Nga Fritz RADOVANI/DOSJA 2199: DON DEDË MALAJ ka thanë pa Ju tute syni e pa Ju marrë goja, diten e parë që u hap gjyqi kunder Tij, në kinema “Republika” në Shkoder, këto fjalë:“E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue më 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa, të mbarojë komunizmi”. Hyni në sallë gjeneral Hilmi Seiti me ambasadorin jugosllav…
Filloi gjyqi dhe prokurori Rapi Mina, mbasi lexoi akt-akuzën e përgatitun me aq kujdes ju drejtue të parit kryetarit të grupit Don Dedës, me këtë pyetje: “Që, kur, je armik i komunizmit?” Në sallë ra një heshtje…Per ne që ishim nder rruga dukej se u shkëputen altoparlantët… Por jo! U ndigjue Don Deda, që iu përgjegj: – “Qysh se jam kenë 9 vjeç pikërisht, atëherë, kur kam shkue ndër bankat e shkollës së mësuesit tem Don Alfons Tracki, aty mora vesht prej Tij këtë emën dhe, prej asaj ditë nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma komunizmit. Gjithë jetën e kam urrejtë dhe kam punue me të gjitha forcat e mija, aqsa më ka lejue Feja kundër tij.” Mbas Don Dedës foli edhe frati At Konrrad Gjolaj O.F.M. Nder ato banka qëndronin me ballin nalt edhe vllaznit Lazër e Gjon Simon Parubaj, Vlash Zefi e Gjeto Luc Budashi. Ndërsa, në një qoshe strukej si langue Lulash Toma… Një gjyq që nuk u harrue kurrma nga Shkodra e Malësitë e saj.
Me datën 27 prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha vëndimin:Don Dedë Malaj, me vdekje, me pushkatim. At Konrrad Gjolaj, me 25 vjet burg. Lazër Simon Parubaj, me 20 vjet burg. Gjon Simon Parubaj, vëllau i Lazrit, me 10 vjet burg. Vlash Zefi me 15 vjet burg. Gjeto Luc Budashi me 10 vjet dhe Lulash Toma me 5 vjet.
Atë mbramje, kur doli nga gjyqi Don Deda, e hypën në një kamjon “zis”, një turmë policësh e ulën galuc. Ndërmjet dy rrypave të drrasës mbi spondë kujtoj, dy sytë e Tij të bamë kuq. Nuk shihej fare as e bardha e as bebja e synit e kaltërt, vetëm dy njolla gjaku që asnjëherë nuk mund ti harroj n’ atë portret Burri të Maleve tona!..
12 maji 1959, u ekzekutue vendimi. Don Dedë Malaj u pushkatue në një fushë buzë liqenit të Shkodrës. Pra, 14 ditë para vizitës së Nikita S. Hrushovit në Shkodër!..
DOSJA 2199 Asht një Dosje që flet ma shumë se të gjitha tjerat që kam mujtë me pa në vitin 1998, mbas njohjes së të Ndjerit Don Dedë Malaj, mbas perfundimit të punës nga At Konrrad Gjolaj të librit “Çinarët”, botimit të tij(1997) dhe, mbas një shikimi të ma shumë se dhjetë Dosjeve të Personave të pushkatuem PA FAJ para Don Dedë Malaj.
Dosja e “cungueme” e Don Dedës tregon kjartë se kush ishin drejtuesit e famshem të “Seksionit Katolik pranë Degës së Mbrendshme të Shkodres” i themeluem në 1946.
Dosja 2199 asht një pasqyrë e kjartë e Urrejtjes së Enver Hoxhës per Klerin Katolik të Popullit Shqiptar dhe të gjithë bashkpuntorëve të Tij, të cilët ruejten në Gjakun e vet të gjitha cilsitë brilante të Prijsit të Pavdekshem nder shekuj Gjergj Kastriotit Skenderbeu.
Dosja e Don Dedë Malaj asht treguesi ma i saktë i bashkpunimit të tradhtarëve të dy, tre, e tridhjetë udhëheqësve që i sherbejnë UDB, KGB dhe Sigurimit të Shtetit Shqiptar, per eleminimin e kenjes së Atdhetarëve të perkushtuem e besnikë në Token Arbnore.
Dosja operative, e hetuesisë, e gjykatës dhe e Kuvendit Popullor, me të gjitha firmat e pushkatimit të Don Dedë Malaj (me grupin e Tij), ku nga rreshti i parë dhe deri tek i fundit mungojnë provat e akuzës së gjykatës “Armik i Popullit Shqiptar” per të cilen Ai u pushkatue, asht një nga shembujt e saktë dhe të padiskutueshem të një vrasjes së kryeme PA FAJ, perderisa i akuzuemi Don Dedë Malaj nuk ka asnjë fakt se ka krye faj ose krim kunder Shtetit vet dhe Popullit Shqiptar, të cilin e donte me gjithë Shpirt.
Dosja e Don Dedës tregon edhe një djallëzi të Enver Hoxhës me gruen e tij, e cila nuk nderhyni per “falje jete, kur ju lut e Mbesa e Don Dedës tek tribuna e 1 Majit e 1959”, se të dy i kanë sherbye Titos, Stalinit e Mao Ce Dunit, kur ishte fjala per Klerin Katolik.
Don Dedë Malaj ishte një kurban i zgjedhun para vizitës së Hrushovit në Shqipni!
E këte kurban ua dhuronin dy vllazen terroristë e bashkpuntorë që ishin në sallen e gjyqit, Hilmi Seiti dhe Ambasadori i Jugosllavisë së Titos, pranë katilit Enver Hoxha…
Por, edhe pushkatimi i Don Dedës, me 12 Maji në kopshtin e një Burri Musliman buzë Liqenit të Shkodres, dhe ruejtja e Eshtnave të Don Dedës nga ana e Tij, janë edhe një tregues ma shumë per mardhanjet vllaznore të trashigueme në mes të Besimeve tona.
DOSJA 2199 e Don Dedë Malaj, duhet lexue… Duhet rilexue dhe duhet rikujtue thanja e Tij e pashlyeshme në kujtesen tonë: “E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue më 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa, të mbarojë komunizmi!”
Sa Burra të Mëdhaj ka nxjerrë kjo Tokë e pangopun me gjak Atdhetarësh…
Melbourne, 10 Maji 2018.