-Presidenti Fischer është presidenti i parë austriak që viziton Kosovën që nga shpallja e pavarësisë dhe ai erdhi sot bashkë me një delegacion të gjerë të përfaqësuesve të bizneseve austriake/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Presidenti i Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, sot pas mesditës, u prit me ceremoni shtetërore në vizitën dyditore në Kosovë, me ftesë të presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga. Më pas, sipas axhendës, nisi takimi i presidentes Jahjaga me presidentin Fischer.
“Kam nderin që t’i uroj mirëseardhje në Kosovë presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, një përkrahës i fuqishëm i Republikës së Kosovës dhe përparimit të saj”, është shprehur Jahjaga.
Presidenti Fischer është presidenti i parë austriak që viziton Kosovën që nga shpallja e pavarësisë dhe ai erdhi sot bashkë me një delegacion të gjerë të përfaqësuesve të bizneseve austriake.
“Vizita e presidentit Fischer është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësi për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar”, vlerëson presidentja kosovare.
“Austria është pjesë e pandashme e bashkësisë ndërkombëtare, që ndan suksesin e Kosovës së re së bashku me popullin dhe institucionet e saj”, theksonte presidentja kosovare në shënimin e 60 vjetorit të pavarësisë dhe të deklarimit të neutralitetit të përhershëm të Republikës së Austrisë, në mbrëmjen e 26 tetorit në Prishtinë.
“Austria ka qëndruar afër nesh për të na ndihmuar në rrugëtimin jo aq të lehtë të ndërtimit të paqes”, theksonte presidentja e Kosovës.
Ajo shtonte se, Austria është pjesë e pandashme e historisë më të re të Kosovës, e përfshirë në dhënien fund të dhunës dhe luftës, në ndërtimin e një Kosove më ndryshe, më gjithëpërfshirëse, më demokratike, më të përparuar – një shtet i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë.
“Ju keni qenë shembull jo vetëm i mikpritjes, në kohë paqeje, gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës, të përpjekjeve për ta bërë Kosovën të mëvetësishme, demokratike dhe përgjegjëse për fuqizimin dhe avancimin e të drejtave për të gjithë qytetarët e saj”, shprehej Jahjaga duke uruar ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger.
Sipas axhendës zyrtare, në vazhdim të vizitës sot pasdite presidentin e Austrisë Fischer e pret në takim edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Të enjten, presidenti i Austrisë, Heinz Fischer takohet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.
Në vazhdim të axhendës, presidentja Jahjaga dhe presidenti Fischer marrin pjesë në Forumin Ekonomik Kosovar-Austriak në Prishtinë dhe vizitojnë Prizrenin, Kishën Katolike dhe Xhamia e Sinan Pashës në qytetin më të madh jugor të Kosovës.