Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi te enjten me 1 Nentor, me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me motivacionin:
“Për kontribut dhe merita të shquara në mbështetje të Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha përpjekjet për përparim e mirëqenie, për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie të lirë e të hapur.
Për ndihmën e jashtëzakonshme në anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO, si edhe për mbështetjen e çmuar për Shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, e cila përmbushi aspiratat e rajonit për liri e dinjitet.
Për kontribut të çmuar në konsolidimin e marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta e miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Urdhri më i lartë kombëtar i nderit iu dorëzua Sekretares Amerikane të Shtetit nga Kryetari i Shtetit Shqiptar gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave.
Me këtë rast, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton u shpreh:“Zoti President,Të nderuar zyrtarë,
Më lejoni të shpreh ndjenjën e thellë të vlerësimit dhe nderit për marrjen e këtij Urdhri! Sigurisht që e pranoj sinqerisht në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të administratës së Presidentit Obama dhe në emër të Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten një partner i fuqishëm dhe një mik i Shqipërisë dhe për popullin e saj, teksa vijoni në të ardhmen të pavarur, të lirë, demokratike dhe me besim duke ndërtuar Shqipërinë që do të jetë një model i mirë dhe shembull për brezat që do të vijnë. Jam krenare që ju jam mike dhe do të mbetem e tillë.
Ju falenderoj për dhënien këtij nderi të jashtëzakonshëm dhe do të vijoj të bëj më të mirën time për ta merituar plotësisht. Ju e meritoni këtë plotësisht tani dhe në të ardhmen!”
Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani theksoi:
“Për ne është një kënaqësi dhe nder që Sekretarja Amerikane e Shtetit pranoi këtë dekoratë të lartë të shtetit shqiptar. Përmes kësaj dekorate ne shprehim mirënjohjen për Sekretaren Klinton, qeverinë amerikane dhe për popullin amerikan, të cilët, jo vetëm në sfidat më të vështira të Shqipërisë kanë qenë pranë nesh, po dhe në çdo hap për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit.
Edhe një herë ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj!”
Tirane, 1 nëntor 2012