-Objekti i Agjencisë së Arkivave të Kosovës do të rinovohet tërësisht, punët nisin këtë vit/
-Në Arkivin Shtetëror të Kosovës – edhe arkivi i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 26 Qershor 2018/Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do mbështetet për realizimin e një projekti i cili parasheh renovim në tërësi të objektit dhe punët do të nisin këtë vit.
Këtë e premtoi sot Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë vizitës në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ku zhvilloi takim me Kryeshefin Ekzekutiv, Ramë Manaj, i cili njoftoi me gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës në këtë institucion.
“Ne kemi përfunduar një intervenim të vogël, kemi vendos raftet e reja. Këtu zotohemi që Ministria e Kulturës dhe unë si ministër do të jemi në mbështetjeje të drejtorit, menaxhmentit, stafit, por edhe për të filluar një investim të ri në këtë objekt, një investim të gjithanshëm, duke përfshirë depotë, objektin, sistemin kundër zjarrit, pastaj aklimatizimin, aparatet për kontrollimin e lagështisë, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike për këtë institucion të rëndësisë së veçantë për vendin tonë. Është një projekt që e kemi tashmë të gatshëm, dhe ai do të fillojë të zbatohet së shpejti”, tha Ministri i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Gashi.Duke folur për rëndësinë e madhe që kanë arkivat në Kosovë Ministri tha se, pasi që lënda arkivore ka rëndësi historike, kulturore, shkencore dhe ka cilësinë e monumentit të kulturës, ajo duhet të ruhet në mënyrë të përhershme.“Andaj, në përputhje me rëndësinë e madhe që ka lënda arkivore, ky investim në objektin e Arkivit të Kosovës është një prej prioriteteve të Ministrisë dhe procedurat për investim në këtë objekt do të hapen brenda disa ditëve”, theksoi Ministri Gashi.
Gjatë takimit, ku pati dakordim edhe që të iniciohet ndryshim-plotësimi i Ligjit për Arkivat, Kryeshefi Ekzekutiv, Manaj, u shpreh falënderues për vizitën, por edhe për përkrahjen e Ministrisë dhe të Ministrit për të investuar në përmirësim të kushteve dhe rrethanave të punës nëpër objektet e arkivave.“Në takim kemi bërë përpjekje që të prezantojmë gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës, gjendje e trashëguar fatkeqësisht jo të mirë, sfidat me të cilat ballafaqohemi. Kushtet janë shumë limituese dhe kanë të bëjnë me ambientet e pamjaftueshme, me mungesën e hapësirës dhe joadekuate, me mungesën e teknologjisë dhe kapaciteteve njerëzore deri te kapacitetet teknike për digjitalizim. Por, duke pasur parasysh premtimin e ministrit, shpresojmë që gjendja në këtë agjenci të përmirësohet” tha Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj.Arkivi Shtetëror i Kosovës është një shtëpi e madhe-pallat dokumentesh shumë të rëndësishme dhe historike, të pazëvendësueshme e të pakompensueshme.
NGA ARKIVI I GAZETËS DIELLI:
TAKIM ME KRYESHEFIN EKZEKUTIV TË AGJENCISË SHTETËRORE TË ARKIVAVE TË KOSOVËS, RAMË MANAJ DHE DREJTORËT HAMIT SHALA E RUZHDI PANXHA
Pasditën e së enjtes së 22 shtatorit 2006 në Shtëpinë e madhe të dokumenteve, në takim me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha kemi biseduar edhe rreth kompletimit të Arkivit të Rilindjes të dërguar në Arkivin Shtetëror të Kosovës edhe me pjesët tjera të arkivit të gazetës tradicionale që ndodhen ende në Kompleksin Rilindja, ku Pallati 18 katësh është shndërruar në ndërtesë qeveritare. Në cilësinë kryeradaktorit të gazetës tradicionale kosovare Rilindja deri në numrin e fundit që ka dalë në 30 dhjetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë, në 29 janar 2007, me një vendim të veçantë të Kryeministrit kam nënshkruar marrëveshjen e hartuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e cila poashtu është nënshkruese, me Arkivin Shtetëror të Kosovës për dërgimin atje të gjithë Arkivit të Rilindjes, i cili edhe duhet të vlerësohet si edhe çdo pronë tjetër e Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja për realizimin e të drejtave të punëtorëve të saj.
(Pjesë nga shkrimi i datës 24 Shtator 2016 i korrespondentit të Gazetës DIELLI nga Kosova, Behlul Jashari, i cili ishte kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja nga fillimi i vitit 2002 e deri në numrin e fundit që ka dalë në 30 dhjetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë, si dhe kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës “Bujku” – pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, numri i parë i së cilës doli në 18 janar 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës Rilindja nga regjimi okupues serb në Kosovë)