• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRKUJTESË

January 2, 2016 by dgreca

Vërejtje të përgjithëshme/
Nga Mustafa KRUJA-Romë, 1918/*
Ngjarjet, qi po zhvillohen në Siujdhesën Ballkanike, na vërtetojnë e përforcojnë çdo ditë e mâ tepër bindjen tonë, se shpejt gjithë hapsina tokësore shqiptare do të kalojë nën pushtimin ushtarak t’Aleatvet. Rândësia politike e këtij fakti âsht e qartë dhe e dukëshme : Fuqia qi hahej, mâ shumë se çdo tjetër, me Italinë në fushën politike të Shqipnís po vjen tue u shmangë. Megjithatê nuk mund të mshifet fakti se suksesi nuk âsht ende i plotë : Qeveria italiane duhet të bâjë gjithshka të mundëshme qi të gjitha hapsinat qi i përkasin Shtetit shqiptar, të themeluem në Konferencën e Londrës të 1913, të pushtohen krejtësisht nga trupat italjane.
Mendimi i shqiptarvet për Korçën âsht i njohtun : ajo, si pjesë e padame e këtij Shteti, duhet të kalojë, qysh tash, nën të njâjtën Administratë të pjesve të tjera të Shqipnís. Por në rasën, kur kjo dëshirë e ligjëshme e gjithë popullsisë shqiptare nuk do t’ishte e mundun të sendërtohej, âsht së paku e nevojshme qi Grekët në mënyrë absolute të mbahen larg nga ajo krahinë, tue mos mujtë as tërthoraz me vazhdue dredhitë e intrigat e tyne kundra frymës kombtare të Korçarvet, siç kemi ndigjue vazhdimisht të ndodhë në muejt e fundit.
Nga ana tjetër Serbët, në vênd qi të kapërcejnë kufîjt lindorë politikë të Shqipnisë, do të kishte qenë mâ e leverdisëshme për tà e për çâshtjen e përbashkët të gjithë Aleatvet, po ashtu e nji rândsie themelore për t’ardhmen e Shqipnisë e për interesat jetike qi lidhin Italinë me tê, të vazhdojshin përparimin e tyne drejt veriut, për me çlirue vllaznit e tyne nga zgjedha e vjetër anmike. Nuk duhet me i lejue n’asnji mënyrë atyne të pushtojnë Matin. Vetëm nji krahinë gjindet në Shqipní, ku dredhía e tradhtarit Esad, për mâ tepër e përkrahun nga forca e mjete landore, mund të mbrrînte me hapë nji plagë të rrezikshme në trupin aq të dërmuem të Kombit tonë. Asht pikërisht ajo krahinë qi shtrihet nga Luma në Malsinë e Krujës e qi ka për qêndër Matin. Jo se kjo trevë e fundit âsht shumë përkrah Esadit, por do t’ishte shumë e lehtë, përsëris, me anë të nji fuqie të jashtme kërcnuese nga nji anë e korrupsionit nga tjetra, qi partizanët e tij të vjetër të fitojshin epërsí. Nëse intrigat e Esadit do të gjejshin nji fushë veprimi në Mat, pa dyshim do të gjejshin ndonji mbështetje edhe nga Luma në verí dhe nga Malsít e Dibrës, t’Elbasanit, të Tiranës e të Krujës, të gjitha të kufizueme me Matin nga lindja e nga jugu. Mirdita, në perëndim të Matit, âsht kundërshtare e thekun e Esadit po ashtu si pjesa mâ e madhe e Shqipnís Qêndrore, qêndrat e Elbasanit, Tiranës e Krujës, sikurse gjithë rrethet e Shijakut, Kavajës e Peqinit (tue përjashtue këtu Kadri Beun e pasuesit e tij). Janë kundërshtarë t’Esadit gjithashtu Shqipnija Jugore e ajo Veriore.
Shtoj ndërkaq se kudo qi do të mbrrîjë ushtrija italjane, me pranín e vet, do t’i vêjë nji pritë absolute sendërtimit të çfardo synimi tradhtar t’Esadit; sepse shpirti shqiptar âsht shumë i lodhun nga turbullinat e nga intrigat. Ai ka nevojë për qetësí e për lirí kombtare. Pra nji forcë qi i siguron të parën e premton t’i garantojë të dytën mund të jetë e sigurtë se e pushton plotësisht.
Të kalojmë tash ke nji tjetër argument i karakterit politik qi prek thellësisht shpirtin tonë kombtar, qi kullon gjak nga vendimi i Konferencës së Londrës. Krahina e pafat e Kosovës, mes luftës ballkanike e asaj botnore, vuejti shumë përndjekje e masakra prej Serbëve. Rikthimi i tyne atje mund të shkaktojë nji tjetër periudhë shtypjesh e plojësh edhe mâ t’egra. Duem të shpresojmë se Qeverija Italjane do të kujdeset, me çka âsht e mundun, të mos i lâjë aleatët e vet Serbë të vazhdojnë, mbi nji milion shqiptarë, veprën e tyne të fëlliqtë të kryeme gjatë dy vjetve të zotnimit.
Aleatja e madhe e Turqvet ka meritue mallkimin e përjetshëm të botës së qytetnueme për ndihmën e tyne të patundun e kriminale masakravet armene e greke, përndjekjevet të Izraelianëve e Sirianëve. Nuk ka dyshim se Italija, në çâshtjen e Kosovës, do të meritojë mirënjohjen e gjithë nji populli të pafajshëm e lavdrimin e gjithë atyne qi ndjejnë dhimbje nga vuejtjet e tij. Italija pra, deri në fund të luftës, do t’ketë gjithë Shqipnín në duert e veta: do të jetë ky nji rast i çmueshëm me i diftue popullit shqiptar, me vepra, se deklaratat solemne e të përsërituna të ministrit të saj t’urtë rreth pavarësís e bashkimit t’Atdheut të tij, nuk bâjnë pjesë në kategorín e premtimevet të zakonshme e rrenacake të diplomacís evropjane; në t’kundërt, janë vêndime të peshueme burrash të sinqertë e të bindun, të cilët, me rastin e parë, kërkojnë mënyrën mâ të mirë me përgatitë terrenin për me i kthye në vepra.
Cilat do t’ishin udhët mâ të përshtatëshme për këto përgatitje? Simbas nesh ato mund të përmblidhen në dy kategorí : të llojit thjesht politik e të karakterit administrativ. Për pjesën e parë, vrejtjeve të shkurtna të paraqituna deri tash duem t’i shtojmë bindjen se gjykimi i shëndoshë e urtía e drejtuesve italjanë na japin besimin se asgjâ nuk do të mungojë nga an’e tyne, në fushën diplomatike, për me sigurue pavarësín dhe bashkimin e Kombit tonë. Për pjesën e dytë e quejmë të përshtatëshme të shfaqim ma gjânë konceptet tona.

