Shembja tronditëse 30-vjeçare/
Nga Arjeta FERLUSHKAJ/
Ishte ora 10:55 pm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 4:55 am në Shqipëri. Shoh në rrjetin social të ish-studentit alarmin “Erdhi policia në Teatrin Kombëtar! Po fillojnë arrestimet!” E pyes se ku ndodhet për momentin dhe më thotë se është pikërisht aty, tek Teatri. E pyes për situatën dhe pas pak më përgjigjet: “E shembën!” Arrij ta ndjej dëshpërimin e tij në përgjigjet shigjeta. “Po i tërheqin njerëzit zvarrë!” më shkruan, duke iu referuar atyre që po mundoheshin të ndalnin këtë akt mesjetar, i përgatitur të bëhej pa dalë drita, ndërkohë që të gjithë shqiptarët po flinin.
***
Ai ishte një student i apasionuar pas letërsisë dhe ndërkohë që shokë të tij harxhonin më shumë kohë kafeneve, ai vinte në bibliotekë dhe kërkonte të lexonte diçka më shumë se veprat që pedagogët iu kishin caktuar në program. Sa herë hynte në bibliotekë, kalonte për të më përshëndetur dhe me tregonte kur kishte lexuar ndonjë libër të ri që biblioteka nuk e kishte; kur diskutonin me klubet letrare për jetën artistike të qytetit si dhe për shumë evente që ai i ndiqte me pasion e dëshironte t’i ndante me të tjerët. Ndër eventet më të fundit që më tregoi, me hovin që e karakterizonte, ishte grupimi i disa studentëve për të vënë në skenë një shfaqje me iniciativën e tyre. Më thoshte se po bënin prova çdo ditë që të ishin të denjë për skenën e teatrit.
Entuziazmi i atij studenti e mbushte sallën e bibliotekës me dritë.
Kanë kaluar disa vite që nga koha e provave për atë shfaqje. Tani ai po shihte me sytë e tij një shfaqje tjetër me teatrin, por edhe teatron që po i bëhej jetës së vet. Një shfaqje për të cilën nuk kishte dashur kurrë të bënte prova.
“Se ç’e shempnë derbederët/Mercenarët dhe bejlerët/ Se ç’e pren’ e se ç’e vranë/ Ç’e shkretuan anembanë/ Nënë thundrën e përdhunës.”
***
Më trondit një tjetër mesazh që vjen prej tij. Pastaj çdo gjë m’u duk më e lehtë për t’u pranuar: shembja e një teatri apo loti i një artisti që i ra shtëpia e qënies, me shpresën se do të ndërtohet një teatër i ri.
“Tani po bëj valixhet gati edhe unë”- lexova në telefonin tim.
Dhe vrasja e shpirtit të vendit u krye, ashtu siç ishte paralajmëruar.