Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/
Thjesht në përgjigje të kërkesës për argumente të ministres së Drejtësisë së Serbisë, zonjës Nela Kuboroviç, drejtuar Komisionit Europian! Referendumi në Katalonjë për pavarësi ka risjellë në vëmendje gjithashtu atë që quhet legjitimitet i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Diskutimin e nxitën më së shumti autoritetet e Beogradit, me qëllim që të rikthejnë në tryezën e bisedimeve edhe njëherë çeshtjen e statusit të saj. Madje një prej tyre ka propozuar dje që të mbahet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, sepse atij nuk i mjafton Konferenca e Rambujesë, ose pesë rezoluta të Këshillit të Sigurimit. Sot ministrja e Drejtësisë e Beogradit, Nela Kuburoviç, i kërkoi Bashkimit Europian shpjegime dhe argumente pse Kosova nuk mund të krahasohet me Katalonjën dhe pse ajo është një rast “siu generis”! Këto shpjegime qeveria e Beogradit i kërkon në kundërpërgjigje të një deklarate të zëdhënëses së BE-së Kocijançiq, e cila pohoi se “Kosova është një rast siu generis, prandaj nuk mund të krahasohet me Katalonjën”. Me qëllim që ministrja Kuburoviç të mos lodhet për letërkëmbime e t’i kursejë kohën vetes, do përpiqem të sjell disa argumente në ndihmë të pohimit të zonjës Kocijançiq, për atë çfarë e bën Kosovën një rast të veçantë: 1. Në Serbi duhet të ketë akademikë objektivë, të cilët i marrin seriozisht studimet e ekspertëve dhe historianëve perendimorë, të cilët provojnë se Kosova ka qenë historikisht e banuar në shumicë nga shqiptarët. Pretendimi historik i Serbisë për Kosovën është thjesht një mit i krijuar nga Vuk Karaxhiç dhe pasuesit e tij në 250 vitet e fundit. 2. Eshtë e provuar se më 1876-1877, duke shfrytëzuar konfliktin turko-rus në Krime dhe Traktatin e Shën Stefanit, Serbia asgjësoi dhe dëboi qindramijë shqiptarë nga vendbanimet e tyre në Nish, Prekuple, Vranjë ,Toplicë dhe fshatra të tjerë në jug të saj. Akademiku Noel Malcolm shkruan se në këtë moment shqiptarët kuptuan se çfarë rreziku përfaqësonte Serbia për ta. 3. Kosova u pushtua në vjeshtën e vitit 1912 nga një ushtri serbe e përbërë prej 300 mijë ushtarësh. Në fushatën e pushtimit kjo ushtri mbretërore bëri krime masive dhe genocid kundër shqiptarëve. Aleksandër Leo Freundlich, dëshmitar i ngjarjeve të kohës në Kosovë e Shqipëri provon se në dy muaj ushtria serbe gjatë fushatës shfarosëse masakroi 25 mijë shqiptarë. Ishte kjo koha më e vështirë për Kosovën dhe banorët e saj shqiptarët shumicë. Madje tashmë ka plot dokumente, me të cilat provohet sesi oficerët serbë mburreshin me ato krime, me vrasjet përdhunimet dhe deri te bastet për fëmijët në barkun e nënave shqiptare! Eshtë një kohë e tmerrshme, që as në holokaustin gjerman nuk është përsëritur! 4. Kosova nuk ka qenë asnjëherë para vitit 1913 pjesë e Serbisë, përveçse në 22 vitet e sundimit ballkanik të Perandorisë së Stefan Dushanit (1333-1355). Ajo u bë pjesë e Serbisë me vendim të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës dhe me dekret të Mbretit të Serbisë të shtatorit 1913. Dmth pa vullnetin e banorëve të saj. 5. Shqiptarët në Kosovë nuk u pajtuan në asnjë moment me sovranitetin e Serbisë mbi territorin e tyre dhe mbi ta. Për këtë shkak ata nuk u ndjenë asnjëherë mirë nën sundimin e Beogradit. E kundërshtuan këtë sundim me të gjitha format, deri me luftëra kaçakësh, të cilët në Beograd i quajtën “terroristë”, e deri te demonstratat e protestat e fuqishme. Historia e Kosovës pas aneksimit të saj nga Serbia është thjesht histori përpjekjesh të ditëpërditëshme për të fituar lirinë dhe pavarësinë e vendit. 