
Avzi MUSTAFA/
Pjesa II
Përhapja e shkollës shqipe në territorin e Maqedonisë hov të madh mori pas Kongresit të gjuhës shqipe në Manastir më 1908 ku dita ditës interesi shtohej. Kështu, disa klube filluan të hapin shkolla në gjuhën amtare. Shkolla në gjuhën shqipe u hapën në: Dibër, Rekë, Shkup, Manastir, Kërçovë,Tetovë, Gostivar, Kumanovë e gjetiu. Vlen të përmendim se veprimtarë të shquar në këto qytete për shkolla shqipe ishin: në Kërçovë: Jusuf Turabi – Kërçova, Rexhep Fasku – Greshnica, Ali Drogomishti; në Strugë shquhen Dervish Hima e Ibrahim Temo; në Dibër: Kadri Fishta e Said Najdeni; në Gostivar: hoxha Afiz Lila; në Patishka Rekë: hoxha i fshatit; në Shkup: Rok Berisha, Bedri Pejani; në Rekë: prifti Todor e Josif Bageri; në Kumanovë: Jashar Erbara e Anastas Albanski e shumë të tjerë.
Prifi Todor nga Reka e Epërme edhe para Kongresit meshën e mbante në dy gjuhë: në bullgarisht e në shqip. Kur fliste në “shqyp” (shqip) ai përdorte pjesë nga “Psallmet” dhe “Dhjata e Re” të Kristoforidhit. Pagëzimet, ditën e emrit që zakonisht lidhej me ndonjë apostol kishtar, që çdo familje e ka të caktuar si dhe ditën e kishës e të fshatit, i bënte vetëm në gjuhën shqipe. Në familje ai u rrëfente të gjithë anëtarëve traditën e besimit ortodoks dhe e lidhte me jetën e shenjtorëve, për t’i motivuar besimtarët që të udhëhiqen sipas Krishtit. “Ata që lëvdojnë Krishtin dhe shenjtorët, Zoti familjeve u jep bekimin. Beni lutje për të qenë shtëpia e plotë dhe e shëndosh” (marrë nga një fletore lutjesh të protogjerit Çirko nga Reka).
Pranë kishës ekzistonte edhe një shkollë në gjuhën bullare, por ajo nuk funksionoi sepse ishte vështirë të gjendet mësues. Prifti Todor këtë shkollë e përdorte herë pas here me fëmijët e fshatit për t’u mësuar shkrim-leximin në gjuhën shqipe dhe shumë dije për Zotin dhe kombin.
Kur filloi një luftë e ashpër midis ekzarkisë bullgare dhe kishës serbe, flitej se do të sillnin klerikë serbë. Serbia bashkë me Rusët bënin propagandë për të bindur hyqymetin Osman se viset me përkatësi fetare ortodokse janë serbë. Andaj, përhapja e shkollave të huaja në gjuhët greke, bullgare dhe serbe, shtroi nevojën e ngutshme edhe për hapjen e shkollave në gjuhë shqipe.
Kur bindet mitropoliti Kozmo se nuk mund të bëjë ballë serbëve, atëherë ai kërkoi që në Rekën e Epërme, predikimet në kisha dhe mësimi në shkolla të bëheshin në gjuhën shqipe. Dhe kështu me të ngut ndaj çështjes së gjuhës shqipe, autorizon Këshillin vendor kishtar për dhënien e lejeve për hapjen e shkollave në gjuhën të cilën ata duan.
Në bazë kërkesave të vazhdueshme në fshatrat që kërkonin që të mësojnë në gjuhën e nënës lëshonte leje. Kështu ndodhi kur ai lejoi e shkollën e gjuhën shqipe, duke e autorizuar një administrator me emrin Iliev që të kërkojë nga prifti Todor, që të lus vëllain e tij Josifin i cili shpesh kishte dërguar kërkesa për hapjen e një shkollë në gjuhën shqipe në Nistrovë. Nga lutjet e Josifit kërkesa ishte që “ta lërë të lirë dhe t’ia japë bekimin që të rrëfejë shqiptarizëm dhe t’i mësojë shqiptarët në gjuhën shqipe në shkolla dhe në kishë të rrëfej në gjuhën shqipe.”
