Përkujtesë e Faik Konicës drejtuar Sir Edward Grey-t, sekretar i jashtëm britanik dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve,/
Londër, 10 shkurt 1913./
Nga Arkivi i Anglisë, Uellsit dhe Mbretërisë së Bashkuar, Public Record Office, Londër./
Faik Bej Konica, vëllai i njërit prej delegatëve shqiptarë në Konferencen e Ambasadorëve, në fillim të shkurtit 1913 u takua në Londër në Norforld House, Saint James’s Square, me Duken e Norfolkut dhe i dorëzoi atij një memorandum në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare. Duka i Norfolkut, me ndërmjetësinë e Sir William Tyrell dhe Mr. Eric Drummond, ia paraqiti këtë memorandum Sir Edward Grey-t. Dokumenti u gjurmua në P.R.O. dhe u përkthye në shqip nga anglishtja prej Romeo Gurakuqit.
P.R.O. F.O. 371 1769 faqe 130-135, dokument nr. 6388 i regjistruar me datë 10.02.1913.
Fuqitë e Mëdha kanë rënë dakord në parim mbi pavarësinë e Shqipërisë. Problemi që po diskutohet momentalisht është ai i kufijve të shtetit të ri. Rusia është duke u përpjekur me të gjitha mënyrat të krijojë një Shqipëri sa më të vogël që të jetë e mundur, nëpërmjet presionit që ajo i bën Fuqive të tjera për t’i lëshuar Serbisë dhe Greqisë rajone të gjëra të banuara ose eskluzivisht, ose në pjesën më të madhe prej shqiptarëve. Shqiptarët janë të bindur se rasti i tyre mund të fitojë shqyrtimin e kujdesshëm dhe miqësor të Qeverisë Britanike, të anglezëve në përgjithësi dhe të katolikëve në veçanti, në qoftë se situata do të mund të kuptohej më mirë.
I- Simpatitë Katolike
1) Pjesa më e madhe e tokave të pretenduara nga Serbia dhe Mali i Zi (Prizreni, Peja, Shkodra dhe Malësia) banohen prej katolikëve.
2) Shqiptarët janë të vetmit katolikë që gjenden në Gadishullin e Ballkanit; dhe deri në fund të shekullit të 17-të feja katolike është quajtur në gjuhën serbe “feja shqiptare” ( shih për këtë: “Cuneus Prophetarum” të shkruar nga Arqipeshkvi Pjetër Bogdani, Venezia 1692).
3) Rusia, duke i pasur katolikët e Shqipërisë të aneksuar nën Serbinë, synon zhdukjen e katolicizmit në Gadishullin Ballkanik.
4) Serbët do të përpiqen më të gjitha mënyrat të shtrëngojnë katolikët që të lëshojnë Kishën. Serbët i kanë persekutuar përherë katolikët. Një murg francez i shekullit të 14-të, Friar Brochard , (cituar nga Miss Mary E. Durham në librin e saj mbi Shqipërinë Veriore), ka lënë një përshkrim të tmerrshëm të krimeve sistematike të Serbisë mbi katolikët shqiptarë dhe mbi përpjekjet serbe për t’i detyruar ata forcërisht për t’u bërë skizmatikë. Shqiptarët që banojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e parashtruan këtë fakt të dhimbshëm historik në telegramin e mëposhtëm që ia kanë dërguar Shenjtërisë së Tij, Papës së Romës:
“Boston, Mass. 18 Nëntor 1912.
“Shenjtërisë së Tij Papës, Romë.
