmbahej ligjeve dhe rregullave tepër të rrepta,çka bënte të mundur egzistencën e saj.Brenda mureve të ftohtë të shkollës së vashave,Parashqevia kaliti karakterin dhe vullnetin duke iu përshtatur sa më shumë rregullave dhe duke lënë menjanë lojrat aq të dashura në Manastir.Më vonë ajo do ta kujtonte gjithmonë me kënaqësi këtë periudhë (1892-1896) dhe sidomos motrën  e saj të madhe Sevastinë e cila ishte dhe mbeti deri në fund  një model i disiplinës së hekurt dhe ndershmërisë profesionale.Me përfundimin e shkollës së vashave në Korçë,Parashqevia shkon sërish në Manstir.Por aty vëllezërit dhe motrat,të cilët dëshirojnë vazhdimin e studimeve prej saj,i pregadisin kushtet dhe një vit më pas,Parashqevi  shkon në të njejtin kolegj,ku pat studiuar e lënë gjurmë të thella,motra e saj e madhe,Sevastia,duke vazhduar rrugën e motrës së vet,Parashqevi Qiriazi,arrin të përvetsojë krahas lëndëve mësimore edhe një edukatë morale të përkryer.Natyrisht si e fundmja vajzë e Qiriazëve të njohur në Stamboll,ajo do të vizitohej në kolegj edhe prej atdhetarëve shqiptarë miq të ngushtë të Gjerasimit e Sevastisë.Madje,shumë syresh do ta ftonin edhe në shtëpinë e tyre duke kujtuar me mall,viset e bukura të atdheut  duke qarë hallet e mëdha të Shqipërisë në fund të shekullit XIX.Vitet e studimeve në kolegjin  e Stambollit,njëherazi e paisin Parashqevin me aftësi të mëdha metodike dhe praktike për mësimdhënien.Është kjo arsyeja që në vitin 1904,pasi pat mbaruar me nota të shkëlqyera studimet në Stamboll,Parashqevia kthehet në Korçë,tashmë e aftë për të dhënë mësime në shkollën e vashave,në disa lëndë.Duhet cekur se pikërisht në këto kohë,pra në vitet 1904-1905,kjo shkollë po sulmohej nga të katër anët,prej të gjithë atyre që nuk mund të pranonin idenë e përhapjes së shkollave shqipe.Duke shfrytëzuar rastin që në këtë shkollë,jepeshin ide mbi fenë protestante,mbi te u vërsulën si lukuni ujqish të krishterë e ca mysliman,fanatikë që merrnin urdhërat nga ndonjë xhami apo kishat e tyre.Madje duke parë kokfortësinë e motrave Qiriazi,ata nuk lanë gurë pa lëvizur duke friguar deri edhe prindërit e vashave.Kështu në një urdhër të Mitropolitit të Korçës i cili paradoksalisht fliste në emër të qytetarëve të krishterë,thuhej ; “Kjo shkollë ka qëllimin e keq,të tërheqë vajzat e vogla dhe të pafaj prej orthodoksisë dhe t’i fuse në tjetër Fe,prandaj ne si gjithë qytetarët e këtushëm marrim vendimin që të ç’kishërojmë çdo familje e cila dërgon fëmijët e saj në shkollën protestante…”

( Gazeta “Drita “ Sofje më 15 dhjetor 1905 ).

Ndërkaq Parashqevi Qiriazi,duke njohur të drejtat e këndimit të Ungjillit në gjuhën shqipe,u përpoq që me anë të ideve fetare,të mund të mbushte sadopak zbrazëtinë e krijuar e për më tej,kur në këtë shkollë vinin të merrnin libra dhe abetare shqip luftëtarët e Cerçiz Topullit,Bajo Topullit,Mihail Gramenos dhe Qamil Panaritit,gjuha shqipe u rivendos sërish,pasi shkolla e vashave ishte në besë të këtyre trimave.Më mirë se kushdo,këtë e dinin administrata ushtarake osmane dhe Metropoliti i qytetit.Nuk duhet harruar në këto momente edhe trimëria e motrave Qiriazi ku veçmas Parashqevia shkonte deri në fshatrat më të thella të Korçës e Kolonjës,duke dashur të mbledhe rreth shkollës e gjuhës shqipe sa më shumë vajza.