6. Përgjigja e shtetit, ushtrisë dhe policisë së Serbisë për kërkesat e shqiptarëve në Kosovë ka qenë gjithnjë, në të gjitha kohët, dhuna, vrasjet, shpërnguljet, terrori policor e ushtarak, administrimi me armë dhe tanke. 7. Në fund të dhjetorit 1943 dhe fillim të janarit 1944 përfaqësues të shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve, të cilët ishin aktivë në luftën kundër psuhtuesve nazi-fashistë, u mblodhën në një konferencë në Bujan të Tropojës dhe vendosën njëzëri që pas luftës Kosova të bashkohej me Shqipërinë. Ky vendim vinte në përputhje me programin dhe premtimet e luftës, por komunistët jugosllavë dhe çetnikët serbë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore asgjësuan më shumë se 30 mijë shqiptarë të tjerë, 4200 prej të cilëve i morën zvarrë nga Prizreni, përmes Kukësit e Shkodrës dhe i asgjësuan në Tivar. Qëllimi ishte jo vetëm nënshtrimi me terror i Kosovës, por edhe asgjësimi i shqiptarëve. Në këtë rast komunistët jugosllavë e serbë përfituan nga fakti se qenë kontrubues të mëdhenj të fitores mbi fashizmin dhe në këto kushte nuk mund të kishte një reagim ndërkombëtar serioz. Por përfituan dhe nga parulla e “bashkim-vëllazërimit” me komunistët shqiptarë! 8. Nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër në botë, përveçse në kohën e fashizmit hitlerian dhe stalinizmit bolshevik, të hartohen progrome shfarosjeje kundër popujve dhe etnive të tjera nga një komb tjetër, siç ka ndodhur në rastin e Serbisë. Mund të përmend disa programe asgjësimi të shqiptarëve të hartuar në kohë të ndryshme në Serbi. Cvijiç ishte nga të parët së bashku me ish-kryeministrin Gjorgjeviç, në fillimin e shekullit XX, madje para pushtimit dhe aneksimit serb të vitit 1912-1913. Më tej mund të kujtoj se në vitin 1917 kryeministri serb, Nikolla Pashiç, deklaronte publikisht se “nëse shqiptarët nuk pranojnë të asimilohen, do t’i dëbojmë dhe nëse nuk pranojnë të dëbohen, do t’i vrasim”! Kjo do të thoshte se në Serbi kishte një program qeveritar për shfarosjen e elementit shqiptar në Kosovë. Më vonë erdhi në publik Memorandumi famëkeq i akademikut serb, Vasa Çubrilloviç i marsit 1936, i cili rekomandon asgjësimin përmes dëbimit të shqiptarëve në Turqi e Shqipëri dhe popullimin me serbë të Kosovës. Madje ai parashikon në detaje sesi duhej të bëhej kjo. Në vitin 1943 ishte nobelisti Ivo Andriç, ai që projektoi përsëri asgjësimin e elementit shqiptar në Kosovë. Në kohën e Jugosllavisë Socialiste këto programe i zbatoi me fanatizëm Aleksandër Rankoviç, dhuna e të cilit është e dokumentuar. Dhe në fund, më 1986 Akademia e Shkencave dhe Arteve të Beogradit hartoi një memorandum tjetër racist antishqiptar dhe projektoi aksionet ushtarake të Milosheviçit. Nuk po përmend me dhjetra dokumente e memorandume të tjera të Kishës Ortodokse të Serbisë, të Lidhjes Shkrimtarëve të Serbisë si dhe planin e fundit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë të janarit 1999. Të gjitha këto dokumente kanë të njëjtin rekomandim: Asgjësimin fizik të shqiptarëve si element i huaj në trupin e shoqërisë e të shtetit serb. Nuk kanë ndodhur këto as në Spanjë, as në ndonjë vend tjetër në botë! Kanë ndodhur në Serbi! Janë këto dokumente zonja minister një rast siu generis në historinë e marrëdhënieve midis popijve e kombeve! Jam i bindur se i keni lexuar dhe i keni në arkivë, prandaj nuk keni pse i kërkoni në Bruksel! 