-Hapet Panairi i 20-të jubilar i librit në Prishtinë me 100 botues shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora, me rreth 1500 tituj të rinj e 5000 të tjerë, të viteve të fundit, ndërsa organizatorët presin mëse 40.000 vizitorë/
-Kryeministri Haradinaj: Ta vazhdojmë lidhjen me librin, sepse kështu do të jemi më të zot në atë çfarë bëjmë në jetë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 6 Qershor 2018/ Në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë, u hap mbrëmjen djeshme Panairi i Librit e vijon sot edicioni i 20-të, jubilar, në të cilin deri në 10 qershor prezantohen mëse 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare me rreth 1500 tituj të rinj e 5000 të tjerë, të viteve të fundit, ndërsa organizatorët presin mëse 40.000 vizitorë.
Në ceremoninë e hapjes së panairit, qe e bën Prishtinën edhe kryeqytet libri, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se, “qeveria është e vendosur që të përkrahë botimin, shpërndarjen e librit, duke bërë lehtësira në taksa, me TVSH zero, por edhe me zbatimin ligjit, i cili do ta garantojë këtë, e që do të jetë funksional në muajin shtator”.
Kryeministri e cilësoi këtë vit jubilar, duke thënë se panairi i 20-të i librit meriton porosi të çmuar nga qeveria.“Porosia ime për ju sot, për ata që shkruajnë është: ‘shkruani se dilni në dritë’”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Më tej, ai tha se si brez i lirisë ka lexuar, është frymëzuar, ka marrë nga rilindësit, nga heronjtë, patriotët, burrat e zonjat e mëdha që ka dhënë kombi ynë për qëllimin më të madh, qëllimin e lirisë.
“Mendoj se njeriu që lexon është i lirë, ka liri. Ai që lexon është vetvetja, është sovran, sepse merr vendime dhe si i tillë lexuesi është fitues çdoherë. U bëjë thirrje qytetarëve të të gjitha moshave që ta vazhdojnë lidhjen me librin, sepse kështu do të jemi më të zotë në atë çfarë bëjmë në jetë”, theksoi kryeministri Haradinaj.
Qeveria udhëhequr nga ai, me të marrë mandatin ka vendosur që të zbresë taksën e TVSH-së në zero për botuesit e librit, si nismë për të përkrahur shkrimtarët, botuesit dhe për të nxitur lexuesit për blerjen e librit.
Në hapje të panairit të librit, ku morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, tha se kjo është ngjarja më e madhe kulturore e organizuar në Kosovë, ngjarja dhe organizimi më stabil për 20 vjet rresht. Duke kujtuar vitet e vështira kur është organizuar edicioni i parë i Panairit të Librit, ai porositi të gjithë që ta mbrojnë pastërtinë e gjuhës shqipe.
Duke qenë tashmë me traditë të konsoliduar, në 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, panairi i librit në Prishtinë ketë vit do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me jubile të mëdhenj të personaliteteve të historisë e letërsisë shqiptare:550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Vitin e Skënderbeut; 300 vjetorin e lindjes së Teodor Kavaliotit; 200 vjetorin e lindjes së Zef Jubanit; 100 vjetorin e lindjes së Tajar Hatipit, Vorea Ujkos, Spiro Çomorës dhe Pashko Gjeçit.Me aktivitete gjatë panairit të librit shënohen edhe jubile të personaliteteve letrare botërore: 200 vjetori i lindjes së Turgenjevit dhe 100 vjetori i lindjes së Moris Dryonit dhe i Solzhenicinit.Para 19 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.
SHËNIM DUKE VIZITUAR SHTËPITË BOTUESE NË PANAIR
Derisa vizitojmë shtëpitë botuese pjesëmarrëse në Panairin e Librit Prishtina 2018 takojmë shumë të njohur e miq. Ndalem ca më gjatë edhe te “Çamëria”, ku botuesi e shkrimtari, Arben Kondi, nga Shqipëria, ishte bashkë me shkrimtarin e gazetarin nga Kosova, Rrustem Geci, i cili më dhuron librin ku është bashkëautor me Festim Lato, me titull “Republika e Çamërisë”. Tek bisedojmë, flasim edhe për një reportazh timin futuristik shkruar e botuar para më shumë se 20 viteve me titull “Kufiri i ëndrrës”, që do ishte nga Çamëria te Molla e Kuqe, të ribotuar këto ditë te Gazeta DIELLI, organ i VATRËS në SHBA…