• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja në ikje: Kosovës i duhet kurajë për ndryshim…

April 6, 2016 by dgreca

Jahjaga: Kosovës  i  duhet  ndryshim – dhe  kurajë,  vullneti  dhe  në  veçanti  guximi  për  ta  bërë  këtë  ndryshim  duhet  të  vijë  nga  ju.  Duhet  të  vijë  tani./

Fjalimi i Presidentes Jahjaga para studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës/

Ju  falënderoj  për  pjesëmarrjen  tuaj  në  këtë  ngjarje  sot,  me  të  cilën  njëkohësisht  përmbylli  mandatin  tim  pesë vjeçar  si  Presidente  e  Republikës  së  Kosovës.Jam  këtu  me  ju,  sepse  jam  e  bindur  që  çelësi  i  suksesit  tonë  si  shtet  dhe  ndryshimi  i  domosdoshëm  për  ta  rimëkëmbur  Kosovën  është  në  duart  tuaja.  Të  kësaj  gjenerate  të  ulur  këtu  dhe  moshatarëve  tuaj  në  qytetet  e  tjera  dhe  fshatrat  e  Kosovës  që  janë  në  kërkim  të  një  Kosove  që  përmbush  vizionin  për  të  cilin  prindërit,  e  madje  edhe  gjyshërit  tuaj,  kanë  bërë  sakrifica  të  jashtëzakonshme.Ju  e  dini  mirë  se  cilat  kanë  qenë  ato  sakrifica.  Shumë  prej  tyre  që  në  rini  të  hershme  janë  detyruar  të  braktisin  shkollën  për  shkak  të  kushteve  që  familjeve  kosovare  u  kanë  siguruar  vetëm  mbijetesë.

Shumica  e  prindërve  tuaj  kanë  braktisur  karriera  premtuese  për  t’iu  bashkangjitur  rezistencës  paqësore  në  përpjekje  mbinjerëzore  që  të  mos  nënshtrohen,  që  ta  realizojnë  lirinë  me  çdo  kusht  dhe  nën  çdo  rrethanë. Që  fëmijët  e  tyre  të  mos  e  ndajnë  të  njëjtin  fat  e  të  jetuarit  nën  represion,  të  ndrydhur,  të  pabarabartë.  Që  ata  të  mos  e  bartin  të  njëjtën  barrë  për  të  bërë  sakrifica  vetëflijuese,  por  që  më  në  fund  të  ndërprejnë  ciklin  e  padurueshëm  të  dhunës.

Një  pjesë  e  familjeve  tuaja  janë  persekutuar,  janë  dëbuar,  janë  përndjekur,  dhe  janë  vrarë  në  luftë  që  ne  sot  të  ecim  këtyre  korridoreve  të  Universitetit  të  Prishtinës,  që  të  jemi  të  lire  ta  kërkojmë  dijen  dhe  ta  hapim  mendjen  për  të  realizuar  potencialin  tonë  njerëzor.

Që  ne  sot  të  ndërtojmë  institucione  shtetërore.   Që  të  bëjmë  jetë  të  dinjitetshme.  Që  ta  ndërtojmë  Kosovën  e  qëndrueshme.Kërkoj  nga  ju  që  çdo  ditë,  derisa  niseni  për  në  ligjërata  apo  për  të  përgatitur  provimet  në  bibliotekë,  të  kujtoni  këtë  sakrificë,  sepse  vetëm  atëherë  do  ta  kuptojmë  dhe  do  ta  kemi  të  qartë  se  çfarë  çmimi  të  lartë  ka  kjo  liri  e  jonë. Aq  çmimi  të  lartë , sa  që  kurrë  lirinë  të  mos  e  kuptojmë  lehtësisht,  por  që  të  kuptojmë  që  mbi  supet  tona  kemi  një  mision  të  vlefshëm:  që  Kosovën  ta  bëjmë  vend  më  të  mirë.