Xhandarmërija dhe milicija shqiptare

Asht e ditun se asnji Vênd në botë nuk mund të mbahet mirë pa nji forcë të disiplinueme xhandamërije; aq mâ shumë kur ai të ketë pësue nji keq qeverim për gjatë shekujsh të tânë, si i yni. Duhet shtue këtu se në Shqipní, në pak vjet kanë kalue shumë zotnime të ndryshme, prej të cilëve asnji nuk mendoi me ngritë institucjonet qytetare në dobí të zhvillimit të lirë kombëtar ; në t’kundërt të gjithë kanë përdorë çdo mjet të mundshëm për me shtypë e pështjellue Vêndin sa materjalisht aq dhe moralisht, tue lânë mikrobin e grindjes e të mosbesimit.
Po t’i hedhim nji shikim të shpejtë periudhës së pavarësisë sonë, bindemi pa tjetër se arsyeja kryesore e të gjitha fatkeqësive ka qênë pikërisht mungesa e nji xhandarmërije t’organizueme e të disiplinueme. Nëse nji ditë jo të largët Shqipnija e lirë dhe e mosvarme, ashtu si jemi të sigurtë se do të bâhet, simbas parimevet të shpalluna e të pohueme disa herë nga Aleatët e në mënyrë të veçantë prej Qeverís M. Italjane, do të gjindej pa atë forcë të domosdoshme, do t’ishte prap pré e vështirësive të mëdhà e e fatkeqësive.
I takon Qeverís italiane t’i parandalojë të tilla vështirësí të mundëshme Vêndit, për të cilin âsht zotue para gjithë botës t’i mbrojë qênien dhe interesat, qi janë edhe të vetat, tue organizue pa mëdyshje në gjithë Shqipnín nji forcë xhandarmërije, jo mâ pak se pesë mijë frymë, të disiplinueme nën komandë oficerash italianë, mundësisht nga karabinierët mbretnorë.
Do t’ishte shumë me vênd për t’ardhmen e Shqipnís, me krijue veç xhandarmërís dhe nji milicí shqiptare nëpërmjet nji thirrje nën armë të vullnetshme. Kjo milicí, qi do të kishte rreth dhjetë mijë frymë, do t’ishte e paracaktueme thjesht me mësue e m’u ushtrue për me krijue atë bërthamë themelore t’asaj fuqíe kombëtare, qi do t’kishte në t’ardhmen detyrën me ruejtë rêndin publik të Vêndit, si ndihmëse e xhandarmërisë, e me i bâ ballë sulmeve të mundëshme e të paprituna t’anmiqve të jashtëm.