9. Me kushtetutën e vitit 1974 Kosova kishte statusin e njësisë federative, pavarësisht trukut kushtetues që krahinat i quante popullsi. Pa mirëkuptimin e tri parlamenteve, atij të Jugosllavisë, të Serbisë dhe të Kosovës nuk mund të ndryshonte statusi i Kosovës në raport me federatën. Ju e ndryshuat zonja ministre në kundërshtim me Kushtetutën Jugosllave, sepse kuvendi i Jugosllavisë nuk votoi kurrë për ato ndryshime, ndërsa parmanentin e Kosovës e rrethuat me tanke dhe e detyruat me dhunën e punonjëstë sigurimit brenda sallës që të votojnë dhunshëm, pa vullnetin e tyre, ato ndryshime. Ju e ndryshuat kushtetutën e Kosovës thjesht me votat e parlamentit serb, edhe pse një milion shqiptarë u ngritën në protesta të vazhdueshme për katër muaj radhazi. Ju i imponuat ato ndryshime, edhe pse njëmijë minatorë të Trepçes u ngujuan në grevë urie dhe protestuan me sakrificën me jetën e tyre në mbrojtje të statusit të kushtetues të vitit 1974! Ky akt ishte i paprecedentë, një akt “siu generis”, sepse në asnjë vend normal (nuk po them demokratik) nuk ndryshon kushtetuta me dhunë nën forcën e armëve e tankeve dhe në kundërshtim me kushtetutën ekzistuese. Ju në Beograd jeni shumë të gëzuar që “Kosova nuk mund të bëjë ushtri pa votat tuaja” (të miniritetit serb), se “Bosnjë-Hercegovina nuk mund ta ndryshojë kushtetutën pa votën e Republikës Srpska”. Kur këto favore janë në anën tuaj jeni fanatikë të “demokracisë” dhe “vullnetit të popullit tuaj”, kur këto rregulla favorizojnë të tjerët, atëherë shpallni luftë, bëni terror, siç bëtë me Kosovën! 10. Pas heqjes së autonomisë qeveria juaj, zonja ministre “e drejtësisë”, vendosi në Kosovë administrimin ushtarak dhe në krye të shtetit një guvernator serb. Hoqët nga puna 115 mijë shqiptarë, spastruat aparatin shtetëror, policinë dhe gjithçka tjetër nga elementi shqiptar. Dërguat në rajonet e policisë dhe në burgje 500 mijë shqiptarë. Vratë pa gjyq së paku njëmijë shqiptarë, sipas raporteve të agjensive të të drejtave të njeriut në botë. Helmuat me dhjetra e qindra nxënës shkollash, thjesht pse ata ishin shqiptarë! Pyeteni për këtë Bernard Kushnerin, se jua tregon. Vratë dhjetra djem në ushtri dhe thatë se “janë vëtëvrarë”, ndërkohë nuk i latë familjet e tyre të hapin arkivolet e t’i shohin viktimat që ju shkaktuat! Të gjitha këto i bëtë, sepse shqi[tarët i quanit mish I huaj për trupin e Serbisë! Referoju për këtë historianit me famë europiane, Prof. Dr. Holm Sundhaussen, dhe do ta mësoni! Jo vetëm kaq. Mbyllët universitetin dhe shkollat në gjuhën shqipe. Mbyllët spitalet për shqiptarët. Mbyllët radiotelevizionin, shtëpinë e vetme botuese, Akademinë e Shkencave dhe Arteve dhe çdo qendër informacioni për shqiptarët! I vutë shqiptarët në karantinë, nuk i linit as të demonstronin, madje edhe kur aty ishin prezentë senatotë amerikanë si Bob Doll dhe Tom Lantosh! Nuk lejonit që emigrantët të vinin te fëmijët e gratë e tyre në Kosovë! Më thoni zonja minister, ku dhe kur kanë ndodhur këto! Nuk kanë ndodhur në një vend tjetër përveçse bë Serbi! 11. Shqiptarët filluan rezistëncën paqësore. Kjo ju tmerroi, sepse prisnit që të rikthehej “Lufta Kaçake” e viteve 1920 dhe pastaj t’i thonit botës së ju ”luftoni terrorizmin” e me këtë rast të përligjnit spastrimin e dhunshëm etnik të tyre. Kur ju dogjën kartat në dorë filluat dhunën e presionin latent që shqiptarët t’i dëbonit nga Kosova. Kur nuk eci as ky plan, filluat të shtonit dhunën, derisa shqiptarët u detyruan të vetëmbrohen. Më thoni zonjë, ka ndodhur gjatë konfliktit të fundit ose edhe më parë që shqiptarët të kenë kryer akte dhune kundër serbëve jashtë Kosovës, psh në territorin e sotëm të Serbisë?! Kurrë jo. Mjafton ky argument për të provuar drejtësinë e kauzës së shqiptarëve. Kjo do të thotë se shqiptarët kanë mbrojtur pragun e derës së tyre dhe nuk ju kanë rënë asnjëherë më qafë! Megjithatë u keni dhënë “si shpërblim” dhunën fizike, asgjësimin dhe dëbimin! 