Nga Uran Butka/
Me Uran Kostrecin jemi njohur në fillim të vitit 1991, kur ai vinte nga Elbasani, ku banonte mbasi kishte dalë nga burgu, për në Tiranë, ku e kishte selinë Shoqata e të Përndjekurve Politikë. Mandej, kur u themelua gazeta “Liria”, organ i kësaj shoqate dhe ai u caktua kryeredaktor i parë i saj, bashkëpunimi dhe miqësia jonë u shtua.
Ai është një njeri krejt i veçantë. Profilin e tij, sidomos sjelljen, ia ka theksuar më së shumti jeta në burg, ku njeriu ose shkatërrohej krejtësisht, ose dilte më i fortë e më i mënçur- siç ndodhi me Uranin.U dënua për tentative arratisjeje dhe, natyrisht, sepse ishte i biri i Fuat Kostrecit, nacionalist dhe antikomunist nga Kostreci i Dangëllisë, i burgosur politik edhe ai me akuzën e rreme se gjoja bënte pjesë në një grup armiqësor. Në burgun e Burrelit ai pati fatin të njihte personalitete të shquara si Engjëll Çobën, i cili idha mësime italishteje dhe e kalli në botën poetike të Dante Aligierit; Koço Tasin, që i dha mësime filozofie, Kudret Kokoshin, nacionalist dhe poet, Dom Nikollë Mazrekun e të tjerë, nga të cilët mësoi ato vlera e njohuri, që regjimi ia kishte ndaluar.
Kohën më të gjatë në burg e kalonte në vetmi në birucë, nga që dënohej vijimisht nga komanda për mosbindje.
Një herë burgun e Burrelit e vizitoi një titullar i Ministrisë së Brendshme. Me këtë rast i mblodhën të burgosurit që të dëgjonin. Ai ishte minoritar grek dhe nuk e fliste mirë shqipen. Shpesh përmendte emrat “Skipëri” dhe “skipëtar” në fjalën e tij. Kur mbaroi, drejtori i burgut tha: “A ka ndonjë pyetje?”. U ngrit Urani më këmbë dhe foli kështu: “Faleminderit që na lejoni të bëjmë ndonjë pyetje. Unë kam lexuar mjaft dhe kam bërë, fatmirësisht, ca vite shkollë, po emrat “Skipëri” dhe “Skipëtar” nuk i kam dëgjuar. Dhe nuk e di ku bien. A mund të na i thoni se në ç’anë bien?!”
Mbledhja u mbyll dhe Urani përfundoi 15 ditë në birucë për tallje ndaj të deleguarit.
Një herë tjetër, shkoi në burg një i deleguar tjetër nga Ministria e Brendshme, por më i nxënë, tip intelektuali. Ai foli për politikën e jashtme të RPS të Shqipërisë, ndërkohë që dënoi agresionin dhe ndërhyrjen ushtarake brutale të Brezhnjevit e të ushtrisë sovjetike në një vend sovran si Çekosllovakia, e cila donte të shkëputej nga kampi revizionist. Ndërkohë, tha, që Shqipëria ështe larguar me të drejtë dhe largpamësi nga Traktati i Varshavës, përndryshe mund të bëhej edhe ajo prejë e një agresioni të tillë, por që natyrisht, do të merrte përgjigjen dhe goditjen e merituar, se Shqipëria është shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut dhe çdo agresor do të thyejë kokën atje, tha i deleguari. Në përfundim të ligjerimit, i deleguari i kënaqur pyeti nëse kishte ndonjë gjë të paqartë.
– Jam në një mendje me zotërinë tuaj, që mësymja kundër Çekosllovakisë është një agresion i pastër kundër një vendi sovran dhe bëri mirë qeveria jonë që e denoncoi, – tha Urani. – Po përse nuk e bëri qeveria jonë këtë denoncim edhe në vitin 1956, kur ushtria sovjetike e pushtoi dhe e përgjaku Hungarinë?
– Nuk ka lidhje. Janë dy gjëra të ndryshme, – tha i deleguari dhe u err në fytyrë. Po Urani vazhdoi.