Në  këto  pesë  vite,  gjatë  të  cilave  kam  pasur  nderin  dhe  privilegjin  të  jem  Presidentja  juaj,  i  kam  parë  nga  afër  disa  fytyra  të  Kosovës. E  kam  parë  një  Kosovë  ende  të  pashëruar,  thellësisht  të  trazuar  nga  plagët  e  një  represioni  të  gjatë  dhe  lufte  të  pamëshirshme.  Të  lodhur  nga  përplasjet,  të  vuajtur,  të  etur  për  drejtësi. E  kam  parë  një  shoqëri  shpesh  të  demoralizuar,  të  hutuar  se  cilat  janë  vlerat  dhe  parimet  shtyllë  mbi  të  cilat  mbështetet  shoqëria  dhe  shteti  ynë.  Të  mëdyshur  se  cilat  çështje  duhet  të  na  bashkojnë,  ku  mund  të  gjejmë  gjuhë  të  përbashkët.

Herë-herë  e  kam  parë një  Kosovë  pesimiste  që  dyshon  që  kemi  vullnet  e  forcë  që  t’i  ndërtojmë  dhe  t’i mbrojmë  idealet  që  duhet  të  na  mobilizojnë  në  ndërtim  të  shtetit  tonë,  që  të  jenë  busullë  e  veprimeve  tona  të  përveçme  dhe  të  përbashkëta  çdo  ditë.

Është  e  vërtetë  se  kam  parë  një  shoqëri  që  po  e  humb durimin  dhe  besimin  në  një  klasë  politike  të  pavëmendshme  që  mund  t’i  përfaqësojë  interesat  e  tyre  dhe  t’iu  sigurojë  një  jetë  më  të  mirë.

Fatkeqësisht  –  dhe  këtë  e  them  me  zemër  të  rënduar  –  e  kam  parë  edhe  një  Kosovë  ku  një  pjesë  e  qytetarëve  të  saj  duan  të  marrin  rrugë  të  pakthim,  të  lodhur  dhe  të  dëshpëruar  nga  premtimi  se  një  ditë  do  të  bëhet  më  mirë.Por,  gjatë  këtyre  pesë  viteve  e  kam  parë  edhe  një  Kosovë  të  jashtëzakonshme  që  jeton  thellë  në  shpirtin  e  qytetarëve  të  saj.

Një  Kosovë  në  të  cilën  me  të  vërtetë  është  më  mire  duke  ju  falënderuar  vullnetit  të  njerëzve  të  saj  për  të  ecur  përpara, për  ta  përqafuar  të  ardhmen  me  optimizëm  dhe  për  të  reflektuar  me  entuziazëm  mbi  këtë  moment  të  rrallë  historik  që  kemi  fatin  ta  jetojmë.

E  kam  parë  një  vend  të  rrethuar  nga  qytetarët  e  vet  me  dashuri  përrallore,  me  një  aurë  frymëzuese,  ku  njerëzit  jo  vetëm  që  janë  të  vendosur  të  jetojnë  por  janë  dhe  këmbëngulës  për  të  realizuar  ambicien  e  tyre  sipërmarrëse,  ku  qytetarët  solidarizohen  me njëri-tjetrin, ku e ndajnë bukën dhe kripën, të mirën e të keqen.

Të  rinj që  me  kreativitet,  pa  shumë  zhurmë,  me  dije  dhe  talent  po  i  thyejnë  kufizimet  e  vëna  pamëshirshëm  përreth  tyre.Një  shoqëri  të  pazbrapsur,  të  pathyer  në  përcaktimin  e  saj  për  t’i  përqafuar  të  gjithë.  Të  vendosur  për  të  ndërtuar,  për  t’u  rimëkëmbur,  për  të  shikuar  përpara.

Dhe  e  kam  parë  një  Kosovë  që  më  jep  më  së  shumti  shpresë.

Ngadalë  por  sigurt  po  e  shoh  të  ngrihet  dhe  të forcohet  një  shoqëri  e  gatshme  për  të  refuzuar  të  keqen  në  çdo  formë  që  ajo shfaqet: që  është  e  zëshme  ndaj  abuzimit  dhe  padrejtësisë,  që  ka  filluar  të  mos  e   toleroj  klientelizmin,  që  do  ta  refuzojë  nepotizmin,  që  do  të  jetë  e  pamëshirshme  ndaj  atyre  që  keqpërdorin  dhe  mbajnë  peng zhvillimin  e  saj.

