TIRANE- PDIU ka pershendetur vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Komitetit të Diasporës shqiptare. Vendimi është prezantuar nga kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë, duke e quajtur këtë “një detyrim te madh, moral”, ndaj shqiptarëve kudo që janë. PDIU në deklaratën e saj thotë se ky vendim erdhi si pasojë e kërkesës së saj të vazhdueshme. Ngritja e këtij Komiteti, thekson më tej PDIU është pasqyrim i një objektivi themelor të Programit të saj për të cilin ka luftuar që në fillim të ekzistencës si parti politike.
“Më shumë shqiptarë jetojnë jashtë sesa brenda dhe si e ka treguar historia jonë e afërt dhe e re, siç e ka treguar historia e vendeve me diasporë të madhe, kjo pjesë e kombit ka luajtur rol kyç në rilindjen, rimëkëmbjen e vendit. Kombi shqiptar nuk e ka luksin të mohojë ekzistencën e një pjese kaq të madhe të trupit të vet të gjymtuar kombëtar. Në gjykimin tonë politik, diaspora shqiptare është një, pavarësisht kohës kur është larguar nga vendi, apo nga cili troj etnik i saj vjen. Në këtë kuptim, problematika e saj është dhe problematika e kombit. Brenda kësaj diaspore, popullsia me origjinë çame jashtë vendit është një përbërëse mjaft aktive dhe problematika e saj duhet trajtuar me synim vendosjen e drejtësisë dhe përfshirjen e kontributeve të saj.”- thuhet në deklaratë.
Ndërkaq, sipas Berishës, fati na bëri që të kemi më shumë diaspore se shqiptarë në trojet shqiptare.
“Në këtë aspekt, u duhet kërkuar ndjesë shqiptarëve kudo që janë se nuk ka qenë e mundur të kenë mbështetjen e merituar të Shqipërisë, por i garantoj se realizimi i saj është përparësi madhore. Komiteti i Diasporës do të bëjë çdo gjë, për t’u gjendur afër shqiptarëve në të katër anët e planetit, nga Zelanda e Re, Alaska e Poli i Veriut. Dikush më bëri një mesazh, ku më thoshte: Ju përshëndes nga Poli i Veriut në Finlandë”- tha Berisha.
Ai theksoi me tej se Komiteti i Diasporës do të përpunojë praktikat e skemat më të mira në mënyrë që qeveria te gjendet më pranë tyre.
“Diaspora ka një rol historik, të jashtëzakonshëm, në jetën dhe në betejat e shqiptarëve për liri e zhvillim. Të mos harrojmë se edhe Rilindja jonë, në tërësinë e saj, me ndonjë përjashtim, lindi jashtë trojeve shqiptare. Ky ishte fati ynë. Për të mos numëruar të gjithë aktet e avokatisë së jashtëzakonshme që i ka bërë kombit, diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, ndonëse nuk është më e madhja dhe më e pasura, është absolutisht më zemërzjarrta për Shqipërinë e kombin shqiptar.”- tha ai.