Të premten, 14 Mars 2014, në Konsullatën e Kosovës në New York, u organizua ceremonia e dorëzimit të Medaljes/
Të premten me 14 Mars, në Konsullatën e Kosovës, në 42 St, avenuja e dytë, në New York, u organizua ceremonia e dorëzimit të Medaljes Presidenciale të Meritave, akorduar Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, me motivacionin ”Shoqatës Vatra në Amerikë.-Për angazhimin dhe veprimtarinë Atdhetare, për promovimin e mirëkuptimit dhe ndihmës për afirmimin e çështjes së Kosovës.”
Me këtë rast Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, dr. Gjon Buçaj i shoqëruar nag dy nënkryetarët Agim Rexhaj e Asllan Bushati dhe editori i Diellit, Dalip Greca, u pritën nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës , ambasador Bekim Sejdiu. Në takim ishte i pranishëm dhe konsulli Korab Mushkolaj.
Z. Sejdiu në fjalën e tij të mirëseradhjes në Konsullatë, tha se Vatra na ka inspiruar për veprimtari atdhetare. Pesha historike e saj, kontributi i vatranëve, shërbesat që ka kryer Vatra për kombin, përfshi dhe çështjen e Kosovës, i japin asaj vlera të veçanta. Duke folur për lidhjet e Konsullatës me komunitetin, ambasador Sejdiu, veçoi faktin se vizitën e parë në komunitet në fillimet e shërbimit diplomatik në Amerikë, e realizoi pikërisht në Vatër.
Ai tha se ndjehej i gëzuar që po i dorëzonte Medaljen e Presidentes së Kosovës Federatës Vatra. Kryetari i Vatrës , dr. Gjon Buçaj, e falenderoi Konsullin e Kosovës për ceremoninë e organizuar. Kryetari i Vatrës, tha se e vlerësonte shumë nderimin që i ka bërë Vatrës, Presidentja Atifete Jahjaga, duke e nderuar atë për veprimtarinë e saj Kombëtare, veçanërisht në drejtim të Kosovës. Vatra, nuk është vetëm e vatranëve, por i përket Kombit shqiptar. E vlerësojëm shumë, këtë vlerësim, tha dr. Buçaj.Më pas ai tregoi për veprimtaritë e Vatrës dhe riorganizimin e saj.
Më pas ka përshëndetur zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili pasi falenderoi ambasador Sejdiun për punën e shkëlqyer që ka bërë në komunitetin shqiptar, tregoi se në Vatër, që 30 vite të shkuara ku ai vendosi kontaktete e para me vatranët, ai vetë kishte gjetë një avokate të shkëlqyer të mbrojtjes së Kosovës. Nuk kishte demonstratë, ku Vatra të mos ishte pjesëmarrse aktive. Dihen dhe tashmë lidhjet e ngushta të Vatrës me president Rugovën. Vatra, çështjen Kombëtare e ka parësore.
Zv. Kryetari i Vatrës z. Asllan Bushati në fjalën e tij përshëndetëse, pasi falenderoi ambasadorin Sejdiu, dhe velërsimin që i ka bërë Vatrës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, foli dhe për lidhjet dhe kontributin e tij në drejtim të Kosovës. Z. Bushati, tha se sapo ksihte ardhur në Amerikë, dha kontribut real në drejtim të luftës së Kosovës. Konkretisht ai dha kontribut në stërvitjen e vullnetarëve të Batalionit Atlantiku.
Takimi vazhdoi për dy orë dhe u diskutua çështje të ndryshme që shqetësojnë shqiptarët e Amerikës, qëndrimet e Vatrës, shqetësimet e saj për Shqipërinë dhe Kosovën, korrupsionin, mosdënimin e krimeve të komunizmit, mosintegrimin e ish të përndjekurëve, problemet e pronave, zgjidhja e çështjes çame, u debatua për rrugët e bashkëpunimit, por edhe për problemet e integrimit ndërshqiptar në rajonin e Ballkanit.(Korresp. i Diellit)