Jahjaga: Kosovës i duhet ndryshim – dhe kurajë, vullneti dhe në veçanti guximi për ta bërë këtë ndryshim duhet të vijë nga ju. Duhet të vijë tani./
Fjalimi i Presidentes Jahjaga para studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës/
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ngjarje sot, me të cilën njëkohësisht përmbylli mandatin tim pesë vjeçar si Presidente e Republikës së Kosovës.Jam këtu me ju, sepse jam e bindur që çelësi i suksesit tonë si shtet dhe ndryshimi i domosdoshëm për ta rimëkëmbur Kosovën është në duart tuaja. Të kësaj gjenerate të ulur këtu dhe moshatarëve tuaj në qytetet e tjera dhe fshatrat e Kosovës që janë në kërkim të një Kosove që përmbush vizionin për të cilin prindërit, e madje edhe gjyshërit tuaj, kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme.Ju e dini mirë se cilat kanë qenë ato sakrifica. Shumë prej tyre që në rini të hershme janë detyruar të braktisin shkollën për shkak të kushteve që familjeve kosovare u kanë siguruar vetëm mbijetesë.
Shumica e prindërve tuaj kanë braktisur karriera premtuese për t’iu bashkangjitur rezistencës paqësore në përpjekje mbinjerëzore që të mos nënshtrohen, që ta realizojnë lirinë me çdo kusht dhe nën çdo rrethanë. Që fëmijët e tyre të mos e ndajnë të njëjtin fat e të jetuarit nën represion, të ndrydhur, të pabarabartë. Që ata të mos e bartin të njëjtën barrë për të bërë sakrifica vetëflijuese, por që më në fund të ndërprejnë ciklin e padurueshëm të dhunës.
Një pjesë e familjeve tuaja janë persekutuar, janë dëbuar, janë përndjekur, dhe janë vrarë në luftë që ne sot të ecim këtyre korridoreve të Universitetit të Prishtinës, që të jemi të lire ta kërkojmë dijen dhe ta hapim mendjen për të realizuar potencialin tonë njerëzor.
Që ne sot të ndërtojmë institucione shtetërore. Që të bëjmë jetë të dinjitetshme. Që ta ndërtojmë Kosovën e qëndrueshme.Kërkoj nga ju që çdo ditë, derisa niseni për në ligjërata apo për të përgatitur provimet në bibliotekë, të kujtoni këtë sakrificë, sepse vetëm atëherë do ta kuptojmë dhe do ta kemi të qartë se çfarë çmimi të lartë ka kjo liri e jonë. Aq çmimi të lartë , sa që kurrë lirinë të mos e kuptojmë lehtësisht, por që të kuptojmë që mbi supet tona kemi një mision të vlefshëm: që Kosovën ta bëjmë vend më të mirë.
Në këto pesë vite, gjatë të cilave kam pasur nderin dhe privilegjin të jem Presidentja juaj, i kam parë nga afër disa fytyra të Kosovës. E kam parë një Kosovë ende të pashëruar, thellësisht të trazuar nga plagët e një represioni të gjatë dhe lufte të pamëshirshme. Të lodhur nga përplasjet, të vuajtur, të etur për drejtësi. E kam parë një shoqëri shpesh të demoralizuar, të hutuar se cilat janë vlerat dhe parimet shtyllë mbi të cilat mbështetet shoqëria dhe shteti ynë. Të mëdyshur se cilat çështje duhet të na bashkojnë, ku mund të gjejmë gjuhë të përbashkët.
Herë-herë e kam parë një Kosovë pesimiste që dyshon që kemi vullnet e forcë që t’i ndërtojmë dhe t’i mbrojmë idealet që duhet të na mobilizojnë në ndërtim të shtetit tonë, që të jenë busullë e veprimeve tona të përveçme dhe të përbashkëta çdo ditë.
Është e vërtetë se kam parë një shoqëri që po e humb durimin dhe besimin në një klasë politike të pavëmendshme që mund t’i përfaqësojë interesat e tyre dhe t’iu sigurojë një jetë më të mirë.
Fatkeqësisht – dhe këtë e them me zemër të rënduar – e kam parë edhe një Kosovë ku një pjesë e qytetarëve të saj duan të marrin rrugë të pakthim, të lodhur dhe të dëshpëruar nga premtimi se një ditë do të bëhet më mirë.Por, gjatë këtyre pesë viteve e kam parë edhe një Kosovë të jashtëzakonshme që jeton thellë në shpirtin e qytetarëve të saj.
Një Kosovë në të cilën me të vërtetë është më mire duke ju falënderuar vullnetit të njerëzve të saj për të ecur përpara, për ta përqafuar të ardhmen me optimizëm dhe për të reflektuar me entuziazëm mbi këtë moment të rrallë historik që kemi fatin ta jetojmë.
