Në Foto: Thanas Gjika me z. Agim Karagjozi, gjatë vizitës në shtëpinë e z. Karagjozi, Floral Park, NY/
Z. Agim Karagjozi më bëri borxhlli gjatë vitit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Kur une i kerkova sponsorizim per botimin e studimit monografik “Mihal Grameno jeta dhe vepra“, ai m’u përgjigj pa hezitim dhe më dërgoi ndihmën e tij bujare. Mbasi e botova librin ia dërgova një kopje me falenderime. Z. Karagjozi e lexoi dhe me pergezoi ne telefon. E ndjeva veten të detyruar që unë të mos mjaftohesha vetëm me falenderime telefonike, por të gjeja rastin dhe t’i bëja një vizitë respekti. Keshtu në maj-qershor të ketij viti, kur shkova ne New Yourk, i bëra një vizitë në shtëpi . I urti Agim më priti në dhomën e ndënjies, ku ai kalonte shumë orë të ditës.
Duke biseduar për Mihal Gramenon dhe Ç erçiz Topullin, më tha se i kishte pasur modele frymëzimi gjatë jetës së tij. Pastaj vijoi të më tregonte për jetën e tij të fëmijërisë e më vonë për punën kushtuar mbarëvajtejes së Shoqerise Vatra. Kur e degjoja që fliste me entusiazem vetëm e vetëm për atdheun me një pamje prej rilindasi, mendova se Vatra kishte fat qe kishte pasur e ka në drejtim te saj këtë atdhetar modest e të përkushtuar. Mbasi e dëgjova disa momente, guxova dhe i thashë se duhej të shkruante kujtimet e jetës së tij, por ai m’u pergjigj me thjeshtësinë e tij karakteristike: Unë nuk jam ndonjë personalitet i spikatur historik, jeta ime është e dokumentuar në veprimtarinë e Vatrës, kujt t’i interesoje kjo veprimtari ka për të mësuar dhe për jetën e veprimtarinë time.
Disa minuta pas qirasjeve qe na bëri zonja e tij, u largova per te mos e lodhur më gjatë këtë rilindës të ditëve tona. Sipas zakonit shqiptar, z. Agim u ngrit e më përcolli tek porta e shtëpisë. Me këtë rast, iu luta nipit tim, studentit Gjergj Bimbli, i cili me shpuri per vizite me makinen e tij, të më bënte këtë foto, e cila për mua ka vlera e emocione të vecanta. U ndamë me urimin që të shihemi e të takoheshim sërisht.
Z. Agim, ju uroj me gjithë zemër që të bëheni mirë dhe të takohemi përsëri, sepse një takim me ju, një bisedë me ju, ma forcon vendosmërinë për të punuar për të mirën e atdheut dhe të popullit tonë.(Thanas Gjika)