Viti 1908 do të sillte ngjarje të reja për shqiptarët e të katër vilejeteve.Por sidomos në vilajetin e Manastirit,shpallja e kushtetutës prej turqve të rinj,u shoqërua me një varg masash prej atdhetarëve shqptarë me ç’rast parashihnin përparimin e lëvizjes kombëtare,përmes përhapjes së klubeve,shkollave dhe arësimit shqip.Parashqevi Qiriazi,kësaj kohe ndjek me vëmendje situatën dhe ndërmerr hapa konkret për themelimin e klubit të Korçës,sipas ideve dhe modelit të klubit të Manastirit.Pa u shkëputur nga veprimtaria e saj arësimore,në kontakte me patriotë dhe intelektualë të qytetit të Korçës,ajo ndikon drejtëpërsëdrejti në zgjimin e vetëdijes nacionale dhe përparimin e shkollave shqipe.Mendoi se aktivizimi i saj në këto rrethe,ka bërë që Parashqevi Qiriazi,së bashku me atdhetarin Mihail Grameno,Grigor Cilka,Sami Pojani dhe Thoma Avrami,të caktohen si përfaqsues të Korçës në Kongresin e Manastirit,në nëntor të vitit 1908.Ndërkaq vëllezërit Qiriazi,Gjergj dhe Kristo,dy-tri javë më parë,në bashkëpunim edhe me atdhetarë të tjerë në Manastir,patën krijuar “Shoqërinë botuese latrare”(Arkivi Qendror i shtetit-tiranë,koleksioni i fondeve personale,dosja 169,fleta 26 ),ku sigurisht patën vënë në diejni edhe Parashqevin e cila pat shkruar disa tekste në shqip,por pa e parë dritën e botimit.Ndonëse një vajzë e re,disi e druajtur, Parashqevi Qiriazi si delegate e këtij kuvendi historik,rënditej me burrat më të vyer të kombit tonë. Ishte e para herë që shqiptarët,në një kuvend të tillë,kaq madhorë,pranonin të uleshin dhe për më tej të dëgjonin fjalët e një gruaje.Dhe ajo që vlen të mos harrohet është fakti që kjo grua nuk thirrej e dëgjohej aty për merita të vëllezërve apo motrave (të tjera merita ishin ato) por ish zgjedhur me votën e shqiptarëve,pikërisht për ate shpirt sakrifice,për ate shpresë të pashuar që shpërndante në çdo fjalë e veprim.

Pa u ndalur në ato vendime me rëndësi madhore që u muarën në kuvendin historik të Manastirit,mendoj të mos harrohet fakti i madh se ndër të parët që luftoi dhe sakrifikoi për të vënë në vend ato ide,ishte pikërisht Parashqevia,ajo vërtet mbajti një ligjeratë prekëse në Kongres por vetëm disa muaj më pas,duke punuar ditë e natë,në kushte tejet të vështira mundi të përgadiste abetaren e parë shqipe,me ate alfabet që u mirata prej burrave të Shqipërisë,në vilajetin e Manastirit.

Atëherë kur edhe vetë shqiptarët ishin përçarë në rrafsh të germane të alfabetit,atëherë kur kishat edhe xhamijat lëshuan mallkimet e rënda e të frikshme mbi këto germa,ishte pikërisht Parashqevi,bijë e Manastirit shqiptar të hershëm, e cila me mundin,djersën dhe parat e kursyera prej saj,përgaditi dhe botoi të parën abetare me alfabetin latin.Shtypi shqiptar i ngazëllyer rreth kësaj ngjarjeje,nuk do të vononte të shkruante ; “Ky libër i vogël me 32 faqe dhe 18 fytyra,është radhitur bukur e pas metodës së re,me abecenë që vendosi Kongresi i Manastirit”.(Gazeta “Bashkimi i Kombit” 5 nëndor 1909 ).

