Rrënoja që flasin për një kulurë të lashtë dhe interesante/
Reportazh nga: Avdulla Kënaçi/
As më kishte shkuar ndërmend se një ditë do të ndodhesha ne qytetin e Majave. Populli Maja është pjesë e një kulture të mahnitëshme që lulëzoi në rajonet më të ulëta të Meksikës dhe shtetet pranë saj. Ata ndërtuan piramida dhe tempuj, zhvilluan një formë të shkruari përmes hieroglifeve dhe ishin shumë të aftë në matematikë dhe astrologji. Kisha lexuar për kulturën e tyre të lashtë, për saktësinë me të cilën matnin kohën, kalendarin pesëmijëvjeçar dhe parashkimet e tyre për fundin e botës. Kisha parë foto të zbulimeve arkeologjike dhe gjithashtu kisha ndjekur disa dokumentarë shkencorë. Por është tjetër gjë të gjëndesh, të shohësh me sytë e tu e të prekesh me dorë rrënojat e qytetit të Majave. Dhe ja ku jam, i vetmi shqiptar nga gjithë ajo turmë turistësh që sulej drejt një porte të ngushtë, tetë metra të gjatë ku mund të ecte vetëm një njeri më këmbë, jo më e lartë se 1.70 metra. Porta nuk ishte ndërtuar me qemer, as me prag guri drejtëkëndësh sikundër tek ne, por me rrasa guri të ngjeshura njera mbi tjetrën në formën e shkronjës së madhe A. Nga çasti në çast ata gurë të hollë e të gjatë dukej sikur do të nguleshin në skalpin e kokës. Midis disa guidave, nga që u ndodha për pushime në Meksikë, zgjodha qytetin Tulum, sepse ai është i vetmi vendbanim maja i ndërtuar buzë detit.
Na thanë se mund të hipnim në “tren”, për të arritur më shpejt, por preferova të eci më këmbë përgjatë xhadesë që çante përmes xhunglës. Vapës përvëluese të Tropikut nuk i shpëton dot edhe nën kurorën e pemëve me të cilat mbulohet rruga gjer në rrënoja. Tabani është gëqeror, balta tek-tuk është hedhur midis gurëve me shumë kursim. Nga të dy anët e rrugës harlisen rrënjë të përqafuara e të mpeksura me njera-tjetrën për jetë a vdekje, bimë të panjohura për mua, të cilat bëjnë një garë të çmendur për të nxjerrë kokën mbi njera-tjetrën duke kërkuar rrezet e diellit përvëlues të Tropikut. Gati çdo ditë aty bie shi i rrëmbyer, shi në të kthjellët, siç thonë, i cili vjen befasisht e me rrebesh. Por ajo tokë e paktë me origjinë humusore, nuk u jep pemëve mundësinë të rriten më të larta se katër pesë metra. Xhungla është një habitat i shkëlqyer për llo-lloj zogjësh me ngjyra-ngjyra dhe kafshë të egëra që nuk i njeh Europa. Më i rrezikshmi është tigri, formën e të cilit e ndesh edhe në përkrenaret e luftëtarëve Maja.
Nga të tria anët, qyteti Tulum ka qenë i rrethuar me mur guri të thatë, rreth 7 metra të gjerë dhe 5 metra të lartë. Ja ku duken pesë kullat e rojës dhe rrënojat e murit, ndërsa nga jug-lindja ka qenë i rrethuar nga deti me breg shkëmbor pas të cilit gjendet një liman i fshehtë. Gjatësia e gjithë vendbanimit është 400 metra dhe brinjët anësore janë nga 170 metra secila. Godinat më të rëndësishme gjenden nga ana e detit, por me front nga ana veri-lindore. Vetëm njera, ajo e patriarkut ose e mbretit ka qenë e mbuluar me material të ngurtë, ndërsa të tjerat me çati të mbuluara me gjethe kokoje të prera rripa-rripa. Sipas hamendësimeve, këtu nuk kanë banuar më shumë se 1500 vetë. Duhet të kenë qenë banorë të rëndësishëm, apo të përzgjedhur. E gjitha është një ultësirë në formë govate, jo më e lartë se 12 metra nga niveli i detit. Si e siguronin ujët? Në anën veriore gjëndet një shpellë në fundin e së cilës vezullon një pellg uji. Eshtë një cenote, apo sterrë. Vendi i gjithë është i mbushur me të tilla të cilat lidhen me njera-tjetrën me sistem kanalizimesh e diku-diku ngjajnë me pishina natyrale që mbajnë ujë të ëmbël, të kthjellët e të pastër, safir blu. Janë si oazet në shkretëtirë, më saktë, oaze në xhungël. Në një prej tyre që lidhet nën tokë me detin nga ana e gadishullit Jukatan, besohej se aty përfundonte shpirti i Majave pas vdekjes i cili sa largohej nga trupi, hynte në botën e krimit.
