Presidenti Nishani dekoron personalitete të shquara të artit, kulturës dhe sportit shqiptar;/
Urdheri “Nder i Kombit” per LORO BORICIN, dhe PROKOP MIMEN-pas vdekjes, “Mjeshtër i Madh” per Mihallaq Luarasin, Kolec Topalli, Rikard Ljarja, Fatos Kongoli, Justina Aliaj, Alush Shima, Visar Zhiti/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbyllje të vitit 2012, kur Shqipëria dhe shqiptarët kremtuan madhërishëm 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, nderoi lart veprën e shquar dhe kontributin e disa personaliteteve të artit, kulturës dhe sportit shqiptar.
Ceremonia zyrtare e rastit u organizua në kuadër të një takimi me përfaqësues të shumtë të artit, kulturës dhe sportit, ku Presidenti Nishani, në vigjilje të datës së ndërrimit të viteve, shprehu urimet më të mira e të përzemërta për të pranishmit në veprimtari, gjithashtu dhe mirënjohjen për punën dhe veprimtarinë e gjithsecilit prej tyre në shërbim të kombit, të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u ndal në kontributet dhe veprimtarinë e këtyre personaliteve duke shprehur vlerësimin më të lartë, njëkohësisht dhe mirënjohjen për modelin e shkëlqyer të punës me përkushtim dhe vetmohim për ecjen përpara, për zhvillimin dhe trashëgimin e vlerave më të mira të artit, kulturës dhe sportit shqiptar.
Duke i konsideruar viganë të kombit shqiptar dhe elitën reale të kombit dhe vendit, Presidenti Nishani theksoi se arritjet dhe vepra e këtyre personaliteteve i përket të gjithë kombit.
“Ju, krahasuar me të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi dhe me të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, keni një veçori, e cila ka të bëjë me veprën tuaj, me kontributin tuaj. Arritjet dhe vepra juaj nuk ju përkasin vetëm ju, ato i përkasin gjithë kombit, ato i përkasin gjithë shqiptarëve, por, fatmirësisht i përkasin të gjithë kohërave dhe atyre që vijnë, prandaj ato janë një pasuri e madhe kombëtare. Ndaj, unë jam shumë i privilegjuar që, në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të përcjell të gjithë ndjesitë, respektin e të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, mundësinë për t’ju thënë faleminderit! Falemnderit është një fjalë e vetme, një shprehje e sinqertë, por që mbart në vetëvete një respekt shumë të madh, që jo çdokush ka mundësinë ta thotë këtu, përballë jush, por ja që unë pata fatin në emër të të gjithë atyre që dëshirojnë t’ua thonë, t’jua përcjellin. Për këtë jam krenar”, u shpreh Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit duke sjellë në vëmendje vitin 2012, si vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nënvizoi se vlerësimi dhe nderimi i disa përfaqësuesve të spikatur të botës së artit dhe të kulturës për kontributet e tyre në këtë përvjetor është modest krahasuar me veprën e tyre.
Në këtë kontekst, Presidenti Nishani propozoi që nderimi i njerëzve të artit, kulturës dhe sportit të kthehet në një traditë të përvitshme festive.
“Le të nisim një traditë që në çdo fundvit së bashku me urimet për festat, le të ndajmë edhe këtë vlerësim e këtë mirënjohje për përfaqësues të botës së artit e kulturës shqiptare. Besoj që është një mundësi modeste, por një mundësi reale për të shprehur vlerësimin, falenderimin, mirënjohjen dhe mbi të gjitha, për t’i rikujtuar njëri-tjetrit të gjithë shoqërisë, të gjithë aktorëve të shoqërisë, çdo qytetari se sa i rëndësishëm është kontributi i këtyre njerëzve, se sa të mëdha janë vlerat që përmes jush i transmetojmë ndër kohë, ndër vite, ndër shekuj historisë sonë. Veprat tuaja janë pjesë e kësaj historie. Bashkë me urimin dhe vlerësimin për punën dhe kontributet tuaja, më lejoni të përfitoj nga rasti që në këto ditë të pritjes së ardhjes së Vitit të Ri të uroj për secilin prej jush, në radhë të parë një jetë të gjatë, një jetë të lumtur! Të uroj për secilën nga familjet tuaja shumë gëzime, paqe dhe mbarësi! Të uroj gjithsesi sa më shumë vepra, sa më shumë kontribute!”, vlerësoi Presidenti i Republikës.
Në vijim, pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, në një atmosferë solemne, të ngrohtë e miqësore, Kryetari i Shtetit nderoi këto figura të shquara për sportdashësit dhe spektatorët shqiptarë:
Loro Boriçi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nder i Kombit”, me motivacionin: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë me talentin e tij të rrallë, ai ishte dhe mbetet ikona e futbollit shqiptar.”
Prokop Mima (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Njëri nga themeluesit e Teatrit Kombëtar, i cili vuri talentin, kulturën e diksionin e tij të përsosur në shërbim të artit skenik dhe të teatrit shqiptar duke simbolizuar shprehjen e një mjeshtrie interpretuese të pashoqe.”