Në gjurmë të atdhetarëve të shumtë shqiptarë,Parashqevi Qiriazi e shpërndau falas abetaren e saj,në katër vilajetet shqiptare.Emri i mësueses së shkollës së vashave në Korçë,tanimë u përhap me shpejtësinë e rrezeve të dritës që nga Parga e janina e deri në Dukagjin e Drenicë,që nga Vlora e Mirdita e deri në Shkodër e Pollog.Me këtë akt,Parashqevi Qiriazi,po i shpërblente familjes së vet,mundin dhe investimin e tyre për shkollimin e vajzës.Ndërsa në aspektin tjetër,më të rëndësishëm,ajo kishte hyre tanimë në rreshtat e parë të burrave të mëdhenj të kombit,të atyre që patën hedhur mbi supe përgjegjsinë e lëvizjes kombëtare shqiptare.Nën shembullin e dhjetra shoqërive atdhetare të krijuara në vitet 1908-1909,Parashqevi Qiriazi ngre në Korçë,në janarin e vitit 1909,shoqërinë e parë të grave me emrin “Ylli i Mëngjesit”.Përmes kësaj shoqërie,bija e Manastirit,kërkonte që gratë shqiptare të integroheshin sa të mundeshin në jetën shoqërore,të flaknin paragjykimet mesjetare duke marrë vetë në duar fatin e tyre.Që në ditën e parë të krijimit të kësaj shoqërie,shkuan rreth 100 gra e më tej numëri u dyfishua.Ajo çka arriti Parashqevia që në fillim,ishte se aty shkuan gra prej besimeve fetare të ndryshme,gjë e cila nuk ishte aq lehtë të kapërcehej në ato kohë.”Ylli i Mëngjesit” u bë e dashur për mjaft gra të cilat për të parën herë mësuan aty të shkruanin gjuhën shqipe,të këndonin këngë patriotike apo të dëgjonin mbi traditat e vyera të popullit të tyre.Disa kohë më pas,organizimi i kësaj shoqërie mundi të cekë edhe temat kulturore,aq shumë të dëshiruara për gratë shtëpiake të Korçës.Mandej me vete nismën dhe regjinë e Parashqevisë në dhjetor të vitit 1909,disa vajza të shoqërisë “Ylli i Mëngjezit” vunë në skenë një dramë domethënëse të Shilerit.Rreth këtij aktiviteti,shtypi i kohës do të shkruante : “Drama ishte pergaditur mirë dhe u lojt shumë bukur e me mjeshtëri të madhe nga aktorët e reja.Gjithë dëgjonjësit mbetën shumë të kënaqur.Shoqëria nuk ndau bileta.Me dëshirë u mblodhën 5 lira turke”.( Gazeta “Korça “ 13 janar 1910 ).