Administrata civile

Kohët e fundit administrata civile e Shqipnís (Prefektura e Gjinokastrës), me urdhnesat e reja ka fitue nji karakter kombtar. Ky ndryshim, megjithëse i bazuem në qëllime të mira e shumë të sinqerta, për zbatimin e tij të shtrêmbët, nëse lajmet qi kemi deri tash nuk na mashtrojnë, âsht i prirun me sjellë pasoja qi nuk i përgjigjen qëllimit. Simbas nesh, dy janë kushtet thelbësore e të domosdoshme për nji administrim civil të mirë të Shqipnís:
Para së gjithash âsht absolutisht e nevojshme qi prefektët e nanprefektët të zgjidhen prej njerzish të cilëve nuk u mungojnë cilsít e nevojshme për me krye detyrën e tyne. Këto cilsí janë ndershmënia, atdhetarija, arsimi dhe përvoja. Mund të lêhet mangut, në raste skajore, ajo e fundit. Arsimimi âsht i domosdoshëm për prefektët dhe zavêndsit e tyne. Të parët duhet të kenë krye studimet e nalta e të dytët së paku ato të mesmet. Skaji mâ i ngushtë i atdhetarís, simbas nesh, âsht ai qi kurrë e n’asnji mënyrë mos të kenë veprue kundër Atdheut. Nuk mund të kihet besim në njerëz, deri dje vegla qorre ase vullnetarë të propagandës anmike, edhe se sot do të vijshin e t’na thojshin thjesht se janë pêndue. Duhet me i kthye në udhë të drejtë e me i bâ për vete ; por nuk i u duhet besue, për mos me i dhânë atyne mundësí me damtue Atdheun.
Nuk mund të thuhet se njerëz të ndershëm, atdhetarë, të mësuem e me përvojë na mungojnë, sidomos tash qi do të kemi në dorë gjithë Shqipnín, e pra të gjithë shqiptarët e mirë. Këtyne do t’u shtoheshin dhe atdhetarë të tjerë jashtë shtetit porsa t’u paraqiteshin kërkesat e Atdheut. Njerëz të korruptuem, të ngjajshëm me Esadin, nuk meritojnë trajtim të ndryshëm a mâ të mirë se ai i Pashës. Si ai edhe ata duhen mbajtë larg shërbimit t’Atdheut. Nuk mund të pritet tjetër veç tradhtisë nga njerëz pa karakter e ndërgjegje.
Së dyti, atdhetarët e mirë qi do të kenë në duert e tyne Administratën e Vêndit, për t’a krye detyrën, duhet të pajisen me autoritet e me mjetet qi bâjnë t’aftë me veprue. Përndryshe ata do t’u shëmbëllejnë makinave të mira qi nuk mund të punojnë për mungesë të forcës lëvizëse. Nëse Administrata civile, në fushën e saj, nuk do të kishte nji farë lirije veprimi të paracaktueme, nëse prefektët duhet të këshillohen me autoritetet ushtarake e qëndrore në çdo hap e për gjânë mâ të vogël, nuk mund të pritet prej tyne nji shërbim i përsosun. Sepse n’ato rasa ata nuk do t’ishin tjetër veçse makina elektrike, sustat e të cilave do t’ishin në dorë të tjetërkuj e veprimi i tyne do të përmblidhej thjesht në kallzime e këshilla. Pra nji administratori të mirë duhet me i dhânë autoritetin mâ të gjânë të mundshëm, të shoqnuem nga përgjegjësia mâ e qartë e mâ e përpiktë.
Nuk mjafton vetëm autoriteti: duhen edhe e, mbi të gjitha, mjetet e veprimit. Mjeti veprues i Administratës civile âsht xhandarmëria. Të vetmit përgjegjës të rêndit publik të Vêndit duhet të jenë prefektët e nanprefektët. Për pasojë xhandarmëria duhet të jetë krejtësisht e absolutisht në dorë të tyne. Në çdo rreth duhet të jetë nji repart xhandarmërie shqiptare, në sasinë e nevojshme simbas rândësisë së vêndit, me në krye nji oficer italian të ndihmuem nga ndonji oficer e nga nënoficera shqiptarë. Në prefekturat këto reparte duhet të jenë mâ të mëdha në përputhje me nevojën e ndihmës së rretheve. Përsërisim se oficerët e xhandarmërisë, vetëm përsa i përket disiplinës duhet të jenë të varun nga eprorët ushtarakë, ndërsa në funksjonin e tyne administrativ duhet me u vue nën urdhnat e drejtuesve t’administratës civile.