Po varret ku janë? Ja ku përpara shtëpisë më të madhe gjendet një pllakë në formën e një kudhëre ku brenda saj vendoseshin vazo me hirin e trupave të të vdekurve. Disa shtëpi e kanë të pozicionuar varrin direkt në qendër të dyshemesë. Me sa duket ata besonin dhe i nderonin të vdekurit si shpirtëra të gjallë dhe i mbanin gjithënjë afër, pa i zbuar kurrë nga shtëpitë.
Përpara na zbulohet një pamje mahnitëse që nuk ka të bëjë fare me kështjellat tona. Objektivët e gjithë aparatëve fotografikë të turistëve janë përqëndruar mbi Piramidën të cilën e admirojnë për madhështinë dhe arkitekturën origjinale. Ka mijëra vjet aty dhe qëndron e pamposhtur ndaj rrebesheve dhe stuhive që vijnë nga deti i Karaibeve. Koha i ka dhënë një ngjyrë gri të errët duke e bërë njësh me shkëmbijtë që mbajnë pa lëvizur peshën e saj. Që larg nga hapësirat blu, ajo duket si një kështjellë dhe kolonizatorët e parë spanjollë e thirrën El Kastello, ndërsa emrin Tulum ia vunë duke u nisur nga muret rrethues. Këtë vend majat e thërrisnin ndryshe, Zama e që do të thotë Agim. Për herë të parë spanjollët shkelën këtu më 1518. Vendasit më shumë trembeshin nga kujat që nuk kishin parë kurrë se sa nga kalorësit kuiskadorë.
Në frontin e Piramidës dallohet qartë Tempulli i Afreskeve, i ndarë në tre seksione. Niveli i parë përfaqëson botën e të vdekurve të majave. Seksioni i mesëm përfaqëson Botën e të Gjallëve, pra vetë majatë. Seksioni i tretë, që është edhe niveli më i lartë, është vendi i Krijuesit dhe Perëndisë së Erërave. Në qendër është një shtyllë me motive të gjarpërit të gdhendur. Po ajo që të bën më shumë përshtypje, në anën lindore është observatori për ndjekjen e lëvizjeve të diellit. Dallohet një kamare e cila ulërin si një sirenë kur nga deti afrohen stuhitë. Është mënyrë alarmi për t’u mbrojtur nga uragani që vjen i papritur.
Bazorelievi i Krijuesit apo Venusit, është kokëposhtë prandaj edhe e quajnë Zoti i Zhytjes sepse ai zbret nga qielli, por mund të zhytet edhe në det. Këtë figurë e gjen kudo në vendbanimet Maja. Është figura më e adhuruar, e ruajtur dhe e mbrojtur më së miri. Deri para 30 vjetësh, popullsia rrotull këtë vendbanim e ruante si vend të shenjtë dhe nuk ua zbulonin të huajve. Ishin arkeologët amerikanë ata që këmbëngulën për ta kthyer në një muze gjigand ku mund ta vizitonte e gjithë bota. Por përsëri, brenda Piramidës nuk lejohet të hyjë asnjë vizitor. (Me sa kuptohet arkeologët shpresojnë të zbulojnë të tjera sekrete të Majave). Më tej është altari ku janë bërë rituale dhe sakrifica për të fituar favore nga zotat. Në sakrificat e gjakut jo gjithmonë humbisnin jetë njerëzish, me përjashtim të atyre që me dëshirë kërkonin të falin gjakun. Kjo quhej një sakrificë personale. Shumica afronin lule, ushqime dhe objekte të ndryshme arti.