  Në fillim të vitit 1912 (pas trazirash të shumta jo vetëm në Korçë por në krejt vilajetet shqiptar) Parashqevi Qiriazi,duke ndjekur edhe këshillat e Sevastisë,shkon në SHBA ku ndjek një kurs pasuniversitar në rrafsh të pedagogjisë.Studimi ishte vazhdim i atyre që pat mbaruar në Stamboll,por tanimë ai ndërthurej edhe me përvojat e fituara në këtë rrugë të gjatë e plot sakrifica.Duke i lidhur kërkesat e shkollës,me ngjarjet që pasuan në Shqipëri në nëndorin e vitit 1912,Parashqevi Qiriazi,pas disa muaj të lodhshëm studimesh,mundi të hartojë një program konkret për sistemin arësimor në Shqipëri.Që në fletat e para të këtij studimi (i cili u botua në vitin 1919 në librin e Dakos me titull “Albania the Master Key to the Near East”) Parashqevi paraqet gjendjen e deritanishme të shkollave shqipe.Ajo ndalet posaçërisht në shkollat greke të çelura rëndom në Shqipërinë e jugur duke zbërthyer qartë edhe qëllimin  e tyre.Për Parashqevin,këto shkolla ishin veçse çerdhe që mbështetnin pretendimet e tyre territoriale mbi Shqipërinë e Jugut.Për shkollat greke zgjidheshin nxënësit më të mirë të cilët pastaj dërgoheshin në Athinë dhe i dërgonin të nesërmen në Shqipëri për të bërë propagandë helene.Në të njejtën pozitë ishin edhe shkollat sllave të cilat i paisnin shqiptarët me frymën sllavoortodokse.Sa për shkollat italiane,Parashqevi ndonëse theksonte faktin se ato janë të pakta në numër “nuk duhen nënvlersuar në lidhje me propagandën që zhvillojnë”.Duke parë nevojat jetike të shqiptarëve,Qiriazi në këtë studim thekson se “vëndi ynë me tre milion banorë gjithsejt ka nevojë për shkollat në gjuhën e tij dhe jo për shkollat e huaja që duan të na shkombëtarizojnë”.Ajo gjithashtu parashihte në arësim,ngritjen e një organizate e cila të merrej posaçërisht me unitetin kombëtar,duke synuar që krejt nxënësit të ishin të pavarur prej intrigave që po pergadisnin krerët e religjioneve fetare në Shqipëri.Tejet i përparuar për kohën,këtë studim,ndonëse e botoi në vitin 1919,Parashqevi Qiriazi ia paraqiti në mars të vitit 1913,qeverisë së Ismail Qemalit.Por fati i asaj qeverie dihet ,e bashkë me te u rrukullis edhe fati i studimit të Parashqevit.

Ngjarje të trishtuara rodhën në Shqipëri në vitet 1913-1914.Kërcënimet greke në Korçë u shoqëruan me përpjekjet e bandave të andartëve të cilët vranë mjaft prej atdhetarëve të shquar të shkollës shqipe.Shkolla e vashave në Korçë u mbyll dhe motrat Qiriazi u detyruan të largohen.Por edhe në Manastir ato nuk mund të shiheshin me sy të mirë prej autoriteteve vendore të pushtuesve serb,ndaj shkojnë në Sofje e Bukuresht me ftesë të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” e cila drejtohej asaj kohe prej Themistokli Gërmenjit.Me anë të kësaj lidhjeje,iu kërkua ndihmë në disa raste autoriteteve  diplomatike evropiane për fatet e Shqipërisë,por gjithsesi ndonjë rrezulltat kushedi çfar nuk qe arritur.Pas dy vitesh të udhëtimeve të lodhshme,Parashqevi shkon në SHBA,në shtator të vitit 1915.Ajo fillon aty të bashkëpunojë me shtypin shqiptar e për më tej të organizojë edhe një shoqatë të quajtur “Miqtë e Shqipërisë së Lirë”.Por sidoqoftë,ëndrra e saj ishte çelja e një gazete apo reviste e cila do të mund të mbante të ndezur shqiptarizmën,në shpirtërat e bashkëkombasve të vet,atje në Amerikën e largët.U deshën shumë peripeci e përpjekje dhe në fillim të vitit 1917,doli numri i parë i revistës “Ylli i Mëngjesit” qëllimi i së cilës ishte fort qartë i përcaktuar ;”revistë dy javore shqiptare,kushtuar ndriçimit dhe naltësimit të kombit shqiptar”.Natyrisht në faqet e asaj reviste,zunë vend ngjarjet madhore të shqiptarëve,hallet dhe shqetsimet e tyre,luftërat dhe përpjekjet pafund.Sidoqoftë : “dashuria e saj e zjarrtë për atdheun,dëshira për ta parë Shqipërinë përkrah vendeve të tjera,mbështetja e fuqishme me idetë e Rilindjes Kombëtare,njohja e veçorive,specifikës,rrethanave politiko-sociale të kohës, e bënin Parashqevi Qiriazin,që theksin më shumë ta vinte tek problemet e arësimit”.( Dh.Dishnica, “Motrat Qiriazi”,faqe 103 ).

