Nga Dr. Agim Leka /
Si një nga delegatët e rinisë së Ballit Kombëtar në Lidhjen e Mukjes (Gusht 1-3, 1943) ku kërkuam zbatimin e Kartës së Atllantikut për parimin e Vetëvendosjes në lidhje me trojet etnike shqiptare, kam fatin që ta gëzoj dhe ta përjetoj ne moshën nëntëdhjetëvjecare gjashtëvjetorin e kësaj dite që u bë e mundur me flijitë e panumërta të popullit shqiptar dhe me ndihmën e paçmueshme të Amerikës dhe të Botës së Qytetëruar. Të na ndihmojë Zoti që paqeja t’i vijë më në fund Ballkanit . Kam besim se ky qellim do të arrihet pse faktori shqiptar -që e ka përvuajtur në kockë dhëmbjen e shtypjes- tani afër 7 milion, do të mbizotërojë në prurjen në Ballkan mbarëvajtjen ndërmjet popujve dhe dinamizmin e nevojshëm për të ndryshuar mendësinë e urrejtjes me atë të dashurisë për njerëzimin dhe dinjitetin e njeriut.
Në ditën e Pavarësisë së Kosovës, me 17 Shkurt, 2008, dhe çdo përvjetor të kësaj date historike, më kujtohen fytyrat e patriotëve shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre për çështjen shqiptare. Atje, ne “Botën e Amshuar” , i shoh se si buzëqeshin pse ëndërra e tyre u bë realitet. Shqiptari nuk është më skllav. Duket se në fund të kësaj “Udhe të Mundimeve”, Perendia po i jep privilegjin popullit shqiptar të bëhet pararoja e Ballkanit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe frymëzuesi shpirtëror i te mirës mbi te keqen.