LEGJENDE- Nga Naum PRIFTI/
Më së fundi edhe Dielli u fejua. Lajmi i bujshëm u përhap me shpejtësi tejembanë, sepse njerëzit prej vitesh kishin pritur të të mësonin se cilën vajzë do të merrte djali më i pashëm i botës. Kur mësuan se e fejuara qe Hëna, të gjithë e pranuan se çift më i zgjedhur as që mund të gjendej në faqe të dheut. Prindërit e Diellit kishin thënë se do të bënin një dasmë aq të madhe për djalin e tyre të vetëm, sa nuk ishte parë në ato anë. Njerëzit domosdo u gëzuan, se plastë ai q nuk do të shkojë në dasmë. Mgado e kudo nuk flitej veçse për dasmën, sidomos të rinjve nuk po u pritej sa të vinte ajo ditë që të dëfrenin, të hanin e të pinin, të këndonin e të vallzonin sa t’u mbanin gjunjët. Vetëm një plak, nën hijen e një rrapi, ndërsa fshinte djersët me shami, nisi të bubutinte me ton profeti:
“Të marrë janë ata që i gëzohen kësaj martese dhe së keqes që do të sjellë!”
Mos qe dehur basho Nini, apo i kishte rrjedhur mendja nga pleqëria?
-Basho Nini qënke currufjasur ose nuk të mbajnë më këllqet, derisa as dasmat nuk të gëzojnë, – e qortoi një i ri.
-Dasmat më pëlqejnë, kurse kjo martesë jo, – ia ktheu ai.
-Njëri Diell e tjetra Hënë a mund të gjendet lidhje bashkëshortore më e spikatur?
-Mirëpo a keni menduar ndonjëherë ju rinia se ç’fëmijë do të dalin nga ky çift?
-Dihet mirëfilli, diej të tjerë, – iu përgjegj një nga të rinjtë.
-He-he-he! Po ja aty e ka të keqen kjo martesë. Tani vetëm një Diell kemi dhe mezi e durojmë, se na shkojn djersët palë-palë, – vërejti ai, – pa mendoni pak, çdo të bëhet pas disa vitesh kur në qiell të jenë nja pesë a gjashtë diej që të sillen mbi kokë gjithë ditën e ditës? A ka njeri që ta durojë atë zheg e përvëlim? Do të shkrihemi si dylli, nuk do të dijmë ku të fusim kokën… do zhuritemi krejt.
Vetëm ta përfytyrosh qiellin me katër a pesë diej, në çdo cep të tij, të zenë dridhmat kur e mendon. Mënxyrë e vërtetë! Si qe e mundur t’i gëzoheshin asaj martese? Sa të trashë pakeshin qenë! Të argëtoheshin një mbrëmje dhe pastaj të vuanin gjithë jetën? Jo. Dielli nuk duhej të martohej kurrsesi! Ajo fejesë duhej prishur sa më shpejt.
Që atë mbrëmje shkuan te Nëna e Diellit dhe i thanë se nusja e tyre qe arabatkë e dorëshpuar, se fustanet i vishte vetëm një ditë dhe të nesërmen i flakte tutje, se i vinin ose të ngushtë, ose të gjerë. Nëna e Diellit, si kurrnace që ishte, u pataks kur dëgjoi se nusja e tyre donte tridhjet fustane në muaj, ndaj e prishi fejesën menjëherë.
Që atëherë Dielli del ditën në qiell, ndërsa Hëna nga turpi që e la i fejuari, natën.
Shume e bukur. Tw pwrshwndes Naumi ynw i dashur.
Asllan Bushati
Bukur. E gjetur
Pac shendet dhe jete i mirenjohuri dhe i nderuari
Naum Prifti
Respekt.
Kristaq Turtulli