Dr. Iris Halili/
“Dashuria është forca që i jep forcë vetes” – Platon.
Ndër mitet më intriguese të mitologjisë greke është ai i Psikës dhe Erosit. Ky mit është bërë edhe më i njohur nga versionet e dhëna tek “Metamorfozat” e Ovidit si dhe “Gomari i artë” i Apoleut nga Madaura. Sipas mitit, dikur na ishte një mbret dhe një mbretëreshë që kishin tri vajza. Dy të parat ishin martuar e trashёguar. Vajza e tretë quhej Psika. E bukur si një hyjneshë, ajo ishte pengu i prindërve tё pikёlluar pёr fatin e saj tё vonuar. Një ditë, i ati iu drejtua Orakullit të Delfit, i cili i parashikoi një fat të trishtë: dhëndri do të ishte njё dragua i vrazhdë, me trup të mbushur me hekur.
Ndërkohë, Afërdita, perëndesha e bukurisë që ishte nëna e Erosit (Perëndisë së Dashurisë), kishte dëgjuar për bukurinë e Psikes dhe zërat i thoshnin se ajo i ngjante shumë asaj vetë. Xheloze, që në tokë kishte një të ngjashme me të, e kishte porositur Erosin ta vriste Psikën me shigjetë. Erosi niset të vërë në vend amanetin e të ëmës, por tek e sheh Psikën, mahnitet nga bukuria e saj dhe bie në dashuri me të. E kështu ndodh, që, në vend që ta godasë me shigjetën e helmuar, e godet me atë të dashurisë. Pra, as profecia e Delfit dhe as inati i të ëmës nuk gjen fuqi. Erosi e rrëmben Psikën në një shtëpi madhështore dhe vetë i kthehet nё hije qё as tё mos shihet e as të mos njihet prej saj. Psika ndonëse habitet nga shёmbёlltyra pa fytyrё e Erosit vazhdon ta dojë atë në heshtje. Takimet e tyre ishin gjithmonë natën. Të dy tashmë i kishin premtuar njëri – tjetrit një dashuri të parreshtur, por edhe të heshtur. Erosi, që në fillim i kishte kërkuar Psikës të mos jepte shpjegime e të mos i rrëfehej askujt për historinë e tyre të dashurisë. Ky gëzim i Psikës kishte bërë kurrioze të dy motrat e saj, të cilat e kishin shtyrë që të zbulonte imazhin e vërtetë te Erosit. Dhe ndaj një natë nën dritën e kandilit, Psika përpiqet të zbulojё fytyrën e burrit qё i mbushte shtratin çdo natё, por padashur njё pikё vaji prej kandilit i rrëshqet Erosit nё trup dhe ashtu i djeguar dhe i tërbuar nga inati dhe pabesia e Psikës, ai e braktis atë në çast. Por as inati dhe as mëria nuk do të vazhdonte gjatë mes dashnorëve. Erosi kupton se nuk mund te jetonte më gjatë pa Psikën ndaj dhe rikthehet tek ajo për të mos u ndarë kurrë më.
Dashuria e Psikës me Erosin është ndoshta dashuria më e bukur dhe intriguese në mitet e lashta greke por dhe jo vetëm.
Përpos anës së dukshme të mitit, ku ne vёmё re përpjekjet e njeriut për gjetjen apo rigjetjen e dashurisë dhe vuajtjeve që paguhen në shpёrblim të saj, ofrohen edhe interpretime më të vështira, për zbërthimin e të cilave, sërish na vjen në ndihmë psikoanaliza.
Së pari, ngjashmëria e madhe në bukuri midis Afërditës dhe Psikës është arsyeja kryesore që sipas interpretimit frojdist e bën Erosin të bjerë në dashuri me Psikën. Kjo zgjedhje, është rezultat i një fiksimi fёmijёror që Freud e quante “brishtësia ndaj nënës”. Pra, Erosi dashurohet me shikim të parë me Psikën, pasi ajo është shumë e ngjashme me objektin që ai ka në pavetëdije, ku shёmbёlltyra femrash, qё i shkojnё apo dhe vijnё, ndërtohen vazhdimisht mbi modelin e nënës Afërditë. Grekët e lashtë kanë patur një koncept të tyre për dashurinë, qё na e kanё transmetuar edhe neve. Lindja e dashurisë në mitet greke ishte gjithmonë me shikim të parë, e tillë qe edhe dashuria e Erosit me Psikën. Në qoftë se shpjegimi do të merrte një karakter mё shumë psikoanalitik sesa historik, do të thonim se, sipas teorisë së Freud-it, dashuria nuk është gjë tjetёr veç frut i pavetëdijes, të cilën ai e quan lëndën e parë të shpirtit. Në të vërtetë, e gjallë dhe aktive kjo lёndё e parё vepron mbi mendimet dhe ndjenjat tona. Ndoshta, ajo përfaqëson pjesën mё plastike të ekzistencës sonë psikike. Freud-i thotё se mё shumё nga tё gjitha duhet tё dёgjojmё pavetёdijen, pasi ajo ёshtё grimca e padukshme e tensioneve tona tё brendshme. Sipas kësaj analize, Freud-i, na lë të kuptojmë se ekzistenca jonë nuk shtjellohet lirshëm në sferën e racionales, por jepet para trysnisë së pavetëdijes dhe procesi i dashurisё, nuk është vetëm çasti kur ne bëhemi të vetëdijshëm për atë që është fshehur në pavetëdijen tonë. Në rastin e një objekti që shfaqet, ndodh pikërisht ky kataklizëm i përgatitur më parë në botën e thellë të instikteve tona dhe që në një çast të dhënë përmbys papritur fatin tonë.
Nga ana tjetër, fakti që edhe pas braktisjes që i bën Psikës, Erosi rikthehet sërish dhe përfundimisht tek ajo, rrëfen se tek ai nuk kemi procesin zinxhir që frojdizmi e përcakton si “përpjekja e pandalur zinxhir për zëvendësimin e nënës”. Ky zinxhir, sipas Freud-it, e kthen mashkullin në Don Zhuan, gjithmonë në zëvëndësim të femrave dhe në kërkim të imazhit të nënës, imazh që nuk arrihet apo gjendet kurrë për Don Zhuanët; Erosi tek takon Psikën e ka zëvendësuar imazhin e nënës, pasi sikundër na rrëfen edhe miti, Psika është e ngjashme me Afërditën si dy pika ujë.
Edhe braktisja e Erosit dhe ndarja për disa kohë e të dy dashnorёve, mund tё interpretohet me teorinё frojdiste, sipas sё cilёs shkëputja shpesh krijohet nga dashnorët si për te krijuar një barrierё artificiale. Sipas psikoanalizës, dashnorët edhe kur nuk kanë arsye te fortë për t’u ndarë, krijojnë ndarje apo shkëputje artificiale, pas të cilës ose lidhen edhe më fort, ose ndahen përfundimisht.
Duket sikur miti i Psikës dhe Erosit, herë merr trajta reale (dy të dashuruar lindin një fëmijë) dhe herë trajta ireale, teksa Erosi i shfaqet Psikës natën si një hije, pasi edhe vetё miti mbetet deri në fund mistik dhe nuk na jep kurrë njё shёmbёlltyrё të Erosit. Mos është vallë ai thjesht pёrfytyrimi i Psikës për dashurinë si një dëshirë dhe kënaqësi e fshehur e saj, gati si erotomani?! Të shënojmë këtu se Erosi dhe shigjeta e tij është simbol i dashurisë si e tillë. E pra, mos është ndjenja e saj më shumë një fantazi erotike e Psikёs sesa një realitet? Mos kemi të bëjmë me një ëndërr të Psikёs nё gjumё? Freud me teorinë e tij të interpretimit të ëndrrave hapi një shteg të padëgjuar më parë dhe ai mbetet i pari që na rrëfeu se figurat simbolike të ëndrrës, fshehin në shumicën e rasteve dëshira të ndrydhura e të paplotësuara, të cilat s’kanë mundur të realizohen gjatë ditës e përpiqen të hyjnë në shpirtin njerёzor nëpërmjet shtegut të ëndrrave. Ёndrra, për Freud-in, është valvula e ndjenjave, ajo është ndërmjetëse mes botës së ndjenjave të fshehura dhe asaj që i nënshtrohet arsyetimit tonë. Falë ëndrrave ne mund të mësojmë shumë gjëra, të cilat nuk i pranojmë apo duam t’i mësojmë kur jemi zgjuar. Çdo ёndërr, është dëshmi dhe shpesh është një dëshirë e brendshme e fshehtë e njeriut, dëshirë që ai e ka të vështirë ta pranojë ditën, apo kur zgjohet nga ëndrra. Sigurisht, ky lajmës nuk flet gjuhën e përditshme të sipërfaqes, por atë të humnerës shpirtërore dhe të pavetëdijshmes, gjuhën e nënndërgjegjes. Sipas këtij shpjegimi frojdik, mitin e Psikës dhe Erosit mund ta intepretonim edhe më këtë qasje: Erosi( dashuria) është thjesht endrra e Psikës (shpirtit), dhe me anë të këtij miti të lashtë njeriu primitiv ka tentuar të depërtojë brenda shpirtit dhe dëshirave të tij, pa mundur ndoshta të sqarojё se kush i stimulon këto dëshira, sa të fshehura aq edhe të dukshme.
Miti mbyllet duke na thënë se dashuria mes Erosit dhe Psikës, lind fëmijën e tyre Hemonë (Kënaqësi). Miti sërish na edukon lidhjen e dashurisë shpirtërore me kënaqësinё fizike që është edhe sekreti madhështor i dashurisë, që e bën njerëzimin të mos shuhet kurrë dhe të riprodhojë vetveten sipas ligjeve që ka krijuar nëna natyrë: Eros (Dashuri) + Psikë (Shpirt) = Hemonë (Kënaqësi).