Me hapjen e një shkolle me leje, siguroi edhe një rrogë prej 18 lirash. Todori me gëzim të madh e njofton të vëllain dhe e lëshon shtëpinë e tij për shkollë. Pasi njoftohet Josifi për këtë detyrë, atëherë ai do të shkojë në Rekë, që të hapë shkollën laike në gjuhën shqipe. Shkolla u hap më 25 shtator 1908 në fshatin e lindjes. Me pagesë prej dy lirash turke ai merr një leje edhe nga Këshilli i fshatit që të fillojë mësimin në gjuhën e nënës. Josifi me rastin e hapjes së kësaj shkolle do të shprehet:….”Edhe kështu fëmijët zuna ti mësoj, se a.b.c. që kishnja 20 cop. Mirëpo në Malësiet e Dibrës kishte vojt zani se në Rek ka ardh njifar daskall..
Josifi punoi me shumë dashuri dhe me përkushtim. Që në ditën e dytë, ai përveç 8 nxënësve që mësonin gjuhën shqipe tek vëllai i tij prifti Todor, ai “do të grish disa prej fisit të vet të i çojn fëmin për me muet bashk me fëmin e vet.”
Josifi me pagen shumë të vogël nuk mund të siguronte mbijetesën e familjes, prandaj iu drejtua mitropolitit të Dibrës, Zotëri Zotëri Kozmës për t’ia rritur rrogën. Në bazë të një letre drejtuar në adresë të Josif Bagerit, e protokolluar me nr. 326 me 19 janar të vitit 1909, mitropoliti i Dibrës Zotëri Zotëri Kozma e njofton Josif Bagerin se nuk mund ta ndihmojë në misionin e tij.
Josifi i mllefosur nga kjo përgjigje që mori, më datë 10.02.1909 kështu i përgjigjet mitropolitit të Dibrës: “I Lumturushëm … pse po brengoseni kaq shumë, qoftë bekuar Zoti, unë janë shëndosh si thënë! Juve ju vjen keq pse unë po kërkoj punë apo pse unë kam shprehur që të rrëfej në gjuhën amtare shqipe? Unë nga Ju nuk kërkoj ndihmë nga mitropolia, por zotëri Ilievi i juaj, administrator, më habiti për shërbimin prej 18 lirash rrogë në vjet, ngase kishin thënë se nëpërmjet vllahut Todor do të më jepni 30 lira në vit dhe se Ju i keni thënë se mund të kem liri edhe për gjithçka… Unë i besova, por duke iu falënderuar logjikës sime për të mos u ngutur, se përndryshe unë do të pësoja”. Mandej Josifi i thotë zotërisë: “Ju Zotëri mos brengoseni për ata që janë të shëndosh si thëna, por brengosuni për ata që ua grabisin jetët e njerëzve të cilët unë dua t’i arsimoj dhe t’i vetëdijesoj me ndihmën e Zotit.” Në fund në p.s. Josifi i kërkon falje kryesuesit të mitropolisë pse letrën nuk e ka futur në zarf dhe shpjegon se këtë e bën për arsye ekonomike.
Për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe problem më vete ishte edhe sigurimi i kuadrit mësimor. Prandaj, punë e nevojshme dhe e ngutshme ishte hapja e shkollave të mesme, sidomos shkollat për përgatitjen e mësuesve. Një shkollë për sigurimin e kuadrit ishte më se e nevojshme që do të përfshinte nxënës nga trevat e kësaj ane. Pas shumë kërkesave dhe lutjeve, me shumë vështirësi do të lejohet nga pushteti lokal i Dibrës që të hapet një shkollë normale. Shkolla u hap më 2 gusht 1910 në gjuhën turko-arabe, por si lëndë mësimore u fut edhe gjuha shqipe. Në fillim kishte dy klasë, kurse në vitin e dytë u formua edhe një klasë, me gjithsej 115 nxënës. Pas tri vitesh këtë shkollë e mbaruan me sukses 35 nxënës. Këto nxënës të diplomuar u dëshmuan jo vetëm si mësues të mirë, por edhe si patriotë për ruajtjen e kauzës shqiptare pa dallim feje e krahine.