12. Nga pikëpaja ndërkombëtare, në rastin e Kosovës u bënë përpjekje, si në asnjë rast tjetër për t’i dhënë fund dhunës. Diplomacia preventive e luftës u përdor në shkallën maksimale. Për Kosovën Këshilli i Sigurimit miratoi gjithsej pesë rezoluta gjatë viteve 1998-qershor 1999. Në rezolutën 1190 të 30 shtatorit 1999, të cilën e votoi edhe Rusia, thuhet shprehimisht se a) Konflikti në Kosovë rrezikon të zgjerohet në rajon e më gjerë dhe b) se Konflikti në Kosovë do të shkaktojë katastrofë humanitare. Në të dy këto raste Kapitulli VII i Kartës së OKB-së parashikon ndërhyrjen me forcë për t’i dhënë fund konfliktit e dhunës. Nuk ndodhi kjo në rastin e bombardimit të NATO-s kundër ushtrisë dhe policisë serbe, sepse duhej vendimi duhej marrë në KS të OKB-së dhe Rusia shpalli veton e saj. Pra formalisht nuk kemi një vendim. Por praktikisht kemi një rezolutë që pohon situatën dramatike në Kosovë të krijuar nga dhuna e Milosgeviçit. Për Kosovën u angazhua Grupi i Kontaktit i gjashtë Fuqive të Mëdha. Për Kosovën u mbajt Konferenca e Rambujesë, marrëveshja e së cilës u kundërshtua dhe nuk u firmos nga ana e Milosheviçit, të cilin keni filluar ta mburrni! U angazhuan misionarë diplomatikë të shumtë, që nga Holbrooke e deri te Fischer e Vedrin. Më pas të tjerë diplomat. Pra, përpjekjet diplomatike dhe të misionarëve diplomatikë për zgjiidhjen paqësore të çeshtjes së Kosovës dështuan, për shkak të refuzimit tuaj! Nuk di ndonjë vatër tjetër krize ku të ketë ndodhur gjithë ky angazhim diplomatik për të evituar dhunën! 13. Ju nuk deshët t’u jepnit Kosovës as autonominë e zgjeruar, asgjë që favorizonte shqiptarët, prandaj refuzuat çdo përpjekje ndërkombëtare. Ju në Beograd përgatitët projektin e asgjësimit fizik të shqiptarëve përmes aksioni “Patkoi”. E dini ju zonja ministre “e drejtësisë” se planin e asgjësimit të shqiptarëve në janar 1999 e zbuloi shërbimi sekret bullgar dhe këtë plan ia dha ministrja bullgare e Punëve të Jashtme ministrit të Punëve të Jashtëme të Gjermanisë, Joschka Fischer? Ky plan u bë shkak që njeriu I shquar I lëvizjes për paqen në botë, Fischer, të mbështesë aq fusqishëm sulmet e NATO-s për t’i dhënë fund luftës në Kosovë! Ky dokument është në zyrat tuaja zonjë, nuk është në zyrat e Brukselit dhe është habi, sesi i kërkoni argumentet në Bruksel, kur i keni në Beograd! 14. Eshtë e vërtetë se rezoluta 1244 rekomandon një status të Kosovës brenda kuadrit të një federate jugosllave. Por federata mori fund me pavarësinë e Malit të Zi. Dhe ajo rezolutë nuk kishte asnjë klauzolë që të mendohej për një Kosovë thjesht nën sovranitetin e Serbisë. Nuk mund të ndodhte kjo për asnjë rajon tjetër, i cili do të kishte pësuar gjithë këtë tragjedi njerëzore. 15. Në përfundim të luftës Kosova kishte një bilanc tragjik: 13 mijë të vrarë e të masakruar, rreth katër mijë të zhdukur (1700 janë ende sot të zhdukur në territorin e vendit tuaj, zinja minister). Shumica dërmuese e tyre qenë fëmijë, gra e pleq, sidomos të rinj adoleshentë nën moshën e pjekurisë. Organizatat ndërkombëtare konstatojnë se rreth 20 mijë gra dhe vajza shqiptare të Kosovës janë përdhunuar ata muaj dhune nga ushtarët, paramilitarët dhe policët serbë! Statistikat ndërkombëtare kanë saktësuar se nga 120 mijë banesa dhe objekte pronë të shqiptarëve, 40 mijë qenë shkatërruar plotësisht dhe 20 mijë të tjera pjesërisht. U shkatërruan shkolla, biblioteka, xhami, kisha të besimit katolik, muze, çdo gjë që sillte në memorie kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Shkatërruat me zjarr pronën e shqiptarëve, me qëllim që ata të mos guxonin të ktheheshin në vatrat e tyre. Por ndodhi e kundërta. Nuk parashikuat se solidariteti i shqiptarëve në Ballkan e në diasporë dhe i botës përparimtare do të ishte më i fuqishëm se politikat tuaja të dhunës e të terrorit masiv. Kjo do të thotë se ju kryet krime masive deri genocid fizik, kulturor dhe ekonomik mbi shqiptarët e Kosovës. Dhe pas të gjithë këtyre fakteve dhe argumenteve kërkoni “sovranitet serb në Kosovë”!? Jam I bindur se do të vijë koha kur për këto dëme do të paguani, sepsë ne shqiptarët themi: “Të gjitha gjunahet lahen në këtë botë”! Natyrisht përmes drejtësisë njerëzore! 