– Janë të ngjashme si dy pika uji, por qëndrimi juaj është i ndryshëm.
– Mendimi yt është i ndryshëm, – u hakërrua i deleguari dhe e mbylli mbledhjen.
Këtë herë Uranin e lidhën, e torturuan dhe e hodhën rrëshqanthi në një birucë me ujë.
Kjo i ndodhte shpesh Uranit përgjatë 20 vjetëve që vuajti në burg, madje s’kishte muaj që të mos dënohej për kundërshtim të urdhrave të eprorëve, apo për pyetje provokuese. Gradualisht ai u kthye në një rebel, që ndihej mirë vetëm kur ironizonte apo kundërshtonte urdhrat e padrejta dhe fyerjet e dhunimet që u bëheshin të burgosurve.
Gjithsesi, në heshtjen dhe vetminë e qelisë, Urani i pranguar dhe i dhunuar, zbuloi alter-egon e tij dhe nisi të hahej me të. Ajo ishte një qenie e brishtë, e ndieshme, poetike, ndryshe nga dukja e ashpër, e palëkundur, rebele e Uranit. Ai kishte brenda poetin, që jetonte në një botë ideale dhe që e bënte edhe zhguallin e tij fizik të mbijetonte.
Poeti krijonte në mendje, ndonjëherë edhe në ndonjë copëz letër, sonetet lirike, mandej edhe poemën “Epopeja e karkalecave (komunistëve). Dhe, kur disa nga ato ia sekuestruan gardianët, ai u tha “I kam në mendje”. Edhe për këtë përgjigje u dënua sërish dhe u mbyll në birucë, sepse i paskësh pasur mendimet dhe vargjet e fshehura në mendje!
Mirëpo, ndonjë herë kur shpirti poetik prekte realitetin e dhimbshëm, torturat dhe poshtërimet e burgut, atëherë jeta s’kishte më kuptim dhe vihej në pyetje ekzistenca e saj. Përse duhet të jetonte? Kështu, një çast ai iu drejtua telave me gjemba, që ngriheshin mbi muret e burgut, jo për t’i kapërcyer e për t’u arratisur, por për të prekur fundin e tij. Zgjati duart drejt telave, dëgjoi thirrjet e rojave: “Ndal! Ndal!”, mandej krismat e automatikëve dhe vërshëllimat e plumbave, që i shpuan xhupin, nga i cili dolën fllucka pambuku të zi. Një plumb e fshiku mbi ballë dhe e përgjaku. Mandej duart e rojeve që e zaptuan, e goditën dhe e tërhoqën zvarrë deri në birucë, ku e kishte vendin dhe hodhën atje si një kufomë. Dhe kur trupi i tij nuk ndiente më, kishte vdekur, shpirti i poetit gjallonte, gëlonte nga dëshira për jetën, gëzonte që kishte mbetur gjallë, ndonëse për një çast dëshpërimi kishte kërkuar mortjen. Dashuria instiktive për jetën, sido që të ishte ajo!
E kini vënë re që Uran Kostreci mban mbi krye vazhdimisht një kapele republike? Ai nuk e heq kurrë, veçse kur fle, gjithnjë i vetmuar dhe i heshtur, si në burg, ndonëse tashmë i lirë. Ai e mban kapelën në kokë, që të mos i duket shenja e plumbit mbi ballë, që të mos duket si hero apo si viktimë, por si një njeri i zakonshëm, ndonëse përbrenda – poet i pazakonshëm.*Nxjerrë nga libri “Kujtime” të Uran Butkës
te vjen keq qe shume vet kane vajtur kot ne burg.ka ndodhur dhe ne shume vende te tjera te botes bile jane denuar dhe me vdekje ne kohe q kane qene te pa fajshem.si i pa fajshem i permenduri nuk duhej te rebelohej por brenda ne burg ka rene ne dore te ndonje te fajeshmi dhe eshte manipuluar.per ta shtyre ne vet vrasje.e pa pranueshme.