Shkolla

Duhet thânë haptas se në këtê fushë politika austrijake në Shqipní ka qenë shumë mâ e aftë se ajo italjane, jo vetëm gjatë pushtimit ushtarak, por qysh nga kohët e fundit të zotnimit turk. Ndërsa shkollat italiane, në pjesë të ndryshme të Vêndit tonë, mezi kishin futë ndonji orë mësimi të shqipes në programet e tyne, n’ato austriake gjuha kryesore ishte e jona. Mbretnija tinzare, në këtê mënyrë, i bânte me besue shumë atdhetarve shqiptarë se ajo ishte e vetmja Fuqí qi ishte e interesueme me ndihmue idealin e kombit tonë, nga çasti qi fëmijët tonë, në shkollat e saj, mund të arsimoheshin në gjuhën e tyne tmerrësisht të luftueme nga pushtuesi, e mund të mësojshin historín’e tyne, bâmat heroike të Skanderbeut. Ishin shumë të paktë ata qi mundeshin me zbulue në thellësín’e saj politikën dinake të Vjenës kundër aspiratave tona kombtare dhe synimet e saj pushtuese. Librat mâ të mirë të këndimit në gjuhën shqipe e të tjerë të aritmetikës e të besimit katolik shtypeshin atëherë në Vjenë. Nga ana tjetër, pushtimi i parë italian i Beratit na bâni me kuptue qartë se, nëse kishte një degë t’administratës me të vërtetë shqiptare nën austrijakët, ajo ishte Arsimi Publik : shkolla fillore në të gjitha katundet e dy shkolla normale safí shqiptare.
Dihet se çfarë ka ndodhë me shkollat tona në rrethet e Vlonës e të Gjirokastrës: e njâjta mënyrë e ndjekun në kohë të mâparshme ; shkolla italjane e jo shqiptare! Sigurisht nuk mund të mos kenë të drejtë ata qi kanë dashtë me dallue nji politikë koloniale në veprën e kryeme deri tash nga Italianët në Shqipní. Për të davaritë çdo dyshim të tillë e për me dhânë provën mâ siguruese të ndershmënisë në synimet e saj rreth t’ardhmes s’Atdheut tonë, Qeverija M. italjane duhej të vendoste nji Administratë shkollore thjesht kombtare.
N’anë tjetër, nji vepër e dobishme e Italís për Shqipnín, do të kishte qenë shtimi në përmasa të mjaftueshme i bursave shkollore për studentët shqiptarë, të paracaktueme kryesisht për shkollat normale.

Përfundim

Të gjitha përsijatjet e paraqituna deri këtu, janë për t’i kujtue Qeverís M. Italjane atë qi ndien zemra jonë për të mirën e Atdheut tonë, atê qi arsyeja na këshillon në interes të çâshtjes së përbashkët. Mâ parë se me mbyllë këtë përkujtesë modeste duem me vue në dukje se, tash qi e gjithë Shqipníja ose pjesa mâ e madhe e saj do të jetë në dorë t’Italís, mprojtëses së pavarësís sonë, a do t’ishte e përshtatshme krijimi i nji Qeveríje kombtare? Simbas mendimit tonë, kjo do t’ishte nji gjâ e aftë me shkaktue efektin mâ të madh, në dobí të çâshtjes së përbashkët, si në popullin shqiptar ashtu edhe Jashtë. Pjestarët e kësaj Qeveríje, sigurisht, nuk duhen emnue prej Qeverís italiane, mbasi atëherë do t’ishin vetëm funksjonarë të thjeshtë të nji force pushtuese e jo përfaqësues të nji kombi të shpallun i pavarun. Duhet të vazhdohet me votime popullore, në përputhje me kushtet shoqnore të Vêndit dhe rrethanat e çastit. Vetëm kështu edhe kombi shqiptar, në çastin e volitshëm, do të paraqitej para botës si nji njisí shtetnore e formueme në sajë të përkrahjes s’Italís çlirimtare. Në zgjedhjet e nalt përmênduna sigurisht do të merrshin pjesë, nëpërmjet delegatvet të tyne, edhe shoqnít shqiptare t’Amerikës, në mënyrë qi Qeverija e dalun mund të quhet përfaqësuesja e vërtetë e gjithë popullit të vet.
Romë, 19 Tetor 1918
M. A. Kruja
*Marre nga vellimi”Gjysme shekulli me pende ne dore”

