Nga Frank Shkreli/
Në një intervistë që zhvilloi në programin televiziv shqiptar, “Ilva Tare Tonight”, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Z. Alexander Arvizu u prononcua në lidhje me fotot e ish-diktatorit komunist Enver Hoxhës që u shfaqën në ceremoninë zyrtare me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe i gjithë kabineti i ministrave, me fjalë të tjera, e gjithë Tirana zyrtare ishte aty, plus portretet e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. Ambasadori amerikan kishte shënuar menjëherë pas ceremonisë në faqen e tij facebook, se shfaqja përsëri e fotografisë së Enver në një ceremoni zyrtare ishte, “një fyerje për shqiptarët”. I pyetur mbëmjen e ditës së mërkurë në programin televiziv të Ilva Tares mbi këtë çfaqje të shëmtuar të portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare, për të disatën herë kohët e fundit, Ambasadori amerikan pohoi se, “Po ndiqja ceremoninë dhe po e shihja në televizor dhe pashë gjithë kabinetin, kryetarin e kuvendit, personat qe mbanin foto të Enver Hoxhës dhe thashë se kjo është një qeveri që ka punuar kaq fort dhe ka bërë një punë shumë të mirë përsa i përket projektimit të një imazhi pro eruopian për statusin në BE dhe arriti që të ishte edhe vizita e Papës”, dhe shtoi se fjalët”,‘një fyerje për shqiptarë’ në fakt ishin të miat. Stafi imë më tha që kjo fraza e fundit “një fyerje për shqiptarët është e fortë”, dhe unë uthashë që ashtu dua që të jetë, e fortë.”
Z. Arvizu duket se me intervisten e tij dhe me këto fjalë donte të nënvijonte se ai, si përfaqsues i Shteteve të Bashkuara në Tiranë ishte duke shprehur qëndrimin zyrtar dhe të qartë të Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje, dmth., mbi çfaqjen e portretit të diktatorit komunist në ceremonitë zyrtare dhe jo vetëm aq. Në lidhje me këtë deklaratë të tijën ai u shpreh qartë, seriozisht dhe pa i munguar fjalët: “Kjo është një deklaratë serioze. Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbajnë një qëndrim të qartë për një çështje të tillë.Ky(Enveri) ka qenë një monstër që ka sjellë vuajtje. Nuk ka asgjë për ta glorifikuar dhe shumë prej sfidave (me të cilat përballet vendi sot) janë trashëgimi e Enver Hoxhës, kjo quhet “Enverizëm”, këtë e shohin edhe të të majtët por edhe të të djathtët. ”
I habitur dhe vështirë të imagjinohet një fenomen i tillë në Shqipërinë e 2014-ës, Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu u shpreh gjatë intervistës se është vështirë të kuptohet se cilat janë motivacionet e kësaj qeverie që lejon shfaqje të tilla të portretit të diktatorit Enver Hoxha në ceremoni zyrtare, qeveritare e shtetërore! Diplomati amerikan në lidhje me këtë u shpreh kështu në intervistën me gazetaren Ilva Tare: “Është e vështirë që të mund të vlerësosh se cilat janë motivimet, unë thjesht nuk e di.”
Megjithëkëtë, diplomati amerikan shprehu besimin e vendit të tij se qeveria e tanishme si dhe qeveria e mëparshme shqiptare nuk kanë lidhje me trashëgiminë e diktatorit, duke thënë se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë besim te kjo qeveri dhe te qeveria e mëparshme se nuk kanë asnjë marrëdhënie me Hoxhën dhe trashëgiminë që ai përfaqëson. Por disa prej këtyre pleqëve shfaqen sërish, por nuk është shqetësimi për personat 80 vjeç, por janë të rinjtë. Më kujtohet imazhi i atyre fëmijëve me grushtin dhe kjo është vërtetë një fyerje”, për shqiptarët u shpreh Ambasadori i Amerikës në Tiranë.
Jo se ka ndonjë rëndësi të madhe por unë kam shkruar disa artikuj modestë mbi këto çfaqje kohët e fundit të portretit të Enver Hoxhës, përfshirë edhe rastin e fëmijve me grusht në kokë, të cilës i referohet ambasadori Arvizu, mos gabofsha në Përmet. Ambasadori Arvizu ka të drejtë që revoltohet nga pamje të tilla dhe është e rëndësishme që në emër të Shtetve të Bashkuara, ai shfaqi revoltëne tij dheu shpreh në këtë mënyrë të qartë dhe të prerë, se kjo nuk duhet të ndodhte në Shqipërinë e sotëme, në Shqipërinë anëtare të NATO-s, në Shqipërinë vendit-kandidat për në Bashkimin Europian, në Shqipërinë që e konsideron veten si një prej popujve më pro-amerikanë në botë. Fatkeqsisht, as antarësimi në NATO as antarësimi eventual i Shqipërisë në Bashkimin Europian, as deklaratat pro-perëndimore të politikanëve shqiptarë e madje as vizita e Papa Françeskut në Tiranë, nuk shlyejnë imazhin e keq të Shqipërisë që u formua nga ceremonia zyrtare me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës, për shqiptarët po se po, por edhe për të huajt, siç ishte ambasadori amerikan dhe të gjithë përfaqsuesit e huaj në kryeqytetin shqiptar.
Do të dëshiroja që ambasadori amerikan të ketë të drejtë kur thotë se Shtetet e Bashkuara besojnë se “kjo qeveri dhe qeveria e mëparshme nuk kanë asnjë marrëdhënie me Hoxhën dhe trashëgiminë që ai përfaqëson”. Por veprat ose mungesa e veprave gjatë pothuaj 25 viteve të kaluara për tu larguar nga kjo trashëgimi, tregojnë se kjo elitë politike, si përfaqsuese e Shqipërisë pas komuniste — pothuaj si në asnjë vend tjetër ish-komunist në Europë — nuk ka bërë asgjë për të distancuar vendin dhe brezat e rinjë të shqiptarëve nga trashëgimia e këtij diktatori dhe regjimit të tij. Për më tepër, kjo klasë politike nuk ka bërë asgjë për të përkujtuar viktimat e shumëta të atij regjimi monstër, ashtu siç kanë bërë, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjitha vendet ish-komuniste të Europës lindore dhe qëndrore. Pse të jetë Shqipëria ndryshe nga të gjitha vendet ish-komuniste në lidhje me këtë qëndrim moral ndaj një trashëgimie diktatoriale? Europa ka caktuar ditë përkujtimore për të nderuar miliona viktima të deportimeve në masë, të ekzekutimeve, të burgimeve dhe të kampeve dhe fushave të përqendrimit komunist, ndërkohë që ka promovuar vlerat demokratike të pajtimit, të paqës dhe të stabilitetit në çdo vend të kontinentit.
Distancimi nga trashëgimia e kaluar komuniste dhe përkujtimi zyrtar i viktimave të komunizmit anë e mbanë Europës, nuk ka shkaktuar asnjë mos stabilitet ose prishje të rendit shoqëror,në asnjë vend të kontinentit europian, përkundrazi si rrjedhim I përballimit me të kaluarën, vihet re një rregull dhe pajtim mbarë shoqëror. Fatkqesisht, në Shqipëri deri në ditët e sotëme — jo vetëm që nuk është caktuar asnjë ditë kushtuar atyre viktimave shpesh të pa emër e të pa varr –ose lere më ndërtimin e një monumenti për viktimat siç kanë vepruar vendet e tjera ish-komuniste. Në të kundërtën, historianë e pseudo-historianë, shumicën e viktimave të komunizmit enverist ende ikonsiderojnë si armiqë të popullit, tradhëtarë, kuislingë e ku ta dijë unë, të etikuar me lloj lloj epitetesh, për viktimat që u burgosën, u vranë dhe eshtërat e tyre u zhduken,vetëm e vetëm, sepse nuk u pajtuan me regjimin komunist që Enver Hoxha i imponoi me forcë brutale Shqipërisë dhe Shqiptarëve, pas çlirimit të vendit.