Një  Kosovë  që  i  kupton  drejt   sfidat  që  i  ka  përpara  e  që  shtrihen  prej  konsolidimit  të  brendshëm  të  demokracisë  dhe  vendosjes  së  pakompromis  të  rendit  dhe  ligjit –  edhe  ndaj  “të  fortëve” –  e  deri  te   anëtarësimi  në  OKB-në  në  një  klimë  jashtëzakonisht  polarizuese  globale.

E  dimë  që  për  t’u  përballur  me  këto  sfida  duhet  shumë  –  shumë –  angazhim  dhe  që  kjo  Kosovë  që  e  synojmë  nuk  bëhet  brenda  natës,  sepse  problemet  tona  nuk  kërkojnë  zgjidhje  të  shpejta.

Nuk  mund  të  kemi  zgjidhje  afatshkurta  për  ekonominë  e  pazhvilluar,  për  papunësinë  e  lartë,  për  shëndetësinë  në  reanimacion  dhe  arsimimin  që  nuk  u  përgjigjet  kërkesave  të  tregut  e  të  kohës.

Kjo  është  Kosova  që  ka  gjetur  zërin  e  saj  dhe  guximin  të  kërkojë  trajtim  të  barabartë,  të  kontribuojë  me  zgjidhje  dhe  të  vazhdojë  ta  meriton  vendin  që  e  ka  fituar  në  tavolinë.

Një  vend  që  ka  filluar  ta  marrë  veten  seriozisht.  I  palëkundur  dhe  pa  dilema  për  rreshtimin  e  tij në  anën  e  drejtë  të  historisë,  i  bindur  dhe  krenar me  atë  që  përfaqëson  dhe  përjetësisht  falënderues  ndaj  Shteteve  të  Bashkuara  të  Amerikës  dhe  shteteve  aleate  evropiane  për  besimin  e  tyre  në  këtë  shoqëri  dhe  këta  njerëz  për  ta  realizuar  këtë  vizion.

Kosovës  i  duhet  ndryshim – dhe  kurajë,  vullneti  dhe  në  veçanti  guximi  për  ta  bërë  këtë  ndryshim  duhet  të  vijë  nga  ju.  Duhet  të  vijë  tani.

Para  nesh  ka  shumë  sfida  dhe  asnjëra  nuk  është  e  lehtë,  prandaj  nuk  kemi  margjinë  për  gabuar  e  as  hapësirë  për  hamendje.  Praktikave  të  shëmtuara  të  sotme  që  janë  përvjedhur  pothuaj  në  secilin  institucion  dhe  në  secilën  sferë  të  jetës  duhet  t’u  japim  fund.

Duhet  t’i  kthejmë  punët  për  së  mbari  në  Kosovë.  Është  koha  e  fundit  që  shteti  ynë  të  bëhet  vend  i  denjë  për  të  jetuar,  me  mobilitet  ekonomik  dhe  politik  që  do  të  jetë  i  mundur  vetëm  kur  sundon  rendi  dhe  ligji  dhe  kur  para  tij  të  jemi  të  barabartë  të  gjithë. Dy  virtyte  na  kanë  karakterizuar  në  këto  dekada  të  rënda  për  familjet  tona:  guximi  dhe  vendosmëria  për  të  ndryshuar  kahun  e  historisë  tonë.  Dhe  ja  sot  falë  kësaj  qëndrueshmërie  të  pashoq  jetojmë  në  shtetin  tonë  të  pavarur. Sot  na  duhet  një  masë  kritike,  të  cilën  besoj  thellësisht  që  njerëzit  e  mirë  të  këtij  vendi  po  e  ndërtojnë,  vullneti  i  të  cilës  për  ta  çuar  Kosovën  në  cakun  e  radhës  do  të  jetë  i  pandalshëm.Kurrë  nuk  duhet  të  rreshtim  së  punuari  që  ta  shohim  këtë  vizion  të  realizuar.