Një veprimtar që sakrifikoi jetën pse hapi një shkollë nate në Kumanovë është Anasatas Albanski i lindur në fshatin Tërnicë të Rekës së Epërme të Dibrës.
Në Kumanovë ekzistonin dy shkolla serbe, të hapura që nga viti 1849 dhe një bullgare. Shkolla bullgare punën e saj në Kumanovë e ka filluar në vitin 1852 me një mësues dhe me 200 nxënës. Por, shkolla bullgare nuk ishte në gjendje që të qëndronte dhe të bënte ballë turbulencave të ndryshme që ndodhnin në Ballkanin e trazuar, ajo punonte me ndërprerje, sipas situatave dhe kushteve. Kjo shkollë bullgare u riaktivizua në vitin 1908, kur Bullgaria shpalli pavarësinë nga Turqia.
Meqenëse popullata e kumanovare sllave më shumë anonte nga shkollat serbe, për të tërhequr sa më shumë nxënës edhe të nacionalitetit shqiptar, Anastasi ishte më i përshtatshmi sepse ai fliste gjuhën e nënës, gjuhën shqipe dhe bullgare. Anastas Albanski (Arnaudov) në këtë shkollë emërohet mësues nga Klubi i Shkupit të nxitur nga Qemal e Emin bej Kumbara, Rrok Berisha, Ajdin Draga etj., e sidomos nga Bedri Pejani që ishte një ndër promotorët e mëdhenj në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Meritën më të madhe për hapjen e kësaj shkolle e pati Jashar Erabara, i cili ishte edhe kryetar i klubit të Kumanovës dhe impakti kryesor ndërmjet patriotëve shqiptarë. Ky aktivitet në Kumanovë u arrit dhe nëpërmjet përkrahësve të vendit, si: nga Galip Kumanova, Bajram Vranja, e sidomos nga patrioti shqiptar Jashar Erebara, si një ndër organizatorët e jetës kulturore dhe arsimore në Kumanovë. Patriotët shqiptarë mbështetje të madhe gjetën edhe te kajmekami i Kumanovës, Nexhib Basha Pejani, që në të njëjtën kohë i mbronte veprimtarët para pushtetit turk, tradhtarët e ndryshëm si dhe shpifjet e xhonturqve.
Hapja e kësaj shkolle në Kumanovë ishte rezultat i përbërjes shumetnike të kësaj zone. Sipas një dokumenti që e posedojmë nga Arkivi i Shtetit Shqiptar mësojmë për Kumanovën se “Gjysma e qytetit është shqiptare e gjysma bullgare dhe të gjithë janë të pasur. Qyteti ka mbi 1.500 shtëpij, me gjitha nga zullumi i serbvet, Shqiptarët jo vetëm të qytetit, po edhe të katundeve me shum lloj mjerimi i shtërgojnë të hikin në Turqi”.
Nuk ishte e rastit pse pikërisht në Kumanovë filloi një aktivitet kulturor dhe arsimor. Kumanova ishte e është qytet ku kryqëzohen të gjitha rrugët si në veri, lindje, perëndim e jug. Kumanova edhe atëherë paraqiste një nyje strategjike dhe ekonomike shumë të rëndësishme. Nga ky dokument mësojmë se në kohën e Turqisë shqiptarët e Kumanovës kishin hapur një klub me emrin “Bashkimi” me kryetar Jashar Erebarën, impakti i lidhjeve me qarqet patriotike. Falë këtij klubi, në korrik të vitit 1909 u hap “një shkollë nate në gjuhën amtare ku mësojmë më shumë se 80 djema. Mësues ishin Jashar Erabara si dhe Kryetar i klubit është edhe Anastas Arnaudovi ( Albanski). Në vazhdim të dokumentit marrin njohuri të sakta mbi prejardhjen e Anastas Albanskit ku thuhet.:” mësues asht edhe Anastas Arnauti aranudov, cili ish nga Tërnica e Rekës e mësues në shkollën Bullgare në vend.”
