-Kryeministri Isa Mustafa përkujtoi 25 vjetorin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës/
PRISHTINË, 26 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar 25 vjetorin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, të zhvilluar nga 26 deri më 30 shtator 1991.
Në përkujtimin e kryeministrit Isa Mustafa thuhet:
Të nderuar bashkëqytetarë,
Sot, përkujtojmë me krenari 25 vjetorin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, përmes të cilit, populli i Kosovës në mënyrë plebishitare konfirmoi vullnetin dhe vendosmërinë e tij të paepur për Liri, Pavarësi dhe Demokraci.
Përmes këtij referendumi, në të cilin, përkundër dhunës ekstreme morën pjesë shumica dërrmuese e qytetarëve, u dëshmua mbështetja absolute popullore për Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe për proceset tjera demokratike të zhvilluara në atë periudhë historike, nën lidershipin e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Përkushtimi i pathyeshëm i popullit të Kosovës për shtet të pavarur, sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht, pas sakrificash dhe përpjekjesh të jashtëzakonshme, u jetësua përfundimisht nga Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Sot, Republika e Kosovës është shtet i njohur nga më shumë se gjysma e vendeve të botës, me subjektivitet ndërkombëtar dhe me perspektivë të avancuar euroatlantike.
Përkundër vështirësive, sfidave e sfiduesve brenda dhe të jashtëm, populli i Kosovës është i përkushtuar për Republikën e Kosovës, për fuqizimin e miqësisë dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet tjera demokratike, si dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.
Lavdi të përjetshme burrave dhe grave që punuan, vepruan dhe dhanë jetën për Republikën e Kosovës!
Isa Mustafa,
Kryeministër i Republikës së Kosovës