Dhe  tash  në  fund,  më  lejoni  që  të  shpreh  falënderimet  e  mia  për  qytetarët  e  Kosovës,  që  më  kanë  frymëzuar  me  qëndresën  dhe  besimin  në  misionin  e  tyre  për  të  ndërtuar  Kosovën.

Më lejoni që nga kjo foltore të falënderoj familjen time për mbështetjen e pakursyer përgjatë gjithë mandatit. Prindërve të mi të devotshëm dhe bashkëshortit tim Astritit që ishin shtylla ime.

Dua ta falënderoj edhe stafin tim, këshilltaret e mi besnikë që dhanë gjithçka prej vetes, të cilët më ndihmuan në këtë periudhë kritike. Në punën dhe pasionin me të cilin i kryen përgjegjësitë e tyre pashë përkushtimin që qytetarët e Kosovës e kanë për vendin e tyre.Ka qenë nder dhe privilegj të jem Presidentja juaj. Ju përkulem përjetësisht!
Ju faleminderit!

Filed Under: Editorial Tagged With: kurajë, ne ikje: Kosovës i duhet, për ndryshim ?, Presidentja e Kosoves

Presidentja e Kosovës takon Papa Françeskun

January 21, 2015 by dgreca

Papa Françesku bekon Kosovën, Jahjaga i dhuron një kristal nga Trepça/
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan në audiencë private nga Papa Françesku.
Në një njoftim të presidencës thuhet se ajo në një takim mbi 40 minutësh e njoftoi mikpritësin e saj për zhvillimet në Kosovë dhe shfaqi shpresën për njohje të pavarësisë së saj nga Vatikani, duke vlerësuar siç thuhet, rolin mbështetës të Selisë së shenjtë për Kosovën në periudhat e rënda të historisë së saj.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot, si një shtet i ri në Evropë, ka kaluar nëpër një histori të rëndë të represionit dhe të spastrimit etnik dhe se në themelet e ndërtimit të saj ajo ka sakrificën individuale dhe kolektive. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova sot është e njohur nga 108 shtete të botës, duke shfaqur shpresën se edhe Selia e Shenjtë do të vendos që ta mbështes vizionin e një Kosovë të pavarur dhe demokratike.
Presidentja Jahjaga, tha se Kosova sot është një shtet laik por gjithashtu edhe një rrëfim frymëzues i harmonisë ndërfetare dhe i barazisë ndërmjet të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Ajo tha se pas përfundimit të luftës në përpjekje për të ruajtur karakterin shumetnike dhe shumkulturor, Kosova ka garantuar të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe gjithashtu ka vazhduar ta forcojë dialogun ndërfetar, duke u mundësuar udhëheqësve të të tri besimeve të ndërtojnë marrëdhënie të ngushta ndërmjet vete.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot shënon një rrëfim suksesi të përbashkët të popullit dhe të institucioneve ë saj si dhe të bashkësisë ndërkombëtare, si një faktor i rëndësishëm i paqes e qëndrueshmërisë dhe nxitëse e fqinjësisë së mirë, duke hapur rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, për të cilën ka konsensus të plotë të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes së Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Papa Françeskun, Presidentja e Kosoves, takon