“At i Shenjtë,
Shqiptarët e Amerikës që i përkasin besimeve të ndryshme fetare, mbajtën në Boston një Kuvend, ku vendosen t’i luten Shenjtërisë Suaj, si autoriteti më i lartë moral në tokë, të përdorni ndikimin Tuaj, për të parandaluar plaçkitjen dhe ndarjen e Shqipërisë, këtij vendi që i dha Kishës, një shenjt si Shën Jerome, një Papë si Klementi XI, dhe një kampion të lavdishëm të Krishtërimit, Gjergj Kastrioti Skanderbeg. Serbët dhe grekët, të cilët dëshirojnë tani të ndajnë Shqipërinë, janë pasardhës të atyre që shtërnguan pjesën më të madhe të popullit shqiptar të lëshojnë Kishën e Shenjtë Katolike Romane. Duke kërkuar me lutje bekimin Tuaj për Shqipërinë, ne therrasim: Jetë të gjatë Shenjtërisë Suaj!
“Nënshkruar nga Fr. F. Noli, Prift orthodoks
Fr. N. Cere, Prift orthodoks
Faik Bej Konica.
6) Në qoftë se katolikët shqiptarë shkëputen nga Shqipëria dhe aneksohen ndaj Serbisë e Malit të Zi, e gjithë puna e bërë për 15 vite për të përgatitur kthimin gradual të të gjithë Shqipërisë në Kishën Katolike, do të jetë e humbur. Shqiptarët, si muslimanë dhe orthodoks, e …… kanë të qartë se paraardhësit e tyre qenë të gjithë katolikë dhe luftuan për vite me radhë për besimin e tyre përpara se të pushtoheshin prej shpatës së turkut. Respekti mbi të cilin katolikët shqiptarë janë të mbështetur prej bashkatdhetarëve të tyre të besimeve të tjera është i shfaqur prej faktit që, në Qeverinë Provizore të vendosur në Vlorë, Ministri i Drejtësisë është një prelat katolik, Monsinjor Kaçorri. Duke humbur popullsinë e saj katolike, Shqipëria do të humbë një shembull të gjallë dhe një kujtesë të vazhdueshme të fesë së saj stërgjyshore.
II Simpatitë angleze
1) Në të gjitha librat e shkruara prej udhëtarëve anglezë para propagandës sllave, shkrimtarët vendosin theksin më të madh mbi superioritetin e karakterit, moralit, nderit dhe zgjuarsisë shqiptare, si, krejtësisht e krahasueshme me ato të grekëve, serbëve, malazezëve dhe bullgarëve.
2) Në një nga librat më popullor dhe më të fundit, siç është ai i Murray-t “Guide to Greece” (ku gjindet një appendix kushtuar Shqipërisë), thuhet se ekzistojnë shumë tipare ndër shqiptarët, falë të cilave tërheqin vemendjen e anglezëve, duke qenë se karakteri i tyre është më afër karakterit të anglezëve se ai i ndonjë kombi tjetër.
Pse duhet që Shqipëria të bëhët viktimë e intrigave të Rusisë, kur, duke i dhënë asaj një shans, ajo ka shumë të ngjarë të bëhët një vend më i mirë se sa fqinjët e saj? Në qoftë se asaj i mungojnë momentalisht shtetarët me eksperiencë, asaj mund t’i ofrohen këshilltarë të huaj,- dhe sigurisht që ajo ka më shumë energji se sa serbët dhe grekët.
III Simpatitë e Qeverisë Britanike
Në vitin 1880, Lord Goschen dhe Lord Fitzmaurice këshilluan Qeverinë Britanike të asistojnë në çlirimin e të gjithë Shqipërisë, mbasi një asistencë dhe një lirim i tillë ishte në interesin e përhershëm të Anglisë. Shqiptarët shpresojnë se pozicioni i tyre është akoma i pandryshuar. Në qoftë se ata sot janë disi të mbrojtur nga Aleanca Trepalëshe, admirimi dhe miqësia e tyre për Anglinë janë aq të gjalla sikurse edhe në kohën kur ata ndihmuan Qeverinë Britanike përkundrejt intrigave të Napoleon Bonapartit në Mesdhe.
Sa më e fuqishme të jetë Shqipëria, aq më e aftë do të jetë ajo të qëndrojë mbi këmbët e veta, pa u mbështetur në fqinjë e saj të fuqishëm dhe pa qenë e detyruar të bëhët një instrument i tyre.(arkiv)