Një nga ciceronët, duke na spjeguar afresket, simetrinë dhe gdhëndjet në një shtëpi arhondi, nga ana ballore, na tregon aty pranë një pemë tropikale me lule ngjyrë gjaku. Duke përzier këto lule me pluhur qymyri në një havan përgatiteshin bojërat për afreske dhe tatuazhe, thotë ai.
Interesant ishte Sheshi i kuvendit të burrave; si nja dy metra i ngritur nga toka, në formë rrethore, ku uleshin në ledhe pjesëmarrësit, ndërsa në qendër mbi një pirg dheu qëndronte prijësi i cili drejtonte kuvendin. Gjithëçka këtu të ndez imagjinatën dhe të detyron të bësh qindra pyetje. Tulumi nuk është kot një nga destinacionet më të kërkuara në Amerikë. Korrik, bënte shumë vapë, dielli po ngrihej në zenith dhe gjithë vizitorët u tunduan nga era e freskët që vinte nga deti, poshtë këmbëve të Piramidës. Si nga një hinkë shkëmbore, një nga një zbritëm në plazh ku dallgët kishin hedhur me bujari rërë të bardhë si niseshte. I vetmi vizitor që mbante këpucë, isha unë. Tek kundroja një pemë arre koko që kishte mbirë në një të çarë shkëmbi, tek këmbët m’u përplas një dallgë. Ujët e kripur hyri brenda këpucëve. U detyrova të zhvishem dhe të zhytem në ujë, si gjithë të tjerët. Tutje shtrihej pa kufi deti i Karaibeve, dimër verë i ngohët si ujë dushi. I ktheva përsëri sytë nga gjiri i mbrojtur nga erërat dhe dallgët. Me siguri, mendova, pas atyre shkëmbinjve si qilivurë ankoronin majatë kanoet e tyre të famëshme. Dhe mallin me siguri e ngjitnin dhe e zbrisnin nga sipër me litarë. Kristo Kolombi, zbuluesi me famë botërore, 700 kilometra larg që këtej, në Honduras, hasi një kanoe që kishte ardhur prej këtej. Ky ishte një port i rëndësishëm ku këmbehej bakër, ushqime, pupla e pendë zogjsh, artefakte stërralli, objekte ari, kripë, prodhime tekstili, etj.
Tulumi ka lulëzuar nga 300 para Krishtit e deri në 900 pas erës së re. Ka pasur një rënie të lehtë në periudhën post klasike, ndërsa me pushtimin spanjoll u braktis plotësisht. Disa duan të thonë se thatësira e zgjatur i detyroi të largohen. Ka mundësi që edhe kuiskadorët i shkatërruan duke i grabitur e duke u kërkuar me dhunë arin e fshehur. Banorët vendas flasin me dhimbje e veneracion për një pllakë të shenjtë të gdhendur me një yll në mes dhe datën 564. Kur të kthehet ajo pllakë në Kankun, do kthehet edhe begatia, shpresojnë Majat e sotëm që jetojnë në gjithë Kankunin e gjer në El Salvador. Pllaka gjendet sot në Muzeun Britanik, por arkeologët thonë se ajo ka qenë e sjellë në Tulum prej diku gjetkë… Tulumi është një rrënojë arkeologjike që flet shumë.
Saniola Kore says
Pershendetje gazeta Dielli!
Faleminderit qe na sollet “rreze dielli” nga qyteterimi Maja.
Eshte nje reportazh teper i goditur prej autorit.
Ky pershkrim i detajuar, i kendshem dhe teper interesant, me nje sasi te bollshme dhe cilesore informacioni te ben te ndiesh sikur po e prek nga afer nje tablo te tille…
Pergezime edhe per peisazhin e kendshem qe ka sjelle autori pas hulumtimeve te veta (besoj).
Ju pergezoj per perzgjedhjen e denje te shkrimeve nga autore me vlera.
Nuk me ngelet gje tjeter vecse te pergezoj Autorin dhe Ju qe e sollet tek ne kete reportazh.
Suksese te metejshme Z.Avdulla Kenaci dhe Gazetes Dielli.
Pergezime!