Ata që kanë patur mundësinë të njihen me disa prej numërave të revistës “Ylli i Mëngjesit” janë bindur jo vetëm për larminë e shkrimeve që mbajnë firmën e Parashqevisë por sidomos me thellësinë e mendimeve të shprehura prej saj,me kthjelltësinë dhe patriotizmin e tyre.Sipas saj,çdo shqiptar duhej të familjarizohej me çështjen shqiptare e për këtë,doemos duhej të njihej me veprat e frashërllinjëve dhe autorëve të tjerë shqiptarë.Duke përdorur një gjuhë të pastër e plot kolorit,Parashqevi përmes shkrimeve të saj në “Ylli i Mëngjesit” arrin jo vetëm të bashkëbisedojë me lexuesin e saj,por edhe ta frymëzojë ate,t’i mbaje gjallë ato ndjenja shqiptarizmi të cilat përpëliten përballë metropolitëve të fuqishëm amerikane.Në shkrimet e Parashqevi Qiriazit,gjente kurdoherë vend shpresa,se populli shqipta,si popull i vjetër që ka luftuar shumë gjatë historisë së tij,do të luftonte për t’ia arritur qëllimit,të renditej në krah të botës së qytetëruar.Jo rallë ajo i është drejtuar flamurit kuqezi,këtij simboli të bashkimit të shqiptarëve,duke dashur të ngrerë sa më lartë famën e tij: O flamur i Skenderbeut,valo rreth nesh,valo rreth trashigimtarëve të tu dhe mburna të therrasim dhe të punojmë për bashkim dhe për liri,për tërë jetë… Nën hijen tënde na pëlqen të rrojmë, o flamur i Skënderbeut dhe për nderin tënd jemi gati të vdesim”.( “Ylli i Mëngjezit”-Boston, viti 1917 , vol 2, numëri 7, faqe 206 ).

Një vend me rëndësi në faqet e “Yllit të Mëngjezit” do të zinin edhe ngjarjet e hidhura në jug të Shqipërisë,ku të ashtuquajturit vorioepirotë organizuan disa dyndje që u ngjanin atyre të barbarëve në lindje të njerëzisë.Nën titullin “Kujtime të paharruara” Parashqevia vendosi në sfond të këtyre ngjarjeve,përpjekjet e mëdha të mbijetesës,të shkollës së vashave në Korçë,në vitet 1911-1914,kur shpesh herë nxënëse dhe mësuese e kaluan natën në një dhomë të mbledhura në gjoks të njëra tjetrës,duke pritur nga çasti në çast të shpërthehej dera prej andartëve grek.Por Parashqevi nuk do të mbetej vetëm në përshkrimin e këtyre ngjarjeve në revistën e saj,ngase këtë revistë,tek e mbramja do ta lexonin vetëm shqiptarët,të cilët në vija të përgjithshme e nga burime të tjera i kishin të njohura masakrat greke.Ajo ndërrmori me nismën e saj dhe me ato pak të ardhura,disa udhëtime,në shtete të ndryshme të Amerikës,duke organizuar konferenca lidhur me çështjen shqiptare.Mendimet e saj të thella,gjuha e ëmbël dhe anglishtja e shkëlqyer që përdorte,bënë që këto salla të arrinin edhe deri në 1000 veta,intelektual të SHBA-ve,të cilët njiheshin për të parën herë me Shqipërinë,aktualitetin dhe fatet e saj historike.Gjithsesi,jam i mendimit se jo vetëm në fushën e letrave,por edhe në ate diplomatike,vizioni atdhetar i Parashqevi Qiriazit ka spikatur dukshëm.Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore,kur në Konferencën e Paqës në Paris,do të diskutoheshin fatet e kombeve,shqiptarët e Amerikës dërguan si përfaqsues të tyre,Parashqevin së bashku me 3-4 të tjerë delegatë.Shqiptarët brenda dhe jashtë shtetit amë,në vitin 1919,ishin mbërthyer pos të tjerave,prej mërive dhe inateve karakteristike,ndërsa të tjerë i shihnin interesat e kombit në suazën e interesave të tyre private.Ka qenë kjo arsyeja që ata u përfaqsuan në Konferencën e Paqës prej 3-4 delegacioneve dhe Turhan pasha,përfaqsuesi i Qeverisë shqiptare,nuk dëgjonte as të takohej me të tjerët.Këtu shkëlqeu edhe një herë shpirti i madh dhe diplomacia e thellë e Parshqevisë, e cila mundi të binde Turhan Pashën që delegatët shqiptarë të zhvillonin një takim të përbashkët.Me këtë rast u unifikua deri-diku,qëndrimi i delegacionit të qeverisë shqiptare.Edhe gjatë ditëve të zhvillimit të punimeve,në konferencën e Paqës,Parashqevia ishte promotori i bashkimit në ide të pjesmarrësve shqiptarë aty.Sa në njerin grup në tjetrin,ajo kërkonte t’ bindete bashkëkombasit e vet se duhet të bashkojnë zërin e protestës dhe të arsyes,pse vetëm,ai zë do të mund të dëgjohej.Gjatë këtyre ditëve,një të afërmi të saj i shkruante : “Kështu të ndarë po të rrimë,do të marrim në qafë më keq,të mjerën Shqipëri.Se të paktën,të jemi të gjithë tok dhe kundërshtimet t’i kemi mbrenda dhe jo jashtë,që të bëhemi rezil përpara të huajve”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë, Fondi Parashqevi Qiriazi , dosja 2 fleta 6 ).

