
Besnik Fishta/
Gjatë kërkimeve në korespondencat e shumta filatelike të ruajtura në familjen time për pothuajse një shekull, më tërhoqën vëmendjen shumë prej tyre që lidhen me emrin e intelektualit me origjinë nga Gjakova, z. Rasim Juniku. Ai më kujtohet si një personalitet që përmbushte cilësitë e njeriut të denjë për të mbetur në kujtesën e kujtdo që pati rastin ta njihte nga afër. Personalisht, kam disa arsye për ta kujtuar me respekt Bacën Rasim. E para, lidhet me faktin se im atë kishte pasur me të një miqësi të gjatë, e cila ishte ndërtuar mbi pasionin e përbashkët për kulturën dhe artin e filatelisë, por mbi të gjitha mbi ndjenjën e thellë patriotike që i bashkonte në dashurinë për Kosovën. Së dyti, ruaj në kujtesë figurën e tij mbresëlënëse, të cilën pata fatin ta njihja nga afër gjatë kohës kur shërbeja në arsim në qytetin e Kukësit, në vitet ’80. Në shëtitoren hijshme të qytetit, pranë gjimnazit ku punoja, e dalloja që larg Bacën Rasim nga shtati i tij i drejtë dhe i lartë, me të cilin dukej sikur donte t’u kujtonte të gjithëve se përfaqësonte denjësisht figurën e patriotit gjakovar,mqs emri i tij të sillte ndër mend edhe majën e malit Junik, pjesë e Bjeshkëve të Nemuna në Alpet shqiptare. Nuk mund të harroj kurrë shkëlqimin e syve të tij nga gëzimi sa herë që takoheshim dhe bisedonim për pasionin e madh të jetës së tij: filatelinë. Në ato biseda ndihej qartë se për të pullat postare nuk ishin vetëm objekte koleksioni, por edhe dëshmi të historisë, kulturës dhe jetës së popullit tonë. Për të dhe për shumë miq të tij, filatelia ishte bërë një urë miqësie që lidhte njerëz nga vende të ndryshme dhe krijonte marrëdhënie të qëndrueshme për gjithë jetën. Për këtë arsye, disa fjalë për jetën dhe kontributin e Rasim Junikut janë të domosdoshme të shkruhen, në mënyrë që të kuptohet më mirë se si ai e përjetoi kënaqësinë që i jepte filatelia dhe se çfarë kontributesh intelektuale dha në lidhje me çështjen e Kosovës dhe kulturën shqiptare.
Rasim Juniku ishte një nga ata njerëz që gjatë gjithë jetës së tij ruajti një lidhje të fortë me dijen, kulturën dhe dashurinë për atdheun. Bashkëkohësit e kujtonin si një njeri të përkushtuar, punëtor dhe me një pasion të veçantë për librin, historinë dhe kulturën shqiptare. Për edukimin dhe arsimimin e tij, ashtu si për shumë jetimë nga Gjakova, Malësia e Gjakovës, Hasi dhe Luma, ndikim të rëndësishëm kishin përpjekjet e patriotëve shqiptarë si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët mbështetën arsimin e të rinjve shqiptarë në ato kohë të vështira. Gjatë shkollimit, Rasim Juniku tregonte gjithmonë respekt të madh për mësuesit e tij. Ai i kujtonte ata si njerëz të përkushtuar dhe patriotë të vërtetë, të cilët u jepnin nxënësve jo vetëm dije, por edhe frymëzim. Sipas tij, mësuesit e asaj kohe ishin “trima të zotë të pushkës, të mendjes dhe të pendës”, njerëz që punonin me pasion për edukimin e brezit të ri. Në vitet 1923–1928 ai ndoqi mësimet në shkollën plotore të Internatit “Kosova” në Tropojë. Kjo shkollë kishte mbetur në kujtesën e tij si një vatër e rëndësishme edukimi, ku mësuesit përpiqeshin të formonin një brez të ri të ndërgjegjshëm dhe të arsimuar. Në atë kohë librat në gjuhën shqipe ishin të rrallë, dhe Rasimi kujtonte se sa herë që nxënësit arrinin të gjenin një libër në shqip, ata e kalonin dorë më dorë dhe e ruanin me shumë kujdes, si një pasuri të çmuar. Kjo përvojë ndikoi që tek ai të lindte një dashuri e veçantë për librin dhe për çdo gjë që lidhej me kulturën shqiptare. Rasim Juniku nuk u nda kurrë nga dëshira për të mësuar. Ai ruajti lidhje të ngushta me mësues dhe intelektualë të kohës dhe gjatë jetës së tij punoi e jetoi në disa qytete të Shqipërisë, si Ballsh, Kavajë, Ferizaj, Prizren, Lezhë, Pukë dhe Kukës. Ndër njerëzit me të cilët kishte krijuar miqësi përmenden Maksut Milova, Sule Hekali, Feim Lulashi dhe Sulo Klosi në Ballsh; Qamil Golemi dhe Shuaip Domnori në Lezhë; si dhe Milosh Gjergj Nikolla – Migjeni, Asim Vokshi, Abdulla Çanga dhe Engjëll Kosmaçi në Pukë.

