Veseli: Kuvendi i Kosovës është duke u keqpërdorur nga pakica opozitare/
-Takim Jahjaga-Mustafa për zhvillimet aktuale-
PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Kuvendi i Kosovës është duke u keqpërdorur nga pakica opozitare, tha kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pak më parë në një konferencë shtypi, pas ndërprerjes së seancës nga gazi lotësjellës, sot për herë të dytë, si edhe javën e kaluar.
Ndërkohë, pas këtyre zhvillimeve sot ka pasur një takim ndërmjet presidents së Republikës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, pas të cilit nuk ka pasur deklarata.
“Me siguri kanë biseduar për këto rrethana, por nuk kam informacion”, tha kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i pyetur për takimin Jahjaga-Mustafa, në konferencën për shtyp që po e mban në këto momente.
QEVERIA E KOSOVËS DËNON PËRDORIMIN E SËRISHËM TË GAZIT LOTSJELLËS
Qeveria e Republikës së Kosovës në deklaratën e sapodërguar dënon ashpër përdorimin e sërishëm të gazit lotsjellës helmues në seancën e Kuvendit të Kosovës, me të cilin sërish është sulmuar Kuvendi i Kosovës dhe është rrezikuar shëndeti dhe jeta e të zgjedhurve të popullit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës i konsideron sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje përfaqësuesve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna dhe sulmet mbi institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe që agjendat e tyre politike të përpiqen t’i realizojnë përmes mjeteve demokratike.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj maksimal për debat të bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese, me qëllim të ruajtjes së konsensusit nacional, si dhe të përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, për procese madhore që lidhen me të ardhmen e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe që janë vullneti suprem i popullit të Kosovës./b.j/