Ndërekaq për bijën e Manastirit,ishte e qartë se jo gjithshka varje prej kërkesave unike të shqiptarëve.Duhej të zhvilloheshin takime e biseda sidomos jasht punimeve të Konferencës.Duke shfrytëzuar faktin se njihte 7-8 gjuhë,si edhe shkollën e madhe të njohjes (falë rretahnave të jetës) Parashqevia mundi të takohej në Paris me personalitete të shquar të diplomacisë Evropiane,madje edhe me përfaqsues të vendeve pjesmarrës në Konferencën e Paqës.Duke ditur mirë gjendjen në Shqipëri,duke njohur edhe pretendimet e fqinjëve dhe armiqësitë e vjetra evropiane me shqiptarët,Parashqevia mundi të formojë një mendim të qartë për vehte si edhe përfaqsuesit e tjerë shqiptarë,lidhur jo vetëm se ç’duhej të parashihnin në bisedime,por edhe mënyrat se si do të kërkohej ndihma prej Evropës dhe Amerikës.E vërteta është se disa prej përfaqsuesve të popullit shqiptar në Paris,duke paraparë rrezik të madh prej Greqisë,Serbisë dhe Bullgarisë ishin gati t’u bënin konçesione italianëve të cilët nuk rreshtnin së foluri për “ndihmën” e madhe dhe mbështetjen që do t’u jepnin në luftë kundër fqinjëve të tjerë të Shqipërisë.Ndërsa Parashqevi jo vetëm që nuk mund të fuste veten e saj në këtë grup por bëri ç’ishte e mundur të argumentonte përpara tyre,praktikat shovene dhe zaptuese të italianëve. Besoj se nuk ka qenë e rastësishme që ambasadori italian në Paris,Kastoldi,të ketë kërkuar të bisedojë me shqiptaren”antiitaliane”,Parashqevin.Them besoj,ngase është fakti i njohur që mbas një bisede disa orëshe,Kastoldi nuk ka mundur të sigurojë përkrahjen e bijës së Manastirit.Pas kësaj,gjoja si krejt rastësisht,ai ka treguar se ka ndihmuar në të holla disa shqiptarë,me ç’rast ishte i gatshëm të ndihmonte edhe ate.E fyer pas këtij propozimi, Parashqevi i është përgjigjur: “Faleminderit për ndihmën ekonomike që kërkoni të më jepni,por s’kam nevojë për të.Më mban partia e cila më ka dërguar delegate të saj,këtu në Paris,për të mbrojtur të drejtat e kombit tim”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë,Fondi Parashqevi Qiriazi, dosja 2 fleta 4 ).