16. Kosova më 10 qershor u vu nën protektorat ndërkombëtar dhe ushtria e policia e Serbisë u largua përgjithmonë nga rajoni. Vërtetë besoni se mund të riktheheni përsëri?! Në fakt ju jeni rikthyer përmes rojave të urës, përmes paramilitarëve dhe punonjëse të ministrisë tuaj të punëve të brendshme në veriun e Kosovës, jeni rikthyer edhe në enklava dhe jeni rikthyer edhe në institucionie ku shpesh herë impononi politikat tuaja agresive e diversioniste të njëllojta me ato të Milosheviçit! Pyeteni zotin Daçiç, sa ai është distancuar nga lideri politik e shpirtëror i tij dhe pastaj bindu për argumentet që dëshiron të marrësh në Bruksel. 17. Nën drejtimin e presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, bashkësia ndërkombëtare organizoi në Vjenë për gati dy vite bisedime midis Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës. Ju bëtë të gjitha përpjekjet që këto bisedime të dështojnë dhe ta pengoni pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Patët dhe vazhdoni ta keni mbështetjen e Kremlinit në këtë aksion tuajin politik. Bisedimet përfunduan me një raport të trojkës, të kryesuar nga Ahtisaari, i cili rekomandoi pavarësinë e kushtëzuar për Kosovën. Ju kundërshtuat. Europa dhe SHBA-të ranë dakord që të zhvillohen bisedime shtesë. Edhe këto bisedime dështuan për shkak të refuzimit të zgjidhjeve nga ana juaj. Në këto kushte Kosova shpalli pavarësinë. Vërtet besoni se mund ta ktheni mbrapsht këtë proces, kur shtetësinë e Kosovës e kanë pranuar 114 vende, ndër to 22 vende anëtare të BE-së?! Jam i bindur se ju e dini që Kosova nuk rikthehet më nën sovranitetin tuaj. Por ju doni ta shisni sa më shtrenjtë atë, të përfitoni sa më shumë prej saj, mundësisht edhe territore! Prandaj rezistoni! 18. Më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë votoi një vendim, me të cilin provon se “Pavarësia e Kosovës është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk vjen në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së”. Ankesën dhe pyetjen e kishte formuluar vetë ish-ministri juaj i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç! Ai vendim I ka dhënë përgjigje pyetjes, të cilën ju ia drejtoni sot Komisionit Europian! Mos u tallni më institucionet e Europës, sepse gjithçka do të kthehet në bumerang për ju! Eshtë absurd të kërkosh argument në një organ ekzekutiv, kur këto argumente qëndrojnë në vendimin e një gjykate, e cila shpreh vullnetin e një organizate të përbotshme, siç është OKB dhe bazohet në ligjet e kësaj organizate! Nuk po vijoj me argumente të tjerë anësorë, të cilët mund të shkojnë deri në numrin rendor 1001, sepse jam i bindur se mjaftojnë këto argumente për të provuar se rasti i Kosovës është një rast sui generis. Kjo nuk do të thotë se Katalonja nuk ka të drejtën e saj për vetëvendosje dhe pavarësi. Por në ngjarjet e referendumit të Katalonjës dua të veçoj vetëm një moment: – Dhuna jo proporcionale e policisë së Madridit ka shumëfishuar admiruesit e Katalonjës dhe përkrahësit për pavarësinë e saj. E megjithatë ishte thjesht dhunë joproporcioanle, nuk pati viktima. Si mund t’i mohoni ju zonja ministre dhjetramijë viktimat e shqiptarëve të Kosovës të shkaktuara nga politikat e terrorit të shtetit tuaj?! Ju vetë e betë Kosovën një rast sui generis dhe doni të pyesni Brukselin pse Kosova është një rast i tillë! Absurditet! Tiranë, më 07.10.2017