-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Forumin e Torontos. Mbrëmë mori pjesë në pritjen e organizuar nga shoqatat e komunitetit shqiptar nga rajoni i Torontos në Kanada. Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, për brezat e rinj shpërndau edhe Abetaren tonë shqipe/
- Hashim Thaçi: Komunitetin tonë e garantova se do të kenë vëmendjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se ata do të jenë ura jonë lidhëse me Kanadanë. Gjithashtu, falënderova edhe qeverinë dhe popullin kanadez për mbështetjen e madhe gjatë periudhës së luftës më 1998 – 1999, për kontributin në kuadër të KFOR-it dhe për përkrahjen për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare./
TORONTO, 14 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ishte panelist në edicionin e 10-të jubilar të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik “Toronto Global Forum”, që po i zhvillon punimet nën patronazhin e Forumit Ndërkombëtar të kontinentit të Amerikës (IEFA).
Njoftimi dërguar nga Toronto thekson se, në forumin e titulluar “Udhëheqja në kohë të pasigurta”, para mbi 100 folësve dhe 2600 delegatëve nga mbi 400 shtete, presidenti Thaçi ka thënë se rasti i Kosovës është shumë specifik për shkak se zhvillimi i shtresës së mesme është shoqëruar me sfida të shumta.Kreu i vendit ka folur për rrugëtimin e vështirë dhe rrethanat e pafavorshme nëpër të cilat kaloi Kosova që nga periudha e paraluftës, rindërtimin, sfidat e mëdha në procesin e shtet-ndërtimit, si dhe vështirësitë në zhvillimin ekonomik, posaçërisht në vitet e para të pavarësisë që përkuan me krizat më të mëdha në botë.
Presidenti Thaçi ka thënë se përkundër sfidave, Kosova ia doli që t’i tejkalojë të gjitha këto probleme të panumërta dhe shënoi rritjen më të shpejtë ekonomike në rajonin e Ballkanit, në shkallë prej 4 për qind të rritjes mesatare të Bruto Prodhimit Vendor.Ai ka thënë se ishte jetike që të investojmë në siguri për të siguruar investime.
“Pas luftës, strategjia jonë e parë e ekonomisë politike ishte të investojmë në siguri për të siguruar investime. Ndërkohë që shumicën e energjive dhe burimeve i kishim të orientuara në rindërtim dhe në fushën e sigurisë, ne u fokusuam edhe në reformat e ekonomisë së tregut me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, në reformat fiskale me uljen e tatimeve dhe heqjen e tyre për shtresat e varfra. Gjithashtu, u përqendruam edhe në reformat arsimore dhe edukative, me krijimin e kushteve për shkollim pa pagesë dhe libra falas, në reformat në shëndetësi dhe në rritjen e pagave për tërë sektorin publik”, ka thënë presidenti Thaçi.Njëkohësisht me këto reforma, presidenti Thaçi ka thënë se për zbutjen e diferencimeve sociale dhe zbutjen e papunësisë janë rritur investimet edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies për banorët e zonave rurale.“Kosova u bë prijëse në fushën e reformave dhe tani arritëm ta nënshkruajmë edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në”, ka thënë presidenti Thaçi, duke i ftuar investitorët e pranishëm që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë.Ai ka theksuar se Kosova ka pasur një periudhë të rëndë tranzitore, por prej vitit 2008 janë shënuar hapa të mëdhenj për zhvillimin e shtresës së mesme, bën të ditur njoftimi i dërguar.
Ndërsa Presidenti Thaçi ka shkruar në ‘facebook’:Mbrëmë pata nderin të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga shoqatat e komunitetit shqiptar nga rajoni i Torontos në Kanada. I falënderova nga afër bashkatdhetarët tanë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ndër vite dhe i përgëzova për integrimin e tyre në jetën sociale, ekonomike e politike të Kanadasë.U ndjeva krenar për të arriturat e tyre të cilat u konfirmuan edhe nga Ministrja e Ontarios për Shtetësi dhe Imigrim, znj. Laura Albanese, nga Kryetarja e Bashkisë së Mississaugas, znj. Bonnie Crombie, si dhe nga deputetë të Parlamentit të Ontarios.
Komunitetin tonë e garantova se do të kenë vëmendjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se ata do të jenë ura jonë lidhëse me Kanadanë. Gjithashtu, falënderova edhe qeverinë dhe popullin kanadez për mbështetjen e madhe gjatë periudhës së luftës më 1998 – 1999, për kontributin në kuadër të KFOR-it dhe për përkrahjen për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, për brezat e rinj shpërndamë edhe Abetaren tonë shqipe.
Me pjesëmarrësit e pritjes kalova çaste të këndshme./b.j/