Nuk ka faj Ambasadori Arvizu kur thotë se nuk di se cili është motivacioni që të lejohen portretet e diktatorit Hoxha në ceremoni zyrtare të shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Në një reagim, pas ceremonisë në Tiranë, Kryeministri Rama nuk dha ndonjë arsye ose justifikim për praninë e fotove të diktatorit në atë ceremoni, por u shpreh në facebook-un e tij, duke thënë se “të vdekurit me të vdekurit dhe të gjallët me të gjallët”. Fatkeqsisht, i nderuar Z. Kryeministër, duket sikur Enver Hoxhai vdekur po ngjallet për të marrë pjesë në çdo ceremoni zyrtare, ku madje ministrat përulën para portretit të diktatorit.
Më vjen keq të them, por nga këto shfaqje të kohëve të fundit të portretit të Enver Hoxhës, sidomos në ceremoni zyrtare, njeriu vjen në përfundiminqë tëduket se njerëz me përgjegjësi të këtyre dy dekadave të funditsikur të kenë humbur busullën morale, nëqoftse e kanë patur ndonjëherë. Kjo mos-balancë morale, ose më miër të themi mungesë dhe dlshtim moral për të dalluar të keqen nga e mira, kam drojë se vazhdon të mishëroj dhe të pasqyrojëedhe gjëndjen e sotëme politike në vend. Fatkeqsisht, pa një qartësi të vendosur morale, jo vetëmtë klasës politike shqiptare që ka udhëhequr vendin për më shumë se dy dekada pas shëmbjes ssë komunizmit, por edhe në mungesëtë një vizioni moral të shoqërisë shqiptare në përgjithësi në lidhje me krimet dhe me trashëgiminë e vërtetë të sundimit komunist — kombi shqiptar ka shumë pak mundësi që të mënjanojë një të ardhme të zymtë.Për derisa institucionet shtetërore dhe shoqërore, përfshirë klasën politike që kontrollon qeverinë dhe shtetin shqiptar, nuk përballen me të kaluarën dhe përderisa nuk njohin dhe nuk pranojnë të këqiat e sistemit komunist dhe përderisa – në shenjë pajtimi –ata nuk kujtojnë mijëra viktimat e pafajshme të atij regjimi — Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë të jetojnë në një botë të hutuar morale. Prandaj, sa më parë që të përballen me historinë e vërtetë të trashëgimisë së Enver Hoxhës dhe të regjimit të tij komunist, aq më shpejt busulla morale e klasës politike shqiptare do të tregojë drejtimin e duhur dhe rrugën e mbarë që duhet të marrë kombi shqiptar në të ardhmen! Ende nuk është vonë!
Sadik Elshani says
Ne Shqiperi regjimi komunist ishte me cnjerezori nga te gjitha regjimet komuniste te Lindjes, perfshire ketu edhe vendlindjen e komunizmit, Bashkimin Sovjetik. Shqiperia ishte i vetmi vend qe gati ne cdo vendbanim, fshat e qytet, kishte permendore te Stalinit. Madje, nje qytet mbante emrin e Stalinit, Qyteti Stalin (Kucova). Shqiperia ishte i vetmi vend ne bote qe krijoi emrin e coroditur, Marenglen, nga tri shkronjat e para te emrave Marks, Engels, Lenin. E shume e shume coroditje e cmenduri tjera komuniste. Duke patur parasysh keto fakte, atehere shqiptaret duhet te kene nje qendrim krejt tjeter per diktaturen. Por eshte per t’u trishtuar kur sheh se ende nje pjese e mire e shqiptareve e adhuron diktatorin dhe regjimin e tij kriminel. Keto qe pohon Z. Shkreli ne kete shkrim, qendrojne. Edhe ne manifestimet tjera, ministrat e qeverise Rama kane pershendetur me grusht dhe jane perkulur para portretit te diktatorit Hoxha dhe kjo u dukej krejt e natyrshme, pa i brejtur ndergjegja per terrorin e diktatures komuniste. Arsyetimi banal ishte se ata, veteranet, po nderojne komandantin e tyre. Pastaj dalin “historianet” bolshevike dhe trumpetojne lavdine e regjimit cnjerezor te Enver Hoxhes. Anetaresimi i Shqiperise ne BE duhet te kushtezohet me denimin e krimeve te komunizmit dhe distancimi nga ai regjim, njehere e pergjithmone. Pa e denuar te kaluaren komuniste, Shqiperia nuk mund te ecen perpara si vend me demokraci te zhvilluar.