Mesazhi i Presidentes Jahjaga me rastin e Vitit të Ri 2015

December 31, 2014 by dgreca

Prishtine- E mërkurë, 31 dhjetor 2014/
Mirëmbrëma,
Kur të gjithë jemi mbledhur sonte me familjet dhe miqtë për të kremtuar këtë Natë të gjatë festive, dua t’ju uroj nga zemra – Gëzuar – shumë shëndet dhe shumë suksese; Gëzuar – me njerëzit Tuaj për një Vit të Ri, që shënon një fillim me mbarësi për gjithë shoqërinë.
Kjo është gjithmonë një kohë e shpresës, kur kremtojmë përmbylljen e një Viti dhe fillimin e një Viti tjetër, kur përmbledhim gjithë punën dhe rezultatet por kur gjithashtu shohim përpara drejt sfidave që na presin edhe si shoqëri edhe si shtet, me të cilat do të përballemi të gjithë me kurajo dhe përkushtim.
Kjo është koha kur e përmbyllim një vit që ka lënë aq shumë vështirësi, kur e kemi vënë në sprovë edhe durimin, edhe besimin, edhe shpresën tuaj për shtetin tuaj, për të cilin aq shumë kanë sakrifikuar dhe të cilin Ju e keni dashur më ndryshe. Një shtet me më shumë zhvillim dhe më shumë përparim, një shtet të demokratizuar, shtetin e të gjithë qytetarëve pa dallim. Dhe sado e gjatë të jetë rruga e reformave në shoqëri, sado të vështira dhe të dhimbshme të jenë ato, ne do t’i përballojmë me forcën, guximin dhe vullnetin tonë për ta ndërtuar shtetin e përparuar.
Është koha kur të gjithë së bashku duhet ta kthejmë besimin në vetvete dhe në shtetin që po ndërtojmë, siç kanë bërë gjenerata të tëra që kanë mbajtur gjallë shpirtin për një Kosovë ndryshe, një tokë të premtuar për qytetarët e saj, në të cilën do të gjejnë prehjen edhe familjet që për mbi 15 vjet vazhdojnë të kërkojnë më të dashurit e tyre, të zhdukur gjatë kohës së luftës.
Dhe sonte, kur të gjithë do të festojmë me familjet tona, le ta shohim një vit të ri me më shumë shpresë, me më shumë dashuri për vendin dhe më shumë punë për të sendërtuar ëndrrën e të gjithëve për Kosovën – shtetin e së drejtës dhe shtetin e të barabartëve.
Gëzuar për shumë mot!

Filed Under: Editorial Tagged With: 2015, atifete jahjaga, Presidentja e Kosoves, urim per Vitin e Ri

PRESIDENTJA E KOSOVËS KA NDERUAR VATRËN ME MEDALJEN PRESIDENCIALE TË MERITAVE

March 14, 2014 by dgreca

Të premten, 14 Mars 2014, në Konsullatën e Kosovës në New York, u organizua ceremonia e dorëzimit të Medaljes/

 Të premten me 14 Mars, në Konsullatën e Kosovës, në 42 St, avenuja e dytë, në New York, u organizua ceremonia e dorëzimit të Medaljes Presidenciale të Meritave, akorduar Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, me motivacionin ”Shoqatës Vatra në Amerikë.-Për angazhimin dhe veprimtarinë Atdhetare, për promovimin e mirëkuptimit dhe ndihmës për afirmimin e çështjes së Kosovës.”

Me këtë rast Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, dr. Gjon Buçaj i shoqëruar nag dy nënkryetarët Agim Rexhaj e Asllan Bushati dhe editori i Diellit, Dalip Greca, u pritën nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës , ambasador Bekim Sejdiu. Në takim ishte i pranishëm dhe konsulli Korab Mushkolaj.

Z. Sejdiu në fjalën e tij të mirëseradhjes në Konsullatë, tha se Vatra na ka inspiruar për veprimtari atdhetare. Pesha historike e saj, kontributi i vatranëve, shërbesat që ka kryer  Vatra për kombin, përfshi dhe çështjen e Kosovës, i japin asaj vlera të veçanta. Duke folur për lidhjet e Konsullatës me komunitetin, ambasador Sejdiu, veçoi faktin se vizitën e parë në komunitet në fillimet e shërbimit diplomatik në Amerikë, e realizoi pikërisht në Vatër.

Ai tha se ndjehej i gëzuar që po i dorëzonte Medaljen e Presidentes së Kosovës  Federatës Vatra. Kryetari i Vatrës , dr. Gjon Buçaj, e falenderoi Konsullin e Kosovës për ceremoninë e organizuar. Kryetari i Vatrës, tha se e vlerësonte shumë nderimin që i ka bërë Vatrës, Presidentja Atifete Jahjaga, duke e nderuar atë për veprimtarinë e saj Kombëtare, veçanërisht në drejtim të Kosovës. Vatra, nuk është vetëm e vatranëve, por i përket Kombit shqiptar. E vlerësojëm shumë, këtë vlerësim, tha dr. Buçaj.Më pas ai tregoi për veprimtaritë e Vatrës dhe riorganizimin e saj.

