NGA MUSTAFA KRUJA/
- Nuk âsht e nevojshme me vûe në dukje se çâshtja shqiptare âsht sot, jo vetëm në themel, por pothuej në të gjitha hollësitë e saj, e një karakteri naltësisht ndërkombëtar e përbâhet nga elementët e mâposhtëm :
- a) Nji popull me natyrë skajshmënisht individualiste e shumë i lidhun me traditat e veta. Nji popull qi, rrethana krejtësisht të pavaruna nga vullneti i vet, e kanë lânë jashtë gjithë pjesës tjetër të botës, e qi, përsa i përket qênies së tij të mbrendëshme, gjindet tânësisht i braktisun në fatin e vet, i detyruem me punue si nji kope skllevnish, pa asnji kriter shkencor e shoqnor, pa mjete të mjaftueshme të teknikës bahkëkohore, pra me nji rendiment shumë të pakët, pa mujtë me pasë për veten e familjen as frutin e punës së vet. Shkurt, nji popull pa mjetet e domosdoshme të ekzistencës e të dinjitetit njerëzor, qi jeton në mjerimin mâ të zi, qi vuen urinë në terror e në pasigurinë e të nesërmes së vet, qi tretet nga sëmundjet ngjitëse, pa pasë mundësi me u pruejtë e me u shëndoshë.
- b) Nji regjim i pak aventurierësh kriminelë pa skrupuj, vasalë të Rusisë Sovjetike, të gatshëm me i shërbye pa kushte në gjithshka ajo do të kishte nevojë për ta e për Shqipninë.
- c) Nji Jugosllaví komuniste në tre të katërtat e kufîjvet tokësorë të Vêndit, qi kërcnon pavarësinë e tij.
- d) Nji Greqí në jugë qi ngul kâmbë në përshpagimet e veta absurde tokësore në dâm të Shqipnís, në rrezik me u shpallun nji ditë të bukur trashigimtare e ligjshme e gjithë perëndorisë bizantine.
- e) Në bregun tjetër të detit nji Italí e re qi, pavarësisht nga disa çaste të dhimbëshme të historisë së vonë në marredhâniet me Shqipnín, ka ndihmue, nëpërmjet përfaqësuesish të saj edhe zyrtarë, me ringjallë tek populli shqiptar shpresën dhe miqësinë e vjetër e tradicionale.
- f) Anglía qi, megjithë traditën e lavdishme në të mirë të lirisë së popujve ballkanikë, në disa qarqe të saj politike, nuk duket krejt e paprekun nga prirja me i lëshue pé disa kombinimeve në dâm të pavarësisë shqiptare e me përkrahë mëtime të papranueshme tokësore o të tjera në të mirë të ndonji kanakari të vet.
- g) Shtetet e Bashkueme t’Amerikës qi, në lâmshin e pamatun të problemeve të mëdha e jetike botnore, me gjasë nuk i japin rândësín e duhun çâshtjes shqiptare e lêhen me u drejtue.
- h) B.R.S.S. të cilit, objektivisht në fund të fundit, nuk mund të mos i njohim edhe nji pjesë pozitive, drejtpërdrejtë apo tërthoraz së paku deri tashti në Shqipní, në dobi të tânsísë tokësore të këtij Vêndi, natyrisht edhe për leverdinë e tij diplomatike, politike e ideologjike.
- i) Së fundi në mërgim âsht Mbreti i ligjshëm i shqiptarëve e të tjerë t’arratisun antikomunistë, të ndamë në partí e grupe politike e të shpërndamë në Shtete të ndryshme demokratike të botës perëndimore, përveç nji numuri të mirë të pritun në Jugosllavinë titoiste e, pak a shumë, të mbikqyrun në kampet e përqëndrimit mbas prishjes me Tiranën.
Keta janë elementët përbâmës të çâshtjes shqiptare në ditë të sodit. Të shohim tashti si mund të gjindet mënyra mâ e mirë me i shestue këta elementë, për me mbërrîmë në nji zgjidhje qi, krah interesave qenësore të kombit shqiptar, të mund të përkojnë edhe interesat shumë a pak të ligjëshme të të tjerëve, për me hŷ në kuadrin e mundësive praktike.