Zotin Mihallaq Luarasi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit të palodhur i teatrit, i cili nuk u tërhoq as përballë dhunës së diktaturës duke e përdorur artin skenik si tribunën prej nga duhet të ushtojnë të vërteta dhe vlera universale”.
Zotin Kolec Topalli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në saje të vullnetit për t’i shërbyer me përkushtim studimit të gjuhës sonë, i ka çuar më tej dhe i ka ngritur edhe më lart studimet në fushën e gjuhësisë, me thjeshtësinë dhe vetëdijen e një shkencëtari të mirëfilltë.”
Zotin Rikard Ljarja me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Me larminë e interpretimeve të tij të përkryera, sidomos në kinematografi, ai është shndërruar në njërin nga aktorët më të adhuruar e mbresëlënës të filmit shqiptar dhe skenave teatrore.”
Zotin Fatos Kongoli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Shkrimtarit që trajton me mjeshtri anë të ndryshme të jetës sonë shoqërore. Veprat e tij me nivel të lartë letrar, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, kanë pasuruar botën e krijimtarisë letrare shqiptare.”
Zonjën Justina Alia me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktores dhe këngëtares së talentuar, e cila në saje të pasionit dhe forcës shpërthyese interpretuese shkëlqeu në skenën artistike shqiptare si një meteor i shndritshëm.”
Zotin Alush Shima me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit virtuoz të penelit dhe shpërthimit të ngjyrave të gjalla, i cili rindërtoi në kanavacë realitetin e tij pamor duke i shpalosur mbarë botës një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist.”
Zotin Visar Zhiti me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Poetit, prozatorit dhe publicistit, i cili me sinqeritetin e rrëfimit dhe me forcën e shprehjes artistike shquhet për dhuntinë e fjalës, duke u bërë një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.”
Pas marrjes së dekoratës personalitetet e nderuara shprehën mirënjohjen për Kryetarin e Shtetit shqiptar për këtë gjest, që sipas tyre është shenjë vlerësimi dhe vëmendjeje e shtetit ndaj kulturës dhe sportit shqiptar.
Nipi i Loro Boriçit, Lorenc Radovani: Faleminderit zoti President! Ndihem thellësisht i privilegjuar që ndër nipat e Loros, më takoi mua që të merrja këtë çmim. Shpresoj dhe mendoj që me figurën e tij, me punën e tij deri në vetëmohim, ai i dhuroi emocione të mëdha popullit shqiptar në një sport shumë të dashur që është futbolli dhe në një kohë shumë të vështirë që ishte regjimi i kaluar. Ndoshta ishte i vetmi argëtim. Besoj gjithashtu që, përveç kësaj, ai e ka përfaqësuar Shqipërinë edhe jashtë kufijve të saj, duke e nderuar gjithmonë e duke qenë vërtet një “Nder i Kombit”. Ju faleminderit!
Vajza e Prokop Mimës, Ajkana: Më lejoni t’ju falenderoj ju, President i Republikës, për vlerësimin që i bëhet babait dhe familjes sime. Urime të gjithëve dhe një vit të mbarë!
Mihallaq Luarasi: Faleminderit të gjithëve që keni ardhur këtu. Ju përshëndes! Ju uroj një vit të ri të mbarë!
Kolec Topalli: Më lejoni të falenderoj Presidentin e Republikës për nderin që më bën dhe besoj se ky vlerësim i punës sime 40-vjeçare do të jetë dhe një premtim për të përfunduar vepra të tjera për të mirën e kombit shqiptar. Faleminderit!
Rikard Ljarja: Falenderoj Presidentin e Republikës! Falenderoj edhe kolegët prezentë sot në këtë ceremoni dhe të gjithë kolegët, me të cilët ne kemi punuar një jetë të tërë. Ju faleminderit!
Fatos Kongoli: Falenderoj me gjithë zemër Presidentin e Republikës për këtë dekoratë të lartë që më dha në këtë vit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe në prag të vitit të ri! Faleminderit shumë!
Justina Alia: Kur isha e vogël merrja distinktivë, ju e dini, ka qenë koha e tyre, dhe ngjitesha me vrap për t’ia çuar nënës e babait. Sot është krejt ndryshe. Atdheu sot më ka vënë një vello mbi krye, të respektit dhe të dashurisë. Këtë titull, unë do të vrapoj si atëherë fëmijë 10- vjeçar, për t’ia çuar fëmijëve të mi. I nderuar qofshi zoti President! Ashtu siç na nderoni, Zoti ju nderoftë edhe më shumë!
Alush Shima: Falenderoj zotin President të Republikës, të gjithë të pranishmit që ndodhen në sallë për këtë nder të veçantë që më krijoi mundësinë dhe mora këtë titull. Ju faleminderit të gjithëve që jeni prezentë!
Visar Zhiti: E pranoj me kënaqësi këtë dekorim, e konsideroj si institucionalizim, mbështetje dhe lartësim të asaj që më mungonte. Duke pranuar këtë dekoratë, mendoj se kemi pranuar një Shqipëri tjetër, më të mirë, më të bukur, të lirë dhe demokratike. E ndiej veten produkt i saj. Jeta ime dhe ajo që arrij i takojnë kësaj kohe! Me mirënjohje, faleminderit dhe njëherë!