



Nga Mimoza Dajçi/
Çdo vit më 11 Shtator, SHBA kujtojnë me dhimbje 11 Shtatorin e vitit 2001, si dhe viktimat në njerëz që humbën jetën gjatë asaj tragjedie, kur terroristët islamikë rrëmbyen avionët dhe përflakën hapësirën amerikane duke goditur Pentagonin dhe “World Trade Center”.
Në nderim të afro 3000 heronjve që humbën jetën gjatë atij sulmi terrorist, Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson organizoi për të katërtin vit me qytetarët, politikanët dhe OJQ-të “Ditën e Kujtimit” për 11 Shtator 2001.
Ceremoia përkujtimore u mbaj më 12 shtator 2025, pranë sheshit “Lou Gehrig Plaza” në Bronx, New York. Vetëm në Bronx kanë humbur jetën 144 persona, oficerë policie, zjarrfikës si dhe nëpunës të profesioneve të ndryshme.
Personalisht edhe unë si dëshmitare okulare e asaj ngjarjeje që tronditi botën, bashkohem me dhimbjen e madhe që shkaktoi ajo katastrofë. Si fillim në nderim të rënëve u mbajt një minutë heshtje, më pas u këndua “Himni Amerikan”. Banda frymore “Pipes & Drums” e shtetit të New Yorkut ekzekutoi muzikë të zgjedhur si homazh për viktimat e 11 shtatorit 2001.
Fjalën e hapjes e mbajti Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson. Eventin gjithashtu e përshëndeti Gjykatësi i Lartë Administrativ për Çështjet Civile në Gjykatën e Lartë në Bronx, New York – Hon. Joseph E. Capella, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Një ftesë për këtë ceremoni mbërriti edhe në postën time elektronike, ku pata rast të takohem me Presidenten Vanessa L. Gibson, nëpunësen e lartë të Bashkisë në Bronx Cecilia Hernandez etj. Sulmet e 11 Shtatorit janë një seri sulmesh të koordinuara terroriste, të udhëhequra nga grupimi terrorist Al Kaeda, kundrejt SHBA më 11 shtator 2001.
Objekte të sulmit ishin ndërtesa të rëndësishme në SHBA, si Kullat Binjake ku ishte vendosur Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në New York, ndërtesa e Pentagonit si dhe Shtëpia e Bardhë. World Trade Center (Qendra Botërore e Tregtisë) shkurt WTC, ishte një kompleks ndërtesash i ndërtuar 1973 në lagjen Manhattan në jug të New Yorkut. Lartësia e saj ishte 417 m, me 110 kate dhe me sipërfaqe 400.000 m2 . Arkitekt i së cilës ishte Minoru Yamasaki. Në vendin ku ndodhej WTC është ngritur një ndërtesë tjetër me emrin Freedom Tower – Kulla e lirisë, që është më e madhe se WTC. Terroristët arritën të shkatërronin Qendrën Botërore të Tregtisë në New York dhe të dëmtonin rëndë Pentagonin në Washington. Mijëra qytetarë u vranë në sulmin më të rëndë terrorist në historinë e njerëzimit. Ditët pas tragjedisë gjatë gjithë kohës, grupe të shpëtimit kërkuan për persona që mund të kishin mbijetuar.
Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Viktimat në kullat binjake ishin 2 752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.
Siguria e udhëtimeve ajrore u ashpërsua ndjeshëm pas sulmeve të 11 shtatorit. Administrata për Sigurinë në Transport u krijua për të forcuar sigurinë në aeroporte dhe avionë. U deshën më shumë se 8 muaj për të pastruar Ground Zero, siç u quajt zona ku dikur ishin kullat binjake. U ngrit një memorial dhe muze me emrat e të gjitha viktimave në të cilat u skalitën panele të bronzta, të grupuara sipas vendit ku individët gjendeshin në ditën e sulmit.
Projekti u inaugurua në nëntor të vitit 2014. Sot – One World Trade Center ose Kulla e Lirisë, është 541 metra e lartë, më shumë se sa kulla origjinale veriore. Për rindërtimin e Pentagonit u deshën më pak se një vit, me stafin që u rikthye në zyra, në gusht të 2002- shit.
Çdo 11 shtator në Manhattan ndizet e ndriçon një Instalacion ikonik në shenjë homazhi për viktimat e asaj tragjedie. Instalacioni artistik konsiston në dy shtylla drita ngjyrë blu, të cilat simbolizojnë dy kullat binjake dhe është kthyer në një simbol të përvitshëm në lidhje me atë se si qytetarët e New Yorkut e kujtojnë qëndresën dhe forcën e tyre pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ky instalacion u prezantua për herë të parë gjashtë muaj pas ngjarjeve të 11 shtatorit, në mars të vitit 2002, teksa operacionet për kërkimin dhe shpëtimin e viktimave vijonin në rrënojat e kullave binjake. Përkujtimi i 9.11.2001 tashmë është kthyer në traditë e vlerë historike nga Bashkia në Bronx edhe për brezat e rinj, ku mes viktimave që humbën jetën në krye të detyrës ishin edhe tre shqiptaro – amerikanët Mon Gjonbalaj, Roko Camaj dhe i riu Simon Dedvukaj, të cilët punonin si mirëmbajtës tek Kullat Binjake 110-katëshe në Manhattan.
Edhe unë si e mbijetuar e asaj tragjedie (njohur ligjërisht nga shteti amerikan) ftohem çdo vit nga Bashkia në Bronx për të marrë pjesë në Ceremoninë Përkujtimore dedikuar 11 Shtatorit 2001. Pasi u lexuan 144 emrat e viktimave që humbën jetën (ish-banorë të qytetit në Bronx) në atë tragjedi Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson falënderoi organizatorët, forcat e rendit dhe ftoi të gjithë pjesëmarrësit në koktejin e shtruar enkas për këtë event.