Në faqen 2 të dokumentit shohin se si numri i nxënësve në shkollën e natës, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe po rritej, dhe për një muaj numri arrin në 90 nxënës. Ky kurs nate ndikoi me të madhe që shqiptarëve të këtij vendi t’u kthehej shpresa, t’u forcohej shpirti e t’u ndriçohej mendja. Sepse “Shqipja filloj me u fol gjithkund nëpër qytet dhe kjo është një punë e madhe…. Me të vërtetë popullësija qytetare bullgare simpatizonte këtë lëvizje shqiptare, por serbët jo, do shkojshin se si tek me e pengue tuj u diftue autoritete turke aktivitetin e Shqiptarëve”.
Kontrtribut të madh në përfshirjen e nxënësve i takon po aq edhe mësuesit Anastas, i cili me fjalën e ëmbël shqipe dinte se si t’i tërhiqte nxënësit në shkollë. Sipas J. Erebarës thuhet se ky kurs nate në gjirin e vet arriti të tubojë 130 nxënës shqiptarë.
Rritja e numrit të nxënësve në këtë kurs nate ishte meritë e mësuesit Anastas , sepse ai dinte si t’i bindte shqiptarët për shkollim në gjuhën amtare, meqë jo pak njerëz kishin ngatërruar problemin e fesë me çështjen e kombësisë. Ai për ilustrim e merrte veten dhe thoshte “Ja unë jam i krishterë, por gjuhën e kamë si të tujën dhe ne jemi vëllezër të një gjaku”. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga gjuha, edhe pse shpesh binte në kontakt me njerëz që i kishte kapluar fanatizmi fetar, por ai bisedonte qetë dhe sepse detyrë vetes i kishte dhënë se krahas shkronjave të gjuhës shqipe, si tek nxënësit ashtu edhe tek qytetarët kumanovarë, të ngjallë dashurinë ndaj gjuhës shqipe si dhe të ngjallë ndenjën e vëllazërimit e të bashkimit, pa dalim feje e krahine. Mësimi i gjuhës amtare për Anastasin ishte, siç thonë rekalitë një ‘ledh’ që na ndanë si nga serbët, ashtu edhe nga grekët e turqit.
Anastasi ra në sy të agjentëve turq e serbë. Atë e ndiqnin këmba –këmbës, e sidomos punën e tij që bënte në shkollë për t’u mësuar nxënësve gjuhën shqipe. Nga ky qytet, gjegjësisht nga fshati Llojan ishte një renegat turk e më vonë edhe serb, Arif Hiqmeti, të cilit çdo gjë i pengonte që ishte në gjuhën shqipe dhe punën e mësuesit Anastas do ta ndjek si hije. Arif Hiqmeti para hyqymetit turk do të deklarojë se në Kumanovë ka “ ardhur një Gjahur e asht ba tebdil dhe miletit u mëson shkronja kaure”.
Shqiptarët e Maqedonisë që tani rrojnë në këtë republikë, si të gjithë shqiptarët kudo që jetonin të ndarë në vilajete apo banovina, si edhe shqiptarët e zonave të tjera, dhanë kontribut të madh për hapjen e shkollave, ruajtjen e gjuhës e të kulturës shqiptare, për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe për të përballuar trysnitë shoviniste e asimiluese.
Shkolla ishte gjuhë e gjuha shkollë. Andaj çmimi i sakrificës si kudo ishte tepër i madh. Me të drejtë mund të thuhet se nuk ka asnjë histori arsimore kombëtare në botë aq të përgjakur, siç është historia e arsimit dhe e shkollës shqipe.