E kam parë një vend të rrethuar nga qytetarët e vet me dashuri përrallore, me një aurë frymëzuese, ku njerëzit jo vetëm që janë të vendosur të jetojnë por janë dhe këmbëngulës për të realizuar ambicien e tyre sipërmarrëse, ku qytetarët solidarizohen me njëri-tjetrin, ku e ndajnë bukën dhe kripën, të mirën e të keqen.
Të rinj që me kreativitet, pa shumë zhurmë, me dije dhe talent po i thyejnë kufizimet e vëna pamëshirshëm përreth tyre.Një shoqëri të pazbrapsur, të pathyer në përcaktimin e saj për t’i përqafuar të gjithë. Të vendosur për të ndërtuar, për t’u rimëkëmbur, për të shikuar përpara.
Dhe e kam parë një Kosovë që më jep më së shumti shpresë.
Ngadalë por sigurt po e shoh të ngrihet dhe të forcohet një shoqëri e gatshme për të refuzuar të keqen në çdo formë që ajo shfaqet: që është e zëshme ndaj abuzimit dhe padrejtësisë, që ka filluar të mos e toleroj klientelizmin, që do ta refuzojë nepotizmin, që do të jetë e pamëshirshme ndaj atyre që keqpërdorin dhe mbajnë peng zhvillimin e saj.
Një Kosovë që i kupton drejt sfidat që i ka përpara e që shtrihen prej konsolidimit të brendshëm të demokracisë dhe vendosjes së pakompromis të rendit dhe ligjit – edhe ndaj “të fortëve” – e deri te anëtarësimi në OKB-në në një klimë jashtëzakonisht polarizuese globale.
E dimë që për t’u përballur me këto sfida duhet shumë – shumë – angazhim dhe që kjo Kosovë që e synojmë nuk bëhet brenda natës, sepse problemet tona nuk kërkojnë zgjidhje të shpejta.
Nuk mund të kemi zgjidhje afatshkurta për ekonominë e pazhvilluar, për papunësinë e lartë, për shëndetësinë në reanimacion dhe arsimimin që nuk u përgjigjet kërkesave të tregut e të kohës.
Kjo është Kosova që ka gjetur zërin e saj dhe guximin të kërkojë trajtim të barabartë, të kontribuojë me zgjidhje dhe të vazhdojë ta meriton vendin që e ka fituar në tavolinë.
Një vend që ka filluar ta marrë veten seriozisht. I palëkundur dhe pa dilema për rreshtimin e tij në anën e drejtë të historisë, i bindur dhe krenar me atë që përfaqëson dhe përjetësisht falënderues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve aleate evropiane për besimin e tyre në këtë shoqëri dhe këta njerëz për ta realizuar këtë vizion.
Kosovës i duhet ndryshim – dhe kurajë, vullneti dhe në veçanti guximi për ta bërë këtë ndryshim duhet të vijë nga ju. Duhet të vijë tani.
Para nesh ka shumë sfida dhe asnjëra nuk është e lehtë, prandaj nuk kemi margjinë për gabuar e as hapësirë për hamendje. Praktikave të shëmtuara të sotme që janë përvjedhur pothuaj në secilin institucion dhe në secilën sferë të jetës duhet t’u japim fund.
Duhet t’i kthejmë punët për së mbari në Kosovë. Është koha e fundit që shteti ynë të bëhet vend i denjë për të jetuar, me mobilitet ekonomik dhe politik që do të jetë i mundur vetëm kur sundon rendi dhe ligji dhe kur para tij të jemi të barabartë të gjithë. Dy virtyte na kanë karakterizuar në këto dekada të rënda për familjet tona: guximi dhe vendosmëria për të ndryshuar kahun e historisë tonë. Dhe ja sot falë kësaj qëndrueshmërie të pashoq jetojmë në shtetin tonë të pavarur. Sot na duhet një masë kritike, të cilën besoj thellësisht që njerëzit e mirë të këtij vendi po e ndërtojnë, vullneti i të cilës për ta çuar Kosovën në cakun e radhës do të jetë i pandalshëm.Kurrë nuk duhet të rreshtim së punuari që ta shohim këtë vizion të realizuar.
Dhe tash në fund, më lejoni që të shpreh falënderimet e mia për qytetarët e Kosovës, që më kanë frymëzuar me qëndresën dhe besimin në misionin e tyre për të ndërtuar Kosovën.
Më lejoni që nga kjo foltore të falënderoj familjen time për mbështetjen e pakursyer përgjatë gjithë mandatit. Prindërve të mi të devotshëm dhe bashkëshortit tim Astritit që ishin shtylla ime.
Dua ta falënderoj edhe stafin tim, këshilltaret e mi besnikë që dhanë gjithçka prej vetes, të cilët më ndihmuan në këtë periudhë kritike. Në punën dhe pasionin me të cilin i kryen përgjegjësitë e tyre pashë përkushtimin që qytetarët e Kosovës e kanë për vendin e tyre.Ka qenë nder dhe privilegj të jem Presidentja juaj. Ju përkulem përjetësisht!
Ju faleminderit!