Më pas ka përshëndetur zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili pasi falenderoi ambasador Sejdiun për punën e shkëlqyer që ka bërë në komunitetin shqiptar, tregoi se në Vatër, që 30 vite të shkuara ku ai vendosi kontaktete e para me vatranët, ai vetë kishte gjetë një avokate të shkëlqyer të mbrojtjes së Kosovës. Nuk kishte demonstratë, ku Vatra të mos ishte pjesëmarrse  aktive. Dihen dhe tashmë lidhjet e ngushta të Vatrës me president Rugovën. Vatra, çështjen Kombëtare e ka parësore.

Zv. Kryetari i Vatrës z. Asllan Bushati në fjalën e tij përshëndetëse, pasi falenderoi ambasadorin Sejdiu, dhe velërsimin që i ka bërë Vatrës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, foli dhe për lidhjet dhe kontributin e tij në drejtim të Kosovës. Z. Bushati, tha se sapo ksihte ardhur në Amerikë, dha kontribut real në drejtim të luftës së Kosovës. Konkretisht ai dha kontribut në stërvitjen e vullnetarëve të Batalionit Atlantiku.

Takimi vazhdoi për dy orë dhe u diskutua çështje të ndryshme që shqetësojnë shqiptarët e Amerikës, qëndrimet e Vatrës, shqetësimet e saj për Shqipërinë dhe Kosovën, korrupsionin, mosdënimin e krimeve të komunizmit, mosintegrimin e ish të përndjekurëve, problemet e pronave, zgjidhja e çështjes çame, u debatua për rrugët e bashkëpunimit, por edhe për problemet e integrimit ndërshqiptar në rajonin e Ballkanit.(Korresp. i Diellit)

Filed Under: Komunitet Tagged With: agim Rexhaj, asllan Bushati, atifete jahjaga, Bekim Sejdiu, dalip greca, dekorate, Gjon Bucaj, Presidentja e Kosoves, Vatra

Artikujt e fundit

  • “DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM” 
  • ULQINI PRET BIJTË E VET
  • QEVERIA NË MES TË VOTËBESIMIT DHE ZGJEDHJEVE TË PARAKOHSHME PARLAMENTARE
  • NË VËMENDJE, 400 MIJË DOSJET E SPIUNËVE TË (ISH) SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST…
  • SHTETI SEKULAR DHE IDENTIETI YNË KULTUROR DHE KOMBËTAR NË RREZIK!
  • #SiSot ndërroi jetë në Selanik, pas një atentati, Hasan Prishtina
  • Përkujtim në largimin në amshim të Musine Kokalarit
  • Drejt greminës sociale?
  • 𝗡𝘂𝗸 𝗶 𝗸𝗲𝗻𝗶 𝗽𝗮𝗿𝗲 𝘁𝗲 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗮 𝘁𝗲 𝗹𝗶𝗴𝗮𝘁 𝗮𝗸𝗼𝗺𝗮…
  • 24 vite më parë, Adem Demaçi, mori detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK
  • STRATEGJIA E PUTINIT PËR TË SHMANGUR SAKSIONET EKONOMIKE DHE DËMTUAR MË TEJ EKONOMINË E EUROPËS
  • XI NDËRMJET QËNDRUESHMËRISË DHE KOMBËTARIZMIT A DO TË NDJEKË GJURMËT E PUTINIT?
  • PЁRTEJ  MJEGULLЁS  SЁ  HISTORISЁ
  • LE MATIN (1914) / JA ÇFARË MENDON KRYEMINISTRI SHQIPTAR TURHAN PASHA PËR PRINC VIDIN (INTERVISTA)
  • Princess by Gerta, markë që po rritet çdo ditë, së shpejti me qendër në Amerikë dhe Angli

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT