Nga Belul Jashari/
Prekaz, 5 Mars /-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi sot homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, në ditën e parë të manifestimit shtetëror “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Kemi ardhur sot këtu, në këtë ditë të veçantë, për të nderuar figurën dhe emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantin legjendar Adem Jashari, për të përkujtuar sakrificën individuale dhe kolektive të të gjithë atyre që ranë për ne, që ne sot të jemi vend i lirë, një vend i pavarur, një vend sovran dhe një vend i cili ka një të ardhme të sigurt drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi me këtë rast Presidentja Jahjaga.
Me rastin e 17 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, Qeveria e Republikës së Kosovës, me 5, 6 dhe 7 mars, po organizon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.