Filed Under: Analiza Tagged With: Mustafa Kruja, Perkujtese

PËRKUJTESË E FAIK KONICËS DREJTUAR SIR EDWARD GREY

July 29, 2013 by dgreca

Përkujtesë e Faik Konicës drejtuar Sir Edward Grey-t, sekretar i jashtëm britanik dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve,/

Londër, 10 shkurt 1913./

Nga Arkivi i Anglisë, Uellsit dhe Mbretërisë së Bashkuar, Public Record Office, Londër./

Faik Bej Konica, vëllai i njërit prej delegatëve shqiptarë në Konferencen e Ambasadorëve, në fillim të shkurtit 1913 u takua në Londër në Norforld House, Saint James’s Square, me Duken e Norfolkut dhe i dorëzoi atij një memorandum në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare. Duka i Norfolkut, me ndërmjetësinë e Sir William Tyrell dhe Mr. Eric Drummond, ia paraqiti këtë memorandum Sir Edward Grey-t. Dokumenti u gjurmua në P.R.O. dhe u përkthye në shqip nga anglishtja prej Romeo Gurakuqit.

P.R.O. F.O. 371 1769 faqe 130-135, dokument nr. 6388 i regjistruar me datë 10.02.1913.

Fuqitë e Mëdha kanë rënë dakord në parim mbi pavarësinë e Shqipërisë. Problemi që po diskutohet momentalisht është ai i kufijve të shtetit të ri. Rusia është duke u përpjekur me të gjitha mënyrat të krijojë një Shqipëri sa më të vogël që të jetë e mundur, nëpërmjet presionit që ajo i bën Fuqive të tjera për t’i lëshuar Serbisë dhe Greqisë rajone të gjëra të banuara ose eskluzivisht, ose në pjesën më të madhe prej shqiptarëve. Shqiptarët janë të bindur se rasti i tyre mund të fitojë shqyrtimin e kujdesshëm dhe miqësor të Qeverisë Britanike, të anglezëve në përgjithësi dhe të katolikëve në veçanti, në qoftë se situata do të mund të kuptohej më mirë.

I- Simpatitë Katolike

1) Pjesa më e madhe e tokave të pretenduara nga Serbia dhe Mali i Zi (Prizreni, Peja, Shkodra dhe Malësia) banohen prej katolikëve.

2) Shqiptarët janë të vetmit katolikë që gjenden në Gadishullin e Ballkanit; dhe deri në fund të shekullit të 17-të feja katolike është quajtur në gjuhën serbe “feja shqiptare” ( shih për këtë: “Cuneus Prophetarum” të shkruar nga Arqipeshkvi Pjetër Bogdani, Venezia 1692).

3) Rusia, duke i pasur katolikët e Shqipërisë të aneksuar nën Serbinë, synon zhdukjen e katolicizmit në Gadishullin Ballkanik.

4) Serbët do të përpiqen më të gjitha mënyrat të shtrëngojnë katolikët që të lëshojnë Kishën. Serbët i kanë persekutuar përherë katolikët. Një murg francez i shekullit të 14-të, Friar Brochard , (cituar nga Miss Mary E. Durham në librin e saj mbi Shqipërinë Veriore), ka lënë një përshkrim të tmerrshëm të krimeve sistematike të Serbisë mbi katolikët shqiptarë dhe mbi përpjekjet serbe për t’i detyruar ata forcërisht për t’u bërë skizmatikë. Shqiptarët që banojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e parashtruan këtë fakt të dhimbshëm historik në telegramin e mëposhtëm që ia kanë dërguar Shenjtërisë së Tij, Papës së Romës:

“Boston, Mass. 18 Nëntor 1912.

“Shenjtërisë së Tij Papës, Romë.