Fig.1 Certifikate mirenjohje per punen ne zyren postare Puke 1932
Në vitin 1928 Rasim Juniku kishte filluar punën si praktikant në postën e Pukës. Me përkushtimin dhe korrektësinë e tij në punë ai ishte dalluar shpejt si një nga punonjësit më të përpiktë të shërbimit postar shqiptar. Ai kishte besuar gjithmonë se njeriu kishte për detyrë të jepte kontributin e tij për vendin dhe për shoqërinë. Sipas bindjes së tij, njeriu nuk duhej vetëm të jetonte, por edhe të punonte për të mirën e atdheut dhe për përparimin e vendit.

Fig2. Ekspozite filatelike ne Bajram Curri 1987

Fig3. Me pasion tregon eksponatet e ekspozites 1987
Përveç punës në shërbimin postar, Rasim Juniku kishte zhvilluar një pasion të veçantë për filatelinë, e cila me kalimin e viteve u bë një nga dashuritë më të mëdha të jetës së tij. Ai ndiente krenari sa herë që shihte në pulla postare simbolet kombëtare shqiptare, si shqiponjën dykrenore, portretin e Skënderbeut, pamje nga trevat shqiptare, elemente të arkeologjisë apo kostume popullore. Për këtë arsye ai kishte filluar t’i grumbullonte dhe t’i ruante me kujdes, duke i konsideruar një pasuri të çmuar kulturore.Me nje vullnet te pazante ,ai iu kishte përkushtuar mbledhjes së pullave të postës shqiptare kudo që mund t’i gjente. Me ndihmën e miqve dhe bashkëpunëtorëve ai kishte arritur të siguronte në koleksionin e tij edhe pullën e parë postare shqiptare të nxjerrë nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës më 5 maj 1913, si dhe shumë seri të tjera pullash të nxjerra në qytete të ndryshme të vendit gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore dhe më pas gjatë periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogut. Një nxitje e rëndësishme për ta thelluar këtë pasion kishte qenë edhe njohja e tij me poetin Migjeni në Pukë. Nëpërmjet miqve dhe bashkëpunëtorëve, si Engjëll Kosmaçi dhe të tjerë, Rasimi kishte zgjeruar rrethin e njohjeve dhe interesave të tij kulturore. Ai merrte shpesh letra nga vende të ndryshme, në zarfat e të cilave kishte pulla të ndryshme postare, i ruante me kujdes dhe përpiqej të mësonte sa më shumë për historinë dhe origjinën e tyre, sepse për të, çdo pullë përfaqësonte një vend, një kulturë dhe një periudhë historike, pullat postare ishin si lajmëtarë të vegjël të kontinenteve, sepse në një hapësirë të vogël ato përfaqësonin jetën, historinë dhe kulturën e popujve të ndryshëm.

Fig.4 Kujdesi ne pregatitjen e ekpozites Kukes 1985
Qendrimi i Rasim Junikut ne shoqeri nuk ishte indiferent, por me karakterin e tij dashamires,ndjenjat e tiaj patriotike dhe pasionin per kulturen perpiqej ti transmetonte tek brezi ri,dhe per kete ai ishte njepjesmarres dhe inisiator i veprimtarive të rëndësishme kulturore. Ai kishte hapur tri ekspozita te sukseseshme filatelike, përkatësisht në Kukës më 1985, në Pukë më 1986 dhe në Bajram Curri më 1987. Këto ekspozita kishin tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve dhe kishin qenë një mënyrë për të promovuar kulturën filatelike. Në ekspozitat e tij ai kishte paraqitur edhe libra të rrallë dhe objekte të tjera muzeale që lidhen me historinë dhe kulturën shqiptare. Ndër to përmendeshin koleksionet e gazetave “Bashkimi”, “Drita”, “Kukësi i Ri” dhe libra të tjera me vlerë historike e kulturore. Për disa vite ai kishte drejtuar edhe rrethin e filatelistëve të rinj pranë Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës, duke ndihmuar të rinjtë të njihnin më mirë historinë dhe vlerat e pullave postare. Ne nje interviste ne radio Kukesi shprehej: ”Vertete jam i moshuar, por besoj se jam edhe ne rreshtat e pare te me te rinjve. Kush merret me filatelili nuk ka pleqeri…”.

Fig5. “Mirenjohje” me rastin e 100 vjetorit te krijimit Postes Shqiptare
Pasioni i tij për filatelinë e kishte lidhur Rasim Junikun me shumë filatelistë të njohur nga vende të ndryshme. Ai mbante një korrespondencë të pasur me koleksionistë dhe studiues të filatelisë, ndër të cilët përmenden Idriz Fishta në Shkodër, Robert Ballauri në Tiranë dhe shumë të tjerë. Nëpërmjet kësaj korrespondence, ata shkëmbenin jo vetëm materiale filatelike, por edhe të dhëna e informacione mbi botimet më të fundit të pullave postare, si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera të botës.
Megjithatë, jeta e Rasim Junikut nuk kufizohej vetëm në pasionin për filatelinë. Ajo kishte një lidhje të thellë dhe të pandarë me çështjen e Kosovës dhe me të ardhmen e saj, e cila për më shumë se një shekull kishte jetuar nën presionin dhe dhunën e politikës serbomadhe. Kjo ndjenjë e fortë patriotike e kishte shtyrë atë të mbante një korrespondencë të gjerë me personalitete të politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe me figura të njohura të politikës ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli, Itali dhe në vende të tjera. Në këto letra ai shprehte shpesh respektin dhe vlerësimin e tij për politikën e vendeve perëndimore dhe për rolin vendimtar që kishte luajtur NATO në çlirimin e Kosovës. Një jehonë të veçantë patën edhe letrat që ai i kishte dërguar Papa Gjon Palit II, të cilin e falënderonte për mbështetjen morale ndaj popullit shqiptar dhe e ftonte të vizitonte Kosovën, e cila sapo kishte dalë nga lufta dhe kishte fituar lirinë e saj.

Fig6. Kopje e letres se derguar Papa Gjon Palit te 2-te ne Vatikan, 1996
Në përfundim të këtij shkrimi mund të themi me bindje se Rasim Juniku la pas një trashëgimi të pasur shpirtërore dhe materiale. Si rezultat i pasionit të tij të madh dhe kërkimeve të palodhura ndër vite, ai arriti të krijojë një koleksion të rëndësishëm filatelik. Ky koleksion përbëhej nga 13 albume, të cilat përfshinin një numër të madh zarflash FDC (First Day Cover) dhe shumë seri pullash postare, të sistemuara me kujdes sipas kritereve shkencore. Kjo pasuri përbën një kontribut të vyer për historinë dhe zhvillimin e filatelisë shqiptare dhe, fatmirësisht, sot kujdeset dhe zhvillohet më tej nga djali i tij i vogël, Shpëtimi, i cili vazhdon me përkushtim këtë traditë familjare.

Fig 7 Aktivitet filatelik Kukes,1996
Me figurën e tij, Rasim Juniku përfaqësonte patriotin e përkushtuar kosovar, njeriun e kulturës dhe intelektualin që, edhe në fushën e koleksionizmit, u shqua si një përfaqësues i denjë i kësaj veprimtarie në kulturën e kombit tonë. Ai u nda nga jeta në vitin 2000, duke lënë pas kujtimin e një njeriu të përkushtuar ndaj dijes, kulturës dhe historisë së vendit të tij.