  Natyrisht në qëndrimet dhe idetë e saj,Parashqevi do të kishte afër edhe atdhetarë të tjerë.Në shënimet e veta për Parisin,ku ajo ndenji plot 7 muaj,Parashqevi i përmend me radhë të gjithë ata,me tiparet e vyera të tyre dhe dobësitë.Por në penën e saj,do të skicohen bukur,sidomos portretet e At Gjergj Fishtës,Imzot Bumçit,Mehdi Frashërit dhe Luigj Gurakuqit.Qëndrimi dhe mpleksja e mendimeve me ta,pjekuria,guximi,apo e kundërta megallomania dhe disfatizmi,u shpalosën hapur tek shqiptarët,në Konferencën e Paqës në Paris.Është tejet vështirë të gjykosh këta burra,për qëndrimet e tyre ngase duhet me parë të njohësh diplomacinë agresive të fqinjëve tanë,si edhe problemet madhore të mbrendshme shqiptare.Në këtë vorbull diplomatike,ku po luhej me fatet e Shqipërisë si me fatet e ndonjë vendi të humbur të Afrikës,Parashqevi Qiriazi,më së paku arriti të formonte një unitet organik të qëndrimit shqiptar,unitet i cili do të kishte fituar së tepërmi Pamvarsisht se çka u arrit në Paris,roli i Parashqevisë aty,duhet parë kurdoherë në aspektin se në çfar shkalle të lartë diplomatike ngriti ajo çështjen shqiptare,në çfar niveli çoi mendimi i saj, zgjedhjen e drejtë të kësaj çështjeje.Ka qenë pikërisht një përfaqsues shqiptar në këtë Konferencë,i cili ka shkruar për rolin e bijës së Manastirit se ; “Le të mburremi jo vetëm me burrat por edhe gjith zonjat shqiptare se zonjusha Parashqevi Qiriazi,Zhan D’arka e Shqipërisë,na nderoi të gjithë.Asnji komb i madh ose i vogël,nuk ka sot në Paris,një delegate Zonjë,po Shqipëria e ka këtë zonjushe, e cila me diturinë dhe mençurinë e saj,dita me ditë po fiton simpatinë e të huajve për fitim të Shqipërisë”.( Revista “Ylli i Mëngjezit “ – Boston, 1919,korrik. Fq.284 ).

Në fillim të vitit 1921,në bashkëpunim me motrën e saj Sevastinë,si edhe atdhetarin tjetër të shquar Kristo Dakon,Parashqevia ndërmerr nismën për çeljen e një shkolle vajzash në Tiarnë,sipas modelit të asaj në Korçë.Qëllimi i kësaj shkolle,ashtu sikundër thuhej në lutjen dërguar Ministrisë së Arësimit Shqiptar,ishte që vajzat shqiptare të edukoheshin sa me traditat e shkëlqyera të popullit tonë aq edhe me edukatën moderne për t’iu përgjigjur niveleve emancipuese të shoqërisë së asaj kohe.Me ngritjen e kësaj shkolle në Kryeqytetin e Shqipërisë,në fakt motrat Qiriazi,potenconin përpjekjet për një arësim mbi themelet kombëtare,me ç’rast do t’i shërbehej drejtëpërsëdrejti kombit dhe do të realizonte aspiratat e mijëra shqiptareve të ndershme.Në fakt,kërkesa e motrave Qiriazi u muar parasysh dhe brenda vitit 1921 u përcaktuan edhe fondet e qevreisë shqiptare që do të përdoreshin për mbarëvajtjen e shkollës.Shkolla në fjalë, e cila mori emrin Instituti “Kyrias” u çel në tetorin e viti 1922.Entuziasmi i vajzave dhe mësuesve,dalëngadalë u shëndrrua në një punë vetmohuese për të realizuar programin mësimor i cili padyshim ishte ndër më të përparuarit në Shqipërinë e atyre viteve.Numëri i vajzave erdhi duke u rritur për çdo vit dhe edukimi i tyre me traditat atdhetare la gjurmë të thella,ngase u transmetuan dashurinë për gjuhën,historinë dhe shqiptarizmën nga gjenerata në gjeneratë.Në krejt këtë nismë,spikati padyshim talenti pedagogjik dhe aftësitë e thella mësimdhënëse të Parashqevisë.Pos të tjerave bija e Manastirit do të tregonte se ishte edhe një zonjë e dhembshur.Ajo dinte të sillej me të gjithë nxënësit duke iu parashtruar sipas temperamentit të sjelljes.Po aq sa edukonte në klasë,po aq Parashqevi jepte shembull edhe jashtë mureve të klasës.Ajo dinte të bënte tekste mësimore,por pat shkruar edhe tekste këngësh,ajo pat qenë delegate në Konferencën e Paqës në Paris,por dinte edhe të qëndiste bukur,të këndonte bukur të punonte pa u lodhur në kopshtin pranë mjediseve të Institutit.Nga viti në vit nxënësit u shtuan,u ble tokë tjetër ku u mbuallën drurë frutore,u çelën edhe disa klasa më të ulta pranë këtij Instituti i cili siguronte vazhdimsinë e përvetsimit të dijeve.Më 1931,shtypi shqiptar i kohës shkruante: “Kjo shkollë ka punuar gjithë jetën e saj për edukimin e vajzës shqiptare,të cilën e ka bërë në gjuhën amtare,në kohën kur ishte i ndaluem zyrtarisht përdorimi i kësaj gjuhe si vegël mësimi.Këtë vepër kombëtare në gjuhën tonë,kjo shkollë asht tue e mbarue edhe sot,në mënyrë e drejtim më të gjërë e t’organizuem”.( “Foleja Kombëtare” – Tiranë 1931 , faqe 39 ).

