
Hisen Berisha/
Në pranverën e përgjakur të vitit 1999, kur Kosova digjej në zjarrin e lirisë dhe dhimbjes, Meja e Gjakovës u bë dëshmi e njërit prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit në historinë tonë. Më 27 dhe 28 prill, forcat serbe kryen një masakër të tmerrshme, duke ndalur dhe ekzekutuar mbi 350 qytetarë shqiptarë të pafajshëm – nga fëmij, të rinjë adoleshentë, burra e deri te pleq që mezi mbanin veten.
U pushkatuan mizorisht, vetëm pse ishin shqiptarë.
Meja u kthye në një kodër varresh të hapura, në një fushë dëshmie të gjenocidit, një tokë e gjakosur e bijve më të mirë të Gjakovës dhe rrethinës.
Të mbledhur me forcë, të dhunuar në dinjitet dhe në jetë, këta martirë sot jetojnë përjetësisht në kujtesën tonë kombëtare.
Ne sot përkulemi me respekt para emrave të tyre, para dhimbjes së familjeve të lënduara, dhe para plagës së hapur të nënave që presin me vite për një varr.
Meja është zëri i përjetshëm i kërkesës për drejtësi, thirrja që nuk shuhet kurrë për të vërtetën e Kosovës.
Sot, si komb, ne jo vetëm që i nderojmë, por jemi të përbetuar të mos harrojmë kurrë se liria jonë i ka rrënjët në gjakun atyre që u flijuan për të, që po i përkujtojmë sot në Mejë, Skivjan e anëkënd Kosovës, mbi kurajon e një populli që vendosi të mos zhduket, por të ngadhënjejë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i martirëve të lirisë!
Lavdi jetës së tyre, që e flijuan për lirinë tonë!