Kur tashmë pothuajse gjithçka ka përfunduar dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe pse jo zyrtarisht është fituese e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i është drejtuar të gjithë elektoratit rozë por dhe gjithë shqiptarëve si fitues i këtyre zgjedhjeve me rezultat të thellë ndaj së djathtës. Me një fjalim të gjatë dhe të kopsitur mirë, Rama ka falenderuar të gjithë mbështetësit dhe qytetarët shqiptarë që i besuan votën, ndërsa vlerësoi përgjegjësinë e madhe që rrjedh nga ky besim, për të bërë realitet rilindjen e vendit.
“Ka fare pak përgjegjësi të tjera më të mëdha për një njeri, se sa përgjegjësia për të udhëhequr vendin tënd. Sot ju populli i Shqipërisë vendosët të ma ngarkonit mua dhe skuadrës tonë të Rilindjes së bashku me partnerët tanë strategjikë të LSI këtë përgjegjësi kaq të madhe. Ne e pranojmë përgjegjësinë me ndjenjën më të thellë të përuljes ndaj secilit prej jush dhe për çdo ditë nga sot e tutje ne do të jemi me ju dhe për ju deri kur kjo përgjegjësi madhore të jetë e jona. Unë e di se asnjë qeveri në botë smund të kënaqë dot të gjithë dhe për gjithë klohën, por unë sdo të harroj kurrë që jeni ju nga brënda dhe jashtë vendit që na vutë në krye të vëndit. Ju na besuat sepse ne e nxorëm më të mirën nga vetja për të arritur deri këtu. Unë e dua këtë vënd ndaj dhe luftova kaq shumë për të fituar dhe zemra ime e di se cfarë mundësish pa fund ka ky vend për të rilindur. Këto mundësi të pafundme duhet ti nxjerrim nga zemra dhe mendja e cdo shqiptari për të bërë më të mirën për Shqipërinë dhe shqipëtarët. Dua që ju njerëzit e këtij vendi të bëheni pjesë e skuadrës sonë të rilindjes. Ti ndajmë sëbashku aspiratat sfidat dhe përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur, shërbime sipas nevojës, një demokraci të rivendosur” tha ai.Duke iu rikthyer programit të PS për ekonominë, Rama tha se do punohet për rimëkëmbjen e biznesit dhe ekonomisë së shqiptarëve nëpërmjet taksimit të ndershëm. Kryesocialisti tha se kjo është një mundësi historike për t’i risjellë vendit arritjet e munguara.
“Ne do të udhëheqim. Por as unë, as udhëheqësit për të drejtuar së bashku, s’mund ta sjellim të vetëm Rilindjen. Dua që ju, njerëzit e këtij vendi të bëheni pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes. T’i ndajmë së bashku aspiratat, sfidat dhe përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur përmes taksimit të ndershëm, një shoqëri të përtëritur me arsim, shëndetësi sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, një demokraci pavarësisht përkatësive partiake dhe krahinore. Pa harruar asnjë cast që populli e ngjyrosi me ngjyrën e purpurt nga Shkodra në Vlorë. Të nisim bashkarisht punën për ti treguar njëri- tjetrit dhe botës rreth nesh se kemi talentin për tu ngjitur në lartësinë e amanetit të të parëve. Pa harruar asnjëherë se duhet të jetë liria, jo mungesa e saj, rruga për ta qeverisur këtë vend, respekti për normat ligjore dhe jo mungesa e tyre rruga për të marrë këtë vend. Të vazhdojmë sëbashku si një vend dhe si një komb përpjekjen drejt vendit që i takon në familjen e bashkuar të Europës, ku si asnjëherë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës e kanë mundësinë e bashkimit të plotë në atë familje të madhe. Ka qenë deri këtu një ëndërr e gjatë, sëbashku tani duhet ta bëjmë realitet” shtoi Rama.
Kreu i PS ka rezervuar një falenderim edhe për kundërshtarin e tij politik.
Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në shoqëri të pazhvilluara si e jona, kur pushteti degradon në pushtetin e një njeri. Falenderoj Berishën për cdo gjë të mirë që ka bërë, e që historia nesër mund ta vlerësojë më me objektivitet se unë. I uroj çdo gjë të mirë në jetë e tij private dhe në vazhdim”u shpreh ai.
Kreu socialist u shpreh se ky është momenti më krenar i jetës së tij, por përulësia mbizotëron në këtë moment ndaj krenarisë.
“Nuk ka pikë dyshimi se duke parë flamujt e fitores, brohoritjet anembanë vendit, duke parë më në fund që gëzimi ta pushtojë fytyrën e cdo opozitari të deri sotëm edhe unë ndihem i ngazëllyer si gjithë ju, por ky gëzim i merituar nuk do kërkojë dot vende pune për të rinjtë as shërbim shëndetësor për të moshuarit. Fitorja nuk është mbërritja, por vetëm nisja. Fitorja është era e ndryshimit, por tani nis puna e madhe për ta bërë realitet ndryshimin për komunitetet në gjithë Shqipërinë e rrënuar.Ky ndryshim që të gjithë duam s’do të viojë brenda natës, nuk do mbërrijë as kollaj, asgjë e mirë nuk vjen kollaj, duhet të punosh dhe sakrifikosh fort për ta arritur. Të gjithë bashkë duhet të punojmë dhe sakrifikojmë fort dhe ne do punojmë fort si një skuadër që sot ka fituar vetëm të drejtën për tu vënë në provë, ndërsa nesër duhet të nisë punën për të dhënë provën. Nuk mund të mos u rrëfej sot se ky është moment më krenar i jetës sime, por midis krenarisë që ndjej për veten dhe përulësisë që ndjej për investimin që keni bërëpër mua fiton përulësia. Unë do jem kryeministri juaj, por dhe kryeshërbëtori juaj, detyra do jetë imja , pushteti juaj. Unë sdo ta harroj këtë, por ju lutem as ju, jo për mua por për të mirën e Shqipërisë që duhet ta rilindim sëbashku” përfundoi ai.