- Nëse çâshtja shqiptare do të qindronte thjesht në nji punë të mbrêndshme të regjimit, populli vetë prej kohësh do t’a kishtë zgjidhë në kah demokratik perëndimor. Por populli shqiptar, megjithë disa paraqitje rrenacake, ka nji ndërgjegje të thellë kombëtare, të shprehun në lidhjen e lindun e të fortë me ndjenjën e racës e në nji gjykim të mprehtë politik. Jo vetëm Mbreti vetë e krenët intelektualë që ndîejnë, përtej dashunisë për atdheun, edhe përgjegjësinë morale të veprimeve të tyne për fatet e Vêndit, nuk nxisin nji revolucion të parakohshëm e të rrezikshëm, por edhe vetë populli ndîen se kushtet e jashtme, të pranishme akoma, pra, qëllimet e dukshme të fqîjve të afërt kundrejt tij, paragjykojnë çdo lëvizje serioze kryengritëse. Ka lajme të sigurta se shumica e oficerëve dhe pothuaj të gjithë ushtarët do t’ishin të gatshëm me u ngritë kundër regjimit komunist, nëse nuk do të përmbaheshin nga frika me vûe në rrezik sovranitetin, tânsinë, madje vetë ekzistencën e Vêndit.
- Duke qênë këta gjymtyrët themelorë të çâshtjes i duket Mbretit se Fuqitë e jashtëme të interesueme, fatkeqësisht, janë ende larg të kuptuemit në thellsí të së vërtetës së shprehun në pikën e mâparshme, ose se ata nuk janë ende të binduna, nga pikpamja e tyne, se ka mbërrîtun çasti ose âsht afër për nji veprim vendimtar në Shqipní, edhe se nga ana tjetër, populli i vogël shqiptar vuen nji agoní të ngadalshme.
Sa i përket tânsísë toksore, Mbreti mêndon se qeveria e sotme e Athinës nuk duhet t’a bâjë veshin shurdh ndaj këshillës së Anglo – Amerikanëve, me pranue nji herë e mirë të drejtën e kombit shqiptar mbi Epirin e Veriut, të sanksionueme në mënyrë të përsëritun, nga vêndime ndërkombëtare e të njohuna nga vetë Greqia si përfundimisht të vlefshme për gjithë kohën e regjimeve të ndryshme kombëtare në Shqipní, me të cilët qeveria greke ka qênë në marredhânie të rregullta diplomatike. Nji akt i tillë nga ana greke do të ndreqte shumë gjâna të dobishme për vetë Greqínë, veç asaj të Shqipnís, sepse do t’i hapte rrugët nji marrëveshjeje të përzêmërt dhe nji bashkëpunimi mes Shtetesh të nji zone kompakte të Mesdheut, me Italín në krye, dhe në kuadrin e madh të politikës së Fuqive perëndimore të udhëhequn nga Anglo-saksonët. Nga ana tjetër edhe Tito nuk do t’ishte i pakënaqun nga heqja dorë e grekvet nga pretendimet mbi nji pjesë të territorit shqiptar. Kurrë Jugosllavia nuk do të pranonte nji shkelje të tânsís toksore të Shqipnís nga ana e Greqís, veçse me kusht me pasë ajo vetë pjesën e luanit, me fjalë të tjera ndâmjen e Shqipnís. Por dihet, e shqiptarët janë absolutisht të bindun qi, n’atë rast jo vetëm ekzistenca e tyne kombtare, por edhe nji interes themelor i kombit italian do të ishte njëkohsisht në lojë. Prandej Italia do të vênte në peshore të gjitha mjetet në dispozicion për me asgjësue nji mundsí të tillë të përbindëshme. Nga ana tjetër, cilat do qofshin kërkesat e lojnave diplomatike, të trasha e të rrezikshme, vështirësisht opinioni publik i botës perëndimore do të mund të kapërdinte asgjësimin e thjeshtë të nji Shteti sovran, edhe se të vogël e, për fat të keq të tij pjesëmarrës në sferën kundërshtare, aq mâ tepër se, mjafton me e dashtë, janë të gjitha mundësít për me e shkëputë nga ajo sferë. E gjithë kjo pa mbajtë para sŷsh reaksionin e Rusís.
Mbetet me u shqyrtue i fundit dhe mâ aktuali nga vështrimet diplomatike të çâshtjes shqiptare, ai i nji dore të lirë Titos për nji depërtim politik e ideologjik në Shqipní, si nji shpërblim për me e shtye me pranue dorëzimin Italís të Territorit të lirë të Triestes. Në këtë mënyrë do të kërkohej me bâ me besue të gjithëve, sikur të ishte me të vërtetë ky plan, që rezervat e pambarueshme të nji diplomacije të hollë janë t’afta me zgjidhë problemet mâ të ndërlikueme e mâ të brishta ndërkombëtare me kënaqësín e të gjithë të interesuemve : Shqipnía e shpëtueme nga nji regjim terrorist e uriprûes, Italia e kënaqun nga rimarrja e Territorit të Lirë të Triestes, përfshî edhe zonën B, vetëm Greqia e flîjueme, ndoshta për me qênë e shpërblyeme pale se si e ku, sepse me depërtimin titoist në Shqipní ajo as nuk do të mund të ândrronte Epirin e Veriut, madje do të fillonte t’ândrronte historinë e Stefan Dushanit. Mirë, por përsa i përket shqiptarëve, askush nuk mund të rrêhet se ata do të mbeteshin të paguem nga nji hollësí e tillë diplomatike. Në të kundërt çdo atdhetar shqiptar do t’a quente Vêndin e vet viktimë të nji sajese pazaresh të shitun Jugosllavisë ; i vetmi ndryshim qi do të shifshin shqiptarët ndërmjet kësaj zgjidhjeje e nji ndamjeje të thjeshtë të truellit të tyne të shênjtë, do t’ishte ai i të gjêndunit së bashku të gjithë, përfshî edhe Kosovën, nën nji zotnim të vetëm të huej. Sa i përket Italís, merret me mênd se qeveritarët e saj nuk do të mundnin e nuk do të duhej kurrë me pa në zonën B të Territorit të Lirë të Triestes, qi u takon me të drejtë etnike e historike, shpërblimin në shkëmbim të nji humbjeje të përsosun trifishe : humbje përfundimtare e të gjitha pozitave të saj në gjysishullin ballkanik deri në nji kthesë të favorshme historike, gjithmonë problematike, nji zmadhim i Jugosllavís, Vlona e Sazani në dorë të kësaj rivaleje. Prandej Mbreti âsht i bindun se cilat do qofshin trysnitë për me e shtŷ me pranue nji sistemim të tillë me Jugosllavinë, ajo do të dinte me qindrue e populli shqiptar do t’i ishte mirënjohës. Ka qênë pikërisht kjo bindje e tij qi e ka shtye Mbretin të mos i drejtohet me nji thirrje Kontit Sforca, ajo qi Qeveria italiane vetvetiu do t’ bânte të vetën çâshtjen shqiptare. Megjithatë Mbreti nuk ka mshehun shqetësimin e tij mbi këtê argument, në bisedat e rastit me ndonji personazh amerikan dhe âsht qetësue.
Do t’ishte me të vërtetë çudí qi Tito don me mbyllë sŷtë para dobive qi, në gjêndjen e sotme, do të kishte nga nji Shqipní e lirë e neutrale në vênd të asaj tepër anmiqsore të së sotmes. Po Fuqitë e Mëdha Perëndimore nuk duen apo nuk dijnë me i a tregue këto dobí ? Apo ndoshta Tito ka arsyet e tij të mira – por të pazbulueshme – arsye për me mbyllë sŷtë edhe para nji qartësie të tillë ?
4) Pra shkurt, Mbreti mêndon se në çastin në të cilin Shtetet e Bashkueme t’Amerikës dhe Britania e madhe do të vêndojshin me i dhânë shqiptarëve nji siguri të mjaftueshme për pavarësín dhe tânsín toksore të atdheut të tyne, ai vetë, në bashkëpunim me elementët mâ të spikatun të mërgimit dhe me kryetarët e grupeve do të merrte detyrën me pregatitë e me i paraqitë këtyne Fuqivet nji plan të hollësishëm veprimi e do t’ishte gati, me miratimin e tyne, me vue në zbatim me sigurinë mâ të gjânë të suksesit.
5) Fuqitë perëndimore, deri në këto çaste, janë kufizue me çue në Shqipní ndonji grup t’arratisunish për misione të vogla informimi, në shumicën e rasteve të pregatituna keq, të drejtueme keq, prandej, fatkeqësisht, të flîjuem kot. Jo vetëm aq, por kanë shkaktue viktima të tjera, kanë alarmue regjimin tue e shtye me forcue mbikqyrjen e me rritë terrorin, pa asnji dobi për çâshtjen kombtare. Popullsia shqiptare, për natyrë e mbi të gjitha për përvojën shumë të hidhun që ka pasë e ka akoma, nuk dishron me pa në skenën kombëtare personazhe t’improvizuem. Sot në Shqipní nuk mund të veprohet me sukses veçse n’emën të nji bashkimi kombtar qi do të përfaqësonte të gjitha forcat e gjalla mbrênda e jashtë e njerëz të njohun qi frymëzojnë besim në vênd për autoritetin e tyne moral, prestigjin, urtínë dhe shpirtin e maturísë. Kjo cilësí e fundit ka nji rândsí të veçantë për popullsitë shqiptare qi nuk kanë dashun kurrë ekstremizmat e asnji lloji, për mâ tepër mbas mësimit të tmerrshëm të ekstremizmit komunist.
6) Âsht krijue, nga disa oficerë anglo – amerikanë, nji komitet i çlirimit shqiptar, pa mbajtë para sŷsh asnji realitet shqiptar, as politik, as psikologjik e as praktik. Nji komitet qi ka ndezë mâ shumë mosmarrëveshjet ndërmjet shqiptarëve, në vênd qi t’i bashkonte ata. Mbretit i janë bâ shumë premtime për me ndreqë këtë gabim, por deri tashti nuk âsht bâ kurrgjâ.
Shënim:
Kjo përkujtesë mjaftohet me nji analizë të shkurtën të çâshtjes shqiptare, krejtësisht nga pikpamja shqiptare. Nuk âsht jashtë teme fakti qi ceket edhe nji aspekt i asaj çâshtje në vështrimin mâ shumë t’interesit të përgjithshëm se atij kombëtar. Duem të prekim tërthorazi rândsínë qi paraqet pozita gjeografike e Shqipnisë për Rusinë sovjetike, si nji Vênd bregdetar në detin Adriatik, ose në Mesdhe, aktualisht e vetmja dritare e tij në këtë qêndër jetike të komunikacioneve për Fuqitë perëndimore, që me bazën e Vlonës mund të bâhej, në rast të nji konflikti, së paku, një strehë e mrekullueshme e nëndetseve. Rusia nuk ka vazhdimësí komunikimi tokësor me Shqipnín, por kjo nuk pakson rândsîn e madhe për tê.
[1] Dokumenti është në dorëshkrim me maqinë shkrimi, i shkruar në gjuhën italishte dhe i vënë në dispozicion të Mbretit Zog për veprimtarinë e tij ndërkombëtare. Nuk ka datë por duhet të jetë i viteve të para 50, kur autori jetonte në Aleksandrí t’Egjyptit pranë Mbretit . E përktheu Eugjen Merlika duke u munduar të ruajë gjuhën e Autorit.
Ermal Gjoni says
Perse nuk e botove komentin qedergova dje.
dgreca says
Po pse i ndryshon perhere pseudonimet?
Ermal Gjoni says
Nuk ka rendesi pseudonimi, ky eshte emri i vertete, rendesi ka qe ju glorifikoni figura qe jane tradhetare te kombit Shqipetare. Kjo lloj historie e ka trullosur kombin Shqipetare, “tradhetaret gdhihen ne mengjes heronj dhe heronjte tradhetare”. Ju gazetaret keni nje detyre patrotike, per informimin dhe emancipimin e kombit, por jo me shkrime te tilla. Historia duhet shkruar sic ka qene dhe jo me shtremberime, e per me shume duke i sherbyer nje klase politike plot mellefe me servilizem. Lexoje dhe nje here shkrimtarin dhe demokratin Petro Markon ne librin e tij atobiografik dhe do te gjesh elemente shqipetaresh qe i kishin sherbyer fashizmit dhe mbas clirimit i gjeje komunista ne zyrat e redaksise se gazetes “Bashkimi” e plote historira te tjera qe i kalojne kufijte e humorit te hidhur. Pra i nderuar Greca ruaj karakterin tend dhe mos shkruaj gjera te tilla per pak dollar.
Ermali
OH, US