Por fatkeqsisht nuk ishte e thënë që jeta e këtij Instituti të vazhdonte gjatë.Trazirat e brendshme dhe të jashtme politike,në vitet 30-40 të shekullit të kaluar,dominenca italiane dhe varfëria e shtetit shqiptar bënë që shkolla të mbyllej ose të shëndrohej në disa klasa ku mungonte krejtësisht fryma atdhetare.Përballë kësaj gjendjeje,parashqevi Qiriazi nuk u ligështua.Jeta e saj pat kaluar midis aq andrrallave e furtunave ndaj bija e Manastirit nuk pushoi përpjekjet për asnjë çast.Ajo shkollë tek e mbramja ishte pasqyrë e vet jetës së saj.

As fashizmi as komunizmi nuk mund të lejonin të çelej sërish Instituti “Kyrias”.I pari nuk lejonte sepse kish pikatur frymën e shenjtë të shqiptarizmës,ndërsa të dytët nuk mund të çelnin një shkollë atdhetare meqë ata vetë kishin tradhëtuar atdheun shqiptar,dhe busulla e tyre sishte nga perëndimi por nga lindja.Prashqevi ka kaluar plot dy decenie në heshtje,duke vuajtur për bukën  e gojës.Diktatura e Tiranës Hoxhiste u kujtua për te,vetëm në festimin e 60 vjetorit të Kongresit të Manastirit,ku Parashqevia ishte e vetmja delegate e mbetur gjallë.Më pas asaj i kanë ndarë një pension modest duke ia dorëzuar sërish haresës.Por antiharresa,populli, e mbushi me adhurim e lule,ndërsa e përcillte për në banesën e fundit më 17 dhjetor të vitit 1970.

Bern-Zvicer

Filed Under: Histori Tagged With: E ARËSIMIT KOMBËTAR, Eugen Shehu, Parashqevi Qiriazi, PIONERE

Artikujt e fundit

  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DR. GJON BUÇAJ DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DALIP GRECËN DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • LAMTUMIRË DALIP GRECA
  • SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE
  • TURKEY’S COLLUSION WITH RUSSIA – NEW REPORT
  • Jo, po: ka Shqipni për Zotin
  • GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE
  • KAFSHËT LUFTËTARE SI DHE NJERËZIT
  • ALBANIAN LANGUAGE – ELECTIVE COURSE – AT HARVARD UNIVERSITY
  • MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI
  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mirëpret të gjithë shqiptarët në festën e 110 vjetorit të krijimit të saj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT