-Korpusi i Paqes në Kosovë ka nisur programin që nga data 9 shator 2013/
PRISHTINË, 20 Janar 2016/Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim vullnetarë të Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, të udhëhequr nga drejtoresha Darlene Grant.
Presidentja Jahjaga e çmoi lart ndihmën dhe kontributin që vullnetarët e Korpusit Amerikan të Paqes po u ofrojnë të gjitha komuniteteve nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e shumëfishte që ka angazhimi i vullnetarëve, ku, përpos ndihmës së drejtpërdrejtë nëpër institucionet vendore, vullnetarët janë ura lidhëse dhe forcojnë marrëdhëniet dhe miqësinë midis popullit të Kosovës dhe popullit amerikan.
Në Kosovë, në gusht 2015 filluan shërbimin për dy vitet e ardhshme 36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit të dytë, të cilët kanë përfunduar trajnimin parapërgatitor në komunitete kosovare.
Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët patën dhanë betimin solemn në gusht 2014, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.
Korpusi i Paqes në Kosovë ka nisur programin që nga data 9 shator 2013, kur edhe ështe nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës.
Korpusi i Paqes pret një marrëdhenie të gjatë dhe të frytshme me popullin dhe qeverinë e Kosovës, grupi i tretë i përbërë nga 40 vullnetarë është paraparë të mbërrij në vitin 2016.
Korpusi i Paqes ka rrënjët në vitin 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy i sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim.
Nga ky frymëzim u ngrit një agjenci e qeverisë federale e përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë botërore. Tre qëllimet e saja fillestare mbeten të njëjta: T’i ndihmojë popujve të shteteve që janë të interesuara për t’i plotësuar nevojat e tyre për persona të kualifikuar; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve që shërbehen; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve./b.j/