*Fjala e drejtorit të Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, Uran Butka, gjatë promovimit te vëllimit 8 të veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit.
Të nderuar pjesëmarrës, ju falënderoj dhe ju vlerësoj të gjithëve, intelektualë, mëtues të kulturës dhe veçanërisht të librit, por që në ngushtësi të kohës, po përshëndes të ftuarit nga Kosova, akademikun e shquar Rexhep Ismajlin, dramaturgun Ekrem Kryeziu dhe shkrimtaren Resmie Kryeziu, që na nderuan në këtë përurim të veçantë, si edhe deputetin Agron Shehaj, sponsor i veprës së Midhat Frashërit.
Instituti i Studimeve Historike Lumo Skëndo përuron sot vellimin 8 të veprës së Midhat Frashërit, që kulmon në këtë botim me veprimtaritë si diplomati më i madh kombit tonë dhe si një albanolog dhe antropolog i spikatur, por i panjohur.
Do të kumtoj, si hyrje, vetëm disa sentenca të nxjerra nga vëllimi i tetë:
Shqiptarizma a s`është sinonim me kultin, me adhurimin e Shqipërisë, me naltësimin e çdo gjëje që i përket kësaj Shqipërisë sonë? E mira, e dobishmja, bukuria, nderimi, frymëzimi i çdo therrorie për këtë Shqipëri, a s`do të jetë kurdoherë dhe tekdo ideali i idealeve tona, kandili i udhës sonë?
Nuk mund të flitet për liri aty ku rrahjet me shkop marrin karakterin e një riti. (
Çështja ka një rëndësi fort të madhe dhe mbase munt që të shkakëtojë zbrazjen dhe shkretimin e Kosovës, duke shtënë në rrezik dhe rrojtjen e Shqipërisë, në qoftë se nuk merrenë masa serioze që tani.
Në vend te lirisë, turmat preferojnë barazinë në robëri.
Shqiptari s`është akoma mësuar të lexojë, të ndjejë nevojën e ushqimit të trurit, të kërkojë ide të reja, të ketë uri (një uri më të fortë se ajo fizike, mëse të panginjshme) për njohje dhe dije. Kjo ësht`e meta e atij që duhet ta marrë, ta konsumojë lëndën e shtypur. Nga ana tjetër, e meta i takon edhe kësaj literature, që s`ka ditur edhe kjo të jetë e kandshme dhe e dobishme.
Nga gjithë ç’kanë lënë prindërit dhe gjyshërit tanë, m’e vlejtur dhe m’e dashur për ne është gjuha që flasim. Kjo gjuh’ është shënj’e gjallërisë dhe e rrojtjes sënë, kjo gjuh’ është shpirti dhe zëmra jonë. Po gjuha fuqinë dhe rrojtjen e saj e gjen në bukuri të saj: një gjuh’e shëmtuar dhe e pa stolisur ësht’e vdekur. Gjuha është një qint herë më grua se gruaja më e stolisur.
“Fjalët dhe frazat e gjuhës janë kufoma pa jetë. Stili u jep shpirt. Ky shpirt që vëmë në stil, është uni”
Jam sigur se në qoftë që nuk mejtohemi sot për shëndetin e popullit dhe për të shpëtuar djemt’e vegjël nga vdekja, po qe që s’bëmë shoqëri për të mësuar të punojnë çupat dhe gratë, jam fare sigur, them, se nesër ne ose djemtë tanë do të venë dhe lypin në dyert e kafeneve ose të mejhaneve, ose do të lajnë tabakatë e botës. Më mirë, pra, të mejtohemi pak sot.
Është nevojë e madhe të çelim një dritare dhe një rrugë të re për ambicionin dhe madhërinë e shqiptarit. Është koha, më duket, të themelohet një aristokraci e vërtetë, ajo e vlerës, sipas shërbimeve të çdo njeriu, sipas mendjes dhe punës së ti. Të mos e kërkojë më njeriu nderin dhe madhërinë me verbëri, me thikë ose me farmak në dorë, po ta kërkojë nga puna, djersa, talenti, mendja dhe vullneti i tij, një nder dhe madhëri mbi themel të vërtetë e të shëndoshë, për fitim dhe dobi të njerëzisë. Të mësohen shqiptarëttë kërkojnë famën në punë, te puna pjellore dhe ftimtare, e qetë dhe pa gjëmë, pa tym, pa pluhur, pa thirrje e pa çjerrje, që ka dobi për punonjësin vetë dhe për botën. Të shohë se njeriu ka më tepër vlerë dhe është fort m’i dobishëm, kur është një shkrimtar i mirë, një poet i mençur, një mendimtar i thellë, sesa duke qenë një funksionar i madh ose një fitonjës të hollash me çdo mënyrë që të jetë, të ndershme a të turpshme. Është nevojë e madhe të çelim një dritare dhe një rrugë të re.
Nuk mund të mohohet se në shumë rasje fuqitë shqiptare, aspiratat individuale edhe pasionet personale, kanë pasur një force largonjëse nga qendra, një forcë “centrifuge”. Duhet, pra, që ajo forcë, në qoftë e mundur duke u shtuar edhe më tepër, të transformohet në një fuqi që mblidhet drejt qendrës dhe të hyjë në një veprimtari të dobishme dhe prodhimtare. Ujërat, rrëketë, përrenjtë duhen kanalizuar drejt mullirit të math që i thonë jetë kombëtare dhe shtetnore dhe jo të lihen që të largohen nga mulliri dhe të mbetet thatë korita. Në qoftë se i vemë re jetës sonë historike, gjithë fatkeqsia jonë ka ardhur, jo nga mungesa e forcave, por nga shpërndarja e këtyre fuqive dhe nga të bërët shkatërrimtarë.
Vendi që kam nderin të përfaqësoj u ka dhënë pakicave etnike që jetojnë brenda kufijve të tij të gjitha të drejtat fetare, kulturore, civile dhe qytetare. Në këtë aspekt, Shqipëria është shteti më liberal në pjesën juglindore të Evropës.
Nga një letër dashurie:
“Siç e di, dashuria as që komandohet; dhe në të dua, këtë e bëj për veten time, nga një hov i papërmbajtshëm i krejt qenies sime; dhe nuk do desha aspak që ti të më duash mua. Dashuria nuk lypet”.
Për Midhat Frashërin si albanolog, do të kumtojë personaliteti i shquar i kulturës shqiptare, gjuhëtari i mirënjohur, shkencëtari dhe akademiku Rexhep Ismajli, me dhjetra vepra të botuara, mes tyre edhe vepra e plotë e Selman Rizës, me dhjetra e dhjetra hulumtime dhe studime në revista shkencore shqiptare e të huaja për diturinë e shqipes, gjuhën dhe letërsinë si dhe përkthime të rëndësishme.