



Vasfije Krasniqi-Goodman, aktiviste e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, në një rrëfim ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shpjegon fushatën “RallyForHerJustice” në New York dhe Washington, një fushatë për drejtësinë e papërmbushur për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftërave të Bosnjes, Kroacisë dhe Kosovës. Me Vasfije Krasniqi-Goodman bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.
FUSHATA “RALLY FOR HER JUSTICE” NË KËRKIM TË DREJTËSISË SË MOHUAR
Faleminderit për mundësinë për të folur me ju dhe komunitetin shqiptar për një çeshtje kaq të rëndësishme. Në 20 Prill 2019 unë u ftova ti bashkangjitem eventit #ForHeroines #PërHeroinat në Prishtinë, një event i organizuar nga Këshilltari i Qytetit të New Yorkut Mark Gjonaj në kuadër të 20 Vjetorit të Batalionit Atlantiku dhe vizitës së tyre në Kosovë dhe Shqipëri. Organizimi nga Stafi i Këshilltarit Gjonaj udhëhequr nga Shefja e Stafit të tij Vera Mjeku në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Tortures dhe rekomandim nga Konsullata e Kosovës në New York, kishte si qëllim hapjen e një fushate përkrahje për të mbijetuarve të krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe fuqizimin e kësaj çështje në shoqërinë tone si dhe ndërkombëtarisht. Fushata u zhvillua në qytete të ndryshme të Kosovës dhe përfundoi në Prishtinë ku në shenjë kujtese për të mbijetuarat, vajza, djem, të rinj e të moshuar, vendosnin vathe në qendër të qyteteve për të formuar konstelacionin e fjalëve #ForHeroines. Pas kësaj vazhdoi bashkëpunimi ynë për Ditën e Ndërgjegjësimit në Kongresin Amerikan në Washington DC në 30 Prill 2019, ku pasi dëshmova në Kongresin Amerikan së bashku me Ilir Bytyqin, Presidenten Atifete Jahjaga dhe Profesorin Paul Williams, kjo dëgjesë u pasua nga një tubim para Ambasadës Serbe në Washington me ndihmen e Mark Gjonaj, Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi” etj. Dua të falenderoj Kongresmenin Eliot Engel, aktivistin Harry Bajraktari, Ambasadën e Kosovës në Washington për organizimin e Degjesës në Kongres dhe komunitetin Shqiptaro-Amerikan për përkrahjen e vazhdueshme. Këto evente u bënë bazë për fillimin e #RallyForHerJustice në 29 Tetor 2019 nga Këshilltari Mark Gjonaj, udhëhequr nga Stafi i tij dhe komuniteti Shqiptaro-Amerikan, duke e hapur konceptin për të përfshirë rreth 70,000 të dhunuara nga Serbët gjatë luftës dhe genocidin, të vrarët, të pagjeturit në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci si dhe komunitetet përkatëse. Mbas një eventi të suksesshëm vendosëm ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe ta kthejmë në një event të përvitshëm për të rikujtuar dhe të sjellë në vëmendje këtë plagë të shoqërisë tonë, krimet e pandëshkuara dhe rrezikun e shtuar të politikave të Serbisë në Ballkan. Jam e lumtur që tubimit tonë të 28 Tetorit në New York para Konsullatës Serbe ti bashkangjiten shumë aktiviste të shoqërisë civile, organizata të komunitetit shqiptar, boshnjak, kroat etj, Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, anëtarë të Parlamentit e qytetarë të thjeshtë dhe jam shumë e emocionuar nga përkrahja e Yllit Botëror Dua Lipa. Me anë të kësaj interviste dua ti inkurajoj shqiptaro-amerikanët në New York të tregojnë si gjithnjë mbështetjen e tyre për Tubimin e 28 Tetorit.
VAZHDIMËSIA E FUSHATËS NË EUROPË APO SHTETE TË TJERA
Tani për tani fushata është përqëndruar në New York si kryeqendra e Kombeve të Bashkuara dhe Washington DC, kryeqendra e politikës amerikane por kemi marrë përkrahje nga gjithë bota.
MBËSHTETJA INSTITUTICIONALE NGA AMERIKA
Mbështetja kryesore dhe realizimi i kësaj iniciative është padyshim Këshilltari Mark Gjonaj dhe Stafi i tij i përkushtuar e profesionist. Tubimet e mëparshme janë përkrahur fuqishëm nga Kongresisti Eliot Engel, Këshilltarja e NYC Carlina Rivera, Asambleistja e NY Nathalia Fernandez dhe shpresojmë nga Kongresisti Ritchie Torres, Congresisti Lee Zeldin, Kryetari i Grupit të Politikës së Jashtme Gregory Meeks dhe shumë të tjerë.
REAGIMI I BOTËS SË QYTETËRUAR NDAJ KAFSHËRISË SERBE NË KOSOVË
Më lejoni që këtu të ndalem pak më gjatë, derisa aparati shtetëror serb kreu krime makabre në Kosovë, ku nga dhuna e shfrenuar mbeten më shumë se 20 mijë gra dhe burra, duke përfshirë edhe komunitetet jo shqiptare, sepse serbet nuk kanë dhunuar vetëm shqiptare. Shoqëria jonë pas luftës nuk ka bërë mjaftueshëm për senzibilizimin e opinionit brenda dhe jashtë për këto krime dhe vetëm këto vitet e fundit ne kemi një mobilizim shoqëror, por së fundmi edhe institucional në senzibilizimin e botës demokratike për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë, dhe duke e nisur nga kjo ne presim që tani të fillojë reagimi i botës demokratike në lidhje me atë se çfarë ka bërë Serbia kundër popullatës civile.
MBËSHTETJA NGA INSTITUCIONET E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË
Fatkeqësisht Kosova është vonuar dhe tani me ndryshimet politike unë pres mbështetje konkrete në lidhje me kauzen time, sigurisht që tani do të kem mbështetje, ndonëse unë jam ftuar nga Kryeministri i Kosovës që të jem pjesë e listës garuese, me qëllimin e vetëm që unë të vazhdoj më tutje kauzen për drejtësi, ndërsa përsa i përket Shqipërisë unë kam pasur një projekt konkret në lidhje me kauzën time, por që ai projekt pasi kishte nisur të zyrtarizohet ka dështuar, si dhe pse ka dështuar, atë e dinë vetëm nga Presidenca apo edhe Qeveria e Shqipërisë.
HISTORIA E DHUNËS SEKSUALE E KRIMEVE SERBE NDAJ FEMRAVE NË KOSOVË
Ajo se çfarë ka ndodhur në Kosovë në luftën e fundit, ku sipas Organizatave Ndërkombëtare janë dhunuar seksualisht më shumë se 20 mijë gra dhe burra, kam frikë se asnjëherë nuk do të arrihet të dihet e vërteta rreth asaj se çfarë dhe si ju kishte ndodhur, sepse të flasësh në Kosovë për dhunën seksuale është shumë e rënde, sepse shoqëria jonë ende nuk e pranon hapjen e plotë ndaj kësaj kategorie. Për ta rënduar situatën, sistemi i drejtësisë në Kosovë i cili ka qenë fillimisht përgjegjësi e UNMIK-ut, EULEX e tani së fundi e vendorëve, nuk ka arritur që të dënojë asnjë nga kriminelët e përfshirë në këto krime, përjashto këtu rastin e fundit ku një ish polic serb është denuar me 10 vite burgim. Ajo që dua të them është se sa më shumë dënime të kemi aq më shumë do të rritet besimi ndaj institucioneve dhe të mbijetuarat do të ishin të gatshme të dëshmonin para organeve të ndjekjes dhe kjo do të ndikonte në dokumentimin më kredibil të narracionit mbi dhunimet seksuale.