“At i Shenjtë,

Shqiptarët e Amerikës që i përkasin besimeve të ndryshme fetare, mbajtën në Boston një Kuvend, ku vendosen t’i luten Shenjtërisë Suaj, si autoriteti më i lartë moral në tokë, të përdorni ndikimin Tuaj, për të parandaluar plaçkitjen dhe ndarjen e Shqipërisë, këtij vendi që i dha Kishës, një shenjt si Shën Jerome, një Papë si Klementi XI, dhe një kampion të lavdishëm të Krishtërimit, Gjergj Kastrioti Skanderbeg. Serbët dhe grekët, të cilët dëshirojnë tani të ndajnë Shqipërinë, janë pasardhës të atyre që shtërnguan pjesën më të madhe të popullit shqiptar të lëshojnë Kishën e Shenjtë Katolike Romane. Duke kërkuar me lutje bekimin Tuaj për Shqipërinë, ne therrasim: Jetë të gjatë Shenjtërisë Suaj!

“Nënshkruar nga Fr. F. Noli, Prift orthodoks

Fr. N. Cere, Prift orthodoks

Faik Bej Konica.

6) Në qoftë se katolikët shqiptarë shkëputen nga Shqipëria dhe aneksohen ndaj Serbisë e Malit të Zi, e gjithë puna e bërë për 15 vite për të përgatitur kthimin gradual të të gjithë Shqipërisë në Kishën Katolike, do të jetë e humbur. Shqiptarët, si muslimanë dhe orthodoks, e …… kanë të qartë se paraardhësit e tyre qenë të gjithë katolikë dhe luftuan për vite me radhë për besimin e tyre përpara se të pushtoheshin prej shpatës së turkut. Respekti mbi të cilin katolikët shqiptarë janë të mbështetur prej bashkatdhetarëve të tyre të besimeve të tjera është i shfaqur prej faktit që, në Qeverinë Provizore të vendosur në Vlorë, Ministri i Drejtësisë është një prelat katolik, Monsinjor Kaçorri. Duke humbur popullsinë e saj katolike, Shqipëria do të humbë një shembull të gjallë dhe një kujtesë të vazhdueshme të fesë së saj stërgjyshore.

II Simpatitë angleze

1) Në të gjitha librat e shkruara prej udhëtarëve anglezë para propagandës sllave, shkrimtarët vendosin theksin më të madh mbi superioritetin e karakterit, moralit, nderit dhe zgjuarsisë shqiptare, si, krejtësisht e krahasueshme me ato të grekëve, serbëve, malazezëve dhe bullgarëve.

2) Në një nga librat më popullor dhe më të fundit, siç është ai i Murray-t “Guide to Greece” (ku gjindet një appendix kushtuar Shqipërisë), thuhet se ekzistojnë shumë tipare ndër shqiptarët, falë të cilave tërheqin vemendjen e anglezëve, duke qenë se karakteri i tyre është më afër karakterit të anglezëve se ai i ndonjë kombi tjetër.

Pse duhet që Shqipëria të bëhët viktimë e intrigave të Rusisë, kur, duke i dhënë asaj një shans, ajo ka shumë të ngjarë të bëhët një vend më i mirë se sa fqinjët e saj? Në qoftë se asaj i mungojnë momentalisht shtetarët me eksperiencë, asaj mund t’i ofrohen këshilltarë të huaj,- dhe sigurisht që ajo ka më shumë energji se sa serbët dhe grekët.

III Simpatitë e Qeverisë Britanike

Në vitin 1880, Lord Goschen dhe Lord Fitzmaurice këshilluan Qeverinë Britanike të asistojnë në çlirimin e të gjithë Shqipërisë, mbasi një asistencë dhe një lirim i tillë ishte në interesin e përhershëm të Anglisë. Shqiptarët shpresojnë se pozicioni i tyre është akoma i pandryshuar. Në qoftë se ata sot janë disi të mbrojtur nga Aleanca Trepalëshe, admirimi dhe miqësia e tyre për Anglinë janë aq të gjalla sikurse edhe në kohën kur ata ndihmuan Qeverinë Britanike përkundrejt intrigave të Napoleon Bonapartit në Mesdhe.

Sa më e fuqishme të jetë Shqipëria, aq më e aftë do të jetë ajo të qëndrojë mbi këmbët e veta, pa u mbështetur në fqinjë e saj të fuqishëm dhe pa qenë e detyruar të bëhët një instrument i tyre.(arkiv)

 

Filed Under: Histori Tagged With: edward Gray, Faik Konica, Perkujtese

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT