* Dritan Demiraj, Ph.D. Ish ministër i brendshëm dhe autor i librave: “Al-Qaeda Tri Dekada Terror” (2020), “10 Komandat Strategjike të Al-Qaedës në Botë”, “Al-Qaeda në Afganistan-Pakistan” (2021), “Forcat Speciale dhe Lufta Asimetrike” (2021), “Afganistani-Një Paqe e Vështirë” (2014), “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik” (2017), “Nëpër Labirintet e Shtetit Islamik” (2015), “Al-Qaeda në Siri” (2019), “Al-Qaeda në Irak” (2019).
Ndërkohë që Kabuli ra krejtësisht nën kontrollin e Talebanëve, presidenti i vendit Ashraf Ghani u largua në Taxhikistan së bashku me zv/presidentin Amrullah Saleh dhe 30 milionë dollarë kesh, kaosi ka mbërthyer gjithë vendit, një krizë e madhe ekonomike, sigurie dhe refugjatësh duket se sapo ka filluar dhe zgjidhja duket e pamundur. Por si erdhëm në këtë situatë, kush është i interesuar për këtë situatë dhe cilat janë interesat dhe konseguencat e vendeve fqinje me Afganistanin? Qeveria afgane e përkrahur nga SHBA-të, ka qenë në pushtet në Afganistan prej pushtimit amerikan në dimrin e vitit 2001. Që nga ajo kohë, Talebanët kanë fituar kontroll të madh në disa pjesë të vendit dhe sipas marrëveshjes së nënshkruar mes SHBA-ve dhe Talebanëve në Doha në muajin shkurt 2020, të gjitha forcat e huaja duhet të largoheshin nga Afganistani deri në fund të muajit maj të vitit 2021, në këmbim të garancisë për siguri nga ana e grupit të Talebanëve. Këto negociata u urdhëruan nga ish Presidenti amerikan Donald J. Trump, i cili që në mesin e vitit 2020 kishte kërkuar që të përshpejtohej procesi i tërheqjes së trupave amerikane, duke deklaruar se dëshironte që ata të ktheheshin në shtëpi për festat e Krishtlindjeve.Ky konflikt në Afganistan gjatë dy dekadave ka krijuar rivalitet në marëdhëniet midis SHBA-ve dhe Iranit, Pakistanit, Indisë dhe Kinës. Armiqësia e Iranit ndaj SHBA-ve ka shërbyer si një katalizator për Iranin për të bërë një lojë të dyfishtë në Afganistan. Irani fillimisht mbështeti ndërhyrjen ushtarake të SHBA-ve kundër Talebanëve dhe luaji një rol të rëndësishëm në krijimin e qeverisë së parë të Afganistanit, por njëkohësisht më pas në mënyrë të fshehtë vazhdoi mbështetjen e Talebanëve afganë gjatë viteve pasuese kundër misionit të ISAF-it. Irani ndodhet në perëndim të Afganistanit, ndan me të 901 km vijë kufitare dhe ka lidhje të rëndësishme fetare, kulturore me popullin e tij. Pas rënies së regjimit të Talebanëve, qeveria e Afganistanit e ka cilësuar Iranin si: “Vëllezër dhe partnerë që na kanë ndihmuar shumë”. Të dyja vendet kanë njohur rritje të bashkëpunimit ekonomik nga fundi i vitit 2001, duke e bërë Iranin eksportuesin e dytë më të madh në vend pas Pakistanit. Por marëveshjet bilaterale për sigurinë midis Afganistanit dhe SHBA-ve janë kundërshtuar me forcë nga Irani, pasi prania e trupave amerikane dhe të NATO-s në “oborrin” e tyre konsiderohej e papranueshme. Në mënyrë të vazhdueshme Irani ka bërë thirrje për largimin e amerikanëve nga Afganistani.Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, e cila rrëzoi një regjim 26 vjeçar të Pahlavit shënoi përfundimin edhe marëveshja e CENTO-s, duke filluar një konflikt të gjatë midis Iranit dhe SHBA-ve, i cili vazhdon edhe sot në mesin e vitit 2021. Të dyja vendet vazhdimisht akuzojnë njëra tjetrën si eksportues të terrorizmit, ndërkohë që SHBA-të e quajnë Iranin si “Boshti i së keqes”, Irani e quan SHBA-në “Shejtani i Madh”. Revolucioni Islamik qetësoi marëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Sovjetik, megjithëse pushtimi i Afganistanit në vitin 1979 nga ana e Bashkimit Sovjetik shikohej si një kërcënim për Iranin. Gjatë këtij konflikti, Irani nuk ishte shumë aktiv në lidhje me mbështetjen e muxhahedinëve nga SHBA-të, Arabia Saudite dhe Pakistani. Kjo për shkak edhe të përplasjeve si pasojë e pushtimit të Iranit nga Iraku gjatë konfliktit 1980-1988 dhe mbështetjes së SHBA-ve për Sadam Hysein-in. Pas tërheqjes së Sovjetikëve nga Afganistani në vitin 1989, Irani filloi të angazhohej më shumë në rajon, duke vazhduar të mbështesë me mjete financiare dhe armatime aleatët e saj të Aleancës së Veriut, të cilët kishin lidhje fetare dhe të vjetra me Iranin, duke i mbështetur fuqishëm nga vitet 1992-2001 nëpërmjet njësive të forcave speciale al-Quds nën drejtimin e gjeneralbrigade Qasim Sulejmanit. Irani e zgjeroi përfshirjen dhe mbështetjen e komunitetit Shia Hazara në Afganistan dhe të grupeve muxhahedine që përfaqësonin ata. Kur në vitin 1994 u shpall lëvizja e Talebanëve dhe shumica e vendit ra nën kontrollin e tyre, atëherë Irani filloi mbështetjen e Aleancës së Veriut që drejtohej nga gjenerali i famshën Afgan me origjinë nga Taxhikistani Ahmad Shah Masoud. Kjo do të përbënte, bërthamën më të fortë të rezistencës anti-talebane nga viti 2006-2001. Pakistani me ndihmën e parave të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe ndihmoi në krijimin e Talebanëve Afganë, duke bërë që të tre këto vende të sfidonin influencën Shia të Iranit në Azinë juglindore. Në kohën kur Talebanët vranë tetë diplomatë dhe një gazetar iranian në qytetin verior të Mazar-e-Sharif-it në vitin 1998, ushtria e Iranit dislokoi rreth 120.000 trupa në kufirin me Heratin, e gatshme për një pushtim të Afganistanit. Irani e përshëndeti pushtimin e Afganistanit nga SHBA-të, pasi ky pushtim ndryshoi balancën e fuqisë në interes të Iranit. Pas rrëzimit të regjimit të Talebanëve, Irani-India-Rusia filluan të bashkëpunojnë me qëllim krijimin e një qeverie të re në Afganistan. Influenca e Iranit tek Aleanca e Veriut ishte shumë e rëndësishme për krijimin e qeverisë së Hamid Karzait. Presioni diplomatik i Iranit gjatë bisedimeve të paqes për krijimin e qeverisë i zhvilluar në Bonn të Gjermanisë, bëri që të arrihej një marëveshje për ndarjen e pushtetit në Afganistan. Qeveria e re i ofroi shumë pozicione ministrash Aleancës së Veriut dhe me këtë rast duke rritur influencën e Iranit në të ardhmen e Afganistanit. Për të forcuar ndikimin e tij, Irani përdori fuqinë e butë me qëllim ruajtjen e influencës në Afganistan, duke kundërshtuar në mënyrë të fshehtë SHBA-të dhe Talebanët gjatë gjithë kohës. Një nga mjetet e vazhdueshme që Irani ka përdorur në Afganistan, ka qënë fuqia e butë nëpërmjet përdorimit të mediave, duke harxhuar rreth 100 milionë dollarë në projekte civile, media sociale dhe ndërtimin e shkollave Shia. Në vitin 2002, Irani premtoi 570 milionë dollarë dhe rreth 100 milionë dollarë të tjera në vitin 2006 për procesin e rindërtimit të Afganistanit, shumica e të cilave u bënë realitet. Në vitin 2008, ata premtuan edhe 50 milionë dollarë të tjera dhe 300 milionë dollarë kredi për tre vitet e ardhshme (2009-2011). Gjatë viteve 2012-2013, sasia e tregtisë midis dy vendeve i kalonte 2 miliardë dollarët, duke e pozicionuar Iranin në rreth 35-40 për qind të sasisë së përgjithshme të tregtisë që Afganistani realizonte me vendet e tjera. Si Irani dhe SHBA-të ndajnë disa qëndrime të njëjta rreth Afganistanit. Të dy vendet dëshirojnë një qeveri të qëndrueshme me qëllim që të parandalojë kthimin e qeverisë së Talebanëve dhe të al-Qaedës në pushtet. Me marëveshjen e fundit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, me sa duket kjo qasje do të ndryshojë. Marëdhëniet e tyre u përkeqësuan shumë kur presidenti Bush iu referua Iranit në vitin 2002 si “Boshti i së keqes” dhe në vitin 2003 kur u zbulua se Irani po ndërtonte fabrika për energji nukleare dhe përdorim ushtarak. Më pas, rivaliteti midis këtyre dy shteteve e vështirësoi shumë marëdhënien nga njëra anë me një shtet që ishte kundër Talebanëve dhe nga ana tjetër e një fqinji të rëndësishëm. Në kohën kur qeveria e Afganistanit firmosi një marëveshje strategjike me SHBA-të në vitin 2005, Irani kërkoi nga qeveria e Afganistanit që të firmosnin një marëveshje që SHBA-të nuk do të përdornin territorin e tyre për të realizuan operacione ushtarake kundër Iranit. Por SHBA-të i ushtruan presion Afganistanit që të mos e firmosnin një marëveshje të tillë. Në vitin 2012, Departamenti Amerikan i Thesarit i kërkoi me forcë sistemit bankar të Afganistanit dhe organizatave të biznesit që të mos bënin biznes me Iranin, pasi do të bëheshin objekt i sanksioneve të SHBA-ve. Megjithatë, Afganistani refuzoi që të ndalonte biznesin me Iranin. Një nga ngjarjet më të rëndësishme sa i përket marëdhënieve midis Iranit dhe Talebanëve është vizita e delegacionit të Talebanëve, me kërkesë së qeverisë së Iranit në Teheran në muajin qershor 2013. Pas këtij takimi, disa takime të tjera u realizuan përsëri me Iranin. Qëllimi i këtyre takimeve ishte normalizimi i marëdhënieve midis Talebanëve dhe Iranit. Gjatë këtyre takimeve, Teherani kishte shfaqur shqetësimin e tij rreth popullsisë Hazara në Afganistan, ndërkohë që Talebanët i kërkuan Iranit që të mos mbështesnin më kundërshtarët e tyre pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani.