
Agim Baçi/
Sociologu i famshëm, Niklas Luhman, në librin e tij, “Teoritë e shoqërisë” shprehet se “besimi është akt themelor i jetës sociale”. Pra, ne kemi faktet para syve, por kemi humbur besimin. Ne kemi kemi skandale të faktuara, por kemi humbur fuqinë tonë dhe qëndrimet morale përballë të keqes, përballë të padrejtës. Sepse ne publikojmë qëndrime në rrjete sociale por nuk bëhemi bashkë në një protestë kundër të keqes, kundër mashtrimit, kundër atyre që vijnë si të fortë për të na rrëmbyer votën.
Sa nga ne e dënojnë sot shpifjen, gjuhën e urrejtjes? Sa nga ne i refuzojnë politikanët që krenohen se arrijnë të vënë në vështirësi kundërshtarin përmes bullizimit, përmes sajimit të fakteve, sajimit të gënjeshtarve, të linçimit, dhe jo të dhënies së argumenteve? E nëse ne nuk arrijmë të jemi ndëshkues ndaj atyre që na gënjejnë, që mashtrojnë që përhapin dhunë, që ushqejnë urrejtjen, që bullizojnë, atëherë, përse duhet të presim ndryshimin?
Pra, ne sot jemi përballë faktit se, jo se nuk dimë për politikat e mbrapshta, por përballë faktit se këto që dimë sot nuk i përkthejmë në qëndrime morale, në reagime vetjake për të drejtën.
Ideja se “populli e di” nuk ka asnjë kuptim nëse ne nuk e mbrojmë të drejtën duke kërkuar aleancë të fortë. E nëse nuk reagojmë, ata që na drejtojnë do e kontrollojë gjithnjë e më shumë zemërimin tonë, duke na dhënë iluzionin se kemi demokraci përmes denoncimit në rrjete sociale, ndërkohë që këto qëndrime të veçuara, egosite të secilit prej nesh, mbeten thjesht në linçime e jo bashkim për një kauzë të drejtë. Madje në jo pak raste gjithçka mbetet thjesht në linçime anonime, në sharje.
Këto qëndrime të veçuara, egosite, më shumë se sa fuqinë tonë për të ndryshuar diçka që e kontestojmë, forcojnë hijen e komploteve rreth nesh, – “komplote” që i shërbejnë më së shumti atyre që duan të kontrollojnë këtë zemërim të qytetarëve ndaj keqqeverisjes përmes asaj që na e shesin për trasnparencë.